Kulturë
Shaip Grabovci: Një libër i vonuar njëzet vjet
E merkure, 30.09.2020, 05:51 PM
Një libër i vonuar njëzet vjet
Nexhat
Halimi botimi i dytë i “Mollës së fshehur”
Nga
Shaip Grabovci
Shtëpia
Botuese “Fad” e Prishtinës para ndonjë dite ribotoi librin e parë me krijime
për fëmijë “Molla e fshehur” të Nexhat Halimit. Ky libër është kompozuar nga
krijimet e para të autorit në poezi, të
botuara në vitet e largëta 1963, 1964 e 1967 në gazetat “Rilindja për fëmijë”,
“Pionieri”,“Shëndeti”, “Flaka e vëllazërimit” etj. Libri do të dorëzohet në
Shtëpinë Botuese “Rilindja”, për botim
më 1968.
Redaktori
i shtëpisë botuese “Rilindja” atëherë Mehmet Gjevori e vlerësoi mirë librin dhe
shkroi për të një recension pa asnjë vërejtje, ndërsa recensenti Rrahman Dedaj e vlerëson prurje të re që
sjell risi në letërsinë për fëmijë, duke u përqendruar sidomos te poezitë për
muajt e vitit. Recensenti i dytë qe
Rexhep Hoxha dhe ai e refuzoi librin me disa porosi për autorin se si duhet të
shkruajë. Kjo ndikoi te redaksia që libri të mos botohej. Njëzet vjet më vonë
dorëshkrimi dorëzohet për botim te e njëjta shtëpi botuese, atëherë te
redaktori Rifat Kukaj, i cili përveç vlerësimit të mirë të poezisë vuri kusht
që libri do të botohej vetëm nëse hiqet poema për Skënderbeun. Natyrisht, libri botohet pa atë vjershë, ose nuk do të botohej fare.
Libri
“Molla e fshehur” u botua dhe u vlerësua mjaft mirë nga shumë autorë të
dalluar, siç janë Ramadan Musliu, Veli Veliu, Hajro Ulqinaku, Rizah Grajçefci,
Rrustem Berisha, Ragip Syla, etj. Madje, H. Ulqinaku e radhit librin mes tre
librash më të suksesshëm në poezi te
ne, “Gjithkush mund të shkruajë për
fëmijë,- thekson ai, - por të shkruajë bukur poezi, prozë nuk është aspak
lehtë. Këtë mund ta bëjnë vetëm të
rrallët, vetëm poetë të rrallë. Në
letërsinë tonë për fëmijë veprat më të mira i shkruan Adem Gajtani “Lule më lule”, Shkup 1972,
Vehbi Kikaj “Shtëpia ime ka sy”, Prishtinë 1972, Nexhat Halimi “Molla e fshehur”,
Prishtinë 1989. Kjo vepër e shkruar
gjatë viteve të `60-ta dhe e dorëzuar për botim më 1969, do të botohet njëzet vjet më vonë, për shkak të dorës së
censurës, e cila bënte përpjekje t`i
ndalte rrjedhat më të suksesshme në krijimtarinë letrare shqiptare. Ramadan Musliu, duke analizuar librin ”Molla
e fshehur” potencon se “Te Nexhat
Halimi, si rrallë te ndonjë poet tjetër, mbase vetëm te Adem Gajtani, ndeshim
një lirizëm të semantizuar... Pjesa më e madhe dhe më e suksesshme e poezisë
janë të këtij tipi, disa prej të cilave edhe mund të sistemohen si ekzemplarë
antologjik…” , ndërsa Rrustem Berisha nënvizon se “ Nexhat Halimi është krijues
me stil të veçantë dhe krejt origjinal për çka vepra e tij do analizë
serioze. Këto vepra i shquajnë karakteristikat e tyre specifike: zgjedhja e
tematikës, format e reja shprehëse, zgjedhja dhe krijimi i figurave stilistike,
tërë leksiku poetik i freskuar me fjalë e krijime të reja ...Sintaksa e gjuhës
së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi
tjetër”.
Botimi
i librit “Molla e fshehur” i Nexhat Halimit priti njëzet vjet, që ta përjetojë
lexuesi dhe ta radhis ndër librat e suksesshëm te ne, ndërsa kritika dhe ata që
e duan poezinë kaq më vonë ta thonë fjalën e tyre.
Pse
kjo vonesë?
Përgjigje
nuk ka.
Ja,
tashmë e kemi përpara botimin e dytë, të plotësuar dhe të redaktuar. Ndoshta
autori ia ka dalë të rizgjojë mozaikun e vet të hershëm me ndonjë prekje që nuk
e ka lënduar librin, ngase shumë herë dora e dytë e autorit mbi librin e vet e
ka dëmtuar poezinë.
…Po,megjithatë
duhet nënvizuar se libri vetëm mund të vonohet, kurrë të dëmtohet më shumë.
Prapë gjendet rruga të arrijë te lexuesi, siç arriti “Molla e fshehur” dhe
natyrisht u pëlqye pas dy dekadash e kjo vonesë e fillimit e librit me vargje
aq te bukura, vetëm shërben si një dëshmi për gjeneratat e reja, se në një kohë ka qenë e rëndë të flasësh
lirisht, ka qenë e vështirë të jesh
poet!
Tashmë
libri është ribotuar dhe mund të vazhdojë jetën me ata dhe për ata për të cilën
është shkruar me sakrificë dhe dashuri të paepur.