E shtune, 21.12.2024, 11:57 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Karriga bosh e kryeministrit dhe një udhëheqëse ndryshe

E hene, 21.12.2020, 08:44 PM


HISTORIA PËRSËRITET

KARRIGA BOSH E KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË – DHE NJË UDHËHEQSE NDRYSHE NGA KOSOVA

Nga Frank Shkreli

“Në komb t’onë, duket se tërë hollësia e mendjes dhe e zemrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes, i kanë renë për miras gruas.” (Faik Konica, Revista Albania, 1906)

“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emërin shqipëtar…”, këndonte Naimi i madh.  Shyqyr që Naimi u ka kënduar maleve, fushave, bregoreve lumenjve dhe kodrave të Shqipërisë -- dhuratës nga Zoti -- si dhe “vendasve të mi të bekuar”, shqiptarëve në përgjithësi dhe jo politikanëve shqiptarë.  Sepse, politikanët shqiptarë shpesh ia dalin që me sjelljet e tyre me njëri tjetrin dhe me të tjerët, me praktikat dhe me vendimet e tyre si përfaqësues të popullit shqiptar, as nuk na kanë nderuar as nuk na bëjnë krenarë si shqiptarë, kudo që gjëndemi.

Vizita e Dr. Vjosa Osmanit, Kryetares së Kuvendit të Kosovës dhe Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës në Tiranë ishte një rast i tillë, zhgënjyes.  Ashtu si edhe mijëra shqiptare e shqiptarë, anë e mbanë botës edhe unë mbetem i zhgënjyer dhe i hidhëruar në shpirt nga pritja që iu bë në Parlamentin shqiptar, Dr. Vjosa Osmani, bartëse e dy detyrave kryesore të Republikës së Kosovës.

Atë ditë nuk e ndjeva veten aspak krenar se jam shqiptar.  Ju lutem lexojeni fjalimin e Zonjës fisnike nga Kosova në Paralamentin e Shqipërisë dhe më thoni se çfarë tha gabim në fjalën e saj kjo përfaqësuese edenjë e një brezi të vuajtur të shqiptarëve të Kosovës dhe pse duhej që karriga e Kryeministrit të Shqipërisë të ishte bosh për ato 14 minuta që foli Zonja Osmani. Veni re gjithashtu mos-respektin e hapët që treguan parlamentarët e pranishëm shqiptarë ndaj pranisë së Vjosa Osmanit në Kuvendin e Shqipërisë, me telefona në dorë duke lexuar dhe duke dërguar mesazhe.  Leri më duartrokitjet me dy gishta, të disa prej tyre.  Karriga bosh e Kryeministrit ishte një shprehje tjetër e qartë mos respekti për Kosovën dhe një akt bojkotimi me dashje të Zonjës Osmani.  Disa prej këtyre “burrave”, të parlamentit të Shqipërisë e treguan haptas përbuzjen dhe irritimin  e tyre ndaj zyrtares së lartë dhe gruas fisnike nga Kosova.

Fatkeqësisht, bojkotimet kanë një histori të gjatë dhe të shëmtuar në Shqipërinë e shekullit të kaluar. Gjatë komunizmit, Shqipëria njihej botërisht si vendi i bojkotimeve. Bojkotime ndaj lindjes e perëndimit, bojkotime ndaj organizatave ndërkombëtare, madje bojkotime edhe ndaj të Madhit Zot, duke e shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, vendin bojkotues kundër Zotit.  Karriga bosh e Kryeministrit të Shqipërisë gjatë fjalimit të Zonjës Osmani në Kuvendin e Shqipërisë më kujtoi karrigat bosh të delegacionit të Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe largimin nga salla të delegacionit të regjimit hoxhist, 55-vjetë më parë, kur Papa Pali i VI – i pari Papë në histori që ka vizituar OKB-ën.  Shtypi i kohës shkruante se delegacioni i Shqipërisë komuniste ishte i vetmi delegacion që u largua nga salla -- për të kundërshtuar praninë e udhëheqsit të Kishës Katolike në OKB, duke shkaktuar kështu një skandal të vërtetë diplomatik në skenën botërore.  Shtypi i asaj kohe shënon se bojkotimi, nga delegacioni i regjimit komunist shqiptar, i fjalimit të Papës Pali VI në OKB – është pasuar nga një fushatë e egër, fyese dhe denigruese kundër Papës dhe Vatikanit – urdhëruar nga vet Enver Hoxha dhe shpërndarë nga mjetet e propagandës së tij me radio dhe me shtyp.   E njëjta gjë ndodhi edhe pas fjalimit të Zonjës Vjosa Osmani në parlamentin e Shqipërisë, të ënjtën që kaloi, një fjalim  të cilin Presidentja në detyrë, Zonja Osmani me të drejtë e cilësoi, “sikur i flet njeriu familjes së vet”, por trajtimi që iu bë asaj nga një pjesë e medias së oborrit të pushtetit, nuk kishte asgjë të bënte me familjen e madhe shqiptare.

Jo, jo, Zonja Osmani, të gjithë e kuptuam shpejt pas fjalimit në parlamentin shqiptar, ti nuk u trajtove si pjesëtare e “familjes shqiptare”.  Pjesëtarë të caktuar të medias, të akredituar pranë “oborrit mbretëror”, u hodhën menjëherë në veprim duke shfryrë mllef kundër teje due duke justifikuar sjelljet e “trimave” të Shqipërisë karshi teje, një gruaje fisnike --politikane ndryshe -- nga Kosova.   Unë e kam lexuar tri herë fjalimin tëndë në parlamentin e Shqipërisë, e nderuara Presidente, dhe nuk mund të gjej ndonjë arsye logjike se pse janë çuar peshë këta njerëz.  Ku e kanë hallin?

Pse janë të zemëruar me fjalimin tënd në parlament dhe me vizitën tënde në Tiranë, në përgjithësi, megjithëse pritja juaj nga Presidenti Ilir Meta ishte dinjitoze dhe me protokoll të rasstit.  Ndoshta u zemëruan se e fillove vizitën tënde në Shqipërinë Nenë me një homazh tek memoriali i Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, në Lezhë.  Mos vallë janë zemëruar me ty se kritikove disa prej politikave të Shqipërisë ndaj Serbisë dhe të qëndrimeve të saj ndaj Kosovës?  Ju Zonja Presidente me të drejtë paralajmëruat se, “Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë, këtu e në çdo vend tjetër të botës.” Ka gjë të keqe në këtë deklaratë?  Duket se as thirrja e Dr. Vjosa Osmanit për unfikim të ideve dhe bashkrendim të politikave dhe programeve kombëtare nuk u prit mirë.  A po u zemëruan nga thirrja e saj publike që Kuvendi i Shqipërisë t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë.  A po mos i zemërove “burrat” e Kuvendit dhe “trimat” e qeverisë së Shqipërisë dhe zëdhënsit e tyre në median e oborrit të tyre me thirrjen tënde që dy qeveritë dhe parlamentet shqiptare t’i garantojnë rinisë shqiptare, “një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese.”  A po ishte mesazhi i Presidentes së Kosovës që i zemëroi ata më së shumti: Hiqni traun me Kosovën! Pyetja është pse gjithë ky mllef kundër një gruaje fisnike shqiptare e edukuar në Amerikë dhe qëndrimeve të saja atdhetare dhe thirrjeve për unifikim dhe bashkrendim të objektivave mbarëkombëtare midis dy shteteve shqiptare?

Duke marrë parasysh qendrimet e Tiranës zyrtare ndaj disa prej këtyre çeshtjeve, unë besoj se këto dhe arsye të tjera kontribuan që, fatkeqësisht, një pjesë e vizitës ssë Presidenetes së Kosovës në Tiranë të mos ishte aq e këndëshme për të as për shumë prej nesh që jemi dakort me ato që Dr. Osmani tha anë parlamentin e Shqipërisë.  Fatkeqësisht, ajo nuk u prit plotësisht si një si pjesëtare e familjes shqiptare, “në shtëpinë tonë të përbashkët”.  Duket se “establishmenti” politik, për mungesë të një fjale më të mirë shqip, u trondit nga fjalët e një përfaqusese të re të politikës shqiptare, qoftë në Kosovë qoftë në Shqipëri -- frikë nga një udhëheqëse ndryshe e një brezi të ri politikanësh shqiptarë, që jep shpresë se ditët më të mira për Kombin shqiptar nuk janë larg, nëqoftse ajo dhe të tjerë si ajo nuk lejohen nga politikanët e këtyre 30-viteve të fundit të marrin në dorë frenat e të ardhmes kombëtare.

Unë jam i mendimit gjithashtu se një gjë tjetër që trazoi  zemrat e disa prej “burrave” të Shqipërisë është paragrafi i fundit i fjalimit  historic due shumë prekës të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë, ku ajo foli, ndër të tjera, edhe për vuajtjet dhe krimet komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe regjimit sllavo-komunist të ish-Jugosllavisë ndaj qindra mijëra familjeve shqiptare, në përgjithësi  dhe familjes së saj të ngushtë, në veçanti,  duke përmendur vrasjen e xhaxhait të nënës së saj, i cili është vrarë dhe varrosur i gjallë nga regjimi i Enver Hoxhës, si kundërshtar politik, varri i të cilit as nuk dihet, si shumë kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës.  “Përgjatë historisë sonë shumë familje janë ndarë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin dhe familja ime.  Gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmershme në burgjet e regjimit serb dhe në fund kishte vdekur nga ato tortura, ndërsa xhaxhai i nënës sime, vëllai tjetër Sulejman Vuçiterna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës’- u tha ajo parlamentarëve shqiptarë.

Veshët e deputetëve shqiptarë nuk ishin mësuar të dëgjonin të vërteta të tilla në atë parliament, për krimet kotmuniste kundër shqiptarëve në të dy anët e kufirit, të dy regjimeve komuniste si motra: regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist sllavo-jugollav të Titos e Rankoviqit.  Një deklaratë e tillë e guximshme nga Zonja Osmani duhet të ketë shkaktuar iiritm të madh në radhët e disa deputetëve të pranishëm atë ditë, ish-bashkpuntorë dhe nostalgjikë të atij regjimi vrasës.

Zonja e nderuar, Presidentja në detyrë e Kosovës dhe njëherazi edhe Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, u tregoi “burrave” të politikës shqiptare – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë -- si dhe përfaqsuesve të medias shqiptare, në shërbim të politikanëve shqiptarë -- vlerat e gruas shqiptare: nënave, motrave dhe bijave të këtij Kombi të lashtë dhe krenar – e të cilat, sipas Faik Konicës janë dalluar gjithmonë për nga hollësia e mendjes dhe e zemrës dhe për nga bukuria e karakterit dhe e sjelljes – vlera këto që u mungojnë shumë burrave të politikës shqiptare, fatkeqësisht.  Ketë mungesë vlerash njerëzore dhe shqiptare, shumë prej tyre e treguan haptas javën që kaloi, me trajtimin që i akorduan Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani, e cila la nder kudo që shkoi, sidomos me fjalimin e saj historik në Kuvendin e Shqipërisë, javën që kaloi.

A është Dr. Vjosa Osmani rugovistja/i e fundit?  Në takimin me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Z. Veliaj, Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, ka diskutuar edhe për mundësinë e ngritjes së një shtatoreje të Presidentit Ibrahim Rugova në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, njofton Klan Kosova.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora