Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Surrealizmi
E diele, 04.10.2020, 02:37 PM
SURREALIZMI
Nga Xhelal
Zejneli
Surrealizmi (fr, surréalisme
– mbirealizëm; mbirealitet) është lëvizje letrare dhe artistike që u
paraqit në Francë pas Luftës së Parë Botërore. Termin e vuri në përdorim në
vitin 1918 poeti francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire).
Surrealizmi e vazhdon dadaizmin dhe frymën rebeluese të tij,
revoltën kundër traditës dhe shprehive e zakoneve të ngulitura, urrejtjen ndaj
normave shoqërore. Por, për dallim nga fryma mohuese kategorike e dadaizmit,
e ka edhe anën e tij pozitive dhe konstruktive. Ka edhe program të caktuar.
Mendimet themelore dhe më të rëndësishme të surrealizmit i përmban “Manifesti
i surrealizmit” që e botoi më 1924 poeti, tregimtari dhe teoricieni francez
Andre Breton.
Surrealistët synojnë të mposhtin logjiken dhe racionalen
si dhe imagjinatën tradicionale. E përjashtojnë kontrollin e
intelektit dhe nxjerrin në plan të parë vizionet, asociacionet e instinkteve,
halucinacionet dhe elementet e ëndrrave. Krijimtari artistike lihet të udhëhiqet prej nënvetëdijes,
e vetmja që mund të depërtojë në thellësinë e realitetit.
Bazat teorike të pikëpamjeve të veta surrealistët i
arsyetuan më së shumti me psikanalizën e Zigmund Frojdit
(Freud). Prerazi i kundërvihen çdo realizmi dhe
racionalizmi. Nuk lejojnë që veçantitë e aktit krijues të kontrollohen
nga arsyeja. Sipas tyre intelekti i deformon përmbajtjet e
thella të shpirtit. Krijimtaria buron prej thellësive të nënvetëdijes,
prej vizioneve dhe ëndrrave alogjike për botën dhe jetën.
Zbulimet më të mëdha mund të bëhen me gjurmimin e nënvetëdijshëm instinktiv dhe
të kontrolluar, ngase vetëm kështu mund të arrijmë në thellësitë misterioze të
shpirtit. Surrealistët duan diktatin e mendimeve në mungesë të çdo kontrolli të
arsyes. Theksojnë veprimin e automatizmit shpirtëror. Përdorin atë që e
quajnë të shkruarit automatik.
I flakin të gjitha preokupimet estetike dhe morale. Atyre më shumë u
interesojnë psihogramet lirike, e për këtë arsye me të madhe janë
orientuar kah psikanaliza dhe nga jeta e nënvetëdijshme e njeriut.
Me disa pikëpamje të tyre dhe me tendencën për t’u bërë
shprehje artistike e botës surreale, e botës të fshehur thellë nën faktet e
jetës së dukshme dhe të matshme, surrealizmi është i afërt dhe i
ngjashëm me ekspresionizmin, me simbolizmin,
e sidomos me dadaizmin.
Surrealistët shtruan shumë çështje që më parë nuk kanë
qenë të njohura. Gjetën motive dhe tema të rëndësishme, duke
zgjeruar kësisoj lëmin tematik të letërsisë dhe të artit. Surrealistët nuk
nxorën emra të mëdhenj krijuesish. Nuk nxorën as vepra të mëdha poetike.
Ndihmesë më të madhe dhanë në planin teorik.
*
* *
Ndonëse një prej veçorive themelore të kësaj lëvizjeje
është ndërprerja me artin dhe letërsinë tradicionale,
megjithëkëtë surrealizmi i ka edhe pararendësit e vet. Këtë s’e mohojnë
dot as vetë surrealistët.
Këta janë shkrimtarë që mbjellin atmosferë frike dhe
tmerri, që e përshkruajnë anën misterioze të natyrës njerëzore apo që synojnë
t’i evokojnë mbresat dhe përjetimet e veta duke mos i lidhur me ndonjë lidhje
logjike. Këtu bëjnë pjesë: shkrimtari gjerman Markiz dë Sad (Marquis de
Sade), shkrimtarët e romanit të tmerrit*, romantikët gjermanë,
poeti dhe tregimtari francez Zherar dë Nerval (Gérard de Nerval), poeti
francez Petrus Borel, poeti francez Alojziys Bertran (Aloysius
Bertrand), poeti francez Artyr Rembo (Rimbaud), poeti
francez Lotreamon (Comte de Lautréamont), poeti francez Gijom
Apoliner (Guillaume Apollinaire).
Bazën filozofike të vet surrealizmi e
kërkoi së pari në frojdizëm, e pastaj në marksizëm.
Fillim i surrealizmit konsiderohet viti 1924 kur poeti francez Andre
Breton e botoi të parin “Manifest të surrealizmit” (Manifest du
surréalisme). Rreth Bretonit tubohen edhe shkrimtarë të tjerë: Lui
Aragoni, Pol Elyari (Paul Éluard), Benjamin Pere (Peret), Filip
Supo (Soupault). Kësaj lëvizjeje i takonin edhe artistë të tjerë, si p. sh.
piktori surrealist spanjoll Salvador Dali. Organ i surrealistëve ishte
revista “Littérature” (Letërsi) që e themeluan në vitin 1919 Andre
Bretoni, Lui Aragoni dhe Filip Supo. Në fillim kjo ishte revistë dadaiste,
por prej vitit 1922, pas ndarjes së Bretonit dhe të grupit të tij nga poeti
francez me prejardhje rumune Tristan Cara (Tzara) - u bë revistë e surrealistëve.
Revistë e surrealistëve ishte edhe “La Révolution surréaliste” (Revolucioni
surrealist) që e botonte Bretoni në vitet 1924-1929.
Shefi dhe doktrinari i surrealistëve, Andre
Bretoni botoi tre manifeste dhe disa artikuj e shkrime në të cilët i
paraqiti konceptet kryesore të lëvizjes: “Manifesti i surrealizmit”
(Manifeste du surréalisme) më 1924; “Manifesti i dytë i surrealizmit”
(Second manifeste du surréalisme) më 1930; “Pozita politike e
surrealizmit” (Position politique du surréalisme), më 1935; “Fillimet e
një manifesti të tretë të surrealizmit apo jo” (Prolégomènes à un troisième
manifeste du surréalisme ou non) më 1942/43.
Pikëpamjet e veta i zbatoi praktikisht në veprat: “Hapa
të humbur” (Les Pas perdus, 1924), romani poetik “Nadia” (1928),
“Enë komunikuese” (Les Vases communicants, 1932), “Fshehtësia 17”
(Arcane 17, 1947).
Programi i surrealistëve është revolucionar.
Duan ta ndryshojnë pamjen e botës dhe ta çlirojnë njeriun nga të gjitha prangat
e arsyes dhe të moralit. Duke depërtuar në shtresat më të fshehta
të vetëdijes së njeriut, synojnë ta zbulojnë personalitetin autentik të tij. Në
këtë mes ndihet ndikimi i psikanalizës së
Frojdit. Duan të zbulojnë një realitet më të lartë, por të fshehur, surrealen
(mbirealen) në të cilën sundon kaosi fillestar, i paçrregulluar nga mendimi
racional i njeriut. Në këtë surrealitet nuk mund të depërtohet nëpërmjet
gjykimit logjik, por me ndihmën “e
automatizmit psikik”, përkatësisht duke iu lëshuar funksionimit spontan
të shpirtit pa kurrfarë kontrolli të arsyes, duke nxjerrë në sipërfaqe atë që
fshihet në nënvetëdije, me ndihmën e metodës të cilën Artyr Rembo e
kishte quajtur “çrregullim të shqisave”.
Për këtë arsye, në radhë të parë atyre u intereson
gjendjet shpirtërore në të cilat aktiviteti i vetëdijes është reduktuar në minimum
apo plotësisht mungon: dehja, gjumi, çmenduria.
“Surrealizmi bazohet në besimin se forma të caktuara të asociacioneve
janë me realitet më të lartë, gjë që dikur nuk është marrë parasysh apo është
shpërfillur. Surrealizmi bazohet edhe në plotfuqinë e ëndrrës, të lojës së
painteresuar të mendimeve”. (Andre Breton, Manifesti i
surrealizmit).
Vepra artistike duhet të shprehë vizione dhe
përjetime halucinante që paraqiten në gjendje të funksionimit spontan të
shpirtit, pra kur shpirti funksionon spontanisht. Për t’u mos u çrregulluar
autenticiteti i tyre, shkrimtari duhet të shënojë çdo gjë që i vjen ndërmend,
duke iu lëshuar lojës së lirë të asociacioneve.
Të shkruarit automatik* bëhet
mjet teknik kryesor i surrealistëve. Në saje të kësaj loje të lirë asociacionesh
zbulojmë lidhshmërinë e gjërave. Por, kur shpirti ndodhet në gjendje
normale, midis gjërave nuk mund të zbulohet kurrfarë lidhjeje.
“Shumëçka na shtyjnë të besojmë se ekziston një gjendje e
caktuar e shpirtit në të cilën jeta dhe vdekja, realja dhe imagjinarja, e
kaluara dhe e ardhmja, e thëna dhe e pathëna, e lartësuara dhe e ulëta, tanimë
nuk perceptohen ndaras” – thotë Bretoni. Në këtë mënyrë lindin lidhjet
më të pazakonshme të fjalëve, figurat më të çuditshme të cilat duhet të
shkaktojnë befasi te lexuesi.
Në “Manifestin” e parë Bretoni e merr përkufizimin
e figurës të poetit francez Pjer Reverdi (Pierre Reverdy), si “ndërlidhje
e dy realiteteve që pak apo shumë qëndrojnë larg njëri-tjetrit”. Salvador
Dali zhvillon teorinë e ashtuquajtur “delirium paranojak-kritik”,
d.m.th. e metodës që bën të mundur që me “ultravetëdije” të zbulohet
nënvetëdija, pa e privuar nga forca irracionale e saj.
Nga fundi i vitit 1925, në zhvillimin e surrealizmit lind
një etapë e re. Për ta çliruar
personalitetin e njeriut dhe për ta transformuar jetën e tij,
surrealizmi i afrohet marksizmit. Disa pjesëtarë të tij si Lui
Aragoni, Pol Elyari, Andre Bretoni bëhen anëtarë të Partisë Komuniste të
Francës dhe kërkojnë angazhimin e artit në ngjarjet politiko-shoqërore. Në një
rast Bretoni deklaron: “Arti autentik i sotëm është i ndërlidhur me
veprimtarinë shoqërore revolucionare: bashkë me të, ai synon rrënimin e
shoqërisë kapitaliste”.
Duke qenë se disa anëtarë qëndrojnë në pozicionet e
vjetra, në lëvizjen surrealiste shkaktohet ndarja. Pas shumë polemikave dhe
diskutimeve, e sidomos pas dëbimit të Bretonit nga Partia Komuniste e Francës
në vitin 1933, autori i “Manifestit” heq dorë nga ndërlidhja e artit me
luftën politike dhe pohon se surrealizmi, forcën e vet revolucionare e
ka në vetvete. Pra, forca revolucionare e surrealizmit ndodhet te
vetë ai.
Lidhur me surrealizmin, Bretoni ka shkruar edhe
shumë studime, si: “Surrealizmi dhe arti figurativ” (Le Surréalisme et la
Peinture, 1928), “Ç’është surrealizmi?” (Qu’est-ce que le surréalisme?, 1934).
Duke synuar ta paraqesë në mënyrë sa më autentike “diktatin
e mendimeve në mungesë të çfarëdo kontrolli të arsyes”, Bretoni dhe
bashkëmendimtarët e tij i lëkundën themelet e letërsisë franceze, duke fituar
ithtarë edhe në letërsitë e tjera. Përkundër lajthitjeve të caktuara dhe
mungesës së arritjeve të dukshme, ndikimi surrealist ndihmoi në largimin nga
përsosmëria e imponuar e artizmit formal dhe
përmbajtësor.
Pas luftës, Bretoni më në fund i kthehet misticizmit*
dhe okultizmit* - “Fshehtësia 17” (Arcane 17; 1947)
gjë që e shkëput plotësisht prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm, por i sjell
edhe ithtarë të rinj. Në vitin 1947 dhe 1959 ata organizojnë ekspozita
ndërkombëtare. Por, këto nuk janë veçse mbetje të surrealizmit.
Ndonëse lindi në Francë, surrealizmi nuk u përket
vetëm francezëve. Në vitin 1933 grupe surrealiste tanimë kemi në Angli
dhe gjetkë. Në vitin 1938 u mbajt në Paris një ekspozitë ndërkombëtare e
surrealistëve. Morën pjesë përfaqësues të katërmbëdhjetë vendeve. Ky është
manifestimi i fundit i rëndësishëm para Luftës së Dytë Botërore, i cili shënon,
në mos fundin e surrealizmit, atëherë mbarimin e periudhës ngadhënjyese të tij.
Nëse nuk ia doli ta ndërronte pamjen e botës, surrealizmi
arriti ta ndërrojë pamjen e poezisë. Shumë vepra surrealiste, përpos renditjes
së thjeshtë të figurave, s’bëjnë gjë tjetër.
Midis tyre ndërkaq, nuk zbulohet kurrfarë lidhjeje, ndonëse në to shpesh
ka mistifikim dhe pozë. Megjithëkëtë, duke u interesuar për nënvetëdijen
dhe irracionalen dhe duke synuar t’i tejkalojë kornizat
tradicionale të letërsisë, surrealizmi
vuri në dukje se ekzistojnë rrugë të reja për të kërkuar shprehje
poetike dhe përmbajtje poetike. Me këtë ushtroi ndikim në poezinë moderne.
*
* *
Shënim: Shkrimi
automatik (fr. écriture automatique) është të shkruarit
pa kontrollin e vetëdijes, në bazë të asociacioneve, ngjashëm me
metodën psikanalitike të mjekimit, me ç’rast pacienti e thotë atë
që i bie ndërmend. Është një nga karakteristikat kryesore të surrealizmit.
Shkrimin automatik Andre Bretoni e përkufizon si shprehje “të
funksionimit të vërtetë të mendimeve, në mungesë të çfarëdo kontrolli të
arsyes, jashtë çdo preokupimi estetik apo moral”. Sipas mendimit të
surrealistëve, ky shpërthim “i produkteve të jetës psikike” lind në
gjendje të funksionimit spontan të shpirtit, të çliruar nga të gjitha frenat e
arsyes dhe të të menduarit logjik (automatizmi psikik) – në
ëndërr, nën ndikimin e alkoolit apo të drogës, në çmenduri – dhe bën të mundur
të zbulohet një realitet më i lartë, absolut, një mbirealitet, të
zbardhen zonat e fshehta të psikes së njeriut dhe të njihet personaliteti
autentik. Në kuptim të ngushtë, shkrimi automatik mund të konsiderohet teori
surrealiste e procesit krijues të surrealistëve. Në kuptim
të gjerë, shkrimi automatik është prosede themelore stili
i surrealistëve dhe i shkrimtarëve të tjerë modernë, sidomos i romancierëve (romani
i përroit të ndërgjegjes) të cilët synojnë që pa
ndërmjetësimin e strukturës racionale, ta shprehin në art jetën e
nënvetëdijshme të njeriut. Ky prosede bazohet në radhë të parë në asociacionin
e lirë të ideve. Por, sipas mendimit të disa kritikëve (Dejçis), mbetet
e hapur çështja: Sa është e mundur shprehja e drejtpërdrejtë e nënvetëdijes
në art? Sa vetëdija dhe “e pavetëdijshmja” ndërmjetësojnë
në të shprehurit e nënvetëdijes? Sa është përzgjedhja premisë e
pashmangshme e çdo komunikimi?
Shënim: Misticizëm
(gr. mystikos) besim në fshehtësi, në mister, në diçka të mbinatyrshme;
prirje ndaj të mistershmes; mistik – që ka të bëjë me misticizmin
apo me mistikën; misterioz, enigmatik; misticitet – mister,
enigmë;
Shënim: okultizëm
– term i përgjithshëm për trillimet mistike antishkencore (magjia,
astrologjia, spiritizmi) për “forcat misterioze” të natyrës, për “vetitë
e pakapshme të gjërave” që janë të kapshëm vetëm për kuptimin e “të
zgjedhurve”, “e të shenjtëruarve”.
Shënim: Artizëm
– tendencë në letërsi dhe në përgjithësi në art, që vepra të shprehet në
shprehjen e jashtme, formale në mënyrë sa më të përkryer dhe sa më të
përsosur. Artizmi u paraqit për ta kundërshtua natyralizmin dhe
është karakteristikë e modernes dhe e drejtimeve
letrare të mëvonshme. Ky term përdoret edhe për theksimin e tepërt të
formave të jashtme, formale në dëm të përmbajtjes, gjë që e ul
vlerën artistike të veprës. Me artizmin ndërlidhet edhe dekadenca,
arti për art (l’art pour l’art), moderna, simbolizmi.
Shënim: Romani
i tmerrit është lloj romani në të cilin shkaktohet ndjenja e
frikës apo e lemerisë me veprimin me shumë kthesa misterioze, me
personazhe të mbinatyrshme, me vrasje dhe me mjete vrasëse. Struktura e
romanit të tmerrit realizohet me shkaktimin e tensioneve te lexuesit me një
mori faktorësh të lemerishëm dhe me ndryshime befasuese të situatave. Romani
i tmerrit paraqitet në Angli në shekullin XVIII në formë romani gotik
në veprat e prozatorit dhe poetit anglez Horis Velpëll (Horace Walpole)
siç është “Kështjella e Otrantos” (The Castle of Otranto, 1765),
në romanin e prozatores angleze En Redklif (Ann Radcliffe) “Misteret
e Udolfit” (The Mysteries of Udolpho, 1794). Romane tmerri
më të njohura të shekullit XIX janë “Frankenshtain”
(Frankenstein, 1818) i prozatores angleze Meri Sheli (Mary Wollstonecraft Shelley) dhe “Drakula”
(Dracula, 1897) i prozatorit irlandez Bram Stoker (Bram
Stoker). Në kohën moderne gjithnjë më tepër humb interesimi për këtë lloj
literature e cila në të vërtetë ishte produkt i interesimit amator për
mesjetën. Tani publiku i saj parapëlqen romanin kriminalistik apo
romanin shkencor-fantastik.
Të dhëna themelore për poetët
Apoliner, Gijom (Guillaume
Apollinaire), emri i vërtetë Wilhelm Apollinaris de Kostrowitzky, Romë, 1880 –
Paris, 1918) poet francez; ishte djalë i papranuar i një oficeri dhe i një
fisnikeje polake; vdiq si pasojë e plagosjes në Luftën e Parë Botërore; është
më i madhi poet francez i fillimit të shekullit XX; vizionar, vepra e të cilit
bazohet në ideale humaniste, në ekzaltimin e lirisë krijuese dhe në estetikën e
befasisë që e mbrojti në vitin 1917 në konferencën “Fryma e re dhe poetët”
Esprit nouveau et les poètes). Është tejet i merituar për shkëputjen
nga trashëgimia simboliste. Rreth vetes i tuboi poetët Andre
Breton, Lui Aragon dhe Filip Supo (Soupault) të cilët më pas e nisën
lëvizjen surrealiste. Apolineri e quajti Faik Konicën “enciklopedia
që ecën”.
Aragon, Lui (Louis
Aragon, 1897-1982) poet, romancier dhe eseist francez; ishte fëmijë jashtëmartesor,
i edukzar në një familje qytetare të varfëruar; mori pjesë në krijimin e
lëvizjes surrealiste; në kongresin e shkrimtarëve revolucionarë
të mbajtur në harkove më 1930 i shkëputi lidhjet me surrealistët
dhe iu bashkua realizmit socialist. Përmbledhja
poetike “Hura Uralit” (Hourra l’Oural, 1934) është himn për
BRSS-në; gjatë Luftës II Botërore ishte poet në zë i lëvizjes së
rezistencës. Tanimë ishte një prej mendimtarëve kryesorë që iu
kundërvunë ekzistencialistëve. Pas luftës, në romanin “Komunistët”
(Les Communistes, 1949-1951) i mbrojti tezat e Zhdanovit
mbi romanin. Në romanet e mëvonshme i shmanget marksizmit.
Në poemën “Elsa” (1959) iu kthye preokupimit të përhershëm me gruan e
vet, shkrimtaren ruso-franceze Elsa Triolet, së cilës i dedikoi cikël të
tërë.
Bertran, Alojziys (Aloysius
Bertrand, emri i vërtetë Louis Jacques Napoléon B., 1807-1841) poeti francez;
ithtar i Viktor Hygosë (Hugo); romantik i entuziazmuar;
Borel, Petrus (Pétrus
Borel, 1809-1859) poet, përkthyes dhe prozator francez;
Breton, Andre (André
Breton, 1896-1966) poet, tregimtar dhe eseist francez; gjatë studimeve të mjekësisë
shfaqi interesim për psikopatologjinë; pas kësaj, për idenë e Frojdit mbi
nënvetëdijen dhe për interpretimin e tij të psikologjisë
së ëndrrës; më 1919 iu bashkua dadaistëve; me Lui
Aragonin dhe me poetin dhe romancierin francez Filip Supo (Philippe
Soupault) themeloi revistën dadaiste “Littérature”.
Bashkë me Filip Suponë boton aty
tekstin e njohur “Fushat magnetike” (Les Champs magnétiques, 1920)
që përbën realizimin e parë të teknikës surrealiste “shkrim automatik”.
Më 1924 botoi të parin “Manifest të surrealizmit” (Manifeste du surréalisme).
I dyti doli më 1930, ndërsa i treti më 1942/43. Më 1930 aderoi në Partinë
Komuniste të Francës, por shpejt u largua. Më 1941 vajti në ShBA për t’u kthyer
në Paris më 1946;
Cara, Tristan (Tristan
Tzara, emri i vërtetë Samuel Rosenstock, Moinesti/Rumani, 1896 – Paris, 1963)
poet dhe eseist francez me prejardhje rumune; në vitin 1916 mori pjesë në
krijimin e lëvizjes Dadanë Cyrih (Zürich);
Dajçis –
kritik letrar artistik;
Dali, Salvador (Salvador
Domingo felipe Jacinto dali e Domènech, 1904-1989) piktor spanjoll i periudhës
së surrealizmit, ekspresionizmit dhe postimpresionizmit.
Elyar, Pol (Paul
Éluard, emri i vërtetë Eugène Grindel, 1895-1952) poet francez; si luftëtar i
Luftës I Botërore, nën ndikimin e unanimizmit e shkroi vëllimin e
parë poetik “Detyra dhe shqetësimi” (Le Devoir et l’inquiétude, 1917).
Poezinë e vet shpejt e liroi prej kufizimeve tradicionale dhe u përfshi në
aksionet dadaiste në Paris. Më 1919 u njoh me Andre Bretonin,
me Filip Suponë dhe me Lui Aragonin me të cilët themeloi
lëvizjen surrealiste.
Frojd, Zigmund (Freude
Sigmund, 1856-1939) dijetar, psikiatër dhe eseist austriak, me prejardhje
çifute; themelues i psikanalizës;
Hygo, Viktor (Victor
Marie Hugo, 1802-1885) poet, romancier dhe dramaturg francez; Bir oficeri të
lartë të Napoleonit dhe i ruajalistes fanatike;
Konica, Faik (1875-1942)
shkrimtar dhe publicist;
Lotreamon (Comte
de Lautréamont, emri i vërtetë Isidore Ducasse, Montevideo, 1846 - Paris, 1870) poet francez; bir i nëpunësit
konsullor francez; u rrit në Uruguai; më 1859 vjen në Francë;
Nerval, Zherar dë (Gérard
de Nerval, mbiemri i vërtetë Labrunie, 1808-1855) poet dhe tregimtar francez;
më 1828 e përktheu në frëngjisht “Faustin” e Gëtes.
Pere, Benjamin (Victor
Maurice Paul Benjamin Péret, i njohur si Satyremont, Peralda, Peralta,
1899-1959) prozator dhe poet francez;
Redklif, En (Ann
Radcliffe, 1764-1823) prozatore angleze; romani i saj “Misteret e Udolfit”
(The Mysteries of Udolpho, 1794) është shkruar sipas konvencioneve
të romanit gotik, me një inventar të zakonshëm: është një ngjarje nga e
kaluara e largët e vendosur në një kështjellë mesjetar (me korridore
nëntokësore misterioze, me dyer të padukshme etj.
Rembo, Artyr (Arthur
Jean Nicolas Rimbaud, 1854-1891) poet francez;
Reverdi, Pjer
(Pierre Reverdy, 1889-1960) poet francez; në vitin 1916 themeloi në Paris
revistën “Nord-Sud” në të cilën propagandoi kubizmin; e quajtën
poet kubist; ushtroi ndikim mbi poetët francezë të pas Luftës II
Botërore;
Sad, Makiz de
(Donatien Alphonse François, Marquis de Sade, 1740-1814) shkrimtar francez;
pjesëtar i aristokracisë së lartë provansale; për shkak të egocentrizmit,
libertinizmit dhe ateizmit të hapur, 30 vjet i kaloi në internim.
Vdiq në çmendinë.
Stoker, Bram (Bram
Stoker, Dublin, 1847 – Londër, 1912) prozator irlandez; si fëmijë ishte i
palëvizshëm; gjatë studimeve në Dublin, me ushtrime të vazhdueshme, ia doli të
bëhet madje edhe sportist;
Supo, Filip (Philippe
Soupault, 1897-1990) poet dhe romancier francez;
Shelli, Meri (Mary
Wollstonecraft Shelley, 1797-1851) prozatore angleze; bijë e filozofit social V.
Goduin (W. Godwin) dhe e sufrazhistes, përkatësisht e luftëtares për
barazinë e femrave me meshkujt M. Wollstonecraft. Ishte 16-vjeçe
kur me Persi Bish Shellin (Percy Bysshe Shelley) iku në Itali. Më 1816,
pas vetëvrasjes së gruas së parë të tij, u martua me të. Në Itali jetoi në
vitet 1818-1822. Kur më 1822 Persi Bish Shelli u mbyt në stuhi, Meri
Shelli me të birin u kthye në Angli. Është autore e romanit “Frankenshtain” (Frankenstein, 1818);
Shelli, Persi Bish (Percy
Bysshe Shelley, 1792-1822) poet anglez; Më 1811, për shkak të ateizmit dhe
radikalizmit politik u dëbua nga Universiteti i Oksfordit (Oxford). Më
1814, ndonëse i martuar, iku në Itali me 16-vjeçaren Meri Uollstonkaft (Mary
Wollstonecraft, përkatësisht Meri Shelli, me të cilën u martua
pas vetëvrasjes së gruas së vet të parë). Persi Bish Shelli është përfaqësues i
brezit të dytë të romantikëve anglezë.
Triolet, Elsa (Ella
Yurievna Kagan; Moskë, 1896 - Saint-Arnoult-en Yvelines, Francë, 1970)
shkrimtare ruso-franceze; grua e Lui Aragonit;
Velpëll, Horis (Horace Walpole,
1717-1797) prozator dhe poet anglez; studioi në Kembrixh (Cambridge);
Zhdanov, Andrej Aleksandroviç (1896-1948)
ideolog sovjetik i kulturës pas Luftës II Botërore; zhdanovizmi
ishte doktrinë letrare e formuluar prej tij.