| E diele, 23.08.2020, 03:52 PM |
Ecejake pandemike
MUZG DHE NATË SHIU,
ZDRITUR PREJ VETËTIMASH
Nga
Blerim Rrecaj
Është
muzg dhe dal në ballkonin e banesës sonë. Doja të dilja për të ecur pas një
ftese që mora, por e lamë këtë punë, këtë herë, jo për arsye të këtij shiu që
filloi. Marr me vete dhe një tavolinë të vogël rrumbullake, ngjyrëkaftë e
këmbëzezë këmbëkryqëzuar që palohet, për arsye më të lehtë përdorimi, dhe marr
kafenë që vloi mbi pllakë shporeti. Nga ballkoni xhammbuluar tejdukshmërisht,
njërën nga dritaret e tij hap, si për ta kujtuar Lorkën dhe fëmijën që ha
portokaj, shohim këtë lum automjetesh por edhe ata dy vetë duke ecur nëpër
trotuar. Semaforët ndërrojnë ngjyrë si për t'u dhënë leje vetëtimave që ndrisin
qiellin e ndonjëherë shoqëruar me ndonjë vijë të përdredhur rrufeje. Derisa
vetëtimat i "kapim" me aparatin telefonik, rrufetë dy-tri sosh,
vertikale që prekin tokën, dhe ndonjë horizontale që rri si farë litari
akrobatësh në qiell, i zë vetëm blici i syve.
Kështu
ndodhi edhe parmbrëmë, natën, nën hijen e një arre të madhe, te lokali
"Shpija e vjetër" jo në kryeqendër, po në kryeqendërz po të emërtuar
joshqip në gjuhën më të popullarizuar të globit, sot. Kur shiu paksa pat
pushuar, u çuam edhe ne duke lënë njëren nga ato dy macet, duke u ngjitur
trungut e degëve të lagura të arrës. Pasi po shijoj tash kafenë
"ballkonike", marr dhe "krojshen" me manaferra që erdhën si
dhuratë nga fshati, që duken si diamante të zinj shkëlqyes.
Vështrimi
i vetëtimave e rrufeve më nuk t'i sjellin ato ndjenja me ankth, makth e frikë
mbështjellur me mister si dikur në fëmijëri, ku familjarët lexonin ndonjë lajm
nga gazeta për vdekjen e ndonjë bariu, a lënien në vend të deleve, a bagëtive
të tij. Kjo na kujton dhe tregimin e Ernest Koliqit: "Hanë gjaku",
kur gjatë një ecjeje, natën vonë, kur e dashura e detyron të dashurin të tregoj
për trishtimin që e kaplon pasi e sheh hanën e verdhë me do danga të kuqe. Ai i
tregon se gjërat që po sheh tash, po i sheh më me ftohtësi dhe jo më me atë
gjallërinë si i shihte në fëmijëri.
Ankesat
tona, mbase jo vetëm në kërkim të kohës së shkuar, por të zbehtësisë së
ndjenjave, të mpirjes, të ftohjes së tyre, sikur s'kanë të mbaruar.
Sikur
jemi në kërkim të rilindjes së tyre. "Ma pak kemi pas, e ma shumë jemi
knaq", themi unë, ti, ai, ajo..., si të zhytur në do vorbulla vetijakizmi
si për të na sjellur ndarjen në copa të ndonjë ftoi të ruajtur për ditë më të
ftohta të gjysheve tona. E tash? Nëpër labirinthin kompleks të një kësaj kohe,
që u mboll shumë dëshpërim dhe drojës që do korrim fryte rrënimesh me pasoja
afatgjata. Por pa humbur shpresën se mundi i vepërmirëve s'do të shkojë kot, e
do arrijmë rrugën e ndiçimit për ta mundur errësirën.
Paksa
jemi kapluar nga malli e melankolia. Dhe të tillë mund të na gjej dita tjetër.
E cila vjen. Dhe endet si ky trumcak që rri në luhajën e zbrazët i këtij këndi
lojërash. Ose që tash rri në cepin e drurit të cilin e mbajnë rrathët metalik,
ku tash në këto çaste mungojnë fëmijët, të cilët do shkonin lart e poshtë.
Bilbili duket se flet me trëndafilin që ka pranë. Dielli nëpër re zhytet,
kryshytet e del e rrezitet duke na ngrohur edhe ne. Një erë e lehtë freskuese
shpupurisë jo vetëm fijet e barit. Dielli djeg. Shtrirë në bar nën ulësen e
drunjtë rri e përmbledhur çadra ngjyrëzezë... Helikopteri lart s'ndalet për ta
dëgjuar teshtimën që jehon, e kushedi se kah po shkon...Largohemi sikurse ai,
me ca mendime që na vërtiten kokës.
Në
fillimet e saj s'besuam aq në covid 19, ose na u duk se do të kaloi si gripi i
shpezëve, i kafshëve, e ai, i derrit, më vonë menduam se ia hodhëm, e tash
sikur kemi hyrë në një valle paparashikueshmërie. Ateroi nata e re, pa vetëtima
e pa shkarkime rrufeshë. Vazhdojnë ecejaket pandemike. E në pamundësi për një
arsye ose tjetër, me anë të telefonit, dikush bëhet pjesëmarrës 'online' i një
dasme...