| E premte, 08.01.2021, 04:56 PM |
Fal Internetit
Nga
Edison Ypi
Loqemadh
Katunari nga Taplasi, Komuna e Tarrasit, Prefektura e Tangopit, fal Internetit
u shpall "Shqiptari i vitit".
Gjithashtu
fal Internetit, "Shqiptari i Shekullit" është ai që ishte dhe
gjithmonë do jetë, Takap Tahipi nga Marrujti, Komuna e Briskut, Prefektura e
Biçakut.
Fal
Internetit, ajo që do duhej të ishte shtylla e shoqërisë, mikroborgjezia jonë,
më së fundi ekziston. Por është më e fëlliqura në fytyrë të dheut; Ca parazitë
e ca hajdutë që hiqen për aristokratë, ca bajga që mbahen për elitë, ca muta që
mbahen për çokollata.
Fal
internetit, Shqiptar i Shquar quhet çdo hajdut që ngre një flamur dhe çdo
budalla që zhgarravit 1 rrjesht e gjysëm në fejsbuk.
Fal
Internetit, çdo halabak është më i rëndësishëm dhe më i lavdishëm se një
krahinë e tërë që nuk prodhon lajme me mafje dhe vrasje në familje por vetëm
spinaq, misër, grurë, mish, qumësht.
Fal
Internetit janë shtuar frikshëm ca budallaqe në kërkim të burrit. Ato që
fotografojnë surratin e vet nga dhjetra kënde. Sajojnë vargje dhe fraza me t'i
sjell zorrët te fyti. Nxjerrin piktura me sorkadhe të pëlotura, përrua që
rrjedh, liqen, pulëbardha, lejlekë, hënë e zbehtë në horizont, hapu varr të
futem.
Fal
Internetit, shitësi i bulmetit, kasapi, marangozi, katundarja që sjell
qumështin, dhe çdo llapaqen kafeneje, janë pakrahasimisht më seriozë se të
gjithë shqiptarët që janë lodhur me vite nëpër shkolla, universitete, akademira.
Fal
Internetit shqiptarët Lirinë nuk e perceptojnë si gjithë dynjaja, pra si
zgjerim, por si ngushtim, si hall, si
siklet, si bunker, si burg.
Fal
Internetit shqiptarët nuk po e kuptojnë, se po të shpërdorohet, Liria jo vetëm
paksohet, por edhe asgjësohet.