Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Flamuri
E hene, 17.08.2020, 09:10 AM
Flamuri
Nga
Edison Ypi
Kompania
kundërajrore ishte vendosur ku fusha e aviacionit preket me lagjen Çole të
Vlorës.
Unë
dhe Flamuri nuk bënim stërvitje, nuk mbanim pushkë, kundragaz, helmetë. Punonim
në prapavijë, unë tornitor, Flamuri murator.
Flamuri
fliste pak, rrinte mënjanë në një vetmi krenare dhe kërcënuese, çka Flamurin e
bënte të mistershëm, të largët, të paarritshëm.
Flamuri
ishte skraparlli nga "Tre Avgatë". Gjyshja ime ishte skraparlleshë
nga Veleshnja. Ishte ndoshta kjo arësyeja që i vetmi me të cilin Flamuri
këmbente ndonjë fjalë isha unë.
Mua
fort rrallë më vinin të bëja roje. Nuk kishin besim. Më konsideronin armik. Kisha
një kushuri që stërviste diversanta në Kompaninë 4000 në Kaizerslautern
Gjermani, disa të arratisur, të tjerë nëpër burgje dhe internime.
Flamuri
kishte një xhaxha të pushkatuar. Megjithatë, ndoshta sepse vinte nga një fshat
i thellë dhe nuk e dinin ose nuk i jepnin rëndësi, Flamurin e vinin të bënte
roje, te depot e karburantit, magazinat e municioneve, natën rretherrotull
kapanonit etj. Kur i thoshin Flamurit të bënte roje, Flamuri bëhej keq,
sëkëlldisej, sëmurej. Vinte më thoshte; Nuk jam unë për këto gjëra. Jam
çoban,ruaj bagëtinë, i bie fyellit, dëgjoj këngët e zogjve, gurgullimat e
përrenjve. Më ka mësuar babai të ngre mur, të thur gardh, të bëj suva, tavan.
Armët e mia janë sqepari, mistria. Ja kjo është koburja ime, thoshte Flamuri,
dhe më tregonte sqeparin që e mbante gjithë kohës në brez. Aman o Flamur, i
thosha, aman se do merresh më qafë me këto lakra që ke në kokë. Nuk po të them
të bëhesh stalinist apo maocedunist. Po të them të përmbahesh pak. Nuk bindej
Flamuri. E kishte tmerr kur e vinin të bënte roje mbi Vendkomandë.
Vendkomanda
ishte një ngrehinë e ulët kuadratike gjysëm nën tokë në sheshin para fjetores.
Brenda saj rrinin dy telegrafista që merrnin e jepnin urdhëra. Vendkomanda
mbulohej nga një terracë betoni nja 50 metra katrore. Mbi terracën e
Vendkomandës rrinte natë e ditë një roje me pushkë, helmetë, dylbi. Roja që
ndërrohej çdo tre orë, duhej të vëzhgonte qiellin dhe të lajmëronte kur të
afrohej ndonjë avion armik që nuk u pa kurrë, një çmenduri qesharake e pashoqe.
Ishte
ora nja dhjetë paradite. Na kishin mbledhur tek "Dhoma e Kulturës"
për të bërë atë që e quanin "Ora e edukimit politik". Komandanti i
kompanisë, një babaxhan vlonjat me emrin Nasho rrihte të tërhiqte vëmendjen e
ushtarëve të përgjumur e të uritur për rrezikun ushtarak
imperialisto-revizionist. Fol e fol Nashua, kur nga jashtë erdhi një goditje e
shkurtër, një "gup" e thellë, e mbytur. Pas pak çastesh hyri pa
trokitur njëri nga telegrafistat e Vendkomandës. J'u afrua Nashos i tha diçka
në vesh. Dolën të dy jashtë duke u kujdesur të mbyllnin derën nga pas.
Pas
nja gjysëm ore u muar vesh çfarë kishte ndodhur. Pak minuta para se ta mbaronte
shërbimin e rojës mbi venkomandë, Flamuri kishte mbështetur qytën e pushkës mbi
beton, grykën në zemër, dhe e kishte shkrepur.
Atë
pasdite, ushtarët e kompanisë i morën në spital për të dhënë gjak për Flamurin.
Mua jo. Mua nuk më thirrën. Gjaku im prej armiku nuk u duhej as për Flamurin me
xhaxha të pushkatuar.
Ngjarja
e kobshme mbeti e shurdhët sikur nuk kishte ndodhur kurrë.
Pas
ca ditësh u muar vesh se Flamuri kishte vdekur në vend me kraharor të shqyer.
Pyetja;
Pse morën gjak për një të vdekur ? na shkaktoi një habi të frikëshme që na
mbajti pezull disa muaj.
Një
mjek vlonjat që vinte në atë repart për të bërë Zbor dhe fliste nën zë për
libra dhe kanconeta, na zbuloi misterin e marrjes së gjakut. Gjaku që morëm për
Flamurin që vdiq në vend, tha mjeku, ju desh spitalit për të tjerë
"Flamurë" që do vetgrisen por nuk do vdesin në çast.