Kulturë
Albert Zholi: Flet kantautori Çlirim Denaj
E hene, 12.10.2020, 06:41 PM
Flet kantautori Çlirim Denaj:
Si më turbulloi Drejtori
TVSH duke më thënë ke zë të ëmbël, por
këndon si jugosllav
Ju ktheva Drejtorit: Do
ankohem tek Ramiz Alia dhe KQPPSH për këtë fyerje, s’kam asnjë lidhje me
jugosllavët
Heqja e këngës së Gazmend Mullait në Festivalin e 22-
të në RTSH
Si këngëtar kam bërë shumë mësime me artistin e madh
Ramis Kovaçi por edhe me Pandi Peleshin e me Mihal Cikon
-Çesk Zadeja më vlerësoi
me çmim të parë në Festivalin e Këngës Rreshtore, që e organizonte Shtëpia
Qendrore e Ushtrisë
-Tek Asambli Ushtrisë më ka ndihmuar shumë kompozitori i
madh Kujtim Laro, që e kishim udhëheqës artistik
Këngët më të bukura të
miat janë “Vjola”, “Pirati i zemrave”, “Ave Maria”, “Xhelozia”, “Ikje pa
kthim”
Besnik Kasa, hodhi idenë
e këngës “Pirati i zemrave”
Në këtë këngë u
angazhuan Adrian Hila, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Alqi Boshnjaku dhe Alfred
Kaçinari
Tek “Pirati i zemrave”,
pallton ia mora Shpëtim Saraçit, shallin ia mora Suzana Shuteriqit
Nga Albert
Z. ZHOLI
Rreth 40- vjet në skenë
ai ka marrë duartrokitje por edhe zhgënjime. Disa herë në sistemin komunist ka
kaluar në fije të perit pa u dënuar. Por ai mbetet një këngëtar i dashur,
miqësor por edhe plot të papritura në skenë. Për 12 vjet ka qenë Përgjegjës i Ansamblit
Folklorik “Tirana” dhe Bandës së Tiranës. Tashmë është specialst i këtij
ansambli. Tashmë po përgaitet për një recital që i ka munguar repertorit të
tij.
Me origjinë
nga Labëria por rritur në Tiranë, e ndjeni veten lab?
Pa diskutim! Sigurisht që nuk e kam mohuar nuk e mohoj
dhe nuk do ta mohoj asnjëherë që jam nga Kuçi i Labërisë. Një krahinë e
lavdishme që i ka dhënë emër dhe dijetarë
kombit.
Si erdhi kënga te Çlirimi ,kush ishte shtysa
që u orientuat në këtë rrugëtim? Si dhe
ku u formove si këngëtar kush ju ndihmoi, apo ju mbështeti më shumë?
-Qysh i vogël fare, im atë që i binte fisarmonikës më futi në kursin e
fisarmonikës ku më vonë bleva dhe një kitarë dhe me këtë instrument këndoja dhe
mësova të hedh hapat e para për të kënduar. Pra babai ishte shtysa. Im atë ka
qenë oficer, por i binte edhe fizarmonikës shumë bukur, ai luante me të dyja
duart. Isha në moshën 6-vjeçare kur
babai më çoi në rrethin e kursit të fizarmonikës në Pallatin e Pionierit.
Meqenëse ai nuk mundi të bëhej me profesion muzikant, kishte dëshirë të ma
trashëgonte mua. Në Pallatin e Pionierit
shkoja rregullisht 2-3 herë në javë në prova . Mund të them se ky Pallat
ka mbetur si një monument në memorien time. Aty ishte lidhur gjithë e ardhmja
jonë me kurse të ndryshme.
-Po nëna nuk ka patur ndikim?
- Mëna ime ka qenë edukatore në kopsht dhe ajo mbështeste çdo nismë tonë
dhe kujdesej maksimalisht për mua. Më vonë babai u lirua nga ushtria dhe mamaja
nuk donte që im atë të vazhdonte për muzikë, si rrjedhojë e kësaj, ai zgjodhi
studimet në degën e agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamzë. Por dua
të theksoj se unë njëherazi vashdoja dhe
për akrobaci. Rrethi i akrobacisë ishte ngjitur me rrethin e fizarmonikës, ku ishte
një sallë ku zhvillohej rrethi i akrobacisë. Në akrobaci dhe në gjimnastikë më
kampionatin e shkollave 8-vjeçare të Tiranës për gjimnastikë, zura vendin e
parë. Po kështu në Berat, në Kampionatin Kombëtar për akrobaci, zura vendin e
parë me klubin e “17 Nëntorit” . Akrobacinë e vazhdova deri në moshën
15-vjeçare.
-Si vazhdoi shkollimi juaj?
Mund të them se kam pasur një
shkollim interesant. Duket e pabesueshme. Konkretisht, pas shkollës 8-vjeçare,
duke pasur rezultate në gjimnastikë më kërkuan të vazhdoja Institutin e
Fizkulturës, por nuk donte im atë, sepse pretendonte që ai profesion ishte i
rrezikshëm dhe mund të vritesha. Kur s’e
mendoja shkolla e mesme më doli për ekonomi dhe farmaci në Vlorë. Nuk pranova
asnjërën nga këto. Por në ato kohë, sapo ishte hapur shkolla e mesme në
degën elektronikë, degë e re për kohën. Më tërhoqi si gjë e re, u futa njëherë
në degën elektrike për të kaluar më tutje në elektronikë. Pra, dy vjet i humba
kot në këtë shkollë, pasi nuk po më pëlqente. Gjatë kësaj periudhe u mora me
futboll, por babai nuk më ndahej. Ai donte të vazhdoja në art, sepse e shihte
se isha më i përkushtuar ndaj artit. Atëherë vendosa përfundimisht, të
vazhdoja Liceun Artistik “Jordan Misja”, derisa e mbarova. Më vonë vazhdova për
gjuhë letësi…
Pas shkollës ushtar, a u aktivizove në aktivitete të
repartit? Po pas ushtrie?
Unë ushtrinë e bëra në Elbasan dhe
aty jam aktivizuar në shumë koncerte këngësh. Atëhere jeta artistike ishte
shumë e gjallë. Mbas ushtrisë, hyra në Ansamblin e Ushtrisë Popullore si
këngëtar. Fillimisht në kor, pastaj si kënëgtar.
-Në Asamblin e Ushtrisë cilin nga muzikantët që ju ka
dhënë shtysë do veçoje ?
-Më ka ndihmuar shumë
kompozitori i madh Kujtim Laro që e kishim udhëheqës artistik
Kush ju ka ndihmuar më shumë për formimin tuaj si
këngëtar?
- Si këngëtar kam bërë
shumë mësime me artistin e madh Ramis Kovaçi por edhe me Pandi Peleshin e me
Mihal Cikon, babai i Zhani Cikos.
-Festivalet e RTSH-së mbahen edhe sot mend për mënyrën e
organizmit, për seriozitetin, për korrektesën por edhe për bërrylat. Në cilin
Festival keni marrë pjesë për herë të
parë dhe me cilën këngë konkuruat?
-Po është e vërtetë. Festrivalet e RTSH-së ishin më e veçanta në jetën
artistike të çdo këngëtari. Të mirje pjesë kaloje në vrimë të gjilpërës. Nuk
mund të mirte pjesë kushdo, megjithëse edhe kishte luftë bërrylash. Për herë të parë paraqitem në
RTSH, në festivalin e vitit 1982 ku mu
afrua kënga e Feim Ibrahimit dhe unë nuk e pëlqeva. Këtu filloi
rrokullima…Pastaj kam marrë pjesë
në Festivalin e 21-të në RTSH, me këngën e Shaqir Kodrës, “Qyteza e Rinisë”.
Nuk mora ndonjë vlerësim të veçantë, por ishte një hap i madh në karrierën
time. Pastaj në Festivalin e 22-të, më dhanë një duet me këngëtarin Kastriot
Ago. Ishte një këngë marrsh, “Bora mbi mal” titullohej kënga. Këndova më
tutje nëpër anketat muzikore ku, me njërën prej këngëve, mora çmimin e parë.
-Por ju keni pasur dhe një debat në një Festival me sa
kam lexuar?
Po, disa vite më vonë, Gazmend Mullai bëri një këngë enkas për mua, e cila
titullohej “Dy gjysma molle”. Më pëlqeu, ishte prerë për mua. Por ndodhi
çudia…Ishte vitit 1986. Një ditë në korridoret e radios, bëra një debat me një
këngëtare tepër të njohur në atë kohë, debat që më kushtoi shtrenjtë. Të
nesërmen qysh në mëngjes, në provat që bënim me orkestrën, për përgatitjen e
këngëve dhe të festivalit, vjen drejtori i RTSH-së enkas për mua. E kuptova që
këngëtarja bukuroshe i kishte fryrë në vesh. Prisja furtunën. Ai s’më
njhte, por unë nuhata diçka. Pa u futur mirë në sallë Drejtori pyeti se kush është një këngëtar i ri, që ka
ardhur këtu, pasi dua ta dëgjoj.
Parandjenja s’më gaboi, pasi unë isha ai këngëtar i ri, e kush tjetër. U çova
dhe shkova pranë mikrofonit dhe, si i padjallëzuar në atë moshë, këndova me
përkushtim. Bëra të ulesha por Drejtori me një ton autoritar më tha
ftohtë: -“Ti more djalë ke zë të ëmbël,
por këndon si jugosllav”. Shtanga!
Ngriva i tëri! . Një fjalë e tillë ishte e rëndë në mes të të gjithëve. Nuk e
mohoj që fillova të dridhem, pasi ishte vërejtje mjaft e rëndë për atë kohë,
sepse mund edhe të dënoheshe. Por e mblodha veten. Më hipi ai damari i keq i
labit. Duhej të mbrohesha. Me guxim I thashë: -“Të lutem shoku Drejtor, të
lutem! Edhe shoku Ramiz Alia të m’i kishte thënë këto fjalë, do t’i thosha se
unë s’kam të bëj fare nga ajo krahinë, që të mundem të këndoj si
jugosllav. Jam nga Labëria me origjinë, jam familje dëshmori dhe punoj në një
institucion ushtarak, ku këndojmë vetëm marshe. Që nesër do të shkoj të ankohem
në Komitetin e Partisë!” Shtangën të
gjithë, asnjë fjalë! Ai pa njëherë rreth e qark reagimin e të tjerëve dhe m’u
përgjigj: -“Unë jam drejtori, nuk jam
specialist. Këtu ka specialistë, le ta gjykojnë këta! Këndoje dhe njëherë
këngën!” E këndova përsëri, me më tepër
përkushtim dhe më i kujdesshëm. Pas herës së dytë, Drejtori me të qeshur më
thotë se unë kisha të drejtë, por urdhëroi të hiqej, sepse sipas tij, ishte me
motive kosovare. Që atëherë, nuk mund të këndoja dot më. Këtë këngë e këndoi më
vonë Robert Alia, nga vitet ‘90 më duket, në Koncertin e Pranverës.
-Kë do të veçoje nga krijimtaria juaj artistike?
Kam dhe unë momentet e
mia. Në fund të viteve 1980 , mbaj mend se
u zhvillua Festivali i Këngës Rreshtore, që e organizonte Shtëpia
Qendrore e Ushtrisë me korin dhe orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë, aty ku unë
punoja. Në këtë Festival sollën këngë korale kompozitorët më të mirë të kohës.
Duke pasur parasysh se kisha eksperiencë me korin, bëra edhe unë një kënge
korale. Kur nuk e prisja, mora çmimin e parë. Më e bukura ishte se kryetar i
komisionit ishte Çesk Zadeja. Mbas ndarjes së çmimeve, u bë një banket ku
merrte pjesë dhe ministri i Mbrojtjes i asaj kohe dhe profesor Zadeja më uroi
në sy të të gjithëve dhe më pyeti çfarë arsimi kisha. I tregova se kisha
mbaruar Liceun Artsitik dhe profesor Çesku më tha se, unë e kisha të fituar
konkurrimin për degën e kompozicionit dhe më ftoi të vazhdoja studimet në
Institutin e Lartë të Arteve. Unë nuk mundesha të vazhdoja dot shkollën në atë
kohë kur isha familjar me dy fëmijë, sepse duhet të shkëputesha nga puna dhe
vetëm kohë më pas mbarova Fakultetin për Gjuhë-Letërsi, pa shkëputje nga puna.
Por me ardhjen e demokracisë u hap dhe rruga juaj për të
marrë pjesë në Festivalet e RTSH-së? Cilat janë këngët më të bukura në vitet e
demokracisë?
Demokracia hapi shumë dyer. Jo vetëm për mua. Nuk ishte më ai izolim dhe
mënyrë konkurrimi i ngurtë. Në këto vite mund të përmend këngët “Vjola”,
“Pirati i zemrave”, “Ave Maria”, “Xhelozia”, “Ikje pa kthim”, etj. Edhe
sot kam një repertor të pasur, edhe pse shumicën e këngëve e kam të
pareklamuar, pasi duan shumë investim të shohin dritën e njohjes nga publiku.
Xhepi im është shumë i ngushtë për një art kaq rë madh. Por mbase ndonjë ditë
do vlejnë një ditë për të realizuar një koncert recital!
Le të ndalemi pak tek kënga, “Pirati i zemrave”, e cila
ka mbetur shumë në kujtesën e publikut. Pse kaq jehonë kjo këngë?
Po është e vërtetë. Kjo ëshyë kënga hit që dhe mua gjithmonë
më jep forcë. “Pirati i zemrave”
erdhi në kohën e përgatitjes së festivalit. Gjithmonë në kësi rastesh rrinim midis shokësh artistë, komentonim,
merrnim dhe jepnim mendime me njeri-tjetrin për muzikën bashkëkohore, me orë të
tëra. Një ditë, duke pirë kafe me shokët artistë, hodha idenë dhe mendimin që
të më thoshin një titull kënge. E bëra si konkurs dhe u thanë gjithfarë
lloj tituj këngësh. Besnik Kasa, bashkëshorti i Irma Libohovës, ka qenë nga
miqtë e mi të mirë, (nuk jeton më, u prehtë në paqe!) i cili hodhi idenë të titullohej “Pirati i zemrave”. Pastaj konkursi vazhdoi
më tutje, në hedhjen e vargjeve sa mori formë. Në këtë këngë u
angazhuan Adrian Hila, Jorgo Papingji,
Agim Doçi, Alqi Boshnjaku…Kur kënga u mori formë, e orkestroi Alfred Kaçinari.
-Në skenë kjo këngë ka diçka shumë specifike. Pamja juaj
u diskutua shumë. Pse u veshe ashtu dhe si të lanë inspektorët e skenës?
-Kjo është situatë me vete. Po është shumë e veçantë. Kur duheshin dhe 5 minuta të dilja në skenë,
unë isha veshur si pirat. Inspektori më thotë të hiqja pallton dhe shallin. Të
sqaroj se pallton ia mora Shpëtim
Saraçit, shallin ia mora Suzana Shuteriqit pa dijeninë e saj. Ajo e kishte varur në varëse. Mora atë shall pasi
shalli që kisha nuk ma mbushte mendjen. Ja, erdhi çasti për të kënduar,
inspektori i skenës më tha hiqe pallton. Por spikeret prezantuan
këngën, dhe unë me vrap, dola në skenë pa e pyetur. Dola ashtu siç isha, me
pallto. Pa filluar këngën salla shpërtheu në duartrokitje. Thjesht ju bëri përshtypje
pamja ime. Ishte një moment që se harroj kurrë. Ishte diçk jashtë skemës.
-Po te koncertet “Kur vjen Pranvera” kë këngë veçon?
Te koncertet “Kur vjen pranvera” si
kantautor veçoj, me orkestrim të Shpëtim Saraçit, këngën "Ave Maria".
Pas kësaj kënge u largova disi nga Festivalet
-Kur mendove të ktheheshe?
U kujtova në vitin 2003, kur
realizova një këngë me emrin “Putana”, po që u pranua me kusht që të ndërroja
tekstin dhe ta hiqja emrin “Putana”. E hoqa atë tekst dhe u bë një tekst
tjetër. Unë mendoj se kënga m’u prish. Ajo këngë e kishte vlerën pikërisht te
ajo fjalë dhe atë e orkestroi, Adrian Hila. Disa këngë i këndova te festivali,
“Kënga magjike”, në fillimet e tij, të orkestruara nga Petrit Tërkuçi dhe Sokol
Marsi.
-Miqtë e tu këngëtarë?
-Kam shumë por veçoj Luan Zhegun, Kozma Dushin me
Edmond Mancakun, etj
-Cilët
kompozitor veçoni ndër vite?
Kompozitorët e
preferuar mbeten, Agim Prodani, Gazment Mullai, Kujtim Laro, Tish Daija, Avni
Mula, Vladimir Kotani, Limoz Disdari, Petrit Terkuci, Agim Krajka ..
-Por dhe
bashkëpunimet më pikante?
Bashkpunimet më
të ngushta i kam pasur me kompozitorët
Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Adi Hila, Sokol Marsi, Elton Deda dhe
njeriu muzikanti miku im më i mirë orkestruesi, instrumentisti Petrit Terkuci
me të cilin kam bërë dhjetëra këngë..
- Si e kaloi
izolimin e pandemisë Çlirimi?
-Gjatë izolimit të Pandemisë ne disa miq jemi dukë bashkëpunuar për një
album më këngë të reja që do dalë këtë vit.
-Ku punon sot Çlirimi?
Në art, në profesion. Sot që flasim,
kam mbi 22 e ca vjet që punoj në “Qendrën Kulturore Tirana”, ish-Estrada e
Shtetit. Gjatë kësaj kohe kam bërë edhe këngë të tjera të pa dala në treg, i
kam kënduar dashurisë, tradhtisë, atdheut, veseve të këqija që ka sot shoqëria,
mashtrimeve, gënjeshtrave të politikanëve, por edhe femrës, trupit të saj,
pikërisht pjesëve më të bukura, gjinjve,
ato pjesë nga kemi pirë dhe jemi rritur të gjithë. Përveç këngëve të lehta,
kam kënduar dhe këngë popullore shqiptare, pa e deformuar melodinë e këngës.