Kulturë
Agron Tufa: Kontrapunkt
E shtune, 10.10.2020, 10:33 AM
Agron Tufa
KONTRAPUNKT
(Poem)
I ankoruar te kjo dhomë
si një varr lundrues nëpër natë
shpesh e ndjej veten beqar
pa asnjë dhunti të tepërt -
e pse të më çmojnë?
Me një të trokitur kujtese të vjetër
çohet nga dergjjja një diell arkeologjik.
Vizllojnë vetmitarë livadhet e fëminisë.
Me Frymë të kulluar Hyjsh anonimë
u mbushën disqet ngashnjyese të stinëve -
ku gjethi prekte gjethin
dhe vdiste.
U dyndën vajtime larashe
të ngjyera me gjendje shpirtërore
si shira të shkrehur nga epshet.
Por sa i lagësht na qenka dhunimi!
Ai është një fjalë nga soji i fjalëve
si shtypja pa talent e insekteve.
Përnjëherë rrënqethja fëshfërin
në kurrmin tënd të butë
me ngatërrimin e vetave.
Kam qenë energji e topitur foljore -
tepër i dyshimtë për të dyshuar
plakjen e sendeve ndër duar nervoze,
vajin e mëndafshtë të paplotësisë,
gjeometrinë e përtërirë nga Nili i supozuar,
shigjetat e bardha në mollë mëkatare -
si dhe gjitha kushtet e dyzuara për provën e Zotit.
Qiejt veniten ndër fusha të flashkëta
dhe trumba jeshile iluzionesh
kalben në shi...
Po nata përpiu dhera e dhera...
e shkujdesur dhe e tradhtuar
si fuqia ime e kotë,
pluskojnë në terr si kurthe
skelete prehistorikë ujorësh -
balena me kodra mbi shpinë
si në vaj rrëshqasin... Dhe ndjen
se si, ja, më në fund,
koha e cfilitjes erdhi.
Të zë shpirti në dritë
si grerëza e dëshpëruar në xham.
E një klithmë e kaltër
plas e spërkat xhamat
me shkulme gjaku të ngrohta.
Apokalips po zien në ty
o tokë e zhvoshkur idesh!
U mor vesh dhe fundi...
se dikush duhet të të zhvendosë
larg pikave emocionale
ku projektohen
arkitektura strategjike efektesh.
Po është e thënë:
dështon llogaria
dhe bie si mollë
e pjekur tepër nën hijen e vet.
Forca ekonomike erërash
vërshuan me pathos ilirik
mbi pllaja të rrëpirta lotësh.
Gongu i zemrës ra.
I ngjeshur gjer në distilim nga dhimbja -
ra.
Si zinxhir vezullues
më treti në terr
dita e paluar për ty.
Haj, fillojmë një lojë harrimi, kërrcënimi
me matje temperaturash e këngë popullore.
Po më shkallmojnë, o Hyj,
flijime të njëpasnjëshme!
Ëndja ime rrotullohet si lugë e ndritshme çaji
brenda gotës me muzg -
po mjerimi është si duart e mia
që s'di ku t'i çoj.
Ekstazë veshtullore e natës
si kokë e goditur në tru!
Mundësohet si afsh cigarje
thithja e limfës erëmirë.
Lëvizje misterioze yjesh
bëjnë rrokadë
sipas një itinerari të lodhshëm shahu
gjer në “mat”
për yllin e mbramë.
Po jam kaq paqësor, ta hajë dreqi,
si derrkuci që theket nën diell.
Jashtë,
toka e zbardhur
rrotullohet dhe klith
si Kasandër e prerë në fyt, -
e unë,
me mbrëmje në trup
kërkoj të kapem për fije të fundit -
Se gongu i zemrës
bie, bie...
verbohen pamjet!
Si shpend i përgjakur
këputet libri ndër këmbë.
Gjunjët më priten
se si anije "Bigëll"
mblodha deteve të tua
Asgjënë.
Shpërndahet paqja në kokë -
por jo... Jo fluturimi mizëri i krillave
që sharrojnë me pikëllime ujrash në sy.
Po... Po!
Kam mbetur i vetëm në këtë botë
si një ankim.
Mendoj se kam kohë të mendoj se s'duhet menduar.
Tiranë, nëntor 1993