E diele, 22.12.2024, 06:41 AM (GMT)

Kulturë

Lekë Mrijaj: Marjan N. Sopi - Binça

E shtune, 02.01.2021, 10:15 AM


DOLI NGA BOTIMI LIBRI MË I RI: BINÇA-NJË LASHTËSI ILIRE-ARBËRORE-SHQIPTARE, I STUDIUESIT TË MIRËNJOHUR, MARJAN N. SOPI

Shkruan: Lekë Mrijaj

Këtyre ditëve doli nga botimi libri më i ri (monografi), i shumëpritur, i shkrimtarit dhe studiuesit Marjan N. SOPI  me titull:

BINÇA-NJË LASHTËSI ILIRE-ARBËRORE-SHQIPTARE

Ne këtu në vazhdim ju sjellim recensën e historianit tonë të mirënjohur Prof. Dr. Jahja DRANÇOLLI si dhe parathënien e Dr. Mikel D. SOPI.

BINÇA-NJË LASHTËSI ILIRE-ARBËRORE-SHQIPTARE

R E C E N S Ë: Prof. Dr. Jahja Drançolli, recenzent

Monografia me titull: BINÇA-NJË LASHTËSI ILIRE-ARBËRORE-SHQIPTARE, është konceptuar në tetë kapituj, të udhëhequra  me fjalën e autorit si dhe njoftime për problematikën e trajtuar me rezultatet e arritura në dorëshkrim, dhe në fund (kopertinë) kemi një biografi të shkurtër të autorit, ku ofrohën njoftime të shkurtëra bio-bibliografike.

E veçanta e saj është se monografia në fjalë botohet në vitin jubilar, 1000-vjetorin e paraqitjes së parë të vendbanimit Binça sipas burimeve zyrtare.

Në kaptinën e parë, kaptinë kjo qëndrore për mendimin tonë, autori z. Marjan N. Sopi i sillet “Binçës, njërit ndër vendbanimet më të hershme të Gadishullit Ilirik”.

Kaptina e dytë ofron njoftime prosopografike për “Binçën dhe fisin Sopi”.

Kaptina e  tretë në aspektin komparativ njofton për “Historinë e dhëmbshme dhe krenarinë“.

Në kaptinën e katër, autori i sillet “Binçës dhe plagëve të pashëruara të saj deri me sot”.

Në kaptinën e pestë, ndërkaq bëhet fjalë për “Rrethanat shoqërore-ekonomike, kulturore dhe arsimore në Binçë dhe rrethinë“.

Kaptina e gjashtë ofron njoftime burimore për “Binça me plagë të hapur: Mërgata”.

Kaptina e shtatë është e rezervuar për ngjarjet përgjatë kthesave të mëdha të historisë tonë, “Binça në vitet 1998-1999”. Njëkohësisht kjo është edhe kaptina e fundit e monografisë e cila trajton edhe problematikën e “Binçës në ditët e sotme”.

Sikurse u theksua edhe më lartë boshtin e dorëshkrimit e përmban kaptina e parë. Këtu, autori z. Marjan N. Sopi, duke u mbështetur pikërisht në burime historike të shkruara, dhe sidomos në burime materiale dhe gojore, të vjelura në terren, si dhe nga burimet e kançelarive perëndimore, bizantine, glagolike dhe cirilike, bëri përpjekje për t’i përmbysur tezat e lansuara nga një pjesë e historiografisë së shteteve fqinjë, që vazhdon me intensitet të shtuar edhe në ditët e sotme, për të provuar se, as gjatë gjithë mesjetës në hapësirat e banuara edhe sot me popullsi kompakte shqiptare në veçanti në Binçë dhe përgjithësisht në Kosovë, nuk paska pasur vazhdimësi të popullatës ilire-arbërore-shqiptare.

Autori, z. Marjan N. Sopi ka arritur të tregojë që lënda burimore shqiptare e përmbajtur në burime që zotëron është në të vërtetë vetëm relikt që i shpëtoi procesit të furishëm të sllavizimit onomastik e konfesional të shqiptarëve. Kjo sadoqë sllavët ardhës, paganë (serbët e bullgarët), që nisin të përqafojnë krishterimin tek nga kapërcyelli i  shekullit  IX e kishin gjetur popullatën autoktone ilire-arbërore të Dardanisë së lashtë si qytetarë të perandorisë, përkatësisht të Komonveltit  bizantin dhe si besimtarë të krishterë të ritit romano-katolik dhe të ritit katolik-lindor.

Nga ajo që u tha më sipër, dhe sidomos duke u mbështetur në origjinalitetin e monografisë, e cila paraqet një punë profesionale dhe shkencore të vlefshme, kam nderin t’ia rekomandojë botuesit, që ta aprovon vlerësimin tonë pozitiv dhe të nisë procedurën për botimin e dorëshkrimit me titull: “BINÇA-NJË LASHTËSI ILIRE-ARBËRORE-SHQIPTARE” të autorit z. Marjan N. Sopi.

Prishtinë, më 25/VIII/2020

Kalaja-Qytezë si dhe Tuma iliri në vendbanimin Binçë

P a r a t h ë n i e: Nga: Dr. Mikel D. Sopi, recenzent

Libri monografik i shkrimtarit dhe studiuesit Marjan N. Sopi, Binça - një lashtësi ilire-arbërore-shqiptare, paraqet një simbiozë të problematikave të rrahura me kujdes dhe të ngjeshura me guxim, me qasje shumëdimensionale: sa historike po aq edhe arkeologjike, sa teorike po aq edhe komparative e praktike. Përmbledhja e materialeve në këtë libër cyt kurreshtjen për vazhdimin e hulumtimeve historike dhe arkeologjike. Kurse studimet mbi trashëgiminë kulturore të Binçës, me kalanë-qytezën dhe historinë e saj; premtojnë kontribute me përmasa gjithkombëtare, si në rrafshin shkencor ashtu edhe në atë politiko-shoqëror, historik, ekumenik dhe ndërfetar.

Ajo që duhet vënë në pah është fakti se viti 1019 nuk paraqet fillimin e vendbanimit Binçë, përkundrazi, referimi i Binçës në dokumentin e perandorit Basilit II nga vitit 1019, tregon rëndësinë e këtij vendi edhe në këtë periudhë. Kur Binçës i shtohen edhe të dhënat tjera historike dhe arkeologjike me kalanë-qytezën e saj, jo vetëm se atë e bëjnë vendbanim interesant, por na bën kurreshtarë dhe krenarë për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore iliro-shqiptare.

Megjithatë, mbrojtja e kësaj pasurie enorme në këtë vend ka një çmim tejet të lartë me dëshmi të dhimbshme nga popullata e Binçës! Brezat e tërë me dinjitet dhe heroikisht janë përballur me shumë grabitçarë të huaj të organizuar dhe me stuhira ideologjike të dhunshme, ku për qëllim kishin kryesisht tjetërsimin kombëtar apo fetar (varësisht nga periudhat historike) shtrembërimin shpirtëror, kulturor etj. Por, siç shprehet vetë autori me: Lisin e fuqishëm gjithnjë e rrahin erërat e forta dhe era të ndryshme.

Autori me mjeshtëri ka ditur t'i kapë momentet më të ndieshme dhe me domethënëse të trashëgimisë historike të Binçës, duke e ushqyer atë me zbardhjen e shumë elementeve të rëndësishme. Andaj edhe sistemimi i materialit në shtatë kapituj, nga një anë, u jep një dinamikë argumenteve të shqyrtuara dhe, nga ana tjetër, nxit studiuesit e profileve të ndryshme për hulumtime të mëtutjeshme.

Studiuesi Sopi me energji vullkanike përballet me të vërtetat historike kolosale të popullit tonë - të vërteta të argumentuara dhe si të tilla të pakontestueshme. Andaj, që nga hapja e këtij librit të tij, Autori sjell dëshmi historike me harta të lashta që flasin për lashtësinë e emërtimit dhe të vendbanimit Binçë, madje me prova të dukshme, siç janë elementetet e ndryshme nga lashtësia, të nxjerrura nga Kalaja e Binçës: shtiza, artefakte të ndryshme, monedha, gurë dhe qeramika të përpunuar etj., duke e lidhur në këtë mënyrë Binçën me kohën romake dhe me premisa edhe më të hershme. Ky libër monografik ka parasysh dy gjëra themelore:

?          Lashtësinë historike të pakontestueshme të vendbanimit Binçë, duke filluar nga Kalaja e vendit dhe

?          Ruajtjen e origjinës shqiptare dhe të trashëgimisë kulturore nga banorët e Binçës gjatë shekujve të tërë

Në vazhdim, autori Sebaj Sopi, duke iu referuar rrjedhave të historisë së mëvonshme, sjell në pah pasuritë natyrore të Binçës si dhe trashëgiminë shpirtërore e tiparet burrërore të njerëzve bujarë të vendit. Kjo qasje pragmatike madje e dinamizon dhe i bëne edhe më konkrete dhe më bindëse argumentet e parashtruara dhe të shqyrtuara në këtë monografi.

I dashur lexues, në këtë kohë të thyerjeve politike dhe ideologjike në nivele më të larta botërore dhe në mënyrë më të paskrupullt, ku hov të madh kanë marrë propagandat kundër vlerave, të organizuara në struktura politike dhe duke u kamufluar pas proceseve demokratike (por që në fakt janë bartëse të shkatërrimit të njerëzimit), ku për përfitime të grupeve të caktuara viktima bien njerëzit e ndershëm, të cilët e enderrojne nje demokraci me përmasa taman njerëzore.

Andaj, nga ky këndevështrim, kjo monografi që ke në dorë le të jetë ushqyes mendor dhe shpirtëror për të vlerësuar dinjitetin njerëzor dhe për ta dashur atdheun me ndershmëri. Në këtë mënyrë do i shërbejmë të mirës dhe të vërtetës së jetës. Në këto virtyte qëndron gëzimi, krenaria dhe siguria e vetme e jetës njerëzore, e proceseve demokratike dhe e prosperitetit te paqes mes njerezve dhe kombeve.

Zürich, 29 shtator 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora