Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Një luftë mbrojtëse, e drejtë dhe çlirimtare
E merkure, 23.12.2020, 09:44 AM
Blerim Latifi:
Miku
im, derisa po shkoja në drejtim të Mitrovicës, më ra rruga nga katundi yt.
Morra kthesën djathtas dhe parkova makinën skaj rrugës që mbante emrin “33
çlirimtarët e UÇK-së”. Një atmosferë e zymtë dimërore e kishte pushtuar luginën
e rrethuar me pyje nga të gjitha anët. Era bënte lojën e saj të lashtë me degët
e drurëve të zhveshur nga gjethet. Nuk lëvizte këmbë njeriu aty rrotull. Vetëm
makinat, që me shpejtësi të madhe vinin e shkonin në rrugën nacionale
Mitrovicë-Pejë, e mbysnin heshtjen dimërore. Që në fillim të rrugës që shpie
tek shtëpia jote e dikurshme, shihen gjurmët e historisë. Sipër rrugës, mbi një
bregore të vogël, qëndron memoriali i Dan Derocit, luftëtarit të viteve njëzetë
të shekullit të kaluar. Në këngën epike, që ende këndohet për të aty këtu,
thuhet si ai ishte një djalë i ri, i cili pas vrau poreznikët e pamëshirshëm të
krajlit, doli në male dhe në fund pati një vdekje të dhimbshme : u vra në
pabesi nga një dajë i tij. Historia e tij tregon se sa i fuqishëm ishte
pushteti i krajlit serb. Ai depërtonte edhe në brendi të lidhjeve familjare dhe
i përdorte ato për të shuar çdo shkëndi të rezistencës që shfaqjej herë pas
here. Ngjitur me memoralin e kaçakut të vjetër, gjendet memoriali i një
luftëtari tjetër nga familja e Derocit, i rënë në luftën e fundit, vetëm pak
ditë para kapitullimit të Serbisë. Në anën tjetër të rrugës, poshtë këmbëve të
një pylli, gjendet një memorial tjetër. Në të shkruan se pikërisht në atë vend,
në dimrin e vitit 1945, u vra Tafil Ramë Duraku, nga Abria e Poshtme, luftëtar
i Shaban Polluzhës. Kur e kishte filluar kryengritjen e tij, Shaban Polluzha e
kishte dërguar një batalion pikërisht në atë vend me qëllim që të bllokonte
grykën dhe të pengonte depërtimin e brigadave partizane nga Mitrovica në
Drenicë. Tafili nuk ishte i vetmi që kishte humbur jetën në betejën e asaj
gryke, por për të tjerët nuk është kujdesur askush që të vendosë aty një pllakë
përkujtimore. Mbi memoralian e Tafilit valvitet një flamur i shqyer nga
era.Mirëmbajtësit e memorialit, siç duket, nuk kanë pasur kohë ta zëvendësojnë
me një flamur të ri, ose mbase kanë hequr dorë krejt nga nga kjo punë. Po
kalojmë ditë të vështira, në të cilat të gjallët nuk kanë kohë të merren me
mirëmbajtjen e gjurmëve të të vdekurve të tyre. Kush e di si duhet të jetë
puna. Sidoqoftë, memorialet qëndrojnë aty, pranë njëri tjetrit, për të ruajtur
kujtesën e tri kohëve të ndryshme, të bashkuara nga një përpjekje e përbashkët
e brezave për t’i rezistuar shtypjes serbe. E hedh në tokë bishtin e cigarës
dhe nisem me makinë në drejtim të brendisë së katundit. Kaloj nga rruga që mban
emrin “Lekaj” dhe ndalem te vendi i vorreve të vjetra. Ato ndodhen në një
bregore, sipër rrugës. Nga erozioni i dheut gurët e tyre janë rrëzuar dhe
ngatërruar me njëri tjetrin.Miku im, më kujtohet se njëherë derisa po kalonim
pranë tyre, më pate thënë se e ke ndërmend të mos i lësh ato vorreza në atë
gjendje. Në këto vorre qëndron origjina e katunit, më pate thënë. Për të
vazhduar : “Duhet t’i rrethojmë dhe të vendosim një mur betoni, në mënyrë që
erozioni i tokës të mos i shkatërroj fare”. Dy fëmijë, nga oborri i një shtëpie
aty afër, por me shikonin pak si më habi. Me siguri pyesin njëri-tjetrin :
Çfarë po bën ky i panjohur këtu, në këtë ditë të ftohtë. E hodha në tokë
bishtin e cigarës tjetër dhe morra rrugën e kthimit. Legjenda për lashtësinë e
katundit dhe memorialet e rezistencës në hyrje të tij mbetën pas meje. Miku im,
e di se një ditë do të kthehem përsëri në këtë rrugë! Veçse jo vetëm, si sot,
por në shoqërinë tënde. E besoj thellësisht këtë. Sepse lufta jote nuk ishte
asgjë tjetër përveçse vazhdim besnik i luftërave të dikurshme për të cilën
dëshmojnë ato dy memorialet në hyrje të katundit tënd: një luftë mbrojtëse, e
drejtë dhe çlirimtare.