Kulturë
Bedri Tahiri: Shpërthimi
E shtune, 03.10.2020, 02:17 PM
SHPËRTHIMI
Rruga
e shtruar me lule kurrë nuk të çon te lavdia. (La Fonteni)
Tregim nga Bedri TAHIRI
Ajo
vjeshtë nisi me tërsëllimë të madhe, me ofensivën e egër serbe dhe do të mbahet
në mend për jetë të jetëve. Ishte ndër më të ashpërat e më të tmerrshmet gjatë
gjithë luftës së fundit çlirimtare. Ndoshta ngjet kështu edhe pse ishte ndër më
të parat dhe na zuri gati beftë, të pamësuar. Veçan, atë nuk do ta harrojnë
përjetuesit e saj të drejtpërdrejtë, ata që u gjenden brenda rrathëve të ferrit
dantesk. Edhe po deshën nuk mund t’i largojnë nga kujtesa ato skena makabre të
asaj katarhure çnjerëzore, që zgjati plot tri ditë e tri net. Ato, vetëvetiu,
janë thadruar thellë në korën trunore sa nuk mund t’i shqitësh që andej as me
daltë e çekan. Ato ditë qenë mpleksur si gërshetë nimfash toka e qielli, hëna e
dielli, yjet e ylberi, fushat e malet, kodrat e përrenjtë…Dikush nga ata
fatzinj e quajti shtatori ogurzi…Mbase,
kishte të drejtë…
***
-O
nënë, mbarova!- u dëgjua një ofshamje e rëndë mbytëse e disi në vete, por që
jehoi si bubullimë frikësuese, në atë heshtje të thellë muzgurore, që të
gërryente si gangrene malinje.
-
Mbahu e fortë Lule, se katilat i kemi afër dhe po na hetuan, vaj halli për ne!-
përpiqej ta qetësonte “mamia”, siç e quanin të gjithë Hanën e Dinit. Për të
qenë, ajo vërtet i ndihmonte gratë gjatë lindjeve, madje edhe me plot sukses.
Ehe, sa e sa fëmijëve ua kishte prerë kërthizën dhe ua kishte vënë emrat! Ama
sonte ishte krejt ndryshe dhe tjetër këngë këndohej. Kjo nënë e re e kishte
lindjen e parë dhe çfarë lindje se, nën krisma xhelatësh e midis malit! Po
lindte te Kroi i Ftohtë, në Qyqavicë, mbi ca fieraja të tharë, aty ku kishte
pushuar Azem Galica me dadën Shotë e ku dikur moti zanat faqekuqe kishin
pastruar flokët e gjata…
-
Ah, e zeza unë, e zeza, do të mbetem edhe pa nusen, edhe pa djalin! O Perëndi,
ku je fshehur që nuk më del në ndihmë?! Po ku na u gjete edhe ti e uruara
lindje në këtë ditë qameti?! Kuku, kuku, sot qenka edhe e martë. Të mallkuarat,
gjithmonë i kam dreshtur dhe ja, më zunë së më zunë të ligat! Të shkretën nëna,
e mendoja së është në muajin e tetë, por mbase e ka nga frika dhe nuk e mban
dot ferishtën, do të lindë parakohe!- çirrej dhe i ndukte faqet e vjehrra, një
grua topolake, e mbajtur mirë nga shëndeti, por shumë shpirtngushtë dhe fare e
pagajret.
As
të tjerët nuk ndjeheshin hiç më mirë. Të gjithë përpëliteshin si peshqit në
zjarr. Që nga dita e djeshme, kur ende pa aguar, kishte plasur damllaja e madhe
me granatime, djegie e përndjekje, kishin marrë arratinë dhe, pas bredhjeve të
shumta, sa andej, sa këndej, ishin ndalur, në këtë lugajë me ahishte të mëdha e
me ujë të bollshëm bilur, që edhe të vdekurit ia kthente shpirtin. Luftimet
kishin nisur si me gurgule. Rrebeshet vinin nga të katër anët dhe shfrenin
pamëshirshëm mbi Qyqavicën mitike. Maja e Zezë sikur mblidhte gjithë mëritë e
perendive zemrake dhe shkrepëtinte në kupë të qiellit, mu si në beteja
dragonjsh.
Në
të feksur, kur ranë granatat e para, qe krijuar një rrëmujë marramendëse, ku
nuk e njihte qeni të zonë. Sekush kishte marrë kokën në dorë dhe hajt bir, pa e
ditur se kah. Kryesorja u kuptua shpejt se vetmia nuk e përballonte dot atë
zerzele. Të bashkuar edhe frika sfidohej më lehtë. Dhe, ashtu, grupe- grupe,
zinin vend sa këtu, sa atje. Ky grup i vogël, i lagjes së skajshme të katundit
G, që nuk i kalonte tridhjetë veta, u paqëtua këtu dhe me ndjenjën e
gjakftohtësisë së trashëguar nga të parët priste mordjen vellozezë…
Shqipet
kishin zënë majat e larta dhe hiqnin vallen e vdekjes për t’i dhënë jetë
lirisë…
***
-Shoku
komandant, isha në roje dhe seç më kapi veshi ca zëra të përçartë, tej poshtë
në përrua!- tha si me droje e me zë të ngjizur kokëtullaci trupshkurtër, më
të hyrë në derën e dhomës, ku ishte
vendosur Shtabi komandues i opercionit “QYQAVICA”.
-Ha,
ha, ha! U ka hyrë lepuri në bark dhe keni zënë të frikësoheni edhe nga hija
juaj!- ia ktheu me qesendi oficeri me
paleta në xhep, në rast lufte nuk bartnin grada e shenja dalluese.
Tjetri
u ndje i fyer keq dhe zu të kryqohej e të betohej në Shën Savën se ajo që
thoshte ishte e vërtetë.
Dhe,
shpejt e shpejt, u dha alarmi. Forca të shumta rrethuan vendin. Pa, pa, pa!
Ç’të shihnin?! Fëmijë të leckosur e të
shashtisur, gra të lëbëtitura dhe plaka të mbetura. Në mes tyre edhe një plak
imtak, me një xhybe krahëve e me një kërrutë të shtrëmbër thane. Të gjithë të
strukur e të bërë kruspull, si dhentë nën mrizet hijethella.
-Ku
jeni fshehur kështu, more mistreca?! Ehe, ç’menduat, nuk do t’ju gjenim, a? Hë,
flisni! Ku i keni djemtë? Ku i keni burrat? Me ca pushkë të ndryshkura e me nga
një grusht fishekë na kanë vënë prita për të na vrarë! Të krisurit, kanë
mashtruar veten dhe juve! Ani, ani, ata nuk na duhen gjë…Ne na duheni ju…ju
bukuroshe flokëgjata…Dhe, zu t’u sillej vërdallë vajzave e nuseve të reja …
Sytë
e përgjegjur i ngelen te nusja e re shtatzënë, e cila i harroi dhimbjet dhe me
sa mundej orvatej ta fshehte barkun e fryrë si dhe te dy vajzat flokëgjata, të
cilat, sado që ishin munduar të dukeshin keq, bile ngapak edhe ishin përlyer me
thengjij e shkrumb zjarri, shkëlqenin nga bukuria…
-Po
ti plakush i dreqit, me atë plis mprehacak, ç’pret këtu?!- iu drejtua të
gjorit, që në ato momente nuk dinte si të sillej e ç’të bënte. Pse e merr në
qafë veten dhe këta, pse nuk lajmërohesh që të të ndihmojmë për çka keni
nevojë? Ne nuk kemi punë me juve, ne luftojmë kundër UÇK-së, e cila, për çdo
ditë po na sulmon e po na vret…Tashti, sa të bjerë terri, kjo nusja dhe këto dy
vajzat le të vijnë deri tek unë dhe të marrin çka u duhet, sidomos qirinj e
bateri, sepse kalamajtë nuk bëjnë pa dritë…Moret vesh, në të errur, ju pres
atje lart. Ashtu pra, patjetër të vini, përndryshe…
Të
shkretat gra, kishin ulur kokat përdhe dhe nuk po guxonin ta shihnin fare në sy
cerberin e mallkuar. Po si t’i shikonin
ata sy që kërkonin gjak, kërkonin hakmarrje, kërkonin çnderim, kërkonin
poshtërim, kërkonin nënshtrim…
Çudi,
edhe fëmijët sikur e kishin kuptuar tragjiken, qëndronin në heshtje dhe asnjëri
nuk bëzante…Plakat dridhnin kokat plot habi dhe në heshtje mërmërisnin lutje të
llojllojshme…
***
Lulja,
me t’u çliruar nga barra e rëndë, e hartoi planin e arratisë, planin e
shpërthimit. Revolen që ia kishte lënë i shoqi, kur doli maleve për liri, e
kishte ruajtur pranë ferishtës, në një xhep të brendshëm të fustanit, pa e
ditur kush.
-
Ori motra,- iu drejtua dy vajzave të pikasura nga krimineli, sa ta marrë pakëz
veten dhe sa të dalë hëna, ne do ta shpërthejmë rrethimin. Për të gjallë nuk
bie në dorën e këtyre fëlliqnakëve karpatianë. Fatjonin, ashtu e pagëzuan të
porsalindurin, po ua lë këtu, se nuk i dihet punës sonë. Sido që të jetë, më
mirë vdekje se poshtërim!
Edhe
ato të dyja u pajtuan me mendimin e saj, më mirë të vrara se sa të turpëruara!
Të
tjerët, detyrimisht, i lanë në gojë të ujkut e me lot në sy dhe bashkë me hënën
pesëmbëdhjetëshe morën drejt lartësive…
***
Mjekërziu
dinak ishte tërbuar fare. Me sy të skuqur nga alkooli e epshndezur po vërtitej
poshtë e lart, pa zënë vend askund. Të gjithë i kishte përzënë përjashta. Dhoma
i dukej e vockël nga sekëlldia. I kishin hipur xhindet në kokë. Edhe tiktaket e
orës së vet, që më parë kurrë nuk i kishte dëgjuar, po e trazonin keq, i bëhej
se korba të zinj po ia çukisnin rradakën e rënduar gur mulliri. Vartësit e tij
ia dinin huqet dhe cenet prej maniaku, andaj i qëndronin larg e më larg. Kur
xhindosej kështu satanai, mund të bënte edhe marrëzira, siç kishte bërë në
Banjallukë, kur i kishte vrarë disa nga ushtarët e vet…
Sakaq
doli në oborr, se po i zihej fryma. Hodhi sytë rreth e rrotull. Andej poshtë,
tek përroi, binte terri, andej larg, nga kodrat kësulëbardha, fshihej
dielli...Ato që i priste nuk dukeshin gjëkundi…
-
Me gllenka shlivovice të vluar dy herë do t’i ha të tërat, pak e ngapak, me
shije e me lezet- zgërdhihej e vinte duke u nxehur vazhdimisht. Po, po, ashtu
siç pata vepruar me boshnjaket e buta. Ore, jam në vete apo kam rrjedhur?!
Hajde kokëgdhe, hajde! Këtu është pakëz më ndryshe- zu të ftohej. Dikund kam
lexuar apo më ka thënë dikush, këto malësore janë më të egra se edhe vetë
drenushat që rrojnë në këto male.
Më
të egra po, por më të shijshme e më të lezetshne,- i jepte prapë zemër vetes, edhe pse krimbi
i dyshimit e brente papra. Thëllenza,
thëllenza mali, aso që gëlltitën me gjithë eshtra! Atëherë pse po vonohen se,
mos u solla keq, që në fillim, unë budallai?! Sa munda u përmbajta. Për të mirë
i thirra, për të marrë gjësende. Asgjë më shumë.
Ah,
ç’tuaf që jam! Trutharë fare! Edhe ato janë lanete, që në të parë, më kanë
zbuluar ç’shpirtzi që jam. Mos po ma hedhin?! Nuk e besoj. Tekefundit edhe nuk
kanë mundësi, në grusht i kemi. Rojat
kam vënë kudo, në çdo shteg e ço rrugë. Ku ta dish mendjen e tyre. Janë
shumë të çuditshme, bëjnë edhe të pabesueshmën. Nderin e kanë të shenjtë. Atë e
çmojnë mbi të gjitha, edhe më shumë se jetën…
Kur
ishim në shkollë të mesme, profesori plak i historisë na shpjegonte për raste
të tilla, kur vashat e tyre më parë kishin përqafuar vdekjen se sa turpin. Mos
të harroj, edhe gjyshi im ma përsëriste një shembull që e kishte parë vetë,
rastin e Ajetës nga Mavriqi, e cila nuk kishte pranuar të binte në dorë të
Novicës…
Ah,
sa i marrë që jam, i kujtoj veç të këqijat! Lëri ore, lëri këto përralla. Unë
do t’ia dal. Patjetër do t’ia dal,- ia bëri vetes dhe e zbrazi me fund pagurën
me thurinë druri…
Deri
vonë e mbanin shpresat. Dikur i dolën veshet e gomarit. Sakaq e humbi durimin.
Të zhdirgjej vetë, përtonte. Qebesa edhe këmbët po e tradhtonin…
-Për
pesëmbëdhjetë minuta i dua këtu, o ato bukuroshet, o kokat tuaja!- iu kërcënua
zuzarëve me TT-në ruse në dorë, duke e shkrehur një karikator në tavanin me
dërrasa të vjetra plepi e tërë blozë.
Ata,
e përshëndetën me përkulje deri në tokë dhe sa çel e mbyll sytë nxituan si
vetëtima. Sa arritën atje, ngelën pa frymë. Olele! Nuk po u besonin syve të
vet. U çmenden fare. Vajzat dhe nusja kishin tretur dikah. Vallë, i përbiu
terri i zi?! Rrotulluan të gjitha plaçkat, por kot. Kishin ngelur vetëm gratë,
fëmijët, plakat dhe plaku thatuk. U drejtuan shumë pyetje kërënuese, por kot,
si t’u drejtoheshin trungjeve të prera e të kalbura qëmoti! Askush çele guri
gojën. Veç një bebe, e lidhur me shpërgënj, përpëlitej në prehërin e një plake kurrizdalë.
-Farë
e dreqit, edhe në beteja lindin e shtohen!- shfreu rreshteri i gjatë e hafif,
pa ditur ç’të bënte në ato çaste mallkuese. Edhe po t’i vriste të gjithë, zemra
nuk i ngopej, por edhe nuk kishte urdhër nga i madhi. Të kthehej duarthatë, si
të kthehej, kur e dinte çka e priste?!
-Tutkuna!
Qelbanikë! Qurravecë! Zemërlepuj! Bytheca! Të gjithëve do t’ua këpus kokat
si dërkucave, të gjithëve!- zu të
bërtiste si i çmendur komandanti, kur ia kumtuan lajmin. Shpejt m’i sillni këtu që me dorën time t’ua
marrë shpirtin për gazep, ndoshta më
shfryhet ky duf që m’u ka mbledhur në zemër. Të gjithë, të gjithë, veç atë beben, që me zërin pipë po ma ha mëlçinë,
jo. Me të dua të veproj ndryshe. Atë dua ta shkoj në singi, t’ia pi gjakun e njomë
në kupë vere, ta shuaj para sa ta shohë botën me sy! Hë, ç’prisni more derra.
Shpejt në veprim!- klithi me sa zë që kishte…
Sakaq
krisma të shumta flakëruan në malet
përreth.
Djajve
iu ngriu gjaku në damarë…
Pengjet
u çliruan nga ankthi i vdekjes.
Vaji
i të porsalindurit i mbante ison melodisë së bukur të grykëhollave çlirimtare.
Rrezet
e diellit u derdhen si fije argjendi mbi kreshtat e malit Qyqavicë...