Kulturë
Skënder Hoxha: Mirdita, Domgjoni dhe Përkolajt në poezinë e Hasan Hasanit
E premte, 09.10.2020, 05:43 PM
Doktorant SKËNDER R. HOXHA:
MIRDITA, DOMGJONI DHE
PËRKOLAJT
NË POEZINË E HASAN
HASANIT
Në shekujt e
kaluar kanë ndodhur lëvizje të shpeshta të popullatës shqiptare nga vise të
ndryshme të vendit, brendapërbrenda trojeve të tyre, të motivuara nga aspekti
social, ekonomik, politik, kanunor, etj., ku në të shumtën e harave kanë qenë edhe migrime në kërkim të jetës më
të mirë. “Të dhënat e shumta, të natyrave të ndryshme, të radhitura këtu
poshtë, i sqarojnë më mirë lëvizjet migruese brendapërbrenda Mirditës nga një
rreth në një tjetër, nga jashtë Mirditës, për në mjedise të saj, po edhe nga
Mirdita për në krahina të tjera fqinjë a të largëta të trojeve shqiptare , po
edhe në mjedise të popujve të tjerë.
Këto nuk ndodhin pa shkaqe të caktuara, pa trysni, pa një traditë e
vijimësi njohjeje. (...) Shpeshherë ka
lëvizur një familje e më vonë në vendin e ri janë bërë shumë, kanë shkuar të
tjerë duke njohur prejardhjen e afërinë në gjak. Kanë tërhequr njëri –
tjetrin.”1)
Motivi i trungut familjar në poezi
Nga Mirdita,
trolli i Derës së famshme të Kapidanëve të Mirditës, kishin lëvizur edhe të
parët e poetit Hasan Hasani, i cili kishte ruajtur kujtimet nga pleqtë e
përkolajve, si dhe nga vëllazëritë e tyre në Domgjon të Mirditës, për t’u bërë
ato kujtime motiv e lajtmotiv për poezinë dhe shkrime të tjera të tij.
Studiuesi, doktorant Nikollë Loka, duke folur për librin monografik të
shkrimtarit Hasan Hasani, tha: “ Libri “Përkolajt (Nga Mirdita në Dushkajë e
nga Domgjoni në Jabllanicë)” është një udhëtim në të shkuarën, një libër
publicistiko-historik, që tregon udhëtimin fizik e shpirtëror të Pren Kolës dhe
pasardhësve të tij nga Domgjoni i Fanit
në Mirditë në Jabllanicë të Dushkajës në Gjakovë.” 2)
Poezitë e kësaj
tematike H. Hasani kishte filluar t’i shkruajë përgjatë viteve ’70 e ’80 të
shekullit të kaluar, për të vazhduar të shkruhen e të botohen, kohë pas kohe,
deri në vite të tashme, me tablo e situata si sinonime. Kjo, fillimisht, na bën
të kuptojmë se tema e trungut falimjar të poetit dhe degëzimet e tij, që nga
Domgjoni i Mirditës e deri në Jabllanicë të Dushkajës, poetin e ka munduar në
vazhdimësi.
Poezia si artikulim i fateve tragjike të njerëzve
Këta breza sikur
kishin mbetur peng i shpirtit të poetit me rrënjë mirditase, sepse: “ Të jesh
shkrimtar, për mua, domethënë të mbështetesh mbi plagët e
fshehta që bartim
në vetvete, t’i njohësh, t’i nxjerrësh jashtë dhe t’i bësh këto plagë dhe
dhimbjet tona pjesë përbërëse të shkrimit të identitetit tonë.” Kishte thënë
nobelisti turk Orhan Pamuk.
_____
Ky plagë në shpirt
të poetit mbeti derisa, një ditë shpërthen me vargjet ku fjalë e kryefjalë,
temë e kryetemë, motiv e lajtmotiv janë përkolajt... më larg
domgjonasit... dhe
katandisjet gjatë rrugëtimeve jetësore të tyre, që në vazhdimësi e kishin
ngacmuar poetin: “Bartën stuhi mbi supe dhe agime në behar/Përkolajt në
Dushkajë të fortë e krenarë/ Fëmijët nëpër shkolla, pleqtë
legjendarë/Mbrëmjeve n’kullë kujtohet Përkola i parë.” (Përkolajt, f. 6.).
Brenda shqiptimit
poetik të kësaj gjendjeje, situatash, etj., si në poezinë më sipër, poeti, para
së gjithash, shpreh dashurinë ndaj rrënjëve , ndaj vendit, ndaj njerëzve të
vet, që përligjen në vargje. Prandaj, dua të them se Hasani për këtë ka bërë projekt
poetik, sepse kjo temë, për t’u thënë në vargje, kërkon kundrim në hapësirë dhe
në kohë. Ndaj, poezitë janë poezi të një motivimi personal, si nxitje e
brendshme për të marrë dimensone të angazhimit krijues, edhe si ligjërime
poetike të thëna me përkushtim.
Poezi të cilën e
karakterizojnë dhe spikasin shprehjet poetike hasaniane.
Përmbledhjen me
poezi “Përkolajt” ky autor e botoi më 1988, (...). Vetë titulli i këtij libri
është një kompozitë – patronim me prejardhje antroponimike nga emrat: Pren dhe
Kolë, apo nga Pren Kola i dikurshëm. Këtë patronim edhe sot e mbajnë (jozyrtar)
një familje e gjerë në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) e Dushkajës, familje nga e
cila rrjedh edhe vetë shkrimtari H. Hasani. Sipas këtij patronimi edhe lagjja e
tyre quhet Mahalla e Përkolve.)3) Pra, ka kohë që Hasani i
kishte vënë vetes një mision letrar, për të ndriçuar dhe sot për t’i bërë
bashkë pjesëtarët e fisit pas shumë e shumë vjetësh.
Ndërsa kishte edhe
përkolas që, duke shërbyer në ushtri të ndryshme të kohës, nuk ishte kthyer më
në shtëpi. Për këtë flet poezia që autori ia kushtoi Selman Tahir Smajlit, i
pëkolajve të Jabllanicës, ku nga kjo poezi po citojmë vargjet: “S’u
ktheve kurrë Selman Tahiri s’u ktheve/Për lirinë e t’huajve luftove e kurrë s’u
ktheve!”(Selman Tahir Smajli, f. 7). Në Batalionin SS “Skanderbeg” kishin
shkuar edhe dy ushtarë nga Jabllanica e Dushkajës: Sahit Arifi i lugjve dhe Mal
Shabani i përkolajve. Ata, për gjashtë muaj pa ndërprerë kishin luftuar kundër
forcave serbo-çetniko-partizane në Mal të Zi, ku Sahit Arifi – Brahimaj, kishte
rënë në fushë të nderit, për të cilët poeti shkruan: “N’gjurmë ujkut shkelët
n’Murinë, Nokshiq, Velikë/ Ju, dy djem Shqiponje me ëndrra t’n’grohta n’gji,/
(...)/S’shikuat prapa ç’bëhej! Bashkë ratë n’Cernagorë/ Sahit Arifi e Mal
Shabani, dy korba mbi qepallë,” (Poezia “Sahit Arifi e Mal Shabani”, f.
62.)
Në kujtim të
pleqve të përkolajve ruhej dhe tregohej edhe fenomeni i gjaqeve, që e gjejmë në
poezinë “Në kujtim të bacës Bajram”, shih vargu: “pas kësaj fshihej një
dyzinë gjaqesh ndëer Përkolaj”, f. 8. Stuhitë e jetës kanë përplasur nëpër
vise e zona të ndryshme duke i përcjellë me tundime të rënda e të tmerrshme...
Por, vargjet, sintagmat poetike, strofat, bashërenditen duke e ideuar
poetikisht edhe mbretërinë e iluzioneve për copat e shpërndara të fisit të tij.
Autori mban edhe
kujtimin kur për herë të fundit ishte përshëndetur me plakun e përkolajve,
bacën Mehmet: “Ma shtrëngove dorën e m’shikove drejt në sy/ Përkolajt nuk e
dinin që po ndaheshim ne”(Poezia Në kujtim të bacës Mehmet, f. 9). Në
poezinë Ura e Madhe, f. 12, poeti mallkon lumin që ishte tërbuar dhe
kishte rrëmbyer një fëmijë të kësaj lagjeje: “Që rrëmbeve fëmijën
duke lozur me lodra/Tok me fëmijët e Përkolajve!”. Poeti shpreh edhe
krenarinë e tij: Emrin e gjej në kulla, f. 13: “Dhe krenarinë e mburrjen për
emrin tim!”. Te poezia Plisin mbi sy, f. 22, poeti Hasani Hasani Përkola
prek realitetin se, kohë pas kohe, ka pasur raste kur në një shtëpi, në një
bashkësi familjare, kanë jetuar pjesëtarë të dy përkatësive konfesionale:
myslimane dhe katolike dhe pa asnjë të keqe. Mirëpo, autori poetikisht
stigmatizon sjelljet e disa të paudhëve që përpiqeshin të vënë “ndërskamca,
kurtha e thika mes vëllezërish, duke i thenë Avdylit: “Ai Kola yt i mirë/
Ai Kola yt i dashur/ Derrin e preu në derë të xhamisë/ Ditën e shenjtë/
Ditën e Kurban Bajramit!/ Kolës i thanë: Ai Avdyli yt i urtë/ që pesë
herë në ditë/ I lutet Zotit të madhërueshëm/ Shau Kishën e Shën Ndout”,
etj., për të futur urrejtje ndërfetare në mes tyre, por kot, sepse, siç thotë
poeti: “ Bashkë me shqipe e korba/Plisin kishin varë deri në vetull/ (...) E
në sofrën e bardhë të breut / Kishin shtruar muhabetin”. Janë këto vargje
që bashkudhëtojnë me rrjedhat e jetës së njerëzve dhe lokaliteteve kah ata
jetuan e mbijetuan,që shpërfaqen edhe si kuptimësi rrëfimtare, mirëpo, nivelet
e këtij lloj rrëfimi nuk mund të kuptohen si jashtëletrare! Nuk janë këto poezi
që krijojnë mite, por që u përkushtohen njerëzve të trungut familjar të vet
autorit, me vuajtjet dhe krenarinë e tyre, që edhe autori e mbajti një kohë të
gjatë në vetvete. I shin tundimet e kohës, tundime shpirtërore. Kështu, gjatë
sajimit të këtyre vagjeve Hasani zgjedh mënyrat e identifikimit të
personazheve, respektivisht zgjedh artin e interpretimit...
Nga përmbledhja
poetike “Tek uji i zi” e Hasan Hasanit , Prishtinë, 2009, do të ndalemi tek
disa poezi të cilat pashkëputshëm janë ligjërime për simbolet e traditës dhe
portretizime të përkolajve të Jabllanicës së Dushkajës, po edhe të ndonjë
jabllanicasi tjetër. Tek poezia Plisi i gjyshit, f. 53, autori ka shprehur
ndjenjat e tij fëmijërore kur ai në një dollap të shtëpisë prej guri kishte
gjetur një plis të bardhë, plisin e gjyshit, e në anë tjetër vërehet edhe
çortimi i babës që ia kishte bërë që mos ta prëkë plisin e gjyshit: “Plisin
e gjyshit e gjeta n’dollap prej guri/ (...) – Ku e gjete?... Lëre... –
tha – duke nxituar! E, në poezinë Zëri i Shpendkeqes, f. 54, poeti vargëzon
për fëmijërinë e tij, si dhe për moshën kur kishte lënë të gjashtëdhjetat ku
thotë: “U rrita me zërin e Shpendkeqes që vinte nga abeli/ (...) /Shkela
mileniumin tashmë i lirë, vargu kushtrim/ Kaltrisë vërshëllej rizgjuar
n’shpirta kënga e bota.” Baca Bajram e baca Mehmet,( f. 61), mban titullin
poezia e H. Hasanit në të cilën poeti bën përshkrimin e figurave të dy pleqve
të përkolajve të Jabllanicës, të kushërinjve të gjakut e të fisit, me të cilët,
si fëmijë dhe si i rritur, i ka rënë të bashkëjetojë me ta: “Këtu u rrita, këtu
mora mësimin e jetës shekull/ Që m’përcoll n’udhëkryqe ku edhe sot më ndjek,/
Baca Bajram vdiq herët, unë luaja nën pjergull - /Baca Mehmet m’përcoll ushtar,
pas pak për të vdekë!” E, me të gjitha tiparet e të bëmat e përkolajve, poeti
Hasani, bir i të cilëve është, krenohet dhe për këtë shkroi vargjet: “Bir
përkolajsh isha e mbeta betohem para Zotit -/ Ulërimë harrese ujqish
m’përcjellin hije trishtimi! (Poezia “Zbriti hije burrash, f. 67.) Poezia e
Hasan Hasanit e kësaj tematike, në mënyrë të drejtpërdrejtë, të pandërmjetshme
të atyre shtegtimeve e degëzimeve familjare, sublimon qenësinë e gjakut
familjar në këto hapësira, paraardhësit... etj.
Edhe në poezinë
për fëmijë, shkruar e botuar gjatë vjetëve të fundit, gjejmë vargje
përkushtuese për për përkolajt e vegjël, nipa e mbesa. Nga libri “Kur fle
Mali”, Prishtinë, 2016, që i kushtohet Malit, nipit të poetit, i cili mban
emrin e gjyshit, po shkëpusim vargjet: “U bënë njëzet e tre vjet/ Që kur iku
një Mal plak,/ Sot pas njëzet e tre vjetësh/ Një Mal i ri mes nesh pku: tak!”.
Por, Malit të vogël edhe i drejtohet me: “Ti Mal do mbash mbiemrin tim/ Atë që
mbajnë hasanajt n’Shqiponjë” (Poezia “Erdh një Mal i ri, f. 8), si dhe:
“Përkolajt i çove më larg/ Edhe për një t’artë brez,/ N’zemrën e gjyshit Can/
S’do resh kurrë më shtrez!” (Poezia Pjeshkët faqegjak, f. 14 – 15). Autori
mëton që edhe brezat e ardhshëm t’i frymëzojë dhe mos t’i shkëpusë nga
vendlindja e tij Shqiponja dhe Shqipëria: “N’Shqiponjën e Përkolajve/Bëjmë një
mozaik,/Zërin lart t’ia ngritim/Fashatit tim epik./N’Shqipëri e Prishtinë/Gjurmët
tona mbesin,/Nëpër mileniume/N’harresë nuk do tresin”. (Poezia “Në Facebook”,
f. 39). Në poezinë “Dy mbretër, poeti bashkëbisedon me nipin e tij, Malin, për
t’i thënë në fund se: “Mbi fronin e Përkolajve/ Unë e Ti – dy mbretër!” (Poezia
“Dy mbretër”, f. 50 – 51). Atij i tregon edhe se: “Me gjyshin e babait tim/
Kemi t’përbashkët urtinë,/ Unë përtërij përkolajt/ Këtu në Prishtinë.” (poezia
“Katragjyshi Mal”, f. 52). E, kur poeti kishte mbushur gjashtëdhjetë e gjashtë
vjet moshë, kishin pritur vitin e ri bashkë me Malin e vogël, ku ishte ndjerë
shumë mirë: “Kjo që nata m’e bukur e ëndërruar/ Të cilën gjatë-gjatë e kam
pritur/ Njëri-tjetrit Vitin e Ri duke i uruar/ N’oxhak t’Hasanajve diell i
ndritur.” (poezia “Gjashtëdhjetë e gjashtë, f. 56.). Pa e harruar asnjëherë
Shqiponjën e Dushkajën, poeti kuvendon me nipin e vet, Malin: “Shqiponja në
Dushkajë/ Mal, ka hyrë në legjendë,/ Me shkronja të arta/ Historinë ka
gdhendë./Dhe katragjyshi yt quhej Mal/ Me zjarr hyri n’histori,/ Ndërsa ti je
mal i blertë. Mal i mbushur me dashuri./ Po ti Mal në Prishtinë/ Do të rritesh
krenar,/ Për Shqiponjën heroike/ Dhe gjyshin vjershëtar.”
Për Malin e vogël,
nipin e poetit, pyesin edhe kushërinjtë, përkolasit, nga Shiponja, sa herë që
flasin me telefon. Ja sesi kishte pyetur për Malin baca Haxhi: “Mal burrin si e
kam/ A a’ka bahet far djali/,/ A u ka ngja Përkolajve/ Ai arushan mali?/(...)/
Shqiponja është e bukur/ Për të shkrove libra shumë,/ Pinjollin e Përkolajve/
Due ta shoh dhe unë!”(poezia “Baca Haxhi i babit”, f.79). Mirëpo, kur
ndonjëherë mërrolet Mali, poeti shkroi poezinë, ku veç të tjerash, thotë:
“Vetëm gjyshi buzëqesh/ Duke e puthur në ballë:/ M’ka ngja mua Mali/ Pinjoll
përkolajsh t’rrallë!” (poezia “Kur mërrolet Mali”, f. 83).
Poeti në Mirditë e Domgjon apo rikthimi i muzës poetike
Ëndërr e madhe,
ëndërr shekullore, e poetit Hasan Hasani ishte që vetë të shkojë në Mirditë e
në Domgjon, atje të çmallet me vendlindjen e të parëve të tij. Dhe, tash së
voni, ia arriti ta realizojë këtë ëndërr. Shkroi me plot pasion poezinë
“Mirdita”, të cilën e nis me vargjet: “U përvodha hije nëpër reliktet që më
përcollën në Domgjon/ Dhe shalova kalin e ëndrrave trup e t’thuer Mirditës/” .
Gjatë atyre bredhjeve nëpër Mirditë, poeti sheh anë të atdheut, traditën,
relikte etj., për të cilat vargëzon: “Duke kapërcyer pellgje..., kudo këmisha
të shkyera..., jataganë e pushkë të ndryshkura..., vajatore..., Re të bardha
mbi Munellë..., Plisa të bardhë bore..., Hingëllima kuajsh... Krrokatje
korbash..., Në Tarabosh e Tomorr, në Shkëlzen e Gjallicë..., Plisbardhët lart
mbi re..., , etj., pa harruar vargjet e poetit të mirënjohur mirditas Hamit
Aliaj:”Këtu i thonë Mirditë gazepi,/Nuk ec kali, nuk shkon kerri!” dhe poezinë
“Mirdita” Hasani e përmbyll me: “Heu Mirditë, kënga ime e humbur honeve të
mugëta/ Ndër gjëmime e vetëtima ne qiellin e vdekur Lahutës!” (Poezia
“Mirdita”, Domgjon – Prishtinë, 20 korrik 2018). Me po këtë dashuri poetike
Hasan Hasani
shkroi edhe poezinë “Domgjoni” me një nëntitull sqarues: (Në kërkim të Pren
Kolës, i cili rreth vitit 1730, u shpërngul nga Domgjoni i Mirditës dhe u
vendos në Jabllanicë të Dushkajës). Mund të themi se poezitë “Mirdita” dhe
“Domgjoni” sjëellin një frymë të re në poezinë e H. Hasanit dhe jo vetëm.
Vetë vargjet e poezisë
Domgjoni tregojnë se Hasani i ka shkruar pikërisht atje, kur ishte në Domgjon,
në kërkim të gjurmëve të trungut familjar të të parëve të tij: “Treqind vjet
udhëtova nëpër mugëtirë/ Nëpër ëndrra e zhgjëndrra hije e padukshme/ Për të
arritur këtu ku jam sot,” Atje poeti është “Rrëzë Munellës..., Ballëpërballë me
Sukërrasën..., Këtu me Domgjonin e muzës sime të plagosur”, dhe se aty poeti
gjendet “Në shesh ku Guri na uron Mirëseardhje”, (...), ndërsa përgjigjja e
poetit është: “Po po erdha këtu ta marr bekimin e Domgjonit/ Ashtu siç e mori
edhe Pren Kola im i parë”. Këto vargje shprehin , jo vetëm përmasën e kohës dhe
njerëzve, por edhe triumfin poetik dhe triumfin estetik, duke krijuar atmosferë
të ngjashme me katarsisin aristotelian. Mirëpo, poeti kishte mësuar edhe emrat
e vëllezërve të Pren Kolës: Menin, Gjerin dhe Gjonin, të cilët i përmend në një
varg të kësaj poezie. Poeti, figurativisht flet me Pren Kolën, duke e thirrur:
“Po ku je, o Pren Kola, ku je more burrë Domgjoni?/ As në kullën 400 – vjeçare
nuk të gjeta!”, të cilin, në Domgjon e shoqëronin Gjon Gega, Zef Zefi, Gjon
Pjetri, etj., është kjo një poezi që
lirshëm e pa kontest semantik komunikon me lexuesin. Por, edhe për të bërë një interpretim të
denjë në vargjet e tij, Hasani gërsheton edhe narratorin prej nga mund të
lexohen edhe siluetat e shenjëzimeve estetiko-letrare.
Në vargun e fundit
të poezisë “Domgjoni”, poeti Hasan Hasani bën një thirrje – klithje për të
parin e fisit të tij: “O Pren Kola i Domgjonit... O Pren Kola i Jabllanicës!”
(poezia “Domgjoni”, 19 korrik 2018, Domgjon – Prishtinë). Klithja e autorit
ndonjëherë shndërrohet në dhimbje familjare, por edhe si jehonë kundër regjimit
të kohës... Ndërkaq, poeti shpreh një nostalgji për Mirditën dhe Domgjonin në
vargje të poezisë autobiografike “Shtatëdhjetë”: “Mirditën në mendje, Domgjonin
ëndërr vargu,/ Më munguan, u mungova – dashuruar s’largu”, që tigëllojnë edhe
si zë i brendshëm i poetit. Gjithashtu, janë këto vargje që tipologjikisht nuk
mbeten vetëm në fushën e lirikës, por bëhen mjet sinkretizimi për të thënë atë
që i duhet destinimit të poetit Hasani.
Në poezitë e H.
Hasanit që morëm në shqyrtim, Mirdita, Domgjoni, Dushkaja, Gërgoci, Jabllanica,
nuk janë vetëm si emërvende (toponime), as vetëm si nocione gjeografike, por
ishin vendrrënjët e të parëve të tij, respektivisht vendvendosjet e reja që
ndodhën gjatë shtegtimeve të cilat ua imponuan valët e jetës.
Në këto poezi,
sistemi linguistik mund të vlerësohet i reduktuar, për shkak të gjuhës së
zonave të caktuara nga vijnë e shkojnë personazhet, por që potencialisht
interpretimet poetike dalin të qarta, me çka arrihet qëllimi i autorit.
Kjo poezi e poetit
Hasani, ku përvijohet edhe fenomeni social, ka veçantitë dhe specifikat e veta,
sepse poetizon periudha të hershme
historike, të shumtën e herave të mbuluara me pluhurin e harresës, breza
njerëzish për të cilët shumë pak kanë mundur të jenë ruajtur të dhëna për
rrugëtimin e tyre jetësor, etj. E, kjo poezi e Hasanit sikur e ringjall dhe e
përligj të kaluarën e fisit të tij, të domgjonasëve të tij, duke e shpëtuar nga
harrimi i madh. Janë këto poezi me vargje autentike dhe bashkë krijojnë një
kurorë poetike për Mirditën, Domgjonin e përkolajt.
Me artin e tij
poetik Hasani pasqyron në vargje një periudhë të gjatë kohore, gjatë rrjedhave
të saj. Këto poezi të Hasanit mund të jenë një referencë e veçantë në mesin e
shumë tematikave poetike që ka trajtuar, sidomos, sa i përket përceptimit të
kësaj teme që e poetizon.
______________
1)Mirdita në histori
dhe etnokulturë (Konferenca Shkencore, Rrëshen, tetor 2001, f. 21 - 22.)
2)Rreth librit “Përkolajt (Nga Mirdita në Dushkajë e nga Domgjoni në
Jabllanicë”, Hasan Hasani – Përkola, Përkolajt nga Mirdita në Dushkajë nga
Domgjoni në Jabllanicë, Faik Konica, Prishtinë, 2018, f. 5.
3)Prof. Skënder R. Hoxha, Rrugëtimi për në panteon – Aspekte të krijimtarisë
letrare të Hasan Hasanit”, Art poetika, Pejë, 2009, f. 147.