Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Liri Pone Bele: Thellësia e dhembjes

| E enjte, 15.10.2020, 07:33 PM |


THELLËSIA E DHEMBJES

Nga Liri Pone Bele

Sefreti, më 6 shtatorin e vitit 2015, përvjetorin e 65-të të datëlindjes po e kremtonte si një ditë të shënuar. Rastësisht ajo korrespondonte me ditën e parë të fillimit të punës si mësues mbas mbarimit të Fakultetit për Histori-Filologji. Njëherazi, do të ishte dita e parë kur ai nuk do të shihte para vetes fytyrat e dashura të nxënësve, ulur në rreshtat e bankave përballë. Ishin plotësuar vitet e punës, të cilën nuk mbante mend ta kishte lënë pa e kryer me ndërgjegje, qoftë edhe një ditë të vetme dhe tashmë, si mijëra të tjerë, do ta njihnin si pensionist.

Një arsye e veçantë, e para në jetën e tij e cila meritonte të festohej, ishte përmirësimi i gjendjes tepër të rëndë shëndetësore, pothuajse prag fundjete, ndodhur tre muaj më parë; shqetësime të herëpashershme, si përpëlitje të papritura në kraharor, çaste të shkurtra vështirësie të lehtë në frymëmarrje, një ndjesi lodhjeje kur i duhej të bënte një aktivitet fizik të sforcuar, ishin shfaqur dy vitet e fundit…

Mendoi të ringjitej një ditë në sektorët malorë të fshatit, për të shijuar pamjet manitëse të fushave të punuara dhe kodrave të gjelbëruara me bukuri të natyrshme, sikurse shumë vite më parë, dhe me keqardhje pranoi se jo vetëm nuk e paraprinte grupin e shokëve si dikur, por, në pamundësi të ndodhej në mes tyre apo i fundit në radhë, iu desh të ndalej çaste të përsëritura, për të rimarrë veten që të vazhdonte rrugën, megjithate nuk arriti në destinacionin e ëndërruar.

Me një qëndrim të padrejtë ndaj vetes, nuk i vlerësoi këto shenja, duke i konsideruar thjesht si emocionale, ndonëse një ankesë e re, e paprovuar më parë tek askush shtron detyrën që ai të takojë specialistin përkatës në fushën mjekësore dhe, pasi t’i tregonte gjithçka kishte përjetuar ndryshe krahasuar me kohën e mëparshme, pa asnjë dyshim duhej të qëndronte në pritje të gjykimit të mjekut, pasi të kishte ndjekur edhe zbatimin e hapave të mëtejshëm të rekomanduar prej tij. Pikërisht këto simptoma kishte nënvlerësuar Sefreti dhe për këtë gjë u bind në takimet e mëvonshme me mjekët.

Në mirëkuptim me bashkëshorten Hurma, menduan të organizonin një darkë të ngrohtë familjare, ku të shkriheshin në një të vetme tri kremtime: datëlindja e tij, respekti për ditën e parë të fillimit të punës si mësues dhe kapërcimin me sukses të situatës ekstreme të sëmundjes së zemrës, shfaqur e avancuar tre muaj më parë, çka Sefreti e njohu me vonesë. Fatmirësisht pësoi jo dëmtime të shumta në fillimet e saj, por shenjat e para i kishte nënvlerësuar nga mungesa e informacionit, bazuar në konstruktin normal dhe duke vlerësuar faktin se asnjëherë përgjatë gjithë jetës nuk e kishte përjetuar gjendjen shëndetësore të një pacienti.

Të ftuarit, gjithsej 40 vetë, ishin të afërm të familjes, miq dhe kolegë prej vitesh në mësimdhënie, të cilët kishin njohje të largët me njëri-tjetrin, ndërsa çifti i të moshuarve në krahë të Sefretit, ulur në krye të tavolinës, për shumicën e të pranishmëve ishte i panjohur, me përjashtim të disave, që e patën takuar në dhomën e spitalit, ku ai qëndroi gjatë, por asnjëri nuk e tejkaloi sjelljen normale, duke u treguar kureshtar për të mësuar lidhjet me Sefretin, sikurse rastis. E veçanta e personit mashkull ishin syzet me të mëdha se të zakonshmet me ngjyrë të errët të thekshme, të cilat formonin një kontrast të dukshëm me tiparet e thinjura të fytyrës së tij. Njëherazi, fakti i fillimit të një lëvizjeje sado të vogël në ndryshim nga qëndrimi ulur pranë tavolinës për të hedhur disa hapa në mjedis, detyrimisht kërkonte ta drejtonte moshatarja në krahë të tij duke mbajtur në duart e saj dorën e tij të djathtë. Shoqëruesja po tregonte një përkujdesje të veçantë. Qartazi kuptohej se ai e vuante plotësisht mungesën e pamjes dhe sigurisht kishin vendosur midis tyre një kod mirëkuptimi të pazëshëm funksionimi perfekt, çka të ngjallte respekt.

Sapo të ftuarit u sistemuan të ulur në karriget pranë një tavoline të stërzgjatur vendosur mespërmes një holli të zbukuruar me shije, Sefreti, i emocionuar dhe i çelur si rrallëherë, dukej që shprehte qartazi gëzimin e brendshëm shpirtëror, i cili përhapej jashtë tij gati në po ato përmasa, sikurse dilte nga vetë burimi apo zemra, realisht të rifituar tashmë, të mirëkontrolluar pas goditjes së saj tre muaj më parë. Ai u ngrit në këmbë, shtrëngoi me dorën e djathtë gotën e verës, të cilën e vendosi në nivelin e gjoksit në anën e majtë, fare pranë sektorit ku dihet se pas tij është zemra, mori frymë thellë dhe iu drejtua miqve:

- Ja gëzuar të gjithëve! Ju falënderoj me shpirt për praninë tuaj në këtë ngjarje me vlera të shumëfishta, në krye të së cilës qëndron vendosja dhe funksionimi normal i një aparati të qëndrueshëm brenda  zemrës sime, pas një infarkti që kalova dy muaj më parë, tani ndihem krejtësisht i qetë, me një gjendje shëndetësore normale. Dita e sotme për mua konsiderohet e para për fillimin e një rruge të re brenda moshës së tretë, do të kem emertesën “pensionisti” dhe njëherazi më frymëzon dëshira e gërshetuar me detyrimin tim shpirtëror për të mundësuar njohjen tuaj me mikun tim më të ri, të ngritur në lartesi të pamatshme… Ende prej atje po më përshëndet… E kam të vështirë ta përshkruaj me fjalë, realisht janë të pamjaftueshme. Më duhet të sqaroj se në lartësi qiellore ngrihet karakteri i tij njerëzor, prandaj  gjej rastin të mundësoj njohjen tuaj me Vasilin, krahë meje, njeri në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale…

Intonacioni i zërit sa vinte e ulej. Brenda tij gërshtohej dhembja, emocione të thella dhe një falënderim i nënkuptueshëm, të cilin me vështirësi e lejonin psherëtimat. Të pranishmit u shtangën, për më tepër kur sytë e Sefretit u mbuluan nga nje tis i hollë, i bardhë, si të përpiqej të mbulonte lotët pas tyre. Heshtjen e tij e pasuan sërish psherëtimat, u dëgjuan zërat e të pranishmëve që po e lutnin të qetësohej, duke treguar që së bashku do të qëndronin me të dhe prisnin ta dëgjonin çastet e mëvonshme.

- Të më falni, - mori fjalën përsëri ngritur në këmbë Sefreti, - por nuk mund të ndihem mirë pa ju treguar njërën nga ngjarjet më të veçanta të jetës sime, më e çmuara dhe që lidhet me njohjen time të rastësishme me Vasilin. Dëshiroj ta prezantoj dhe ta njihni ju miqtë e mi këtë njeri, të mësoni se çfarë bëri për mua. Pikërisht qëndrimi i tij në kufijtë e të pabesueshmes mundësoi që ne ta gëzojmë së bashku këtë takim…

Papritur pasoi një heshtje tepër e shkurtër, së cilës me siguri shumë prej tyre nuk ia njhnin brendinë; ka mjaft raste kur instikti njerëzor peërshtatet brenda kufijve, edhe pse nuk dihet se për çfarë është fjala, gjë që e vërtetoi qëndrimi i tyre me maturi, asnjë pyetje Sefretit dhe Hurmasë, e cila saktësisht ishte shëmbëlltyra e të shoqit në sferën emocionale duke u munduar të përmbante lotët, si të plotësonte emocionet e tij, shprehur në ato çaste të rralla.

Mysafirët kalonin shikimin sa nga Sefreti te Vasili, por nuk po mund të kuptonin fjalët e tij gati me pëshpëritje e zë të ulët ku dukej një emocion i brendshëm. Paksa më vonë me kokën ulur gati të prekte tavolinën po mundohej të kalonte në shpatullën e djathtë të mikut, vetë pozicioni i përkulur dhe mungesa e pamjes po ia  vështirësonin veprimin, prandaj në moment Sefreti e ndihmoi duke e pjerrtësuar trupin me kokën paksa anash dhe vendosi krahun poshtë shpatullës:

- Miku im, me sa po kuptoj, ti po më ngre me shpejtësi lart në qiell, por unë kam frikë se mund të rrëzohem menjëherë. Tani është radha juaj të përgatiteni të më prisni sa më parë, pa më lejuar të dëmtohem…

Buzëqeshën lehtas dhe disa u ngritën ta përqafonin. Mehmeti, kolegu i Sefretit duke u vendosur paksa me vështirësi midis të dyve, shtriu të dyja duart përpara, në lartësinë e supit dhe foli:

- Mos ki merak, unë do qëndroj këtu në gatishmëri duke të pritur ty…

Këto çaste favorizuan Sefretin të qetësohej, më pas të tregonte:

- E shoh, nuk munda t’ju prezantoja “enigmën”, do të kemi kohë…

Të pranishmit ishin ngritur në këmbë. Të gjithë po shprehnin një gjendje të fuqishme emocionale, qartazi bazuar në gëzimin e mundësisë së takimit, udhëhequr nga arsye konkrete, ku përparësia i takonte përfundimit me sukses problemit shëndetësor të Sefretit dhe takimi po kalonte këndshëm, për më tepër gjithçka ishte e natyrshme.

- Gëzuar Sefret! Të urojmë shëndet ty, Hurmasë dhe të dashurve tuaj! Takime si sot të jenë të panumërta, sepse të gjithë kemi nevojë për to!

Trokisnin fort gotat midis tyre dhe nuk po përmbaheshin. Disa filluan të këndonin të afruar kokë më kokë dhe katër të tjerë morën vallen e krahinës, tundnin shamitë dhe u bënin ftesë për vallëzim shokëve. Një prezantim prekës, rrallë i jetuar; secili gëzohej brenda vetes dhe e rrezatonte natyrshëm përreth duke krijuar një ambient, të cilin vargjet e sapokrijuara në imagjinatën e Sefretit nuk po mund të renditeshin në strofa, sikurse herë të tjera. Po ndihej i tjetërsuar…

Orët zëvendësonin njëra-tjetrën, mbasditja reflektonte diellin e përskuqur, flladi i freskët lëvizte tufat e trëndafilave pranë dritares. Pjesa më e madhe e teë pranishmëve ishin në moshë mbi mesataren. Ata po njihnin nga afër prezantimin e gjendjes shpirtërore dhe shëndetësore të Sefretit, që deri atëherë nuk kishte përmbushur asnjë respektim të kësaj natyre ndaj të afërmve, shokëve dhe kolegëve të shumtë. Erdhi një çast i artë që siguroi thelbin e këtij qëndrimi të veçantë, shprehur në organizimin e parë të përbashkët, gjë të cilën e kishte penguar niveli i ulët ekonomik i familjes.

Dasma e tij, si zanafilla e ngjarjeve të gëzueshme, u organizua në më të thjeshtën formë, vetëm me prindërit dhe hallën me xhaxhanë, tre kolegë arsimtarë; së bashku drekuan në kopshtin prapa shtëpisë, një takim i zakonshëm, aq sa ndonjëri e niste dhe e përfundonte më të përzgjedhuren këngë si të ishte një solist në opera, pa e shoqëruar atë me tinguj të fizarmonikës. Sa për vallëzimin e të ftuarve dukej e pamundur, sepse sipërfaqja 2 metra larg tavolinës ishte e mbjellë me zarzavate, që do të siguronin gatimin për disa vakte ushqimore në javët e ardhshme, kështu që nuk realizohej asnjë formë argëtimi.

Prindërit e Sefretit, punëtorë në uzinën në periferi të qytetit, gjithë vitin e kalonin me vështirësi për faktin që organizimi i punës ditore në repartet përkatëse nuk mund të siguronte të njëjtin turn për të dy: njërit i takonte të ishte në sektorin përkatës paradite, tjetri duhej të punonte përgjatë mbasdites në të dytin. Pika kulminante për ta ishte fundi i gushtit, kur duhej t’u siguronin librat për fillimin e vitit të ri shkollor dy vëllezërve dhe tri motrave, të gjithë më të vegjël se ai. Brenda 7 viteve të para, familja e Sefretit u shtua me 3 fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Vitet kalonin. Të tre fëmijët e tij u larguan nga vendlindja dhe Sefreti nuk e përjetoi të drejtën e çdo babai që në ceremoninë tradicionale në dasmën e dy djemve apo vajzës, i mbushur me emocione pozitive, të trokiste gotat e verës, të përqafonte në çast krushqit në po atë lartësi gëzimi, e cila do të fuqizohej nga valltarët në formë rrethi. Asnjëri prej të treve nuk organizoi më të thjeshtën ceremoni martesore me prindërit dhe njerëzit e afërm të fisit…

Sefreti kujtonte me nostalgji se rreth një vit mbas mbarimit të fakultetit, nisi të punonte kur u miqësua me Hurmanë, një vajzë e thjeshtë, serioze dhe e matur, të cilën veprimet praktike, shoqëruar me zgjidhjen pozitive të tyre, e tregonin pothuajese shumë vjet më të madhe se ai në moshë, kur realisht ishte me vite më e vogël (ajo ishte diplomuar per ekonomi). Kishin njohje familjare dhe së bashku e gjykuan të drejtë të ndërtonin një marrëdhënie të konsoliduar duke e filluar me më të thjeshtën formë ceremonial, si fejesë e martesë njëkohësisht. Pikërisht ardhja në familje e një vajze të sjellshme, punëtore në më të lartën shkallë mirëkuptimi me nënën e tij, duke e lehtësuar në ngarkesën e punëve shtëpiake të përditshme. Ishte një gëzim i paimagjinueshëm për gjithë familjen, lehtësim për të gjithë.

Rezultatet e mira në të katra vitet e kishin bërë Sefretin të ishte njëri nga tre kandidatët e propozuar nga këshilli i fakultetit si një pedagog i ardhshëm, gjë që ai e refuzoi pa mëdyshje. Familja me 10 anëtarë së bashku me gjyshin dhe gjyshen, e priste të fillonte punë sa më parë. Të moshuarit, falë zgjuarsisë së tyre të natyrshme, dhe përkushtimit të përditshëm, arritën të zëvendësonin mungesën e çerdheve dhe kopshteve, duke i edukuar nipërit e mbesat të kishin sjellje shembullore e duke i ndihmuar të ecnin të sigurt drejt rrugëve të jetës.

Një tjetër arsye e refuzimit të Sefretit për të filluar jetesën në kryeqytet, ishte edhe ndjesia e brendshme, delikate dhe individuale, që e mbante shtrënguar fort me të afërmit e shokët, një ndjesi të cilën nuk e kishte njohur deri në çastin kur prerazi vendosi të fillonte dhe ta vazhdonte punën si mësues në zonën e tij. Profili i mësimdhënies lehtësonte punësimin e djaloshit Sefret të porsadiplomuar si mësues i gjuhës në shkollën 7-vjeçare të fshatit të kufizuar Drenije, largësia e të cilit me qytetin ku ai kishte lindur, ishte rritur, shkolluar në gjimnaz e burrëruar më pas, ishte jo e vogël. Sefretit i duhej të përshkonte përditë një rrugë të gjatë në këmbë për vajtje-ardhje, duke shtuar kohën e udhëtimit me urbani nga qyteti deri në Patos të Ri, pasuar nga një tjetër gjatësi rruge, të cilën, nëse e përshkonte me mjetet transportuese të punëtorëve të naftës, do ta konsideronte fatmirësi të ditës, në të kundërt, edhe ajo pjesë duhej përfunduar me ecje në këmbë. Dhe ishte jo pak: Ruzhdije-Siqecë, rreth 30-45 minuta, për të arritur në Drenije, një zonë malore e kufizuar në largësi afër 1 orë dhe rrugë në këmbë, që i duheshin rreth 3 orë çdo ditë.

Dita e pare e shkollës rastisi e hënë, më datën 5 shtator 1972. Emocione të fuqishme dhe të paprovuara e zaptuan, të cilat nuk po mund t’i frenonte, ndonëse me gjakftohtesi pranonte se hyrja në klasën ku zhvillohej mësim kishte qenë e përsëritur për të. E veçanta e asaj dite qëndronte në faktin se për herë të parë në jetë Sefreti u pozicionua përballë personave të interesuar që të dëgjonin prej tij mendime dhe gjykime, të cilat deri ato çaste atij ia kishin transmetuar të tjerët. Dhe ja, Sefreti, një mësues i ri në moshë, qysh në javet e para po bindej se e donte punën si mësues, i donte nxënësit dhe leximet e librave.

U miqësua shumë shpejt me njerëz të panjohur më parë prej tij dhe një ditë i lindi mendimi të shkruante historikun e fshatit, por që i duhej të punonte fort, sepse baza e atij dokumentimi kërkonte takime me gjithë të moshuarit e zonës, njohje të reja, harxhim të kohës së lirë edhe kjo e kufizuar. Pra kërkonte një punë të veçantë, të shoqëruar me lodhje fizike, gjë që e realizoi me sukses brenda vitit dhe shpërblimi ishte shumë i veçantë; simpatia e shokëve shihej në rritje.

Vitet ndiqnin njëri-tjetrin dhe Sefreti e ktheu në mënyrë pune personale të kishte mbërritur pranë shkollës në fshat dy javë para çeljes së vitit arsimor, duke pranuar të jetonte me dy kolegë në njërën nga dy dhomat për mësuesit, si banor i përkohshëm, ku  ditëve të ftohta e të lagështa, ngrohja mund të sigurohej vetëm nga soba me dru, e cila shërbente dhe për tharjen e rrobave te lagura. Rrethanat e krijuara vitin e tretë mundësuan të kthehej çdo ditë në shtëpi. Arsyeja e vetme ishte krijimi i familjes së re, vetëm se nga qyteti dilte ne ora 5 e 30 minuta, për t’u ndodhur në shkollë  çdo ditë përpara orës 8 e gjysmë. Po prezantohej tepër i përgatitur çdo orë mësimi dhe dashuria për nxënësit po forcohej nga dita në ditë. Njëherazi nuk linte pas dore dhe takimet një herë në jave me prindërit, me të cilët bisedonte lirshëm.

Nuk kishte pagesa shtesë për mësuesin atyre viteve, edhe pse banonte në fshat; as për rrugën e përditshme, as për gjë tjetër, por Sefreti shpenzimet më të larta, bazuar në mundësitë e tij financiare reale i bënte për blerje librash të përzgjedhur të autorëve tanë dhe të huaj, çka nuk ishte e lehtë, se i botonin në tirazh të kufizuar, sa librashitësi i qytetit, duke e njohur së afërmi, e vlerësonte në mënyrën e vet orgjinale dhe i siguronte çdo libër.

Përherë i rregullt, korrekt me veten, gjithashtu në marrëdhëniet me njerëzit pranë, Sefreti përfaqësonte një mësues fshati model. Jepte gjuhë-letërsi, por nëse nuk plotësoheshin 24-26 orë brenda javës  kishte detyrë të plotësonte shtesë orë vizatimi apo fiskulturë; për më tepër i duhej përditë një parapërgatitje personale, që patjetër kërkonte dy orë përqendrim në lexime specifike lidhur me temën. Njohëes të profilit të mësimdhënies teksa e vlerësonin punën e përkushtuar, të ndërgjegjshme dhe afërsinë shpirtërore me nxënësit e mësues Sefretit, shpreheshin të entuziazmuar se ai çuditërisht po vërtetonte thënien e një dijetari të njohur: “Mësuesi është i mirë kur tregohet edhe një nxënës i mirë”.

Vetë profili i punës së mësuesit të letërsisë konsiderohet më i vështiri krahasuar me të tjerë, sepse mësuesit i duhej të lexonte letërsi artistike, të përgatiste materiale rreth temës, teksa nxënësi mbante shënime; libra të veçantë merrte në bibliotekën e qytetit, por edhe atje do të gjeje lexues të shumtë, pra kërkohej njëfarë kohe.

Mësuesin e letërsisë e shoqëronte harxhimi i kohës për korrigjimin e hartimeve a diktimeve të nxënësve apo dhe detyrave të shtëpisë.  Brenda programit të punës javore shënohej edhe vajtja në bibliotekën e qytetit. Punonjësja e saj e respektonte për korrektësinë e spikatur dhe kohën tepër të shkurtër gjatë së cilës Sefreti fillonte dhe përfundonte disa qindra faqe, sa një mbasdite e pyeti e habitur:

- Jam kurioze të mësoj se sa orë gjumë arrin të bësh gjatë natës. Ky libër voluminoz që ti e lexove në kohë kaq të shkurtër më bën të dyshoj që mund të mos kesh vënë fare gjumë në sy…

Sefreti buzëqeshi dhe e shtangu punonjësen kur u shpreh me sinqeritet:

-Është e vërtetë se kam lexuar pothuajse gjithë autorët botërorë të letërsisë në prozë të përkthyer në gjuhën tonë, por jam qartësuar kohët e fundit se më tepër po më tërheq poezia, vargjet dhe, pa e kuptuar se si, kam marrë guximin të hedh në letër disa strofa…

- Urimet më të mira ke! Me të mbarë! - iu drejtua punonjësja Urani. - Tani me thuaj cilin poet do të lexosh dhe sa vargje do shkruash sot?

Nje emocion i fuqishëm e pushtoi papritur Sefretin. Biseda preku pikën më delikate të zemrës dhe shpirtit të tij. Në pamundësi për të shqiptuar dy fjalë të vetme u kthye me vërtik duke zbritur me shpejtësi shkallët ndërmjetëse të katit të dyte të godinës.

Një gëzim i skajshëm mbushi zemrat e gjithë pjesëtarëve të famijes kur në fund të vitit të parë të martesës, Hurmaja solli në jetë djalin e parë, Mirin, mbas dy vjetësh Gentin dhe katër vjet më vonë, motrën Linda. Jeta e përditshme kalonte e qetë, secili i preokupuar në punët e veta. Mbi të gjitha qëndronte përkujdesi i prindërve të Sefretit në rritjen e tre vogëlushëve. Jeta në familjen e Sefretit ecte normal.

Ndonje episod të pakëndshëm shkaktonte rreptësia e ekonomistes Hurma në çastin kur shikimi i saj ngulitej në dorën e Sefretit që e shtrëngonte librin e porsablerë si të trembej mos dikush ia rrëmbente dhe në çast e kuptonte se pikërisht shikimi kritik i së shoqes teksa krahasonte saktë vlerën monetare të librit me të një sendi tjetër të munguar atyre ditëve  në shtëpi ishte i papërballueshëm.

Mësimdhënia vazhdoi për disa dekada me ndryshime të vogla në largësinë e Sefretit nga shkolla, duke e transferuar në një fshat më afër qytetit. Nuk mund të mos mbahet mend habia e skajshme e shefit të Drejtorisë Arsimore kur dëgjoi mësuesin e apasionur Sefret, shembëlltyrën e punonjësit të ndërgjegjshëm, të refuzonte  detyren si mësues në njërën shkollë të qytetit.

Dihet se nuk ka përherë të njëjtin pozicionim vendi, fiksim në kohë për qenien njerëzore, sikurse për sendet. Pavarësisht përmasave dhe përbërjes, Sefreti prezantonte të veçantën lidhur me pandryshueshmërinë e vesit të duhanpirjes, por as edhe njëherë të vetme brenda klasës. Tipike për të ishte përgatitja nga duhani i rritur në fushë, sigurisht njohja me koston e paketave të panumërta në vite do ta kishte lodhur trurin e Hurmasë llogaritare shumë më teper se puna e përditshme brenda zyrës.

Më e çuditshmja mbetej prezantimi i pamjes së Sefretit, të cilën vitet e moshës jo vetëm nuk e ndryshuan, por as e prekën një thërrime, sa, kur dikush rastësisht e pyeste për datëlindjen, atij i duhej ta përsëriste përgjigjigjen, mbasi personi përballë nuk i besonte shifrës së sapodëgjuar. Tërhiqte vëmendje të veçantë prezantimi i tij: një mashkull në gjatësi mbi mesataren, i zhdërvjellët falë muskujve të ekstremiteteve mbuluar vetëm me shtresën e lekurës së hollë, të zeshket ku dredhonin dukshëm enët e gjakut si të ishin duke e zbukuruar vetë relievin e saj dhe për të treguar bindshëm se në perfeksionin e muskujve poshtë tyre, ato ishin pjesëmarrëse krahas përpunimit me mjeshtëri prej duarve të një skulptori; më tepër kur Sefreti mbante veshur pantallonat e shkurtra ngjyrë kafe, kanotjeren e bardhë, të përzgjedhurat veshje për të jashte orarit të shkollës. Tiparet e fytyrës nuk mund të ndaheshin se cila prej tyre ishte më tërheqëse, sepse vendin e parë e merrnin sytë e ngjyrës së zezë me një shikim të përqendruar, dashamirës e njëkohësisht njohës të mendimeve të bashkëfolësit, i cili, edhe nëse i shmangej paksa përgjigjes pas pyetjes së bërë nga Sefreti, ky mund të njihte në heshtje edhe pa i tingëlluar veshëve apo nëse buzët e personit përballë të mos kishin shqiptuar të vetmen rrokje. Rrudhat e pakta mbi ballë, po të njëjta…

Vallë të ishte favorizuar kjo cilësi prezantimi brenda mendjes dhe zemrës së tij edhe nga profili i mësuesit të ndërgjegjshëm në raste kur para vetes kishte një nxënës të paaftë që s’u përgjigjej saktë pyetjeve të mësuesit? Nuk mundej ai nxënës t’i ruante përmasat e vogla të informacionit që Sefreti sapo ia kishte dhuruar?!

Apo linja e profilit të psikologut, e cila nuk u prezantua tek ai… Në vitet e fakultetit, shoku i afërt Mehmet e konsideronte këtë cilësi të Sefretit si një zbulim të së ardhmes. Shpesh me humor i sugjeronte se fusha ku shoku do të mund të shkelqente ishte drejtësia, konkretisht sektori i hetimit, ndërsa buzeqeshte në përgjigjet e Sefretit:

- Po mire, jam dakord me mendimet e tua, por në situata krejt ndryshe nga rruga ime e mësuesisë, cili mund të jetë personi që më sheh, më njeh dhe vlerëson realisht thellësinë e dashurisë sime për njeriun e thjeshtë, dashurinë për leximin e librave, veçanërisht poezinë, por me kushtin e vetëm, pa harruar vendosjen e duhanit brenda llullës…

Këto mendime u konkretizuan në vitet e mëvonshme, kur takonte rastësisht ndonjë të rritur, i cili po ecte i sigurt rrugëve të jetës dhe shprehte mirënjohje të sinqertë për punën e Sefretit si mësues, pra  fakte reale prezantuese të personalitetit të tij. Përgjatë këtyre çasteve Sefreti ndiente një ngrohtësi shpirtërore, i duhej përqendrim të mos i lejonte lotët të dukeshin në këndet e syve, ndërsa fjalët e tradhtonin, nuk  dilnin rrjedhshëm…

Të tre fëmijët ishin të sjellshëm, mësonin mirë, por ndryshimet e thella në jetën shoqërore të vendit patjetër që refletonin paksa në jetën e përditshme. Miri, djali i parë i Sefretit, mbas mbarimit të shkollës 7-vjeçare e të mesme, filloi vitin e parë në fakultet, por nuk e përfundoi. Me dy shoke u largua jashtë kufijëve pa miratimin e të atit, njeriut të respektuar për ndershmëri dhe zgjuarsi, të gërshetuar me prakticitet në zgjidhjen pozitive të problemeve të vështira; shpesh përdornin të njohurit një përcaktim të veçantë, një përshtatje të tillë: “Sefreti është burri i mençur”, çka i biri adoleshent nuk e mori parasysh.

Me shumë mundime, Miri filloi jetën në Belgjikë. Pas një periudhe 5-vjeçare qëndrimi atje, krijoi familjen e vet me një shtetase vendëse. Genti siguroi një bursë për shkollën e mesme në Bullgari, rezultatet e shkëlqyera i lejuan shkollimin për informatikë ne SHBA dhe rritjen e preferencës për qëndrim të përhershëm, në pritje të plotësimit të kushteve si qytetar me shtetësi amerikane për t’u ingranuar në profilin e punës në fushën e informatikës, ku edhe ishte vlerësuar me meritë. Sikurse dhe i vëllai, Genti u njoh me shoqen e jetës dhe krijoi familjen e vet atje.

Linda, me zgjuarsi të natyrshme, tepër e dhënë mbas studimeve në vitin e fundit të fakultetit për gjuhësi angleze, formoi një lidhje të konsoliduar me Fredin, bashkëqytetar i së njëjtës moshë. Shpejt përfunduan në martesë, ndonëse të panjohur më parë midis tyre, sepse prej vitesh banonte në Nju Jork, saje llotarisë amerikane.

Me largimin e fëmijëve, natyrisht vëllezërit dhe motrat kohë më parë, pikëllimi i Sefretit nuk njohu kufij kur prindërit ndërruan jetë brenda gjashtë muajve. Pikërisht ajo shtëpi njëkatëshe me tri dhoma, që kishte njohur vetëm gjallërinë gërshetuar me britma kalimtare të vogëlushëve apo këngët e tyre me zë të lartë teksa me shokët luanin me frutat e shumta të pemëve në kopsht, mirëkuptimi i admirueshëm brenda tre brezave si diçka e rrallë në ditët e sotme, pavarësisht kohëzgjatjes, mbeti e papërsëritshme dhe frymezuese per krijimtarinë e Sefretit…

Ditë të zymta, të pakëndshme kur brenda shtëpisë lëviznin vetëm dy persona: Sefreti dhe Hurmaja, jashtë në kopshtin e gjelbëruar dëgjoheshin zërat e zogjve fluturues, ndihej aroma dehëse e luleve, por nuk e tërhiqte si dikur çiftin tashmë të trishtuar, ndjenja e dhembjes shpirtërore që ata përpiqeshin t’ia fshihnin njëri-tjetrit, ekzistonte, ishin të bindur se asgjë nuk mund ta pakësonte…

Puna ka kufij të caktuar, që i vërtetojnë vitet e moshës që ia  ngushtojnë territoret, përmasat e gjerësisë dhe thellësisë së saj, por çuditërisht Sefretin, një mashkull me konstrukt fizik të fuqishëm pavarësisht dekadave hedhur mbi supet e tij të drejta, të gjera, njeëherazi një përdorues origjinal i duhanit të kultivuar në arë, pikeërisht puna nuk kishte mundur të ushtronte supremaci.

Tentativat për ta ndërprerë duhanin nuk kishin arritur asnjë rezultat, e vetmja fushë ku ai personalisht e pranonte dështimin, por gjente edhe një justifikim të veçantë lidhur me ndihmesën direkte të duhanprirjes, në mundësinë e krijimit të poezive të shumta, vargje të cilat nga pamundësia ekonomike nuk arritën të shihnin dritën e botimit, disa strofa prej tyre i recitonin me emocione të thella nxënës të klasës së gjashtë e të shtatë në festat që oranizonte shkolla. Mijëra vargje shkruar me laps, më vone përdorej një stilolaps i veçantë, në fletët e fletoreve të matematikës me kuadrate të vogla; ishin të shumta dhe Sefreti i kishte vendosur në raftin e fundit të një biblioteke të vjetër prej dërrase, e cila shtrihej sa gjithë muri ndarës i dhomës së gjumit me korridorin pranë, ku mbi çdonjërën kishte shkruar me gërma të mëdha shtypi titullin dhe autorin. Sa shumë fletore!

Për Sefretin terezia e poezive prezantuar me shkrim dore dhe të grumbulluara poshtë radhës së librave të botuara, pra krahasimi midis tyre krijonte një hidhërim të thellë lindur nga pabarazia e padrejtë. Edhe pse nuk e dëshironte, pyetja e përsëritur që ngulej përherë e me thellë në shpirtin e tij ishte: “A do munden një ditë këto poezi, pasi të kenë ndier mbi vete peshën e hekurt të makinës lëvizëse mbi faqet e radhitura të qëndrojnë në kapitujt përkatës dhe lexuesi me kureshtje t’i kthejë ato njëra pas tjetrës, i mbushur me emocione?”.

Pengu i jetës së tij, por i padrejtë. Më të afërtit  dhe Hurmaja e njihnin brendinë e poezive të sapokrijuara. Sefreti recitonte disa strofa, i kredhur në emocione, aq sa ndonjë miku i tij, pasi e përqafonte, duke buzëqeshur ë drejtohej me çiltërsi:

- Pres të dëgjoj vjershat e shkruara së fundmi, pas tyre nisim bisedën.

Njëfarë krenarie njihte brenda vetes, që e shoqëronte përherë, por përballë dëshirës së zjarrtë që poezitë e veta t’i shihte një ditë në volume krenaria zbehej duke e humbur vlerën e saj, prandaj mundohej të mos e prezantonte. Sefreti me pastërti e kuptonte se krenaria e tij  pengonte të hapej në rrethe shoqërore apo të kërkonte të tjera rrugë të pastra që ta siguronin “botimin e vargjeve të arta”, sikurse i kishin përcaktuar dy poetë të njohur, njëherazi kritikë letrare. Natyrisht, bazuar në logjikën e tij të ftohtë e kuptonte dhe e pranonte se ajo krenari e tij ishte “pjesë përbërëse e karakterit të tij të gurtë”, njëri nga vargjet e poezisë së përzgjedhur, por e pamundur ta tjetërsonte karakerin e tij për cilëndo arsye.

Një problem tjetër lidhej me aromën e pakëndshme që Hurmaja                                                                                                                   e nuhaste nga librat radhitur pranë shtratit të tyre për arsye se kishte sëmundjen e astmës, një gjendje alergjie të shprehur sidomos  ditëve të lagështa, por nuk kishte vend tjetër për librat deri kur anëtarët e familjes u larguan njëri pas tjetrit dhe u zgjerua hapësira, u eleminua aroma ngacmuese, por u tkurr shpirti i saj. Pamundësia e botimit të poezive përsa po vazhdonte jetën mes njerëzve dhe fati i më tepër se 1000 libra mbas largimit të Sefretit një ditë nga jeta, një ligj absolut i saj, e trishtonte thellë Sefretin, po e  pranonte se koha tepër e lirë, njëherazi e padobishme për të përgjatë viteve të moshës së tretë po i trokiste në derën e shtëpisë…

Peshkimi me grep apo në rrjeta kur e organizonin në grup shokësh, e tërhiqte, nga ana tjetër konsiderohej një ndihmesë ekonomike e drejtpërdrejtë në familje, që realizohej vetëm të shtunën ose të dielën. Në ditët e para të muajit qershor duke dashur si përherë t’i përfundonte punët në shkollë me saktësi nisi të përjetonte një ndjesi të panjohur, të paprovuar më parë lidhur me emocionet e forta që e pushtonin ato ditë kur pranonte pa mëdyshje se koha e mësimdhënies përfundoi dhe mësues Sefreti nuk do të fillonte ditën e punës duke pasur para syve fytyrat e dashura të nxënësve.

Nuk e kishte të vështirë ta kuptonte dhe ta pranonte këtë gjë fare të thjeshtë, por ja që nuk shkojnë gjithnjë në të njëjtën linjë mendimi me ndjenjat, të gjithë e dimë mirë. Kur ia shprehte këto shqetësime kolegut Mehmet, ai me një buzëqeshje ironike i pergjigjej:

- I dashur Sefret, kthehu me këmbë në tokë; shprehur qartë, duhet ta pranosh se ekzistojnë kufij për gjithçka. Konkretisht ti je një mësues shembullor, por jo i përjetshëm.

Nuk mund të zgjatej më tej biseda. Sefreti tërhiqej i pari dhe përgjatë atyre ditëve ai diçka të pakëndshme po ndiente në pjesën e majtë të kraharorit. Në mesnatën e ditës së enjte dhembja u bë tejet e fortë, kishte karakter shtrëngues me kohëzgjatje mbi 20 minuta, e përsëritur, që e detyroi Sefretin të kërkonte ndihmë mjekësore. Shumë shpejt e vendosën në kushte spitali të bazuar në diagnozën e përcaktuar saktë: kishte pësuar një infarkt të miokardit, apo sikurse e njohin një goditje serioze në zemër, prandaj menjëherë e vendosën në repartin e reanimacionit nën një kujdes të rreptë, të gjithanshëm.

÷÷÷

Sipas mjekëve, goditja në zemër ishte serioze për vetë zonën e prekur, përmasat e saj dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me funksionin e atij sektori. Kohëqëndrimi në spital, ecuria e dëmtimit po ndiqej me përkushtim e profesionalizëm nga gjithë ekipi. Për Sefretin ishte hera e parë në jetë që po e shihte veten në një shtrat spitali pranë të cilit ishte vendosur bombola e oksigjenit dhe në krahun e shtrirë të tij kalonin tubat me solucione, pikat e të cilave i kontrollonte me rreptësi infermierja.

Protokolli i punës përmban disa hapa: marrjen e informacioneve nga vetë pacienti për prezantimin e shqetësimeve aktuale dhe të mëparshme, mënyrën e jetesës, ku një rëndësi e madhe i kushtohet duhanpirjes në kohëzgjatje (për Sefretin ishte ekstreme, sepse  fillonte qysh nga fëmijëria, njëherazi në sasi të konsiderueshme); duhanpirja njihet si një nga faktorët dëmtues tepër serioz i renditur pas shifrave të larta të tensionit të gjakut, të cilin ai e kishte matur rrallë, por në parametra mbi normalen. Pra, të dy bashkë te personi 65-vjeçar përbënin rrezikun në shkallë të lartë për sëmundje në zemër, duke marrë në konsideratë edhe shqetësimet e kohëve të fundit, por që ai ishte treguar mospërfillës ndaj tyre.

Në çastet e para të shfaqjes së infarktit, situata shëndetësore e Sefretit u vlerësua e rënduar, bazuar në të dhënat klinike, laboratorike elektrokardiografike, ekografike, të cilat tregonin zmadhim të përmasave të zemrës dhe episode të përsëritura rrahjesh të çrregullta, të përshpejtuara, të shoqëruara me kalime të paparashikuara episodesh të ngadalshme, pasuar me ndalesa të përkohshme.

Mjekët specialistë në konsultat e shumta midis tyre arritën në përfundimin se më e sigurta mënyrë për mjekimin e kësaj gjendjeje të rrezikshme për jetën e Sefretit ishte vendosja e një aparati në tri dhomëza të zemrës, që do të ndihmonte së tepërmi në zvogëlimin e përmasave dhe rritjen e forcës së saj, procedurë e njohur si terapia e resinkronizimit të zemrës apo “Cardiac Resyncronisation Therapi-CDT-D”. Pajisja zotëron aftësinë e zbulimit dhe mjekimit të menjëhershëm të çrregullimit fatal të ritmit të zemrës, por vlera e pajisjes llogaritet në disa dhjetëra mijë euro. Po a e përballonte gjendja ekonomike e Sefretit? Sigurisht që jo. Situatë e vështirë, e papritur kur ishin tërësisht të papërgatitur.

Hurmaja këmbënguli që të informoheshin të tre fëmijët dhe të merrnin përsipër shumën e duhur për mbajtjen në jetë të punës së zemrës së babait të tyre, ndërsa Sefreti ishte për të kundërtën, duke e kushtëzuar Hurmanë, e cila më mirë se kushdo tjetër e njihte rreptësinë e tëe shoqit. Kur ai merrte vendim për diçka, absolutisht nuk tërhiqej.

Kaluan disa ditë dhe gjendja shëndetësore e Sefretit u përmirësua disi. Mjekët e gjykuan të arsyeshme të vazhdonte të qëndronte në spital, jo në repartin e reanimacionit, por në njërën nga dhomat e repartit. Ata do të vazhdonin ta ndiqnin së afërmi, duke qenë të gatshëm në çdo çast. Fatmirësisht Sefreti po ndihej mirë; mund të lëvizte lirshëm, duke i plotësuar nevojat vetes, edhe pse Hurmaja me motrat nuk u larguan asnjë moment. Ai do të qëndronte në ndjekje të ecurisë së sëmundjes, sigurisht me mjekim më të pakësuar, pa pasur pranë bombolën e oksigjenit apo krahët të shtrirë me serume pasues të njëri-tjetrit.

Ai ndiqte me vëmendje reagimin e mjekëve gjatë konsultës dhe i  mbështetur në aftësinë e tij të veçantë e të pashpjegueshme mundej ta kuptonte mendimin pozitiv, ende pa shprehur  Dr. Agimi një fjalë të vetme për ecurinë pozitive të gjendjes së përcaktuar aktualisht, vetëm duke parë në fytyrën e mjekut një buzëqeshje nënkuptuese, Sefreti e zbërthente  atë në rezultatin pozitiv.

÷÷÷

Mbas qëndrimit në repartin e reanimacionit për disa ditë, Sefretin e kaluan në një dhomë me dy shtretër brenda repartit. Atje qëndronte prej ditësh Vasili, afërsisht i së njëjtës moshë, i cili vuante nga sëmundja e sheqerit, diabet në stad të avancuar, e vërtetuar me përsëritjen e matjeve të përmbajtjes tejet të lartë të sheqerit në gjakun e tij. Po gjendej para rrezikut të operacionit të këmbës së djathtë, ku dukej një plagë e thellë dhe e infektuar, realisht ndërlikim serioz. Nisur nga çastet e para, në ditët dhe javët pasuese të njohjes së Sefretit me Vasilin po krijohej dukshëm një respekt i ndërsjelltë, sa duke qeshur paksa me ironi, Sefreti iu përgjigj pyetjes së të porsanjohurit:

- Ndofta na duhet të falënderojmë edhe duhanpirjen si pikë të parë mirëkuptuese midis nesh, vetëm se nuk dihet sa vjet ma kalon.

Ne bisedat e mëtejshme, të shtruara, duke logjikuar me gjakftohtësi, e pranuan si njërin nga gabimet e pafalshme të bëra ndër vite, pa harruar edhe përpjekjet e shumta, por të dështuara kur kishin dashur ta flaknin tej. Vasili, përherë mendueshëm, fliste ngadalë, si të donte t’i jepte përgjigje së pari vetvetes e më pas edhe shokut të dhomës:

- Fati im i keq që nuk e kisha në dorë ta ndryshoja, sepse linda i verbër dhe mësova që prindërit e mi për aq kohë sa jetuan u stërmunduan të më ndihmonin të ambientohesha dalëngadalë në jetën e përditshme; një tjetër fatkeqësi pasoi të mëparshmen: nëna dhe babai im nuk arritën ta gëzojnë jetën e tyre, një aksident i rëndë i rrëmbeu në mënyrë fatale… Ndihmë të papërshkrueshme më dha xhaxhai i moshuar, i cili më afroi pranë vetes duke e vazhduar kujdesin e prindërve të mi që ata fatkeqësisht e kishin lënë përgjysmë.

Teksa rritesha në moshë po mund të njihja dhe ta ndieja thellë brenda shpirtit tim dashurinë e kristaltë  njerëzore që dhuronin njerëzit e gjakut  tim çdo moment. Vite më vonë, pa më dhënë as më të voglin shpjegim, xhaxhai e kishte gjykuar të drejtë të më njihte si trashëgimtar të ligjshëm të disa pronave të trashëguara në krahinën e Vlorës krahas të birit, gjë që, kur e mësova dhe u konkretizua, u ndjeva i prekur thellë në zemër për faktin që personalisht asnjë hap të vetëm nuk hodha për realizimin e atyre veprimeve jo të lehta, veçse firmës në fund të shkresës. Sigurisht, familja ime po e jeton atë lumturi të pamatë, aq sa papritur ndryshimi i mënyrës së ngrënies luksoze është njëri nga shkaqet e diabetit, të cilin as pranoja ta njihja, jo më të beja kontrolle mjekësore.

Sa per duhanpirjen, ky ves për mua mbetet ende një enigmë. Të ishte aroma e fuqishme e duhanit të cilin xhaxhai e kultivonte vetë dhe e përgatiste duke e grirë për ta thithur me llullën e pandarë? Pikërisht ai mundësonte dhe më orientonte mua fëmijën e verbër ta përcaktoja saktësisht vendqëndrimin e xhaxha Aliut ulur në kopshtin para shtëpisë dhe  të vrapoja të ulesha në prehrin e tij. Jo, nuk e bëj fajtor. Cigaren e parë e kam shijuar në moshën 12 vjeç, në ditët mbas largimit të xhaxhait nga jeta pas një sëmundjeje të pashërueshme që e përjetuam hidhur; të tjera duar njerëzore më ndihmuan.

Familja e hallës në qytetin tuaj më trajtoi si birin e saj; këtu njoha shokë moshatarë me mua, që, edhe pse nuk mund të isha i barabartë në aktivizimet e përbashketa në lojërat tona fëmijëore, ata sajonin më të thjeshtat që të argëtohesha sadopak. Pra,                                                                                                       i dashur Sefret, në pamundësi ta shihja dashurinë njerëzore, e ndjeva atë në përmasa më të gjera, më të thella brenda shpirtit tim…

Shumë shpejt ne krijuam alfabetin tonë të koduar, sipas të cilit mirëkuptoheshim lehtësisht. Fjala vjen, njëra prej tyre ishte mënyra e të fishkëllyerit në një kohëzgjatje të paracaktuar; një tjetër ishte numri i gurëve të gjuajtur në tjegullat e magazinës së vjetër në oborrin e shtëpisë së hallës, pa harruar edhe aromën tipike për lule të veçanta, të cilën së largu unë e diferencoja qartë, nëse në dorë shoku kishte tufë lulesh trëndafili apo zymbyla, mjete që më ftonin të luaja në fushën e gjerë, jo larg shtëpisë. Fatmirësisht, një ndihmë e paimagjinueshme ishte përkrahja për mundësi leximi mbështetur në përdorimin e duarve.

Gjithçka ndriçoi brenda meje kur më punësuan në ndërmarrjen ushqimore në sektorin e paketimit të llokumeve. Ndihesha i dobishëm për aq sa mund të pritet nga një person i verbër, gjë që më gëzonte së tepërmi. Atje u njoha me Fatmirën, shoqen time të pandarë, e cila më plotësoi gjithçka të munguar deri atëherë krahas punës së përditshme së bashku, organizuar në të njëjtin repart. E rritur në jetimore, ajo ruante ende brenda shpirtit të saj fisnik cilësi njerëzore, gërshetuar me dashuri të paster që ma dhuronte pothuajse çdo ditë dhe pika kulminante ishte një bisedë e thjeshtë, njëherazi delikate për vetë thelbin e saj, të cilën e kishte përpunuar gjatë: “Të lutem, Vasil, më aprovo një kërkesë, që për ty do të jetë një surprizë. Dëshiroj të birësojmë një fëmijë, sepse ne kemi nevojë dhe të drejtën e plotë ta rritim numrin e anëtarëve të familjes sonë… Operacioni që kreva para disa vitesh vërtetoi që nuk mbetem shtatzënë, e vetmja mundësi të bëjmë një mirësi me vlerë të dyfishtë për ne...”.

Nuk e lejova ta mbaronte fjalën. Brofa në këmbë, i zaptuar nga emocione të çastit tepër të fuqishme, e përqafova dhe duke i shqiptuar fjalët me vështirësi një e nga një, iu përkula lehtësisht: “E shtrenja ime, ta njoh bardhësinë e zemrës përgjatë gjithë kohës që  jetojmë së bashku dhe jam plotësisht dakord për çdo vendim që do të marrësh. E di mirë sa njeri i drejtë je ti, por mëso diçka tjetër: shpirti yt i kristaltë vazhdon të prodhojë mirësi, dashuri për tjetrin, të cilat mua më shoqërojnë çdo sekondë dhe jam plotësisht i sigurt se mundesh edhe të dhurosh, prandaj plotësoje këtë dëshirë të përbashket tonën sa më parë”.

Gjithçka eci shkëlqyeshëm. Besa na lumturoi pa kufi. Jemi shumë të afruar të tre, aq sa ndonjëherë më duket se e tejkaloj në qëndrimin tim atëror ndaj saj, edhe pse nuk më ka krijuar asnjë shqetësim. Është e rregullt si vajzë, nxënëse dhe aktualisht një studente shembullore, pëlqen poezitë dhe më duhet të qëndroj paksa në korridor kur e kuptoj se ndonjërën e lexon me zë të lartë. Të jem i sinqertë, nuk i kuptoj se çfarë tregojnë vjershat. Ja, dje…

Në çast Sefreti buzëqeshi dhe vazhdoi me një ton prekës:

- Vasil, të jap të drejtë për gjithë sa tregon. Pikërisht pardje më tërhoqi vëmendjen kur po të recitoja me zë një strofë poezie. Besa më dëgjoi me shumë interes, e emocionuar dhe pastaj më pas me delikatese m’u drejtua: “Të lutem, xhaxhi Sefret, a mund t’i përsëritesh këto vargje, sepse më pëlqyen shumë!”.

U habita tepër, sepse është hera e parë që më kërkohet një gjë e tillë, por ti ato çaste dole nga dhoma dhe nuk munde ta dëgjoje bisedën time me Besën. Ajo tregoi një interes të madh të lexonte poezi nga ato të shkruara në vite, prandaj e porosita Hurmanë të sillte bllokun me dorëshkrimet e përzgjedhura, këtë këtu (Sefreti ngriti paksa lart mbi komodinë një bllok të trashë). Do t’ia jap t’i lexojë në shtëpi kur të ketë kohë të lirë tani, pasi mbaroi provimet edhe mundet.

Vasili nuk mund te ndiqte me shikime veprimet e shokut. Lehtas e kuptonte kënaqësinë e Sefretit nga qëndrimi i Besës dhe pa e ditur as vetë se si, i gëzohej atij episodi.

- Vasil, erdhi çasti të shpreh me sinqeritet gjykimin tim per Besën: një diamant i paçmuar në jetën tuaj! Unë e vlerësoj çdo ditë më tepër, sepse po shoh dhe po njoh një vajzë të edukuar, që qëndron në këmbë para teje duke të plotësuar çdo kërkesë tënden, e papërtuar për të të ndihmuar kur ti lëviz dhe Fatmirën teksa të shërben ty, me qëllim që të ndihesh ti i plotësuar, ulet një copë herë në fund të shtratit tënd dhe largohet pasi ia ke përsëritur disa herë kërkesën.

Këtyre ditëve më ke habitur, kur ti, vetëm duke dëgjuar ritmin e hapave që i afrohen derës së dhomës, shprehesh para se të jetë hapur dera: “Ja, po vjen Besa” dhe pas pak ajo hyn në dhomë. Mbetem pa fjalë, sepse e njoh psikologjinë, por e kam të vështirë ta kuptoj si arrin deri këtu.

Edhe Hurmaja e shihte me simpati Besën, një vajzë afër të 20-ve, me bukuri të natyrshme, me tipare të buta të fytyrës përherë të qeshur, në të cilën e para gjë tërheqëse ishin sytë me ngjyrë të gjelbër, por me një larmi nuancash, më e shprehur ngjyra blu, aq sa, kur doje ta përcaktoje se cila prej të dyjave merrte përparësi, ishte e pamundur. Nga ana tjetër, kur afrohej pranë Sefretit për ta ndihmuar, thjesht si mbushja e gotës me ujë, Besa e realizonte këtë veprim dhe teksa qëndronte në këmbë për ndihmesa të rastit, me një buzëqeshje të çiltër e cila favorizonte gropëza në faqe, shprehej:

- Ndiej kënaqësi t’i shërbej mikut të babait.

Ishin ato momente kur qëndrimi pranë Vasilit ishte i panevojshëm, pasi ai ulej në korridorin aty pranë. Në njërën nga bisedat e shpeshta, të cilat edhe ndihmonin të kalonte koha disi me qetësi, pas orarit të caktuar për vizita, Vasili i tha:

- Sefret, u shqetësova dje mbasdite në çastin kur ti, sapo përfundove  telefonatën me djalin, po bisedonit me zë të lartë. U turbullove tepër, sa për pak u rrëzove nga stoli, gjë që e tregoi zhurma e papritur e lëvizjes së tij. Fatmirësisht qe infermierja pranë dhe të ndihmoi nëe moment. Do të dëshiroja të mësoja arsyen, por druhesha se, po të pyesja më gjatë,  të riktheshin emocionet e fuqishme. Nëse mund të më tregosh diçka, dëgjova një zë rinor të tingëllonte me forcë: “E gjen dot ku po shkojmë baba?”. Në sekondë u çorientova, nuk iu përgjigja dhe nuk mund të hyja në brendësi të asaj pyetjeje. Si mund ta dija? Shtrëngova pranë veshit telefonin, vazhdova të ndiqja fjalët e tij, por ndihesha në vështirësi t’i jepja përgjigje…

- Sot e kam më të lehtë të të përgjigjem, Vasil. Pyetjen ma drejtoi djali, Genti, që jeton prej vitesh në Amerikë, duke më treguar që Miri, djali im i madh, kishte shkuar nga Belgjika për të pushuar disa ditë së bashku edhe me motrën Linda dhe po festonin ditëlindjen e nipit Tomas. Dakord, - vazhdoi fjalën Sefreti, por pa mundur të fshihte trishtimin që kuptohej qartë në zërin e tij tashmë më të ulët, - është një lajm i gëzuar për babanë e tre fëmijëve kur dëgjon se ata mundësojnë takime, por si të mos ndieja unë, babai, një hidhërim sado të vogël që edhe me të ëmën e tyre të mos gjendeshim mbledhur, një familje e plotësuar? Njihet e drejta njerëzore, njëherazi familjare që kryetari i familjes duhet të jetë ulur në krye të tavolinës dhe i takon atij të parit të trokasë gotën e verës me fëmijët e vet, edhe pse ata tashmë janë bërë prindër, atëherë të jetë Sefreti, gjyshi, para gjithë të tjerëve që t’i urojë nipit të vogël jetëgjatësi, shëndet ,lumturi dhe të shtrëngojë në kraharor… Pa më thuaj se ku gjendet nipi dhe sa afër tij është gjysh Sefreti?

Po, forcën e goditjes për mua e fuqizoi mungesa e pyetjes më të thjeshtë që djali im duhet të niste bisedën në çastin e hapjes linja telefonike: “Baba, si ndihesh tani, je përmirësuar? Nëna na tregoi për një problem shëndetësor që të detyroi të qëndrosh në spital disa ditë”. Unë e kisha urdhëruar Hurmanë të mos u tregonte të vërtetën, megjithatë aq pak sa dinin për shëndetin e babait, e kishin si detyrë parësore që të paktën në pyetjen e parë të mësonin situatën aktuale shëndetësore, vendndodhjen në spital apo në shtëpi të babait të tyre 65-vjeçar… Besoj se po më kupton, Vasil, - dhe Sefreti ndali papritur, sepse nuk mundej te vazhdonte më tej.

Te nesërmen situata u përkeqësua pas një debati, ndonëse të shkurtër midis tij dhe Hurmasë, prandaj Vasili u kthye anash për t’i lejuar të ishin të lirshëm, por u shqetësua kur dëgjoi përgjigjen e përsëritur negative të Sefretit:

- Jo! Absolutisht, jo!

Nuk pyeti më tej, sepse po jetonte thellësinë e gjendjes emocionale të trishtuar të Sefretit, njëherazi ndiente një hidhërim të lehtë në zërin e motrave dhe të vëllezërve të tij, të cilët flisnin shkurt. Kuptohej se një problem i sapondodhur po shfaqej. Sërish midis tyre hapej biseda rreth fëmijëve të larguar, përparësia i takonte asaj, pikërisht thelbi i mendimeve, ndjenjave të tij.

Edhe pse Vasili instiktivisht i shmangej asaj linje, ishte vetë Sefreti që e sillte drejt saj kur donte t’i tregonte mikut se fëmijët e të dy djemve të martuar me bashkëshorte jo shqiptare u kishin mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, sigurisht vetëm të folurën me gabime dhe pas këtyre të dhënave të pakta, Sefreti sërish qëndronte në heshtje. Pa të keq, një ditë Vasili, nisur thjesht nga kurioziteti e pyeti:

- A flasin shqip dy fëmijët e vajzës sate Linda, me të atin shqiptar? -  por shpejt e konsideroi të pavend atë pyetje kur kuptoi një tronditje të pa pritur, dhembje të pafund, shprehur në zërin e tij që foli në çast:

- Fatkeqësisht, asnjë të vetme, as “nëna”, as “gjyshi”, as “mirëdita”… fare. Dhe janë të dy shqiptarë! Më kupto drejt si mund ta pranoj unë këtë gjë si prindi i Lindës. Tërë jetën kam punuar për t’u mësuar fëmijëve të shumtë vlerën e gjuhës sonë... Sa herë e sjell ndër mend, është njëlloj si të më ngulin një thikë të mprehtë në zemër; tani jam edhe i sëmurë…

Nga mënyra si shprehej Sefreti, shoqëruar me intonacionin prekës të zërit, nuk ishte e vështirë për Vasilin të bindej se një hidhërim i tillë, i pazakontë, i ndrydhur brenda shpirtit shëmbëllente me një plagë të gjakosur e cila vazhdonte të pikonte gjak në përmasa të frikshme sapo dikush afrohej të prekte lehtas sipërfaqen e saj dhe në moment shpërthente si një vullkan, por duke nxjerrë rrëke gjaku…

- Të kërkoj ndjesë, Sefret, jam fajtor që bisedoj për tema delikate  mbushur me emocione të forta. Shpresoj se ditët e ardhshme nuk do ta përjetosh një hidhërim kaq të thellë dhe besoj se do ta falësh vajzën për këtë qëndrim sipërfaqësor, një ditë ajo ka për ta kuptuar vetë.

Nuk mundi ta përfundonte mendimin Vasili. Sefreti e ndërpreu me zë të drithëruar; ishte momenti para shpërthimit të lotëve:

-  Ta fal Lindën?! Kurrën e kurrës! E kam mohuar bijën time!

Pasoi një heshtje e shkurtër vrastare. Të dyja zonjat ulur në këmbët e shtretërve të burrave, Hurmaja dhe Fatmira ende po jetonin ato çaste të trishtuara ndodhur në mënyrë të padrejtë në situata të tilla, që fatkeqësisht në kohët tona nuk janë të rralla. Papritur Sefreti u ngrit ndenjur duke ulëritur me zë të lartë si asnjëherë më parë, vendosi dorën në pjesën e mesme të kraharorit, e ngriti drejt fytit si të donte të largonte një forcë shtrënguese, dëgjohej  një frymëmarrje e sforcuar dhe britmat alternoheshin me rënkime të thella. Hurmaja, në më të shpejtën kohë, së bashku me Fatmirën dhe infermieren në shërbim e ndihmuan të shtrihej në shtrat. Në moment mjeku Agim udhëzonte ndjekjen e procedurës përkatëse; fytyra e Sefretit, tepër e zbehtë, krijonte një kontrast të dukshëm me ngjyrën violë të buzëve, djersë të shumta në forme bulëzash i mbuluan ballin…

Terapia në kohën më të shpejtë, shoqëruar me përkushtimin e ekipit të repartit, e përmirësuan gjendjen e Sefretit dhe kur Dr. Agimi u informua së largu për shkakun e reagimit emocional të skajshëm dhe të pazakontë të Sefretit, e këshilloi Hurmanë të tregohej e kujdesshme në gjendjet shpirtërore të të sëmurit dhe të mos e ngarkonin emocionalisht, pasi krijonin çrregullime të ekuilibrit, duke favorizuar kriza të përsëritura rrahjesh të shpejta të zemrës.

Në një çast Vasili, pasi e kishte përpunuar hollësishëm në mendjen tij thelbin e bisedës me shokun e dhomës, teksa qëndronin në qetësi, iu drejtua Sefretit me zë të ulët ku dallohej qartazi një kërkesë e ndershme për falje gabimi dhe ndiente brerje të ndërgjegjes. E nesermja, dita e diel, për të dy miqtë mundësonte të zgjoheshin me vonesë, vizitat mjekësore të përditshme nuk bëheshin dhe u habitën kur derën e dhomës e hapi Besa, e qeshur si asnjëherë tjetër, njëherazi më herët se ditët e tjera, ekzaktësisht në orën 8 e 30 minuta. Pasi i përshëndeti, ajo iu drejtua Sefretit:

- Kam një surprizë të bukur për ty, xhaxhi Sefret! Ja, shihe tani, - dhe i drejtoi dorën e djathtë në të cilën mbante gazetën “Nacional”, ia vendosi atë në dorën e tij të shtrirë mbi shtrat.

Të dy miqtë, sikurse dhe Hurmaja me Fatmirën po shihnin njëri-tjetrin të habitur,. Vajza bukuroshe dhe e mbrujtur me mirësi nuk e la të zgjatej këtë çast dhe zëri i saj melodioz shqiptoi:

- Sot janë botuar 4 poezi të përzgjedhura prej atyre që unë lexova. Mendova se ti xhaxhi do të gëzoheshe kur t’i shihje vargjet e tyre të botuara.

- Të falënderoj sinqerisht, moj vajzë engjëllore! Më lumturove, se fjala “gëzim” nuk mund të shpreh plotësisht emocionin tim. Edhe herë të tjera kur ti kujdesesh për të dy në mënyrë të barabartë, pa e veçuar babanë tënd Vasilin, jam prekur shpirtërisht, por kjo e sotmja është e paimagjinueshme. Dhuratë për mua prej vajzës me tipare engjëllore!

E pamundur të vazhdonte më tej, një atmosferë mbushur me emocione pozitive, të cilat Sefreti përherë kishte dhuruar, dhe ne çastin e kthimit të saj, sikurse nuk ndodh shpesh, ai ndihej i papërgatitur ta përballonte. U deshën disa minuta të qetësoheshin dhe e mirëpriten urimin e sinqertë buruar nga thellësia e shpirtit të pastër të Sefretit:

- Urimet e mia për ty janë të panumërta, por dua të vecoj atë të veçantin, që rastësisht na lidhi me forcë të celiktë. Brenda poezive të thurura prej teje jam i sigurt se pasqyrohet bardhësia e kristaltë e shpirtit tënd engjëllor, shoqëruar me zemërmadhësinë e pamatshme, e drejtuar nga aftësia krijuese, talenti dhe e gërshetuar me këmbënguljen.

Pas këtyre urimeve dhe vlerësimeve, ishte radha e Vasilit të përlotej.

- Edhe diçka tjetër, e dashur Besa. Mbas daljes nga spitali, dua të lexoj dorëshkrimet e tua.

- Të lutem, më fal, Sefret! Përsëri e vuaj tejkalimin tim dje në bisedën me ty. Të preka në plagën më delikate të shpirtit tënd. U tregova i cekët, e pranoj, por pa dashje. Edhe unë u ligështova kur përjetoja gjendjen emocionale tënden në çastin e… Jo, nuk do ta përsëris sot, por ende nuk mundem ta kuptoj as tani përse të ishte ajo situatë?

- Është momenti të shprehem hapur, ti e meriton respektin tim! I dashur mik, pyetjes sate dhe shpjegimin e ndodhisë së djeshme unë e njoh së largu nga sa kam lexuar, por kam ruajtur pak dijeni rreth diagnozës së infarktit, thënë ndryshe goditjen e zemrës prej tij, pra, bazamenti i dhembjes së fortë shkaktohet nga bllokimi i njërës apo disa arterieve të saj, që kanë për detyrë të furnizojnë me gjak sektorin përkates; pamundësia e plotësimit të kërkesave shkakton vuajtje, e cila, midis tjerash, shprehet me shfaqjen e dhembjeve të forta në gjoks.

Pikërisht kjo është arsyeja e lartësimit të shkallës së vuajtjes brenda meje, që buron nga një thellësi e pamatshme brenda një zemre tashmë të diagnostikuar me infarkt… Ripërtëritja e kësaj plage shpirtërore është e papërballueshme.

Vasili, tejet i përqendruar për sa dëgjonte pikëllimin e fjalëve të mikut, dukej se po vuante në të njëjtën madhësi, duke pohuar me kokë.

- Sefret, e pranoj me ndërgjegje përgjegjësinë time në këtë situatë të pakëndshme emocionale dhe premtoj se do të tregohem më i kujdesshëm këtej e tutje! Kështu është mirë, ta lëmë së bashku?

Sërish Sefretit dukej që “plaga të vazhdonte të kullonte gjak”. Çuditërisht, kësaj radhe po dukej i qetë teksa tregonte episodin:

- Linda, vajza, ka tre fëmijë. Pa dashje e përsëris me pikëllim mosfoljen prej tyre të asnjë fjale të vetme në gjuhën amtare, por nuk e harroj një episod të shkurtër që më ndodhi ditën e tretë të qëndrimit kur unë isha te fëmijët e mi. Djali i parë i Lindës, Xheku - emër amerikan; po kështu edhe i vëllai, edhe e motra. (Vasili nuk mund të mos dallonte në zërin e Sefretit një ironi therëse, por po qëndronte në pritje).

- Atë pasdite, -vijoi Sefreti, - vogëlushi po shihte një emision për fëmijë në televizor. Duket se një personazh po tregohej i vrazhdë në sjelljen e tij gjatë interpretimit, çaste qe korresponduan me një debat të ashpër midis meje dhe vajzës sime. E merr me mend ti se çfarë brendie mund të kishte ai debat dhe në moment Xheku i vogël, tepër i habitur, iu drejtua Lindës në anglisht, sikurse ma përktheu ajo, nëse isha pikërisht unë personazhi i egër i atij emisioni për fëmijë. Ajo, e e prekur thellë, i kundërshtoi me forcë të birit, po ku bindej vocërraku!

Pasi më qesëndisi në çast me gjuhën jashtë, doli nga dhoma duke pëshpëritur fjalë të panjohura për mua, gjyshin, por duhet të kishin pasur kuptim të pakëndshëm, përderisa sytë e Lindës u përlotën…

E vetmja zgjidhje do të ishte të flisnim drejtpërdrejt në një gjuhë  të njohur për të dyja palët, sepse, a kam pasur kohë të lirë apo të tjera mundësi që unë të mësoja gjuhën angleze? Jo, në mënyrë absolute. Të vetmen gjuhë të huaj ne nxënësit e atyre viteve kishim rusishten, të cilën e përvetësova në shkrim e lexim, por jo në të folur. Linda dhe i shoqi brenda jetës në shtëpi duhej të komunikonin shqip dhe të realizonin një detyrë parësore që t’i mësonin fëmijet ta kuptonin shqipen e folur dhe unë të dëgjoja i lumtur: “Më ka marrë malli për ju, gjysh! Do të ulem në tavolinë midis teje dhe nënës. Kur do të shihemi përsëri?” apo dhe të tjera fjalë të pastra dalë nga zemra e kristaltë dhe e formuluar nga buzët e kuqe të pasardhësve tanë. Ja pse në mënyrë absolute nuk pranoj që fëmija i fëmijës tim të më ngatërrojë me një personazh komik në filmat vizatimorë, gabim sigurisht i paqëllimtë i vogëlushëve, por përbën një shkelmim, pasuar me thërrmim të shpirtit tim. E gjitha kjo shmanget vetem nëse nipërit e mi të shtrenjtë njohin të pazëvendësueshmen gjuhë për mua, shqipen, e cila më bëri njeri dhe mundësoi mirëkuptimin tim me fëmijë të tjerë, duke jetuar e punuar pranë tyre përgjatë disa dekadave…

Ditëve në vazhdim, të dy po afroheshin natyrshëm. Njëra prej arsyeve ishte edhe bindja se duhani duhej ndërprerë detyrimisht  dhe nuk duhej qëndruar më në pritje të dëmtimeve të tjera në organizëm. Pikërisht kur Vasili mësoi se sëmundja e sheqerit kishte arritur stade të larta dhe simptomat e saj po i përjetonte rëndshëm,  e gjykoi se pa dashje ai vetë kishte ndihmuar në përparimin e sëmundjes, gjë që e vërtetuan bisedat e hapura me Sefretin, i cili e kishte konsideruar të zakonshëm përdorimin e duhanit origjinal me llullën mes buzëve apo gjatë parapërgatitjes së saj mbajtur nq duar. Sa par Vasilin, ai kishte konsumuar plot dy paketa cigare gjatë 24 orëve.

Dy moshataret i afroi dhimbja shpirtërore. Nga të panjohur më parë dhe as të takuar, rastësisht u miqësuan, pasi koha e gjatë e qëndrimit brenda së njëjtës dhomë spitali, mundësoi njohje dhe miqësi. Fatmirësisht gjetën mirëkuptim midis tyre edhe bashkëshortet e tyre. Me probleme serioze të sëmundjes së sheqerit dhe duhanpirës prej shumë vitesh, Vasili qëndronte në spital për vazhdimin e mjekimit të plages në këmbën e djathtë me origjinë diabetike, vërtetuar nga plotësimi i testeve përkatese. Fakti që sëmundja e tij prezantonte nivele tejet të larta të sheqerit në gjak kishte mundësi avancimi të plagës deri në prerje të këmbës së tij në shifrën 25 %, gjë e vërtetuar dhe e bazuar në konsultat mjekësore të përsëritura.

Periudha kur Vasili po njihej me rrezikun e humbjes së këmbës së djathtë e ndërgjegjësoi të realizohej e pamundura në atë pak kohë të mbetur para tij, prandaj gjithçka e la në dorë të grupit të mjekëve, veçanërisht kirurgut vascular, i cili kryente procedura kirurgjikale, për të siguruar fluksin e gjakut  në këmbën me plagë dhe të infektuar, për të evituar prerjen e saj…

Çuditërisht Vasili prezantohej si një nxënës i bindur para mësuesve, e kishte mëse të qartë se koha e kaluar dhe e pavlerësuar prej tij kishte bërë të arrinte në ate nivel. Ai ishte njeri i mençur në mënyrë të natyrshme, por këtë dhuratë nuk duhej ta kishte keqpërdorur për të marrë vendime të gabuara, të cilat qëndronin përballë shëndetit të tij. Më kryesorja ishte fakti këmbëngulës se duhanpirja nuk kishte si të prekte zemrën e tij të fuqishme, sikurse mundej ta provonte personalisht. Dëmtimi i syve nuk mund të prekte më tej verbërinë e lindur të syve, por njohuritë e tij mjekësore ishin dhe mbetën sipëfaqesore, sikurse dhe më parë. Njëherazi, kur mësoi se u diagnostikua me sëmundje sheqeri, ai nuk kishte informacione të plota se si diabeti dëmtonte nervat e trupit, kryesisht të këmbëve.

Në të njëjtën dhomë dy pacientë, dy burra të zgjuar. Kur Sefreti tregonte për vetminë shpirtërore, mbylljen brenda vetes dhe kufizimin e hapësirës mbas ikjes së fëmijëve, Vasili i përgjigjej:

- A nuk kam qenë i vetmuar nga bota unë për kaq vite dhe ja tani në fund të shtratit është ulur Besa, vajza ime e dashur.

Sefreti, në njërën nga bisedat me shokun, i tregoi për një vizitë njëmujore te djali në Amerikë. Atje nuk kishte shkëmbyer asnjë fjalë të vetme anglisht, gjë që fajësonte veten që të kishte lexuar më pak libra apo të kishte krijuar më pak poezi dhe të kishte mësuar anglisht së paku. Intelekti nuk i mungonte, por e kishte lënë pas dore. Pikërisht ishte arsyeja e vetme se përse aroma e luleve shumëngjyrëshe në lulishte, ku ai ulej për orë të tëra, nuk i dhuruan aromën e këndshme; asnjëra prej tyre nuk e përshëndeti dhe flladi pranveror nuk përshkoi rrugën më të afërt ta përkëdhelte. Mos duhet ta provokonte sërish takimin me natyrën në një kopsht tjetër? As e mendonte një vizitë të dytë. Kishte vendosur me bindje të mos provonte  emocione të tjera jashtë vendit.

- Më dëgjo, më kupto drejt, i dashur Vasil! Nisur nga gjendja shëndetësore e tanishme, e kam të domosdoshme të marr përgjatë gjithë ditës një grusht me ilaçe. Kam të drejtë të mendoj se më e rëndësishmja prej tyre, medikamenti i cili qëndron mbi gjithë të tjerët, është një buzëqeshje apo një përshëndetje e njërit prej 10 pasuesve të mi, pra tre fëmijëve dhe 7 vogëlushëve te tyre. Çfarë mund të bëj kur nuk po e gëzoj këtë rikthim të merituar ndaj meje? Ata të më dhurojnë të paktën disa grimca gëzimi. Ku shkoi qumështi i gjirit të Hurmasë, vrapimi rrugëve brenda oborrit apo dhomave të shtëpisë kur asaj nuk i mjaftonte koha as të uleshim së bashku në tavolinën e drunjtë? Sa për mua, kur koha nuk mjaftonte, ulesha në një buzë rruge…

Sapo Sefreti niste këtë temë, lotët e pengonin të formulonte mendimin. E informuan se bëhej fjalë vetëm për një konsultë mjekësore të specializuar në kryeqytet dhe ai ra dakord të shkonin atje. Sefreti përmendet menjëherë mbas ndërhyrjes kirurgjikale dhe, pasi vështroi Hurmanë, hodhi sytë përqark, duke thirrur me zë të lartë:

- Ku ndodhem tani? Ku jam? Vasil! Vasil!

- Nuk ka Vasil këtu. Vasili që po kërkon, është atje ku jeni ndarë me njëri-tjetrin. Ti sapo ke dalë nga salla e operacionit. Të kanë vendosur një pajisje funksionale që do ta përtërij jetën tënde, - i thanë.

U dëgjua më e thella shkallë në zërin dhe shpirtin e Sefretit:

- Duhet të dini se unë nuk kam mundësi të përballoj as shpenzimet e një plage të vogel, jo më për një aparat që as mundem ta imagjinoj!

E qetësuan duke i thënë se Hurmaja ishte marrë me zgjidhjen e problemit dhe gjithçka kishte kaluar mirë dhe nuk e lanë të shqetësohej më tej. Për më tepër, edhe nëse do të kishte marrë informacione paraprake, ai nuk shpresonte se do të mund të plotësohej shuma e duhur e të hollave për aparatin mjekësor të rekomanduar, që as mund të sigurohej nga shitja e çdo gjëje që posedonte nga puna e përditshme së bashku me Hurmanë, për një periudhë kohe mbi 40 vjet. I ngrohej zemra nga përkujdesi njerëzor i gjithë personelit mjekësor, njëherazi nuk i largohej nga mendja Besa, një fëmijë e birësuar në ditët kur i qëndronte pranë të atit dhe i shërbente me dëlirësi dhe gatishmëri, si të ishte bija e tij. Atëherë, si mund të mos pikëllohej brenda vetes Sefreti?

Në bisedat mirëbesuese me Fatmirën, gruan e Vasilit, sigurisht ide të sugjeruara dhe aprovuara më parë prej tij, Hurmaja u imformua se familjarët gjetën dokumenta origjinale që vërtetonin disa pronësi në emër të tij në vlera të larta, për të cilat Vasili kishte pasur informacione të zbehta, por pamundësia fizike dhe ekonomike nuk e kishin lejuar të ndiqte rrugën e gjatë dhe të vështirë deri në konfirmimin e pronësisë, kështu që në mirëkuptim me njerëz të familjes në fshat u realizua.

Gjatë kohës së qëndrimit së bashku me Sefretin në të njëjtën dhomë spitali, Vasili u gëzohej vizitave të miqve të Sefretit, temës së bisedave, por me mençuri gjykonte pozicionin e vet dhe ishte pjesëtar me të pranishmit kur ata e ftonin në bisedë. Shpesh ndihej i lumtur, sepse po i krijohej një përshtypje e panjohur se po i kthehej shikimi, aq sa një ditë iu drejtua mikut:

- Ti njeh mirësitë e shumta që më dhuron vazhdimisht, për të cilat je i ndërgjegjshëm. I bën i nxitur nga shpirti yt dhe zemra jote, por nuk e di se realisht ato, të transmetuara drejtpërdrejt te një person i verbër që kurrë nuk mundi të shijojë bukurinë e një rrezeje të vetme drite, ky për fatin e tij të hidhur, pikërisht ky person po i vlerëson me mundësinë e shikimit. Mos është gjë e pakët kjo? Jo, sepse as mund ta kisha imagjinuar! Pa e tepruar, edhe më ka rastisur të jem ndodhur mes personave, teksa diskutonin për çështje të ndryshme, nganjëherë interesante, që edhe kanë tërhequr për t’u bërë pjesëtar në bisedë, por nuk kam përjetuar moment më të vështirë emocional kur njëri prej tyre i drejtohej folësit të çastit: “Lëre të qetë Vasilin, mos e ngatërro! Ai nuk sheh”. Dakord që Vasili nuk shikon, por ai dëgjon mirë dhe arsyeton në mënyrë normale. Njohja ime me ty dhe Hurmanë më pozicionoi në një tjetër shkallë, aq sa kam përshtypjen se mund të shoh qartë të sotmen dhe të ardhmen.

Tepër i rëndësishëm është dhe fakti që vajza ime e shtrenjtë Besa besoi në aftësitë e tua krijuese, sepse, sikurse më tregoi Fatmira, i lexoi poezitë e tua të përzgjedhura brenda më të shkurtrës kohë dhe për të respektuar ty i mundësoi të parat botime, por që nga ana tjetër mësoi se sa e lumtur do të ndihet kur këtë rrugë ta ndjekin vargjet e krijuara me shpirtin e saj të ndritur, që e demonstron çdo çast… Unë e di se i pëlqen poezia, por ama vetëm deri këtu, asgjë tjetër. Prandaj nuk ta harroj këtë mirësi që ti i dhurove Besës; ju kam dëgjuar kur përmendnit autorë botërorë, për mua plotësisht të panjohur, unë gjoja se dremisja…

Vasili me Fatmirën vendosën në mirëkuptim, pa u ekspozuar dhe duke i përjetuar falënderimet e sinqerta të Hurmasë, të plotësonin gjysmën e kostos së pajisjes mjekësore të domosdoshme për Sefretin, krahas gjysmës së parë të siguruar jo pa vështirësi nga vëllezërit dhe motrat e tij. Pra qëndruan në pritje të ardhjes nga jashtë shtetit ku ishte bërë porosia. Qëndruan në pritje me shumë vëmendje sa të merrnin njoftimin nga spitali në kryeqytet, pa e përfshirë Sefretin, derisa ndërhyrja kirurgjikale të kishte përfunduar me sukses, sepse Sefreti me siguri do ta kishte refuzuar këtë veprim të pazakonshëm.

E mira të vjen nga ku nuk e pret, saktësisht nga një njeri që e njeh rastësisht. Miqësia e tyre u bë shembull për shumë të tjerë, pavarësisht se realiteti nuk u përhap sipas një sugjerimi, buruar nga zemërbardhësia dhe zemërmadhësia e rrallë e Vasilit:

- Ndiej lumturi kur e ndihmoj konkretisht dikë sa më shpejt dhe në më të shkurtrën rrugë, sepse kohëzgjatja, për më tepër ekspozimi i këtij veprimi shpirtëror prej meje, do ta zbehte atë, do t’ia pakësonte vlerën.