Kulturë
Albert Zholi: Këngë me Superpozim dhe pa tekst
E hene, 07.09.2020, 10:00 AM
Këngë me Superpozim dhe pa tekst
Poetët
lihen në hije si jabanxhinj, si njerëz që janë në radhë për të prerë biletë dhe
jo që janë zjarri i suksesit
Nga
Albert Z. ZHOLI
Sipas trumbetimeve të vetë këngëtarëve duket se
kënga shqiptare po kap majat por në fakt muzika shqiptare është në krizë.
Fillimet e demokracisë sollën një vërshim të paparë këngëtarësh ku s’u dihej
fillimi dhe sot s’ka se si të dihet fundi. Filluan lloj lloj rrymash të
panjohura muzike (këngësh) që më parë nuk ekzistonin (dhe shumë mirë që dolën
në dritë), por u shtuan në progresion gjeometrik numri i këngëtarëve anonim!
Perfeksionimi i metodave të orkestrimit dhe përmirësimit të zërit në
regjistrim, bënë që edhe gjithkush që kishte një dorë lek, dhe pak zë që të
dëgjohej deri tek shkallët e pallatit të merrte në dorë mikrofonin dhe të
drejtohej në shtëpitë diskografike duke dhënë urdhër: Dua të bëj një Album
(klip). Tregu u mbush me kaseta, disqe apo dhe videoklipe nga më të paparat dhe
më të padëgjuarat saqë për një dhjetëvjeçar Shqipëria u rendit ndër vendet e
para në Europë për numrin e këngëtarëve por edhe të disqeve në treg. Edhe
dëgjuesi, njeriu, klienti i dëshiruar pas muzikës së mirëfilltë shqiptare e
humbi orientimin në këtë zallamahi të panumërt këngëtarësh dhe disqesh sa dukej
se ishe në tregun amerikan të muzikës dhe jo në Shqipërinë me banorë sa një
lagje e Neu York-ut. Për mëse një dekadë këngët me muzikë shqiptare u strukën
nga “frika” e tallavasë, apo muzikës së huaj të adoptuar me tekste shqip.
Dëgjoje dhe dëgjon këngë me muzikë greke, rumune, italiane, por me tekste
shqip! Por mbingopja e tregut, lufta e heshtur mes shtëpive diskografike për
mbisundim duke luajtur në kurriz të muzikës shqiptare duket se tejkaloi
parashikimet e tyre por sidomos të dëgjuesit, pasi më nuk mund të luhej me
kartën e viteve të para të demokracisë, ku etja për çdo gjë të huaj kishte
pushtuar çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Koha bëri të vetën. Muzika
shqiptare duhej të kthehej në shtëpinë e saj. Dhe vërtet pesë vitet e fundit në
shumë lokale, dasma, evente muzikore, koncerte etj…dëgjohet muzikë shqiptare
dhe vetëm shqiptare. Veshët na u rehatuan, muzika jonë popullore sikur u kthye
nga mërgimi, kthesa në muzikë në emër të muzikës autoktone mori vendin që i
takon…
Superpozim, apo “playback”. ..
Një fenomen po aq i shëmtuar sa dhe plagjiatura e
huaj, një fenomen që po humb ndjesinë, kontaktin e drejtpërdrejt, seriozitetin,
konkurrencën e drejtpërdrejtë, që s’dallon profesionistin nga amatorin, që të
lë pa mend nga gafat në skenë apo në emisione…Pra lindën fenomene të tjera si:
superpozim, apo “playback”. Në “Kënga Magjike” apo në “TopFest”, për ca kohë
mbizotëruan këto lloj instrumenta të regjistrimit apo të paraqitjes së këngës,
ku këngëtari në skenë ngjan më shumë si një “Klloun cirku” se sa si një
këngëtar. Kjo mënyrë konkurrimi në spektakle të tilla ka humbur vërtetësinë e
zërit, ka humbur zërin e drejtpërdrejt, ka humbur komunikimin real me publikun,
ka humbur ndjesinë e vërtetë që të jep kënga, emocionin me ngjyrën e ëmbël të
muzikës shqiptare. Pra kur dëgjon apo merr pjesë në evente të tilla ku këndohet
me superpozim, apo “playback” është njëlloj sikur të marrësh në treg djathin me
qumësht pluhur të servirur për djathë safi Gjirokastre, apo domaten e serave
për domate të fushës. Këtu krahasimet mund të bëhen pafund. Pra këto lloj
aktivitetesh të rëndësishme të muzikës shqiptare, përveçse përcjellin një
komercionalizëm absolut, kurrsesi s’mund të thuash se sjellin një risi në
këngën apo muzikën shqiptare.
Një falsitet, i stisur, jo origjinal, jo organik
si OMGJ …
E vërteta është, se në disa manifeste (e theksoj
disa) të muzikës sonë të bukur nuk ka ende një këngëtar të skenës shqiptare (që
merr pjesë), i/e cili/cila nuk ka pasur rastin të këndoj me superpozim dhe të
mos përcjell tek dëgjuesi të kundërtën e asaj çka përmban kënga, teksti, muzika
në tërësi si magji e qetësimit shpirtëror. Shikon skena gjigante fosforeshente,
me drita verbuese, me hapësira boshe, por vetëm orkestër nuk shikon. Pra çdo
gjë duket një falsitet, e stisur, jo origjinale, jo organike si OMGJ. Shikon
këngëtar/e që i vijnë rrotull skenës, bëjnë lëvizje akrobatike që do t’ja
kishte zilinë çdo akrobat profesionist, kërcejnë si valltarë kualitativ,
harxhojnë shumë energji, por një gjë nuk bëjnë: Nuk këndojnë. Nuk nxjerrin zë,
atë zë për të cilin shkojnë në skenë. Më shumë duken në skenë si valltar,
akrobat, pjesëmarrës në sfilat, si dancist, si top model/e, por kurrsesi si
këngëtar. Zëri i drejtpërdrejtë është ai që të mbush, të emocionon, të ngjeth
mishtë, të motivon, të sjell pranë skenës duke lënë çdo punë. Pa këtë zë real,
të drejtpërdrejtë jetësor, plot nuanca që del nga thellësia e shpirtit, pa
improvizim, pa falsitete ka nevojë dëgjuesi i sotëm i këngës së bukur
shqiptare. Pra superpozimi e ka kthyer këngën nga një magji në një gënjeshtër.
E ka kthyer në një arenë që mund të futet kushdo dhe të konkurrojë. Kënga
shqiptare nuk e meriton një çmim të tillë. Kënga është poezi, është histori,
është qetësi shpirtërore, është energji për të parë më së miri të vërtetën. Me
këto lloj aktivitetesh ajo po shterpëzon dhe humb elegancën e të qenit
vetvetja.
Autorët e teksteve thuajse nuk përmenden fare …
Dhe ajo që i çon më tej falsitetet e
superpozimit, apo “playback-ut” është dhe teksti i këngëve. Është bërë e modës
që në evente të tilla të gjitha meritat i marrin këngëtarët. Ata paraqiten edhe
si kompozitor dhe si autor tekstesh. Në një këngë, ai që vendoset e/ i fundit
është këngëtari, por ai merr 90 përqind të suksesit. Në gjithë vitet e
demokracisë duhet thënë me keqardhje se autorët e teksteve thuajse nuk
përmenden fare. Ata lihen në hije si jabanxhinj, si njerëz që janë në radhë për
të prerë biletë dhe jo që janë zjarri i suksesit. Kur lind një këngë dy janë
bashkëshortët, kompozitori dhe autori i tekstit. Këngëtari/ ja është fëmija.
Ata të dy e lindin këngëtarin, ata e zgjedhin dhe i dhurojnë krijesën. Në
biseda me autor tekstesh si Jorgo Papingji, Arben Duka, Lefter Cipa, Zhuliana
Jorganxhi, etj, mëson se ai që hedh shinat e një kënge mund të jetë kompozitori
sikundër mund të jetë dhe poeti. Pra kur një poet krijon një poezi të bukur
kërkon një kompozitor për bashkëpunim ose e kundërta. Kur ngjizet brenda tyre
dhe merr formën e plotë kënga ftohet këngëtari. Në këngët e sotme shihen tekste
pa lidhje. Tekste pa figura letrare, pa mesazh. Teksti i një kënge është poezi.
Dhe poezia është krijimtari e mirëfilltë letrare ku fjala ngrihet në art.
Poezia bëhet nga poet dhe jo nga kushdo që ka qejf të bëj bejte apo vjersha
vetëm që të kërcas “Bam” , “Bom”. Shumica e teksteve në këngët e këtyre
eventeve janë thirrje, mbledhje fjalish, mbledhje apo shumëzim i disa vargjeve
të këngëve të ndryshme të mëparshme (edhe nga vetë këngëtarë) , amalgamë
fjalësh fjalish pa lidhje, ku vetëm letërsi nuk ka. Poezi ka brenda tri
elementë si gjini letrare: Anën artistike, anën estetike dhe mesazhore
(mesazhin), Në shumicën e këtyre teksteve nga autor anonim kurrë nuk mund të
gjesh më shumë se dy elementë të domosdoshëm të krijimtarisë së mirëfilltë
letrare. Tekstet e këngëve nuk të ngjallin emocion. Ato vetëm poezi nuk kanë
përbrenda.