Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Bike Boys
E marte, 05.01.2021, 05:00 PM
Bike Boys
Nga Edison Ypi
Biçikletën
dhe korsitë e biçikletave, tashmë i dashuroj më tepër se sulltani femrat e
haremit.
Kalërimi
mbi biçikletë nëpër korsi dhe rrugica të asfaltuara, ndez gjakun, forcon
muskujt, hap mendjen, të mbars me emocione dhe ide të reja, të zgjat jetën.
Megjithatë,
duke shetitur çdo ditë mbi korsi dhe rrugica të ndryshme që qyteti të mos të
mërzitet, fluturimi me biçikletë nëpër qiejt e qefit nuk është aq rozë sa
duket.
Një
ditë, për shembull, frenova fort dhe u rrëxova e u dërrmova mbi ca tavolina
metalike që një kafexhi i çmendur i kishte nxjerrë në trotuar. Faji ishte edhe
imi. Nuk ecet me biçikletë në trotuar.
Një
ditë tjetër vajta të regjistroj frenat. E filloi ustai atë punë javash-javash
duke pi raki dhe duke kënduar hitin e fundit "Ta hongsha mëlçinë me
pirun". Kur pas pak minutash biçikletës i hipa dhe u gjinda me majtas një
makinë, djathtas një lypsar, përpara dy kalamaj, frenat nuk mbajtën, zilja nuk
tingëlloi, rash si dëng mishi në asfalt. Thash' se vdiqa. Pijetari i kishte
lënë frenat të lira, dhe kur e kishte kthy biçikletën përmbys për me lubrifiku
zinxhirin, kishte dëmtuar zilen e mbërthyer te timoni.
Më
kërrciste aksi i pasëm. Vajta te një biçikletaxhi ta ndreq. Njëkohësisht që
ndreqte rrotën time, centronte rrotën e një tjetri. Për mos me më lën mu dhe
tjetrin me na hyp nervat, në një tentativë idioteske me na bo me qesh, tha:
-Çfarë
rrotash janë rrotat e shprehjes "rrotmrrot", rrota biçiklete, rrota
motoçiklete, apo rrota makine ?
-Rrotat
rrotmrrot jemi ne të dy që ndreqjen e dy rrotave tona ja kemi besu rrotës tate
- i thash - dhe ika.
Sapo
hyra te ustai tjetër, ja nisi me ligjëru:
-Po
ta vodhën biçikletën domethën se je budalla. Nëse budalla nuk je, hajduti ta ka
vjedh për ta rishpërndarë pasurinë në mënyrë më të drejtë. Në mos, meqënse
biçikleta dashurohet si femër, dikush tjetër që biçikletën tënde e ka dashuruar
më tepër se ty, ta rrëmbeu dhe iku.
Aq
më mahniti biçikletaxhiu filozof, sa harrova pse vajta. Difektin e ndreqa vetë
më vonë. Si në kohën e kurvit. Me forcat e mia.
Kur
vajta te një biçikletaxhi me ma ndreq shalën se më vriste bythën, ja priti:
-A
e di cili është ndryshimi mes femrës dhe biçikletës ?
-Hë
ma thuaj se dua ta di.
-Kur
i hyp, biçikleta çfryhet, femra fryhet.
Dhe
qeshi me fjalët e veta.
Barcaleta
katunareske më bëri për të vjellë. Por u bë sebep pikërisht barcaleta
trashanike që atë çast formulova ligjin e pestë të Newtonit, sipas të cilit:
Pedalimi
është erogjen. Kthesat e korsive të biçikletave janë më të ëmbëla dhe më të
rrezikshme se nazet e femrave. Biçikleta ka seks. Biçikletën që s'ka seks,
shitja ndonjë eunuku që seksi nuk i intereson, ose hidhe, shite për skrap.
Korsitë
me harqe si sisët e femrave, rrrugicat me kthesa të buta si vithet e tyre,
biçikleta ta zgjat jetën.
Por
me biçikletaxhinj pijaneca, llafazana, pisanjosa, barkderra, që punojnë duke bo
muhabet me cigare në gojë dhe duke kthy kokën sa andej këndej si skutha, nuk
shijohet haremi i korsive dhe kthesave, rrezikohet jeta, kërcënon vdekja.
Ustallarët
mesjetarë i shkatërrojnë mardhëniet idilike të kësaj natyre, e shterrin
entuziazmin e kalërimit me biçikletë dhe të mirave shëndetësore që vijnë prej
tij.
Po
endesha shpresëhumbur nëpër korsitë mbi biçikletë si mbi dallgët e Valsit
"Danubi Blu". Pyet njërin e tjetrin se ku mund t'i ndreqja marshat,
levat, kavot, që më ishin bërë lëmsh.
-Nuk
është biçikletaxhi, më tha dikush.
-Po
çfarë është ?
-Është
komplet tjetër gjë. Shife vetë, ja ku e ke "Bike Point".
Hyra
bashkë me biçikletën te "Bike Point".
Kur
s'mu bllokua fryma dhe s'më ndali zemra tek pashë ç'bëhej atje brenda, me
siguri mushkëritë i kam prej polistiroli dhe nervat prej çeliku.
Çelsa,
kaçavida, ekstratora, pinca, çekiça, fermo, plunxhera, pistona, premistopa,
kushineta, bokola, stativa, morseta, dispozitiva mekanikë, pneumatikë,
hidraulikë, vizatime, pankarta, skica, e të tjera e të tjera me të ikë menia.
Njëra
më e pastër e më e bukur se tjetra, ca varur në mura, ca mbi tavolina, krejt
veglat që i kam ëndërruar, por kurrë nuk i kam pasur, ishin të gjitha atje.
Më
faneps ofiçina ku kam punuar:
Grumbull
hekurishtash, çekiça me bish hekuri, çelsa të shtrembër ose të këputur, dalta
të çmprehura, gërshërë të shpartalluara, sharra pa dhëmbë, zhul gjithandej. Të
gjitha brenda një gërmadhe pisanjose të quajtur "Ofiçinë", ku nja
dyqint a më tepër proletarë surratnxirë, ulçerozë, barkthatë, duke u rropatur e
zhgërryer nën kamiona, e të tjera lemerira që po ti kujtosh kap spitalin psikiatrik
për krejt pjesën e mbetur të jetës derisa të ngordhësh.
Në
Parajsën e veglave nuk ka raki, nuk ka muhabete, pisllëk, javashllëk, këngë
rakie, shakara katundareske. Ka punë, ka disiplinë, pastërti farmacie,
precision gjerman, stil italjan, fantazi japoneze, përpikmëri angleze.
Mahnitje
kapitalistike, ku shqiptari i talentuar që e ka ideuar këtë sipërmarrje, ka
bërë gjënë më fantastike që sotpërsot mund të bëhet mbi truallin e Gjon
Buzukut: Punën nuk e ka pritur, as nuk e ka blerë, as nuk e ka shitur, nuk e ka
pranuar apo refuzuar, dhe as negociuar ose këmbyer, por Punën e ka shpikur, e
ka shpikur atje ku nuk ekzistonte.
Pamje
lakrimogjene.
Çunat
nuk kanë ikur në Gjermani, Itali, Angli, Amerikë, apo gjetkë.
Bike
Boys-at e Bike Point-it, Gjermaninë, Italinë, Anglinë, Amerikën, Japoninë, i
kanë sjellë në Shqipëri.
Ku
ndodhet Bike Point ?
Oazi
mahnitës i iniciativës dhe punës ndodhet mes tregut çam dhe rrugës së famshme
me emrin e një vrasësi.