Vërtetësi
Agron Tufa: Nasho Jorgaqi nga spiuni ''Dragoi'' në agjent rekrutues e ndërlidhës!
E enjte, 01.10.2020, 08:07 PM
NASHO JORGAQI NGA SPIUNI-INFORMATOR “DRAGOI”, NË AGJENT REKRUTUES E NDËRLIDHËS, REZIDEND KYÇ I REGJIMIT
SIGURIMI I HEQ
SHPENZIMET E DASMËS ME NJË PAJË PREJ 30 MIJË LEKËSH
Nga
Agron Tufa
Nasho
Jorgaqi u rekrutua më 10.1.1955 nga kapiten Hajredin Hoxha. për 5 vjet ai
shërbeu si polici intelektual i inteligjencies së kryeqytetit, si pjesë e punës
së seksionit të tretë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë. Spiunimet e
para të “Dragoit” ishin kundër Kadrie Kadare, Robert Shvarc, etj, në Institutin
Pedagogjik 2 vjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë. Qëllimi ishte kontrolli i
studentëve dhe rretheve letrare që shfaqnin pikëpamje “dekadente, reaksionare e
pesimiste”.
Nga
punëtori operativ Caci Papajani (ish pastiçier mesatar) Nashua u drejtua në
ndërmarrjen e botimeve, ku punonte si korrektor letrar, por kalonte edhe nga
Instituti i Shkencave. Pastiçeri vërente si ai i kuptonte shpejt gjërat pasi
kishte “shkollë të madhe”. Në qyrkun e Nashos kaloi edhe Skënder Luarasi. Nuk e
dimë a do dalë kjo gjë në konferencën që do të organizojë Autoriteti i Dosjeve
(AIDSSH) për disa figura të majta, ndër të cilët shihet edhe emri i të
përmendurit.
Operativi
Leonidha Petrani ishte shumë i kënaqur nga Nashua. Për këtë arsye, me rastin e
martesës, në tetor 1960, Nashos i dhanë 3000 lekë shpërblim. Kjo shumë ishte
një pajë e vogël me të cilën e daroviti Sigurimi martesën e Nasho Jorgaqit.
Në
vitin 1960 kaloi për llogari të Degës së 12-të të Drejtorisë së Sigurimit të
Shtetit, e cila mbulonte legatat e huaja në Tiranë. Së bashku me agjenten
“Artistja” (quhej Margarita), Nashua punoi në drejtimin francez. Me Margaritën
si grua e divorcuar tragjikisht (ish bashkëshorti në burg, më pas do të
pushkatohet), ai formonte një dyshe të bukur agjenturore. Leonard Tomoso (të
cilit i vunë nofkën “Gjyzlykja” sepse ishte me syza), donte të mësonte shqip,
ndërsa Sigurimi e vlerësonte si “zbulues imperialist”. Operativi Petrani
vërente me kënaqësi se “Dragoi” i tij ishte besnik i lidhur ngushtë me partinë
e pushtetin, si ishte inteligjent, i sjellshëm dhe serioz. Për këto arsye, më
13.10.1961 nga informator ai u ngrit në agjent. U drejtua te objektet
“Shigjeta” dhe “Ligjërata”. Mirëpo, në vitin 1966, Nashua u dalldis pas një
historie me në qendër ish marinarin Spiro Kote, i cili u bë strumbullari i
filmit propagandistik “Dueli i heshtur”. Filloi të merret me shkrimin e kësaj
ngjarje, duke i dhënë një drejtim ashtu siç e donte partia. Por duke humbur
kohën sa në një repart e në një tjetër. Duke mos pasur objekt, në vitin 1967,
pas 13 vjetësh kontribut, Nashua u largua nga rrjeti sekret. Por nevoja për
Nashon ishte e madhe. Rikthehet në armën e dashur të Sigurimit në vitin 1973,
duke u aktivizuar në drejtimin e të ardhurve. Sidomos shkrimtarët nga Kosova
ishin gjahu i parë e më i urrejtshëm i Nashos.
Në
vitin 1978 u kthye rekrutues e ndërlidhës, pra praktikisht një lloj rezidenti
shumë i rëndësishëm për regjimin. Njëri ndër ta ishin edhe “Tribuna” dhe
“Historiani” që Nashua e mbante në lidhje. Në disa çështje nuk kishte pasur
sukses. Aktiviteti i “Dragoit” mbyllet në vitin 1991.
Nga
sa thamë përmbledhtas, bie poshtë ideja që enveristët e tipit Spartak Braho e
shumë të tjerë të ngjashëm e kanë hedhur vazhdimisht, që partia dhe sigurimi i
zgjidhnin bashkëpunëtorët vetëm në klasën e të persekutuarve. Mos lejoni t’ua
indiktojnë një ide të tillë: vetë rasti i Nasho Jorgaqit (“Dragoi”) e rrëzon
këtë shpifje. Të mos flasim se sa “dragonj” të partishëm kanë qenë spiuna të
sigurimit.
Para
ca ditësh, në një intervistë të fryrë tek gazeta “Nata”, Nashua qahej, se gjatë
shkrimit të romanit “Mërgata e qyqeve”, ishte, sipas tij, krejtësisht i paditur
nga puna e agjenturave. Çfarë hipokrizie! Dhe kush? Një agjent i regjur si
“Dragoi”.