Kulturë
Rexhep Shahu: Rrahman Zeqiraj - Një statujë kujtimesh
E hene, 16.11.2020, 07:55 PM
RRAHMAN ZEQIRAJ - NJË STATUJË KUJTIMESH
(fragment nga libri)
Nëse
duhen krijuar statuja për njerëz të shquar – kemi mësuesit
Nga
Rexhep Shahu
Nëse
duhen krijuar statuja për njerëz të shquar, të rëndësishëm, t’i krijojmë për
mësuesit. Ata janë herojtë e shoqërisë tonë, se në fund të fundit, të gjithë
produkte mësuesish jemi, shëmbëlltyra të tyre.
Kështu
e mendoj unë këtë libër modest kujtimesh të mësuesit Rrahman Zeqiraj, një
statujë të vogël kujtimesh, një statuje të vogël nderimi. Një statujë që
thërmohet e jeton si thërmija të vogla në qindra e mijëra nxënës që e kanë
patur mësues Rrahmanin në vitet e shkollimit të tyre, që e kanë patur drejtor
shkolle. Thërmijat e statujës së mirësisë së mësuesit jetojnë gjatë. Dikush i
ruan në memorie, dikush ua rrëfen pasardhësve të tij, dikush siç po ndodh, i
shkruan në libër dhe kështu jeton mësuesi, jeton mësuesi i mirë, jetojnë
rrëfimet e kujtimet për të dhe punët e tij të mira.
Në
fund të fundit secili njeri është kujtimet e veta, secili njeri është sa është
në kujtimet e të tjerëve, sa është i fotografuar në kujtësen e botës së tij të
vogël e njëherësh të madhe, të mikrobotës së tij, njeriu si qenie njerzore,
shoqërore është i ndërtuar prej kujtimesh.
Biografia
e njeriut nuk mund të shkruhet kurrë e plotë dhe të rrefejë gjithë jetën pasi
ka aq shumë histori jeta e një njeriu sa gjithmonë mbetet pa u rrëfyer e plotë
dhe ka aq shumë lidhje me jetë të tjera sa nuk rrëfehen dot në një libër.
Nëse
i duhet kënduar këngë ndokujt, këngë të gjallëve që nuk kanë derdhë gjak, pasi
kënga thonë se don gjak, atëhere janë mësuesit e nënat shqiptare që meritojnë
këngë, që meritojnë statuja nderimi, përmendore a shtatore mirësie e dashurie.
Ka
ndodhë rëndom që u këndohet këngë edhe të gjallëve, u këndohet këngë
politikanëve, figurave të ndryshme, por nëse në të gjitha këngët për të gjallët
do të binte sadopak një hije dyshimi, nuk do të dyshonte askush nëse u këndohet
këngë mësuesve e nënave të Kosovës.
Është
e veshtirë gjithmonë të gjendet masa, të vlerësohet e thjeshta, e pabujshmja,
të vlerësohen veprat njerzore që qëndrojnë gjatë, që shkëlqejnë e ndrijnë në
heshtje, që rrezatojnë, është e vështirë sepse rendet pas zhurmave që bëjnë
disa “si pulat që kur bëjnë vezë, kakarisin e bëjnë zhurmë sikur po lindin
asteroidë”.
Të
vdekurit, që janë rrënjët tona, kanë marrë jo sa duhet vemendjen e të gjallëve,
vemendjen e nderimit e mirënjohjes dhe do t’u mbetemi gjithmonë borxh të
vdekurve, pasi ata nuk bëjnë dot zhurma që të na imponojnë dhe nuk kanë mundësi
vetë as të na nxisin e kujtojnë se janë e do të vazhdojnë të jenë në këtë botë
si rrënjë tonat, si themele të jetës tonë.
Ky
libër i vogël modest që përmbledh kujtimet e një mësuesi, një drejtori, një
prindi model, një intelektuali të Kosovës, një njeriu që ka punuar një jetë pa
zhurmë, pa bujë në edukimin e rinisë, që ka mbetë në memorien e shumë njerzve
ashtu i thjeshtë si humanist, si njeri i vemendshëm, që i ka parë njerzit drejt
në sy, që nuk ka parë askënd nga lart poshtë, libër që përfshin edhe kujtime e
rrëfimë të bukura miqsh të cilët janë shprehë me dashuri për mikun, është një
libër që nuk bërtet, është i thjeshtë, i brishtë, i pabujë, por i domosdoshëm
për dashurinë e mirësinë njerzore, për respektin e mirënjohjen që duhet ta
artikulojmë për meritorët që nuk kanë grada, që nuk kanë rendë pas famës e
lavdisë por u ka mjaftuar vetja.
Në
portretin e mësuesit në Kosovë ndërtohet më mirë, më shumë, më i plotë se kudo
tjetër portreti i intelektualit rrezatues e ndriçues, i intelektualit që ka
patur fuqinë të tërheqë e të thithë masën e madhe të njerzve, të bëhet i
besueshëm për udhërrëfyes.
Mësuesi
shqiptar në Kosovë ka qenë gjithë kohën e pushtimit serb parasëgjithash
intelektuali që ka mbajtë gjallë shpirtin shqiptar të Kosovës, ka qenë
arkitekti që ka ndërtuar me mund, durim e palodhje atdheun shqiptar tek brezat
e rij, ka qenë ai ndaj të cilit Serbia ka luftuar më shumë se kundër gjithkujt
tjetër në Kosovë në mënyrë konstante për ta deformuar e shkatërruar.
Mësuesi
shqiptar i Kosovës i ka fituar gjithë betejat, e ka mundë Serbinë, e ka mbajtë
gjallë Kosovën edhe nën pushtim serb, e ka mbajtë gjallë dhe e ka rritë
shqiptarin e shqiptarinë.
Në
kohë të kthjellta e më të paqta mësuesi shqiptar në Kosovë veç do të lartësohet
e nderohet nga brezat që do të vijnë.