Mendime
Kastriot Dervishi: Kuvendi ndalon studimin e krimeve të Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës
E enjte, 22.10.2020, 06:07 PM
Kuvendi ndalon studimin e krimeve të Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës
Nga
Kastriot Dervishi
Tani,
Kuvendi i Shqipërisë sapo mbylli diskutimet dhe në vijim do të votojë t’i
ndalojë Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasoja dhe Komunizmit, studimin e
periudhës së luftës civile, pra kohës kur jugosllavët Miladin Popoviç dhe
Dushan Mugosha drejtonin masakrat mbi popullsinë shqiptare jokomuniste.
Imagjino tani sa të dashuruar janë me krimet e shokëve Miladin e Dushan,
udhëheqësit dhe drejtuesit e asaj që këta e quajnë “luftë nacionalçlirimtare”.
Është interesante të dëgjosh disa deputetë, dukshëm të indoktrinuar me
enverizëm, injorantë klasikë në fushën e historisë apo pasardhës kriminelësh,
teksa flasin me të njëjtën gjuhë si ajo e dëgjuar rëndom në regjimin komunist
me parulla të llojit “u thanë kënetat”, “u ndërtuan fabrika”, etj. “Historia
është shkruar me tytën e pushkës”-deklaroi një deputet për historinë e viteve
1943-1944, duke kujtuar se me këtë slogan do mund të ndalojë hedhjen dritë mbi
krimet e ndodhura në atë kohë. Por në fakt, po të jetë kështu edhe ajo pas
vitit 1944 është shkruar me grykën e pushkës. Përllogariten që gjatë viteve
1943-1944, janë vrarë, masakruar, djegur, vjedhur, etj, rreth 2 mijë shqiptarë.
Ndërkohë
sipas nenit 7 të ligjit nr.7719, datë 8.6.1993, “Për ndryshime në ligjin
nr.7514 datë 30.9.1991 “për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të
dënuarve politikë”, njihet “vrasja në përpjekje me forcat komuniste pas datës
1.8.1943”.
Pra,
do kemi dy ligje në fuqi. Njëri që i njeh krimet e komunistëve të viteve
1943-1944 dhe ky i sotmi që nuk do të lejojë studimin e këtyre krimeve nga
ISKK. Pra për qëllime statusi të përndjekuri, vrasja njihet, ndërsa për studim
nuk lejohet.
Po
vërtet kujtoni se nuk do t’i nxjerrim zinë këtyre krimeve? Informacionin e kemi
në dorë prej vitesh. Vazhdoni bëni ligje për të kënaqur persekutorët e
komunizmit që hiqen si “veteranë”, se për t’ia dalë keni. Mos hiqni dorë nga
shokët Miladin e Dushan, sepse janë pjesë e identitetit tuaj. Keni ngelur vetëm
pa iu vënë monumente këtyre të dyve, se nuk u keni lënë gjë pa i respektuar.