Kulturë
Gjokë Dabaj: Aziz Gjergji - Rinia e Mbretit Zog
E enjte, 07.01.2021, 10:45 AM
RINIA E MBRETIT ZOG, NGA AZIZ GJERGJI
-Miqvet të mi, adhurues të Mbretit Zog:
Lexojeni këtë libër! Gj.D.-
NGA GJOKË
DABAJ
Monografia historike “Rinia e Mbretit Zog”
e historianit Aziz Gjergji, u botua në GEER, Tiranë 2020 dhe ka 466 faqe. Unë
jam nga të parët që e kam marrë dhe lexuar këtë libër dhe, besoj, nga të parët
që po shkruaj diçka për ‘të.
Me Aziz Gjergjin kemi qenë bashkëstudentë në Fakultetin e
Histori-Filologjisë në Tiranë në vitet 1967-1971. Por kemi edhe një lidhje
tjetër bashkë, sepse ai, kur unë isha emëruar mësues në rreth të Matit, ka
pasur të jatin oficer në garnizonin e madh ushtarak të Burrelit dhe me vëllanë
e tij kemi qenë kolegë për disa kohë në të njëjtën shkollë.
Veç këtyre, ne të dy kemi edhe një tjetër koincidencë, të
cilën Azizi ndoshta nuk e di. Në vitet 1962-1967 unë isha i internuar në NBL-në
e Tepelenës në Beçisht. Aty, bashkë me mua dhe me shumë punëtorë të tjerë të
rrethit të Tepelenës, jetonte dhe punonte edhe një plak, Muho Gjergji nga
Gusmari i Kurveleshit, sigurisht, kushëri i afërm apo i largët i Azizit.
Punonim në një brigadë dhe shpeshherë bisedonim, sado që ai ishte shumë i
heshtur. Kish qenë i burgosur, sepse, në vitet pas Luftës, kish pasë strehuar
një diversant në stanin e vet. “Unë isha bari”, më
thoshte, “Ai diversanti më erdhi te stani dhe më kërkoi që ta strehoja.
Unë, ca nga tradita e mikpritjes, se nuk mund as ta dëboja e as ta tradhtoja,
por edhe sepse e kisha nga krahina ime dhe e njihja, e pranova te stani dhe e
mbajta fshehur disa ditë. Një mbrëmje, kur iu duk se do të mund ta kalonte kufirin,
më tha se do të largohej. Ia mbusha trastën me bukë, e përcolla dhe i thashë:
Po të kapën, mos trego se të kam strehuar unë!.. Mirëpo, po atë natë, sa i qe
afruar kufirit, e zunë! …Ndërsa mua më arrestuan qysh të nesërmen.”
Muho Gjergji e kish kryer dënimin dhe tani jetonte i
vetmuar. Nuk e di nëse kish pasur familje, por di që në Gusmar nuk shkonte
thuajse fare. Edhe të dielavet, kur gati të gjithë punëtorët shkonin nëpër
shtëpitë e veta, Muhoja rrinte te kapanonet… Nuk ankohej për dënimin që kishte
marrë, por çuditej për mua dhe më thoshte: “Mirë unë që e bëra gabimin e
u dënova, po ti ç’ke bërë që të kanë prurë e po të mbajnë këtu?!”
“Unë kam thyer kufirin,“i thosha” dhe duhet të jap prova që
nuk jam spiun i Jugosllavisë ” …Ky ishte Muho Gjergji, farefis i Aziz
Gjergjit, dhe unë nuk po i tregoj kot këto gjëra, ndërsa kam ndër duar librin e
tij.
Ndërkaq, në rreth të Matit pata disa nxënës që prindët
apo të afërmit i kishin pasur apo i kishin në burg. Me sa duket, mënyra si
sillesha me ta, bënte që të flisnin mirë për mua në familjet dhe, për këtë, me
shumë prej tyre u miqësuam dhe mbetëm miq edhe mbas 1990-s. Njëri prej sish
ishte Osman Doka, i cili kish bërë 17 vite burg. Por kjo, për mua, nuk përbënte
arsye që të sillesha ndryshe me fëmijët apo me nipat e mbesat e tija… Pas
1990-s, meqë tani shtëpitë i kishim afër, shkonim te njëri-tjetri si miq të
vjetër dhe bisedonim me orë të tëra. Natyrisht, duke pasur kujdes që të mos
debatonim për çështjet ku pikëpamjet tona ishin të ndryshme... Pak ditë para se
të largohej nga jeta, Osmani erdhi te shtëpia ime dhe ndenjëm bashkë gati tri
orë. Kish qejf të bisedonte. Kur doli, u ndal te porta dhe më tha: “Po e
shoh që po mbyllet jeta ime. A do t’i thuash dy fjalë te varri im atë ditë kur
të më varrosni?” “Po”, i thashë. “Natyrisht, nëse
janë dakord fëmijët e tu.” Shkoi e s’u pamë më… Sado që dalloheshim në
bindjet tona, atdhedashuria na bashkonte. Sot, vazhdojmë të shkojmë e vimë me
pasardhësit e tij të mrekullueshëm.
Tani sapo e mbarova librin gati 500-faqesh të Aziz
Gjergjit “Rinia e Mbretit Zog” dhe, gjatë gjithë kohës, nuk m’u
largua nga mendja një kërkesë kategorike, të cilën gati sa s’po e thosha me zë
të lartë: Këtë libër duhet me doemos ta lexojnë të gjithë adhuruesit e
Ahmet Zogut!
Nuk është e mundur ta njohësh me themel një personalitet
historik, pa i lexuar sidomos shkrimet dhe librat që flasin kundër tij.
Adhuruesit e Ahmet Zogut dhe simpatizuesit e tij duhet ta lexojnë këtë libër
dhe, ose të pranojnë ç’është shkruar aty, ose ta kundërshtojnë me argumente. Jo
të mjaftohen me dy apo me pesë fjali, por ta marrin këtë libër fletë për fletë
dhe kapitull për kapitull dhe, ose t’i hedhin poshtë, ose t’i pranojnë si të
vërteta ato që janë thënë aty e, rrjedhimisht, të ndryshojnë mendim lidhur me
personin, në këtë rast me Ahmet Zogun, që e kanë adhuruar ose simpatizuar.
Kjo është e vetmja rrugë gjykimi që do t’i bashkojë
shqiptarët njërin me tjetrin.
Unë e kam shkruar një libër për Enver Hoxhën, pikërisht
në kohën kur në krejt Shqipërinë s’po lihej gjë pa thënë kundër tij. Titulli
është “Rrnoj edhe unë për me tregue”, botime “Vllamasi”,
Tiranë 2017, me 387 faqe. Por, para se ta botoja atë libër, lexova me vëmendje,
veç librash të tjerë, edhe librin e Esat Myftarit “Kosova dhe Enver Hoxha
përmes dokumentave arkivore të pabotueme deri më sot”, botimet Princi
2016, me mbi 360 faqe, si dhe librin e madh të Atë Zef Pllunit “Rrno
vetëm për me tregue”, e shtëpisë botuese 55, viti 2006, me 734 faqe,
prej të cilit mora si shembull edhe titullin. Ai: “Rrno vetëm për me tregue”,
unë: “Rrnoj edhe unë për me tregue”. Nuk besoj ta kem fyer
Atë Zef Pllumin duke shprehur edhe unë mendimet e mi.
Kështu kam mendimin se duhet vepruar edhe me librin “Rinia
e Mbretit Zog” që sapo është botuar. Ta lexojnë doemos dhe
sidomos ata që mendojnë ndryshe.
Ndërkohë, unë do të lexoj edhe dy libra që i ka shkruar
Blend Fevziu për Enver Hoxhën dhe për Ahmet Zogun. Veçse do të doja ta bëja një
vërejtje qysh tani: Aziz Gjergji e ka paraqitur Ahmet Zogun, si në kopertinë
ashtu dhe brenda librit, me fotografi krejt normale. Ndërsa Blend Fevziu e ka
shëmtuar portretin e Enver Hoxhës që në kopertinë, sikur ka kërkuar të na
thotë: “Unë s’po kam ç’t’i bëj tjetër këtij njeriu ”
Nuk fola hollësisht për librin e Aziz Gjergjit, me
qëllim, sepse desha t’ua lëshoj radhën atyre që do ta lexojnë, e në radhë të
parë matjanëvet.
Gjithsesi, këta libra do të lexohen edhe pas 20 apo 50 a
100 vjetësh dhe atëherë do të gjykojnë pasardhësit tanë: Kush ka pasur të
drejtë e kush ka gabuar.