Kulturë
Murat Gashi: Unazë e dhembjes
E diele, 04.10.2020, 08:36 AM
UNAZË E DHEMBJES
Vështrim për librin e parë “Ti je në sytë e
mi”, të poetit e veprimtarit të shquar të cështjes sonë kombëtare Dashnor
Gërmizaj
NGA MURAT
V. GASHI
Në gjerdanin e veprave poetike të poetëve shqiptar, një
unazë e dhembjes është edhe dashuria për Nazin dhe ikja e saj prej kësaj
bote , idetë e paqes dhe lumturisë që poeti i rikujton nga hiri i asaj bote
në përjetësi, në botën e përkohshme komplekse, që posa mbetet në grilat e
dhembjes dhe i bënë jehonë në jetën e poetit, frymës së tij shpirtërore, ku
vetë poeti i ri Dashnor Gërmizaj e quan kthesë përpara. Pastaj jeta vazhdon,
kurse ato që i kishte jetuar si pikëpamje edukativo - arsimore me Nazin, mbesin
si një kujtim i gjatë për të. Kjo lëvizje e dhimbshme në jetën e tij, pas
vdekjes së të dashurës, Nazit, edhe pas shumë viteve, në jetën e tij
filozofike, në letërsinë poetike shqipe, vjen si një perle e artit, që edhe
përkundër kësaj e ngrit moralin, peshën e mendjes dhe zemrës në jetë, e cila u duk në sipërfaqe tek tash,
veçse këtu poeti, edhe pse ka humbur kohe për t'i shprehur ato me kohë, është
shumë me rëndësi se mendja artistike po shpërthejnë si një vullkan poetik
përpara lexuesve. Përmes vargjeve poetike në librin e tij Ti je në sytë e
mi, u duk sikur poeti dëshiron ta provojë veten se sa është
besnik dhe i dhimbshëm ndaj fatit të tij me humbjen e të dashurës, Nazi. Me në
fund, dashurinë e kuptoi si një të shenjtën perëndi, pa të cilën jeta nuk ka
kuptim, nuk mund të jetohet vetëm. Por, natyrisht dashuria në vargjet e tij
poetike thotë poeti, nuk është një rruge e epshit biologjik, për të cilën veç
kur ke nevojë jetësore të kalon, por është një idhull besnikërie, duke e
kuptuar njëri-tjetrin qartë, ku të mirat e të këqijat janë të përbashkëta dhe
se të gjitha problemet duhet zgjedhur me tolerancë, paqe, dashuri e mirëkuptim.
Vdekja e fatit të jetës, e tronditë në jetë poetin, se atij iu shtua vetmia,
dhimbja shpirtërore, sepse atë e kishte
krah të fortë në bashkëjetesë, ku pas vdekjes së saj, jeta e poetit
duket se po shkatërrohet. Tani të gjitha peripecitë zëvendësoi eksploatimin e
dhimbjes me kujtesë, butësi, gjakftohtësi, gojë ëmbël, dëgjueshmëri, me një
eksploatim të hapur përmes vargjeve poetike, siç thotë dhe vetë poeti nëpër
vargjet e tij, Ti je në sytë e mi, ku dhe vetë libri poetik i Dashnor
Gërmizajt, merr emrin apo titullin Ti je në sytë e mi. Ky
libër poetik te poeti Dashnor Gërmizaj doli si një forcë reale shpirtërore, në
emër të të gjitha përjetimeve të tij të presionit nga dhembshuria, kujtimet,
gojë ëmbëlsira e fatit të tij në bashkëjetesë, dhe me një forcë dramatike
nxjerr vargjet që ia kushton fatit të jetës NAZIT. Kështu në poezinë Ti je
në sytë e mi poeti shprehet:
Në sytë e mi ishte ajo, që shikonte
mbi re
Veshët e saj dëgjonin largësive, mbi
erëra
Ndër errësira më kishte thënë mijëra
herë
Se unë jam arsyeja e saj për të qen
në jetë
NAZI...!
Kështu përmes këtyre vargjeve, në jetën e tij, ajo nisi
te zbulohet dalëngadalë me fytyrën e saj te vërtetë, si një engjëll i shenjte
përpara jetës se poetit. Ndërsa, tiparet e ndjenjave të asaj, të kohës
shfaqeshin të pleksura me ato që poeti Dashnor Gërmizaj i ndjen dhe e
preokupojnë sot. Nga njëra anë kulti i dashurisë, dhe ethja për të kujtuar atë
me çdo kusht, nga ana tjetër dhimbja për të dhe vetvetes për jetë i kacavirret
me një lavjerrës të pa drejtpeshuar. Në këto kushte Dashnori dhe humanizmi i
tij përparimtar, që jeton në kapërcyellin e dy jetëve, të dhimbjes që po e
jeton dhe të mungesës që po e ndien poeti, jo vetëm që e demaskon jetën në
vetmi, pas fatit të parë, por i vë si detyrë vetes ta ndërtoj atë mbi themelin
e një vazhdimit të jetës së re. Kështu në një poezi tjetër Kujtimi,
poeti Dashnor Gërmizaj shprehet:
Kur mbrëmja ime, e priti kujtimin tënd.
Më bëri të lumtur, në zemrën time...
Krahët e dashurisë, mbetën të
hapura....
Dëshirat ishin, të pa pritura në
jetën tonë.
Ditët kalonin duke u bërë të gjata
Me kujtime të këndshme
E bisedat mbetën, si një histori e
kaluar.
Te përjetuarit dhe vuajtjet shpirtërore, personazhit, që
shpeshherë poeti Dashnor Gërmizaj i paraqet me figura artistike, aq thellë
përbënë atë linje mendimin që tregon ndarje shpirtërore e ëndrrave të bukura të
një bashkëjetuesi nga mundësit reale të të kuptuarve dhe realizimit të detyrave
në mes tyre. Në galerinë e pasur shpirtëror, humanistit i tolerancës e i paqes
të këtyre figurave artistike apo personazhit bënë pjesë përjetësisht në kujtesën
e poetit Dashnor Gërmizaj.
Nazi, është një dramë, ku kujtimet të shprehura në vargje
poetike marrin vlera përgjithësuese sa të qarta, aq edhe filozofike, andaj kjo
i jep personazheve (mes Nazit dhe poetit) një forcë etike tipike për kohën edhe
karakterin universal. Poeti Dashnor Germizaj, si në vargjet e para e deri në
vargjet e fundit të librit poetik “Ti je në sytë e mi” na impresion me forcën titanike të pasioneve të
tij dhe të vullnetit të vet poetit, për kohën e vazhdimit të jetës në mungesë
të fatit të tij:
MOS LEJO
Mos lejo, që dikush t’i presë krahët
T’i ngushtojnë horizontet
dhe të t’i largojnë yjet nga qielli
Mos lejo, që frika jote të jetë më e
madhe se vullneti yt
Aty është një ëndërr që përpiqet të
pushojë
Poeti duke evokuar kujtime, kohën nëpër të cilën kalon,
përpos dhimbjes për figurën e fatit të tij, evokon dhe kujtime me figura tjera,
gjatë takimeve, bisedave, në librin e tij poetik Ti je në sytë e mi,
zgjedh subjekte nga më të ndryshme dhe me ndjesinë e tij të mprehtë artistike,
nxjerr në sipërfaqe hollësitë e rrethit shoqëror në të cilin jeton edhe vetë autori
sot. Përmes vargjeve poetike shpërfaq ato karaktere të njerëzve si ato të
dyfytyrësive, të pabesisë, ku përmes tyre
zbulon edhe rastet sociale, të cilat nuk ndihmohen nga shoqëria jonë. Me këto vargje Dashnori, shpreh
shumë çka... Ajo çka është individi dhe çka jam unë, në gjendje të bëjë, e cila
nuk caktohet aspak nga shoqëria por nga individi që është i shëmtuar, dhe mund
të pëson shumë çmimi i ndërgjegjes së tij. Këtu poeti përmes vargjeve e
figurative artistike e lufton të keqen. Prandaj këtu, përpos tjerash poeti i
shfrytëzon shumë bukur ndjenjat bujare të tij.
Libri poetik Ti je në sytë e mi, meriton të
eksplorohet me një narracion nga lexuesit, së pari përmes vargjeve, sepse ato
paraqesin një besim të madh si të njeriut për jetën, ashtu edhe të vetë poetit, edhe pse nganjëherë paraqitet si një
skepticist. Për të gjitha këto flasin vargjet e poetit të shkruar në veprën e
tij të parë poetike, veçanërisht për dashurinë, dhimbjen për të dashurën, për
humanizmin, bujarinë, herë-herë edhe për gëzimet që sjell jeta.
Prandaj libri poetik Ti je në sytë e mi,
është shumë narrativ dhe i qartë, që sjell optimizmin e jetës, pas një humbje
të madhe të njeriut më të dashur, siç ishte Nazi për poetin, që tek lexuesit
kjo metaforë vezullon si mbretëreshë e dashurisë.