| E diele, 23.08.2020, 05:47 PM |
Viti arsimor po afron, a duhet të mendojmë edhe për standardet pedagogjike?
Nga
Entela Binjaku
Kur
kanë mbetur edhe 10 ditë që të nisë shtatori, i njohur për breza të tërë si
muaji i shkollës pikëpyetjet e qytetarëve shqiptarë lidhur me vitin e ri
arsimor janë të shumta. E vetmja siguri që kanë në këto çaste është që shkolla
do të nisë në 14 shtator, siç edhe ishte njoftuar 3 muaj më parë. Në vend të
pritmënive të larta dhe entuziazmit të një shoqërie që arsimon dhe edukon më të
vegjlit dhe të rinjtë e saj, këtë vit ka
mjaft pasiguri që lidhen me sigurinë vetë.
Në këtë vorbull ndodhen prindërit të cilët shqetësohen për shëndetin e
fëmijëve dhe të familjarëve së tyre. Edhe pse shqetësimi për shëndetin vjen i
pari, ka ndër ta që shprehin shqetësim për mënyrën si u mbyll viti i kaluar
arsimor. Ka prindër që shprehen se
ndoshta do të ishte mirë që viti i kaluar arsimor të përsëritej, pasi fëmijët
nuk kanë bërë fare mësim, ose të tjerë që shqetësohen si do të vijojnë këtë vit
kur në të mëparshmin nuk kanë mësuar asgjë.
Të pasigurtë janë prindërit që kanë një fëmijë që pritet të nisë klasën
e parë. Edhe pse ka prej tyre që i kanë rregjistruar në shkolla, të frikësuar
shprehen se mbase nuk i dërgojnë fare në shkollë këtë vit.
Pasditen
e 17 gushtit përmes një video-mesazhi shpërndarë në platformën virtuale të
Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, titullarja u shpreh për fillimin e vitit të ri shkollor duke
nënvizuar se “vendimi mbi skenarin e tij do të merret nga Task-Forca për
Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë….Në këtë mesazh ajo u shpreh se
“shteti shqiptar do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit
të vitit të ri shkollor”.
Pa
kaluar ende 24 orë nga ky njoftim, institucioni rikujtoi opinionin se shkolla
do të nisë më 14 shtator siç edhe ishte njoftuar 3 muaj më parë. Në orët që
pasuan bëri të ditur edhe njëherë udhëzuesin e tre muajve më parë të Ministrisë
së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Shoqërore për masat që duhet të ndërmarrin
institucionet arsimore ndaj COVID-19.
Por
vendimi lidhur me çeljen e shkollave arsimor ka qenë në qendër të vëmendjes së
mjaft shteteve sikundër edhe të OBSH-së. Në një dalje për mediat të enjten e
datës 21 gusht Hans Kluge, Drejtori për Evropën i OBSH-së nga Kopenhaga u
shpreh se: “virusi mund të kihet nën kujdes dhe sugjeroi të ruhen aktive si
ekonomia po ashtu edhe sistemi arsimor. Është e rëndësishme të rihapen shkollat
siç po hapen edhe shoqëritë” nënvizoi Kluge duke shprehur shqetësimin lidhur me
pasojat e mbylljes së shkollave sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta.
Por
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka detyrimin të gjejë ato lloj
zgjidhjesh që jo vetëm japin siguri, por që nuk prekin as formimin kulturor dhe
as atë moral dhe profesional të nxënësve (dhe studentëve) shqiptarë.
Duke
mbetur tek parauniversitari gjatë vitit të kaluar nxënësit patën një shkëputje
disa mujore nga shkolla. Shto këtu edhe
periudhën e verës, shkëputja nga ai kontekst institucional ku kryhet arsimimi
dhe edukimi i një shoqërie të tërë, zgjati gati gjashtë muaj. Për thuajse
gjashtë nga muajt e vitit u ndërprenë ato
procese që kryhen pikërisht përmes ndërveprimit të drejtëpërdrejtë midis
nxënësve, studentëve, trupës didaktike, prindërve dhe gjithëkujt tjetër që
ndodhet në këtë kontekst shoqëror.
Ndërsa
shqetësohen për sigurinë, frikën,
pasigurinë, mosbesimin ndaj “masave të marra” pakkush nga aktorët e
përfshirë mendon çfarë ka ndodhur me dy fushat më të rëndësishme të aktivitetit
që kryen një shoqëri e caktuar e që ka ndikime të thella në të gjithë sektorët
e tjerë ekonomikë dhe shoqërorë: arsimimin dhe edukimin.
Këto
6 muaj kanë ndikuar tek nxënësit thuajse në të gjitha nivelet: në nivelin
shoqëror përmes shkëputjes nga njëri-tjetri, në nivelin e aftësimit fiziologjik
si rezultat i mbylljes dhe mungesës së aktivitetit fizik po ashtu edhe në
nivelin konjitiv lidhur me mënyrën si u përcollën apo përvetësuan dijet. Përmes
edukimit shkolla është vetmi institucion që jua plotëson nxënësve këto nevoja.
Shoqëria
duhet të mendojë çfarë ka ndodhur me dy
prej objektivave kryesorë të shkollës: me edukimin (pra me formimin e
personalitetit, të karakterit, me zhvillimin e nxënësve si qenie shoqërore dhe
si qytetarë të edukuar) si dhe mbi formimin e njohurive (përcjelljen e
njohurive dhe të informacioneve, formimin e mjeshtërive dhe të aftësive të
duhura).
Në
ciklet e para si atë parashkollor, fillor por edhe të mesëm objektivi kryesor i
shkollës është edukimi. Në kushtet kur shumë nxënënës nga familjet e varfëra
shqiptare, nga familjet e zonave rurale të vendit, ose të familjeve me të
ardhura të pakta që kishin më shumë se një fëmijë në shkollë, nuk kishin as
mjetet dhe as qasjen teknologike të
duhur ky proces do të ketë lënë
gjurmët e veta. E gjithë pamundësia e
familjeve nga njëra anë dhe paaftësia apo mungesa e kualifikimit të mësueve të
sistemit arsimor pasqyrohet e gjitha në vetë zhvillimin e shoqërisë tonë si dhe në integrimin e saj në nivel konkurueshmërie me shoqëritë e
tjera evropiane.
Ndërsa
shqetësohemi për sigurinë dhe frikën nga infektimi, do të duhet të shqetësohemi
për cilësinë e energjisë njerëzore kombëtare që prodhon sistemi ynë arsimor. A
është ajo e nivelit të lartë dhe çfarë konkureshmërie ka në tregun evropian?
Të
gjithë aktorët si nxënësit, prindërit, ashtu edhe trupa didaktike duhet të
kuptojnë se disiplinat shkencore, gjuhët e huaja, gjuha amtare, shkencat
shoqërore duhet të kryhen me rigorozitet sepse ato zhvillojnë mendjen, ndërtojnë një sistem mendimi të vetin, kritik
dhe analitik. Si mësuesit, nxënësit ashtu edhe prindërit duhet të kuptojnë se
duhen përvetësuar mirë fizika, kimia dhe biologjia, matematika si shkenca ku
mbështetet mbarë ekonomia botërore.
Duhen përvetësuar seriozisht dhe nuk duhen ulur apo anashkaluar orët e
shkencave shoqërore sepse kjo do të prekte karakterin kombëtar të burimeve tona
njerëzore. Me një devotshmëri të lartë mësuesit shqiptarë duhet të përcjellin
tek nxënësit njohuritë në lëndët e historisë dhe të gjuhës shqipe. Vetëm duke i
përvetësuar në mënyrë të ndërgjegjësuar rrënjët e historisë dhe veçantinë tonë
gjuhësore, qytetërimin që na bashkon me popujt evropianë, ata do të ndjehen të
lidhur me kombin. Kur kjo nuk kryhet, nxënësit do të ndjehen të shkëputur duke
rrezikuar rrezikojnë stabilitetin e kombit tonë dhe e gjitha kjo do ta vështirësonte edhe më tej edhe vetë anëtarësimin tonë në BE.
Ndaj
bashkë me shqetësimin për sigurinë, do të duhet të shqetësohemi edhe për
deformimet e parimeve të pedagogjisë, edhe për cilësinë e infrastrustrukturës
sonë mendore, që shkolla e kryen përmes edukimit. Kështu do të mund të
prodhonim më shumë shqiptarë të aftë, ose shumë më pak të paaftë.