Faleminderit
Sinan Gashi: Ferid Vokopola, personalitet me tri biografi
E diele, 06.12.2020, 07:25 PM
FERID VOKOPOLA (1887-1969)
PERSONALITET ME TRI BIOGRAFI
Nga Sinan
GASHI
Një numër jo i pakët
personalitetesh shqiptare, që me bëmat e tyre dëshmuan përkushtim, sakrificë
dhe krijim të asaj që ishte e mbara e domosdoshme për çështjen shqiptare të
kohërave, më pas, mbase për shkak të një mendësie të vjetër, janë skajuar deri
në harresë, madje duke mos i përmendur as si emra e lënë më si personalitete të
respektuara. E fundja më e ulët është edhe mos paraqitja me asnjë rresht në
Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Njëri ndër ta është edhe Ferid Vokopola, jeta e
të cilit është e mbushur me plotë aktivitete të mbara kombëtare, madje në kahe
të ndryshme, e që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historiografinë shqiptare të
mirëfilltë.
Po, për këtë
personalitet kompleks, të pandaluar asnjëherë në rrjedhat e kohës, pavarësisht
rrethana të vështira të krijuara, kushtëzohemi që biografinë e tij ta ndajmë në
tri pjesë, aq sa ishin edhe mënyrat e frymimit të tij në jetë. Pra, e para do
të ishte biografia e tij njerëzore, e dyta, biografia e tij atdhetare dhe, e
treta, biografia intelektuale, tejet e pasur dhe specifike.
1. Biografia jetësore
Ferid Vokopola u lind më 18 gusht 1887 në Berat, në lagjen Murat Çelebi,
megjithëse origjina e kësaj familje ishte nga fshati Vokopolë, afro 20 km. larg
Beratit. Ku vendbanim njihet që nga shekulli XVII, kur një persian kishte
ndërtuar dy objekte kulti dhe kishte nisur përhapjen e besimit islam. Veç kësaj
Vokopola krijon një kryqëzim zonal Berat-Skrapar-Përmet. Aty pastaj nisën
aktivitetet atdhetare shqiptare, duke u bërë një qendër për kohë të gjatë.
I ati i Feritit u
angazhua në veprimtari patriotike që në periudhën e Rilindjes Kombëtare, si
pjesëmarrës dhe aktivist i Degës së Beratit të Lidhjes së Prizrenit si dhe
iniciator për hapjen e shkollave shqipe në qytet.
Në këtë familje me
tradita, u edukua Feriti që në fëmijëria. Mësimet fillestare dhe ato të nivelit
të mesëm ai i kreu në Berat. Ai kishte një edukimin fetar mysliman që në
familje. Pos mësimeve në shkollat laike. mësimet e besimit I vijonte në xhamitë
e lagjes, si në Xhaminë e Sahatit. Që i ri perfeksionoi osmanishten dhe
arabishten, të cilat i mësoi shumë më mirë gjatë kryerjes së gjimnazit turk të Beratit.
Po ashtu njihte ,mirë gjuhën frënge. Për studime të larta ai shkoi në
Universitetin e Stambollit, ku kurorëzoi dijet e tija në fushën e
jurisprudencës dhe të ekonomisë, për të cilët mori edhe diplomë. Pas studimeve,
kthehet në vendlindje, duke ushtruar për disa kohë profesionin e avokatit.
Vokopolën e vizitonte shpesh, duke mbajtur ligjërata fetare e shkencore, për
çka interesimi ishte tejet i madh edhe për gjithë rrethin, ngase mendimet e tij
ishin diçka tjera, përtej predikimeve tradicionale. Aktivitetin e tij e
orientoi në ato kahe që kishin vlera kombëtare, kur Shqipëria ende nuk dihej se
a do të bëhej a të mos ishte më fare. Kështu, për afro njëzet vite më radhë,
përkatësisht nga viti 1920-1939, veprimtari politike e tij ishte e pandërprerë,
duke qenë shembull dhe promotor i atyre kurorëzimeve me sukses.
Pas ardhjes së
komunizmit në pushtet, ai mbetet disa vite i pa punë. Pastaj do ta përjetoi
edhe dhunën në kampet e komunizmit për 10 vjet me radhë. Duke qenë Ferit
Vokopola zotërues i përkryer i disa gjuhëve të huaja të lindjes dhe të
perëndimit, veçanërisht gjuhëve orientale, për
pesë vitet e fundit të jetës kryen punën e përkthyesit të dokumente nga
osmanishte në Institutin e Historisë në Tiranë. Me punë e vet ai dëshmoi dijet
politike, ekonomike, teologjike, poetike, filozofike dhe eseiste. Jetën e
përmbylli në Durrës, si gjithë idealistët, i harruar nga të tjerët. Mbeti
shembull i një urtaku, eruditi, mendjendrituri e zemër zjarrti, që gjithçka
pati dhe diti i vuri në shërbim të
përparimit, forcimit të atdheut dhe kombit shqiptar.
2.
Biografia atdhetare
Në momentet kyçe të
fatit të Shqipërisë, Feriti u dëshmua një përkushtues i pashoq, duke luajtur
rol të rëndësishëm. Mbi të gjitha ai ishte njëri nga firmëtarët e aktit të
Shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin e Vlorës më 1912, njëri ndër delegatë më të
rinj, kur kishte vetëm 25 vjeç. E edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky Ferit
stenografoi fjalimin historik të mbajtur nga Ismail Qemali.
Ndërsa nga përjetimet e
shumta, që lidhen domosdoshmërisht me atdhetarinë e Vokopolës, mësojmë edhe nga
gazeta “Përlindja e Shqypniës”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, (viti
II, nr. 6-7. 30.I. e 1.II.1914, f.8), për ditët e vështira në shpallje të
Pavarësisë, duke kujtuar: “I ndjeri Nebi Sefa, para se të nisesh për Kavajë më
lajmëron se Komanda Otomane ka burgosur në hotel të Shaqir Beut delegatët nga
Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me
shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani me një patrullë
pesë vetësh për t’i liruar, dhe i liruam për të shkuar drejt Vlorës…”
Kur ndryshimet politike
dhe po ashtu qeveritare më 1914 u bënë një fakt i kohës, kur do të formohet
edhe Qeveria e Durrësit, Feriti ishte zgjedhur në Ministrinë e Bujqësisë. Në
postin e ministrit të Bujqësisë në qeverinë shqiptare ai qëndroi nga data
26.X.1927 deri më 10.V.1928.
Por aktiviteti I tij nuk
mbaron këtu. Ai për asnjë moment nuk u
shkëput nga fati i atdheut dhe nga organizimi i kundërshtimeve ndaj synimeve
antishqiptare të manifestuara në vijimësi. Për të kundërshtuar hegjemonizmin
ndërkombëtar ndaj shtetit shqiptar, u mbajt Kongresi historik i Lushnjës, ku
Feriti sërish shkëlqeu, në organizimin dhe mbajtjen e fjalës hyrëse. Madje, i
frymëzuar nga kjo ngjarje, krijoi poezinë për Himnin e Kongresit, me vargje të
zgjedhura plot muzikalitet, i cili pati një jetëgjatësi shekullore.
Aktivitetet e tij
politike e atdhetare i vijon me pjesëmarrjen për gjatë kohë në Parlamentin
shqiptar, fillimisht si deputet i Vlorës (1920 -1928) dhe pataj deputet i
Beratit (1928-1939). Ai, duke qenë njohës i mirë i legjislacionit, kishte
hartuar ligjet kryesore të Parlamentit
gjatë të viteve ‘20-‘30. Në krye me Feritin, deputetët kishin përgatitur dhe
miratuar Kodin Civil gjatë viteve ’30, si misma më e domosdoshme për zhvillimin
e vendit.
Meritat e tij u lanë në
harresë, por kujtesa e atdhetarëve e ruajti gojarisht veprimtarinë e denjë dhe
punën madhështore, që ishte bazamenti i formimit dhe jetës së shtetit ligjor
shqiptar.
3.
Biografia intelektuale, shkencore dhe poetike
Veç angazhimeve të
përhershme dhe me përgjegjësira, Feriti u angazhua edhe në organizimin e
Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke e reformuar atë në drejtim të mbarë, me
premisa bazore kombëtare, për njëzetë vjet rresht. Pas pushtimit të Shqipërisë
nga Italia, në vitin 1939, Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe
administrative. Për ta bërë më aktuale këtë reformacion të arrirë, ai, më 1940,
themeloi organizatën “Drita Hyjnore”, ku veç tjerash shpreheshim mendime,
debate dhe botoheshin pastaj shkrime të natyrës shkencore, letrare e filozofike
në organin e saj, përkatësisht në revistën “Njeriu”, të cilën e nxori në Tiranë
nga korriku 1942 e deri në qershorin e 1944, me gjithsej 27 numra. Ajo revistë
u bë tribunë e mendimit të lirë dhe shumëdimensional, duke arrirë nivele të
lakmueshme me botimpn e punimeve artistiko-letrar por edhe të natyrës
shkencore. Mu për këtë aty hasën shkrimet e penave të shquara të kohës, disa
nga të cilët mbetën edhe më tej në aktualizimin e interesimeve të lexuesve, si
të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mit’hat Frashërit, Mustafa
Greblleshit, Jup Kastratit e tjerë .
Feriti ishte njohës i
mirë i arabishtes, osmanishtes, turqishtes por edhe i frëngjishtes, duke e
dëshmuar këtë dije me botimet e disa shkrimeve në të trija gjuhët.
Punën e përkushtuar në
shqipërimin e Kur’anit ai e bëri gjatë përjetimit të vetmisë në mbajtjen e
dënimit me burgim dhjetëvjeçar nga sistemi i monist, që i kishte mbetur në
dorëshkrim.
Nëse lexohen shkrimet e
tij në periodikun e kohës, do të shihet gama e interesimeve intelektuale të
tij, ku trajtohen tema ndër më të ndryshmet, si të natyrës filozofike,
sociologjike, politike, poetike e tjerë. Ja vetëm disa tituj të atyre shkrimeve
për të kuptuar atë gamë interesimesh: ”Të rinjtë e sotshëm, si mejtojnë dhe
kujt i mbesojnë”, “Rëndësia e martesës”, “Vuajtjet e jetës dhe zëri i
shpëtimit”, “Ku shkon njerëzimi”, e tjerë.
Në poezi ai dëshmoi për
një talent të lindur artistik, por që nuk pati kohë t’i kushtojë përkushtim,
kur dihen angazhimet e shumanshme. Disa nga këto poezi kishin motive fetare,
por që kthenin interesimin kah aktualiteti i përditshmërisë dhe, mbi të gjitha,
reflektonte talenti i shprehur përmes këtyre vargjeve. Ja vetëm titujt të
disave nga ato: “Gjëmimi i Tomorrit” poemë me 148 strofa, “Njeriu i përsosur”,
“Sureja e Agimit”, “Lum ai që e kupton”, “Një kohë më thoshte”, “E shkuara, e
sotmja dhe e ardhmja e njeriut”, “Madhështia e gjithësisë”, “Mbarështimi i gjithësisë”,
“Zgjohu o njeri”, e tjerë. Në poezinë 400 vargëshe “Fluturimet e shpirtit”
autori shpreh dhembjen për humbjet njerëzore gjatë Luftës së Parë Botërore, ku
thuhej:
Ti
francez, unë gjerman
Unë
inglez, ti italian.
Sllav
e belgas-muslimanë,
Pse të
vriten? një brum janë.
Zot i
madh! Ti mos duro,
Të
shfaroset njerëzia.
Zjarrm
e luftës e qëndro
Lësho
drit nga dashurija.
Për vlerat e saj,
dëshmon edhe e dhëna kjo poezi përkthehet në italisht më 1925 dhe zë vendin e
parë në një konkurs të atij viti.
Ajo që e bëri të dashur
dhe që dëshmoi talent dhe aktualitet bashkë, është poezia për himnin e
Kongresit të Lushnjës, i frymëzuar nga ajo ngjarje madhore kombëtare, në të
cilën ishte i përfshirë edhe ai vetë. Po e japim në tërësi këtë poezi, pasi që
është edhe i gjithë programi i Kongresit:
Himni i Kongresit të Lushnjës
Shpresa
humbi, atdheu ty po të thërret
Të
shpëtosh nga kjo natë
Bëhu i
zoti në do të rrosh në jetë
Armikut
jepi datë.
Refreni
Shkrepi
drita në Lushnjë, u lind një diell
Shqipëria
lidhi besë.
Dëshmoi
bota, dëshmuan yjet në qiell
Për
ty, o i larti Kongres.
Me sa
humbet drejtësia
Aq
shuhet shpresa jonë
Nuk
pushtohet tokë e Kastriotit
Trimërinë
e ka zakon.
Refreni
Shkrepi
drita në Lushnjë, u lind një diell
...........................................................………
Në të
varet shpresë e Kombit Shqiptar
Në
statutin tënd të shtrenjtë
Çliro
tokat e Shqipërisë sa më parë
Bashko
atdheun e shenjtë.
Refreni
Shkrepi
drita në Lushnjë, u lind një diell
..............................................................
Sikur
tym e flakë të dal nga faqe e dheut
Shkrepëtim
të bjerë e flakë
Bëj
detyrën që ke kundrejt atdheut,
Mos
kurse as shpirt as gjak.
Refreni
Shkrepi
drita në Lushnjë, u lind një diell
Edhe pse ende nuk është
thënë e gjitha për veprimtarinë shkencore e poetike të këtij personaliteti,
duhet thënë edhe një e vërtetët se ai ishte autor i tri vëllime poetike, të
botuara sa ishte gjallë: “Fluturimet e shpirtit” më 1919,. “Symbyllazi me
ëndërrime” më 1920 dhe “Gjëmimet e Tomorrit” më 1942.
Ai, madje edhe në
revistën “Zani i Naltë” që nisi botimin më 1923, pat botuar disa poezi me frymë
mistike e fetare, që reflektonin një talent dhe shprehje të pasura gjuhësore.
Po ashtu ai bashkëpunoi edhe me të përkohshmen “Diturija Islame” të Tiranës.