Kulturë
Gjokë Dabaj: Koha e një rizgjimi
E merkure, 30.12.2020, 12:30 PM
KOHA E NJË RIZGJIMI
Në
vend të urimit për Vitin e Ri 2021
Nga
Gjokë Dabaj
Ne shqiptarët kemi
kanune, rregulla e ligje, për vete, ndoshta më shumë se cilido komb tjetër i
botës. Kanun pas kanuni, që nga ata të pashkruarit, të mësuar përmendsh e të
mbajtur mend shekull pas shekulli, deri te të mbledhurit nga goja e popullit,
të shkruar e botuar, si ai i Shtjefën Gjeçovit dhe disa të tjerë pas tij.
Në këta çaste kam
ndër duar njërin prej tyre, me titull “Kanuni i Lekë Dukagjinit, në
variantin e Mirditës”, libër 388 faqesh, mbledhur dhe publikuar prej
studiuesit Xhemal Meçe. Të gjitha rregullat dhe ndëshkimet janë aty, me kapituj
e me nene, që nga “me ja sha kuj faqe tjerëve: nanë e tatë, motër e cucë,
grue e kunatë”, deri te “me ja vra kuj qenin në hekurat”. (Krs. faqe
75)
Por unë, këtë
herë, në dalje të vitit 2020, po dua t’i shikoj shqiptarët si popull dhe
si… jopopull. Të tjerët le t’i shikojnë si të duan!
Me fjalën popull
po kuptoj të gjithë shqiptarët normalë, ndërsa me fjalën jopopull
po kuptoj të deformuarit; pra, ata që dalin prej popullit, por që nuk
janë popull. Duke përdorur, me këtë rast, një fjalë jo dhe aq të lehtë, këtë
pjesë të deformuar (ose të përpunuar) të popullit shqiptar, do të na duhet ta
quajmë jashtëqitje. Ashtu si jashtëqitja e njeriut nuk është më njeri,
ashtu edhe jashtëqitja e një populli nuk është më popull!
Le të marrim disa
shembuj konkretë:
1. Zyrtari, i cili
pranon “bakshishe” nga kushdoqoftë, nuk është më pjesë e popullit, por është jashtëqitje
e popullit.
2. Juristi, i cili
pranon ryshfete, është thjeshtë jashtëqitje. Ai s’është njeri dhe
rrjedhimisht s’është pjesë e popullit.
3. Një pedagog apo
mësues, i cili pranon dhurata nga studentët apo nxënësit e vet (përveç një tufe
lulesh dhe një kartoline), nuk është më as pedagog, as mësues. Ai është…
Lexuesi le ta thotë vetë ç’është, sepse fjala jashtëqitje ka disa
sinonime.
4. a. Një mjek, i
cili, qoftë edhe me justifikimin “vetë m’i dha, vetë m’i futi në xhep”,
i pranon paratë nga pacienti apo një i afërm i pacientit, është një jashtëqitje
tmerrësisht kutërbuese.
b. një infermiere
a sanitare, e cila e gjen si “rastësisht” një kartëmonedhë nën jastëkun
e të sëmurit dhe e fut në xhepin e përparëses së vet, është më keq se ajo e
uturakut.
5. Një polic,
rrugor apo i çfarëdo shërbimi tjetër, i cili merr nga shkelësit e rregullavet
çfarëdo “dhurate” a ryshfeti, me erën që lëshon, e qelb jo vetëm
uniformën e vet dhe stemën me shqiponjën dykrerëshe, por krejt ambientin rretherrotull.
6. Edhe ata
shqiptarë që merren me prostitutat, janë jashtëqitje.
7. Edhe vetë
prostitutat, sado që e ndiejnë rëndë mbi trupin e vet erën e jashtëqitjes, janë
jashtëqitje.
8. Edhe ata që
praktikojnë kumarin dhe lojërat e “fatit”, janë jashtëqitje.
9. Edhe ata që e
përdorin, e tregtojnë apo e kultivojnë drogën, janë jashtëqitje.
10. Edhe ata që
merren me trafikim njerëzish, përfshirë aty edhe trafikantët e fëmijëvet, janë
jashtëqitje.
11. Edhe ata që
falsifikojnë dokumente, janë jashtëqitje.
12. Të gjithë ata
që prodhojnë organizma të modofikuar gjenetikisht (OMGJ), janë jashtëqitje.
13. Dhe, shkurt
fare, të gjithë ata që pasurohen me veprime të pandershëm, të çfarëdo forme,
janë jashtëqitje.
Këto kategori
banorësh dhe grupe të tjerë ngjashëm me këto, në aspektin e moralit
gjithnjerëzor, por veçanërisht në moralin shqiptar, kodifikuar me aq përkushtim
ndër kanunet tanë, nuk mund të përfshihen, nuk duhet të përfshihen, nën
emërtimin popull. Këta nuk janë popull, këta janë thjeshtë plehra!
Pastruesit e të
këtillë plehrave do të duhej të ishin ata që populli i zgjedh për të qeverisur
vendin.
Mirëpo, ç’po ndodh
në këtë Shqipërinë tonë, të shkapërderdhur në 5 a 6 shtete?! Po ndodh që, edhe
këta që populli po i zgjedh si përfaqësuesit e vet, prej shkaqesh nga më të
ndryshmit, po na dalin ose po bëhen jashtëqitje.
Është infektuar
krejt vendi aq keq nga ky lloj jashtëqitjeje sociale, sa njerëzit s’po
gjejnë rrugë tjetër shpëtimi, përveç ikjes prej atdheut! Por ikja është
tragjedi!
Njerëzit tanë po
braktisin tokën e vet, po braktisin fshatrat e vet, po braktisin qytetet e vet
dhe kjo do të thotë që shqiptarët po ua lëshojnë Shqipërinë të huajvet!
Të këtilla
tragjedi ndodhin në historitë e atyre popujve që nuk dinë të shërohen prej së
keqes. Ata ngushtohen territorialisht, rrëgjohen, pakësohen, zhduken… dhe
zëvendësohen prej popujsh të tjerë. Sepse toka nuk mbetet bosh asnjëherë! Aq më
tepër kjo e jona, që mezi presin të huajtë ta bëjnë të vetën!
Këta janë
rrëziqet, krejt realë dhe aspak të stisur!
Shqipëria,
ndihmuar ethshëm edhe prej keqdashësvet të kombit tonë dhe lakmitarëvet të
tokavet tona, pikërisht kur kombi ynë arriti t’i krijojë dy shtete e gjysmë, po
rrezikohet për t’u zbrazur!
Njëra nga rrugët,
që kombi ynë të shpëtojë nga dezintegrimi, shpërndarja, ikja dhe zhbërja, do të
ishte që, njerëzvet të zgjedhur, atyre që do t’u besohet pushteti për 4
apo 8 vjet, t’u kërkohet një premtim, ngjashëm me një formulë betimi:
“Unë që po kërkoj votën tuaj, po ju premtoj se do të luftoj me çdo mjet
ligjor kundër çdo forme abuzimi: Në administratë, në drejtësi, në arsim, në
mjekësi, në polici. Do të luftoj kundër prostitucionit të cilitdo lloji, kundër
bixhozit, kundër drogës, kundër trafikimit të njerëzvet, kundër çdo mënyre
falsifikimi, kundër abuzimevet me ushqimet dhe kundër të gjitha formavet të
pasurimit të paligjshëm! Nëse do të vini re që unë nuk do ta mbaj premtimin që
dhashë, ju lutem, më hidhni edhe mua atje ku hidhen të gjitha jashtëqitjet!”
Pas kësaj, në rast
se një i zgjedhur do të shfaqte shenja të mosmbajtjes së premtimit, nuk do të
duhej të dilnin vetëm kundërshtarët politikë për të protestuar, por edhe
zgjedhësit e tij. Madje në radhë të parë zgjedhësit e tij, duke u prononcuar: Ne
të votuam, ne po kërkojmë që ti të shkosh atje ku e ke vendin! Atje ku hidhen
të gjitha jashtëqitjet!
Në mos veprofshim
kështu, të gjithë ne do ta meritojmë cilësimin e tmerrshëm jopopull,
me të gjithë sinonimet që i vihen në krah këtij cilësimi.