Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Gjinia dramatike
E marte, 22.12.2020, 05:44 PM
GJINIA DRAMATIKE
Nga Xhelal
Zejneli
Në antikitet, llojet dramatike – tragjedia
dhe komedia - shkruheshin në vargje. Sot shkruhen në prozë.
Në vargje i shkruan tragjeditë, Eskili, Sofokliu dhe Euripidi. Aristofani
(445-385 para erës sonë) komeditë e veta i shkruante në vargje. Njëzet
shekuj më vonë, edhe Shekspiri tragjeditë e veta i shkruante në vargje.
TRAGJEDIA –
Është lloji më i lartë i dramatikes në letërsinë antike greke. Lulëzoi në
shekullin V para epokës sonë. Gjenezën e ka prej riteve të lashta kushtuar
Perëndisë Dionis. Ky ishte Perëndia i natyrës, i jetës, i pranverës.
Ceremonitë përcilleshin me instrumentin muzikor lyrë. Këngëtarët ndërkaq
ishin me maska. Më vonë, ky grup i këngëtarëve u shndërrua në kor.
Kori e kishte edhe udhëheqësin e grupit, Korifeun. Nga këto ceremoni
lindi tragjedia.
Tragjedian i parë ishte Tespisi. Pas tij vijnë Eskili
(525-456 para erës sonë), Sofokliu (496-406 para erës sonë) dhe
Euripidi (485-406). Vepra të Euripidit ishin: “Prometeu i lidhur”,
“Orestia”, “Persët” etj. Vepra të Sofokliut ishin: “Mbreti Edip”,
“Antigona”, “Elektra” etj. Vepra të Euripidit ishin: “Medea”, Ekuba”,
“Ifigjenia në Aulidë” etj. Veprat e tyre janë përkthyer në gjuhën shqipe,
nga origjinali.
Tema të tragjedive kanë qenë ngjarjet madhështore
tragjike. Në tragjedinë “Prometeu i lidhur” Eskili mori nga mitologjia
temën e dënimit tragjik që iu dha nga Perënditë Prometeut, pasi ai
vodhi shkëndijën për t’u ndihmuar njerëzve në tokë.
Në tragjedi autori përdor stil të lartë, gjuhë të
zgjedhur, pra jo të përditshme.
Tipare të tragjedisë antike greke ishin: stili i
zgjedhur, ngjarja madhështore dhe tri njësitë e dramës (vendi, koha, ngjarja).
Këto tipare u ruajtën edhe në kohën e Rilindjes evropiane
(Renesancës) dhe të klasicizmit.
Tragjedia evropiane dhe botërore arriti kulmin me
tragjediografin anglez Uilliam Shekspir (1564-1616). Tragjedi të njohura
të tij janë: “Hamleti”, “Makbeti”, Mreti Lir”, “Jul Cezari” të
përkthyera në shqip nga Fan Stilian Noli (1882-1965). Tragjedi e njohur
e Shekspirit është edhe “Romeo dhe Zhylieta” etj. Dilema e
Hamletit apo dilema hamletiane “Të rrosh, a të mos rrosh – kjo është
çështja”, është një dilemë njerëzore e përhershme.
KOMEDIA –
Është një lloj tjetër i dramaturgjisë. Gjenezën e komedisë e gjejmë në rritet
religjioze të Greqisë antike, lidhur me perëndinë Dionis.
Komedia si lloj letrar dramaturgjik, ka për bazë
qesharaken dhe komiken. Ajo thumbon veset njerëzore të individit duke shprehur
tolerancë për të. Në komedi shfaqen anët qesharake të jetës dionisiane. Kulmin
e saj në antikitet e arriti me Aristofanin (445-385 para erës sonë) në
shekullin V para erës sonë. Filozofi gjerman Fridrih Engels e quajti baba
të komedisë antike.
Më vonë, në Greqinë e lashtë e kemi komediografin nga
Athina Menandar (343-291 para erës sonë). prej 105 komedive të tij i
njohim sot fragmentet e komediografëve romakë Plautit dhe të Terencit.
Komediograf i madh romak ishte Plauti (Tit Makacie
Plaut, 254-184 para erës sonë).
Komedia është më e afërt me jetën e përditshme. Një prej
veprave të Aristofanit është komedia “Bretkosat”. Komediograf i njohur
romak ishte edhe Terenci (Publie Terencie Afer, 195-159 para erës sonë),
me prejardhje nga Kartagjena në Afrikë.
Në epokën e Renesancës e kemi komedinë “Mandragola”
të shkrimtarit italian Nikolo Makiaveli (1469-1527). Kjo vepër
konsiderohet si e para komedi moderne e teatrit evropian, ngase e dha pasqyrën
e kohës së vet. U shkrua në prozë në pesë akte. Përpunon fabulën nga “Dekameroni”
i Xhovani Bokaços (1313-1375) për marrëzinë dhe mendjelehtësinë
njerëzore, duke dënuar shoqërinë amorale të kohës së vet.
Komediografi spanjoll Lope de Vega (1562-1635) heq
dorë nga rregullat e tri njësive. Ai është nismëtar i komedisë së zakoneve
dhe të intrigave në Spanjë.
Komedia i ka edhe nënllojet e veta: Komedia e
karaktereve në të cilën komediografi thumbon një tip të caktuar të
karakterit njerëzor: etjen për pushtet, mizantropin, koprracin, frikacakun,
karrieristin etj. Komediografi francez Zhan-Batist Molieri (1622-1673)
shkroi komedi karakteresh, siç janë: “Koprraci”, “Tartufi”,
“Mizantropi”, “Don Zhuani”, etj.
Në komedinë e situatave qesharakja, komikja e
satirikja shpërthejnë nga situata jetësore, situata në të cilat mund të ndodhet
një individ apo më shumë individë. Komedia “Revizori” i tregimtarit dhe
dramaturgut rus me prejardhje nga Ukraina Nikollaj Vasileviç Gogol (1809-1852).
Gogoli dhe poeti lirik, tregimtari dhe dramaturgu rus Aleksandër
Sergejeviç Pushkin (1799-1837) konsiderohen themelues të prozës moderne
ruse, duke ia hapur dyert realizmit dhe problemeve shoqërore në
letërsi. Komedia “Revizori” (1836) e Gogolit ndërtohet mbi bazën e
ngatërrimit të situatave. Kjo komedi mund të konsiderohet edhe si komedi
karakteresh ngase disa prej personazheve janë mashtrues. Ky lloj komedie
quhet edhe komedi intrigash. Shembull tipik i komedisë së intrigave
është komedia “Letrat e humbura” të komediografit rumun Kraxhale.
Ekzistojnë edhe komedi shoqërore ku përqeshen
sistemet regresive.
Në letërsinë shqiptare janë të njohura komeditë e Kristo
Floqit (1873-1951) nga Korça. Ishte dramaturgu më i popullarizuar i gjysmës
së parë të shekullit XX. Është autor i 17 komedive: “Qerthulli politik”, Tiranë
1922; “Dhëndër me përdhuni”, botuar në “Dielli” të Bostonit më
1912; “Vllazni e interes”; “E bija e bankierit”, “Burri – burrë”
etj.
Drama të tij janë: “Fe e kombësi” (1909), “Karllo
Topia” (1916); tragjedia “Pirro Neoptolemi” (1923); “Triumfi i
lirisë”, Korçë 1938.
DRAMA –
Drama si lloj i dramaturgjisë, në krahasim me tragjedinë dhe komedinë është
relativisht e re. Peshën e vet e fitoi në shekullin XVII, sidomos në Francë.
Lindi nevoja që artin skenik, përveç tragjedisë dhe komedisë, të paraqitet edhe
forma më e re e kësaj gjinie – drama. Këtë nevojë e imponoi vetë jeta e
njeriut e cila nuk është e ndarë në mënyrë konvencionale: Njëra faqe e jetës
është tragjike, ndërsa faqja tjetër – komike.
Për dallim nga tragjedia, drama nuk kufizohet vetëm në
temën e së kaluarës dhe e mitologjisë, por merr tema edhe
nga përditshmëria, duke përfshirë personazhe nga jeta e zakonshme dhe duke i
vënë ata në pozita tragjike. Tragjedia përdorte një stil dhe gjuhë të zgjedhur,
ndërsa stili dhe gjuha që përdor drama është ajo e njerëzve të zakonshëm.
Drama si lloj më fleksibpël, mori mbi vete pjesë, si të
tragjedisë, ashtu edhe të komedisë. Gradualisht, drama filloi të shkëputet nga
tragjedia. Ajo nisi ta nxjerrë tragjedinë nga përdorimi, njësoj si romani
me epin. Edhe drama mund të ketë fund tragjik, njësoj si tragjedia, por
jo në bazë të skemave dhe të rregullave antike dhe klasike. Heroi tragjik i
tragjedisë ka fund tragjik, ndërsa në dramë fundi i heroi nuk është përcaktuar.
Me fjalë të tjera, drama e ka plotësuar atë përmbajtje
jetësore të cilën nuk mund ta plotësonte as tragjedia, as komedia, si dy forma
të skajshme të jetës së njeriut.
Dramaturgë të njohur të shekullit XX janë dramaturgu
norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), novelisti dhe dramaturgu rus, me
profesion mjek, Anton Pavlloviç Çehov (1860-1904), shkrimtari italian,
laureat i çmimit “Nobel” (1934) Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello,
1867-1936), liriku dhe tregimtari gjerman, teoricien i dramës dhe teatrit
socialist modern Bertolt Brehti (Bertolt Brecht, 1898-1956) etj.
Kah mesi i shekullit XX lindi në Francë edhe antidrama
me tregimtarin lirik dhe dramaturgun irlandez, laureat i çmimit “Nobel”
(1969) Semuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989), dramaturgun francez me
prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugene Ionesco, 1912-1994) etj.
*
* *
Tradita e llojeve dramatike në letërsinë shqiptare është
e re. Me fjalë të tjera, në letërsinë shqiptare, dramaturgjia nuk ka një
traditë të pasur. Figura kryesore e letërsisë arbëreshe të shekullit XIX, Jeronim
De Rada (1814-1903), shkroi një pjesë teatrore në shqip, të cilën për arsye
botimi e përktheu italisht. Kjo ishte tragjedia historike 75-faqëshe “Numidët”
(I Numidi), Napoli 1846.
E para dramë origjinale në gjuhën shqipe është “Emira”
e shkrimtarit arbëresh Françesk Anton Santorit (1819-1894). Disa pjesë
të saj u botuan në revistën “Fiamuri Arbërit” të De Radës, në vitin
1887. Më 1896, u botua në antologjinë shqiptare të De Radës. Më 1984 u ribotua
nga shkrimtari arbëresh me prejardhje nga një familje çame, Françesko Solano,
i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo (1914-1999).
Prifti dhe poeti françeskan, me prejardhje nga fshati
arbëresh Greçi i krahinës së Avelinos, Leonardo De Martino (1830-1923),
në vitin 1880 botoi në Shkodër një pjesë teatrore të shkurtër fetare me titull “Nata
Këshnellavet”, e para e llojit të vet në shqip.
*
* *
Shkrimtari Mihal Grameno (1871-1931) nga Korça
është autor i komedisë me tri akte në vargje “Mallkimi i gjuhës shqipe”,
Bukuresht 1905, me ngjarje të ndodhura në Korçë në vitin 1886, e që i satirizon
orvatjet greke “për t’i qytetëruar” shqiptarët. Grameno është edhe autor i
tragjedisë me temë historike në katër akte “Vdekja e Pirros”, Sofje
1906, për mbretin e Epirit (319-273 para epokës sonë.
Poeti i Rilindjes së vonë Andon Zako Çajupi (1866-1930),
i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Egjipt, është autor i tragjedisë
në vargje, të shkruar në vitin 1907, “Burr’i dheut”, Kajro 1937. Çajupi
shkroi edhe komedinë me një akt “Pas vdekjes”, 1910. U botua në Kajro më
1937 nga Sofokli Çapi. Komedia në katër akte në vargje “Katërmbëdhjetë vjeç
dhëndër” po ashtu mbeti e pabotuar sa qe gjallë autori.
Gjergj Fishta (1871-1940)
është autor i disa dramave: “Shqiptari i gjytetnuem” (1911),
“Shqiptarja e gjytetnueme” etj. Fan Noli (1882-1965) është autor i
tragjedisë me 48 faqe, në tri akte “Israilitë e Filistinë”, Boston 1907.
Drama kanë shkruar edhe: Namik Selim Delvina (1875-1933)
është autor i dramës në tetë akte “Dashuria e mëmëdheut”, Selanik 1909; Shtjefën
Gjeçovi (1873-1929); prifti jezuit Anton Xanoni (1862-1915); Zef
M. Harapi (1891-1946); Ndoc Nikaj (1864-1951); Ndre Zadeja (1891-1945);
Milo Duçi (1870-1933); Foqion Postoli (1889-1927); Haki
Stërmilli (1895-1953); Mehdi Frashëri (1874-1963) etj.
Tragjediograf i njohur ishte Etëhem Haxhiademi (1902-1965)
nga Elbasani. Shkroi tragjedi me temë nga historia dhe mitologjia. Tragjedi të
tij janë “Ulisi”, Tiranë 1931, “Akili”, Tiranë 1931, “Aleksandri”,
Tiranë 1931; “Pirrua” (1934); “Skënderbeu”, Tiranë 1935; “Diomedi”,
Tiranë 1936; “Abeli” (1939).
*
* *
Pas Luftës së dytë Botërore drama kanë shkruar; Sulejman
Pitarka (1924-2007), Spiro Çomora (1918-1973), Kolë Jakova (1916-2002),
Ndrekë Luca (1927-1993), Andrea Skanjeti (1906-1992), Jonuz Drini
(1925-1982), Minush Jero (1932-2006), Ruzhdi Pulaha (1942- ),
Xhemal Broja (1918-1986), Ibrahim Uruçi (1925-1989), Selman
Vaqari (1928- ), Fadil Kraja (1931- ), Hamza Minarroli (1931-
), Dritëro Agolli (1931-2017), Naum Prifti (1932- ), Dhimitër
Xhuvani (1934-2009), Teodor Laço (1936-2016), Maku Pone (1939-2019),
Pëllumb Kulla (1940- ), Fahri Balliu (1954- ), Artur Zheji (1961-
), arbëreshi i Zarës, autor i së parës dramë shqipe të shkruar në jugosllavi “Nita”
Josip Rela (1895-1966), dramaturgu dhe prozatori nga Maqedonia, i
lindur në Elbasan Murteza Peza (1919-1981), Hivzi Sulejmani (1910-1975),
Xhemil Doda (1915-1976), Kristë Berisha (1923- ), Jusuf
Kelmendi (1927- ), Muharrem Qena (1930-2006), Loni Papa (1932-2018),
Anton Pashku (1937-1995), Azem Shkreli (1938-1997), Rexhep Qosja (1936-
), Teki Dervishi (1943-2011), Ymer Shkreli (1945-), Beqir
Musliu (1945-1996), Sabri Hamiti (1950- ), Edi Shukriu (1950-
) etj.
*
* *
Yll i ndritur në fillim të shekullit XX në teatrin
evropian ishte Aleksandër Mosiu (1879-1935). Lindi në Trieste. Baba i
tij është një shqiptar nga Kavaja. Nëna e tij ishte arbëreshe. Fëmijërinë e
kaloi në Trieste, në Durrës dhe në Grac. Në moshën 20-vjeçare, me të ëmën dhe
dy motrat u vendos në Vjenë. Me mbështetjen e aktorit austriak Jozef Kainz (1858-1910)
aty nisi karrierën e aktrimit. U bë një prej aktorëve më të mëdhenj të skenës
në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Më vonë vajti në Pragë, në Berlin, ku
gëzoi mbështetjen e Maks Rajnhardit (Max Reinhardt, 1873-1943). Moisiu e
shoqëroi Ansamblin e Rajnhardit në Rusi më 1911 dhe në Sankt Petërburg u ngrit
lart nga kritiku dhe dramaturgu Anatoli Lunaçarski (1875-1933) për
interpretimin e rolit të Edipit. Përmendet edhe për rolet e Hamletit, Faustit,
Fedja në pjesën “Kufoma e gjallë” e tregimtarit, romancierit dhe
dramaturgut rus Lev Tolstoj (Lav Nikolajeviç Tolstoj, 1828-1910) dhe
Dubedati në “Dilema e doktorit” të shkrimtarit anglez Xhorxh Bernars
Shou (George Berard Shaw, 1856-1950). Nga viti 1910 deri më 1935, Moisiu
luajti edhe në dhjetë filma. Shtatë prej tyre kanë qenë pa zë. Është autor i
pjesës “I burgosuri”. Në të flet për vitet e fundit të Napoleonit në
ishullin e Shën Helenës. Aleksandër Moisiu vdiq më 22 mars 1935. Prehet në
varrezat Markote (Marcote) mbi liqenin e Luganos në Zvicër.