E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Shyqyr Zotit

E diele, 16.08.2020, 09:02 AM


Shyqyr Zotit

Nga Edison Ypi

Po duan të na bëjnë edhe një herë pjesë të minareve, çallmës, pazarit, hileve, hamamit, haremit, mullirit të kafes, shiltes, lëngut të shegës. Shyqyr Zotit tellallët e qefit të papërmbajtur për të jetuar të pushtuar edhe disa shekuj të tjerë nën gjysëm hënë po janë ca gomerë të cilëve nuk u beson 'kush.

Të ishte gjallë kurvi të shihte picirin që po heqim për tu futur në Europë do ja shtronte me mish e pilaf e raki nga qefi për efektin e stërgjatur të rrethimit me tela me gjëmba. Shyqyr Zotit kurvi ka ngordhur dhe s’ka asgjë për tu mërzitur.

Sa herë e kemi parë pisk kemi nxjerrë lahutat dhe çifteliat për t’i kënduar Besës, Mikpritjes, kreshnikëve. Shyqyr Zotit tashmë është e qartë se besa dhe mikpritja dhe kreshnikët tanë janë mite që na i kanë përhapur ca udhëtarë të krisur të nja dy a tre shekujve më parë dhe sot s’ka asnjë dyshim se besa, mikpritja, divat që dashurohen me Zana, rrokullisin shkëmbinj, tundin male, vrasin kuçedra me shtatë koka, janë përralla, dhe shqiptarët nuk janë asgjë tjetër përveçse ca tragjikomikë autodestruktivë.

Sa më larg nga Shqipëria aq më trim me sërbin, grekun, rusin, korrupsionin, keqqeverisjen. Diasporën e kemi plot e përplot me të tillë Fan Nola, Faik Konica, Isa Boletina, që vërvisin në ajër penën e tyre si shpatën e Don Kishotit duke dhënë mënt e duke vrarë e prerë armiq imagjinarë. Shqyqyr Zotit që trimat e munguar të sheshit të luftës, kapadainjtë e mixhlizit virtual, kreshnikët e distancës diasporike, e kanë të shkruar në ballë që janë ca llapaqena të cilët askush nuk i merr seriozisht.

Uria për të lexuar gazeta rrenacake dhe parë televizione të kurdisura ka avulluar të vërtetën. Shyqyr Zotit shitja e gazetave ka marrë tatëpjetën e pandalshme dhe televizionet janë kthyer andej nga kanë dalë, të sëmës.

Do ishte mrekulli sikur karikatori i kalashnikovit të mbante nja 10 mijë plumba për ta sharruar me breshëri të gjithë katundin. Shyqyr Zotit kalashnikovi ka vetëm 72 plumba që mezi mjaftojnë për të vrarë vetëm nënën, babain, dy vëllezër, tri motra, pesë nipër, shtatë komshinj.

Reformën në Drejtësi po e bëjnë me ndihmën e Komisionit të Venecias. Shyqyr Zotit nga qyteti i mbytur shqiptarët njohin vetëm Urën e Psherëtimave.

Janë të pakënaqur me numurin e pëlqimeve në Fejsbuk. Shyqyr Zotit, Fejsbuku mundëson pëlqimin e vetes.

Kujtojnë se janë të pavdekshëm. Shyqyr Zotit, Allahu daljen gjallë nga kjo dynja nuk ja mundëson askujt.

Do ta kishin mbjellë hashashin edhe poshtë krevatit. Shyqyr Zotit për kultivimin dhe trafikimin e hashashit ka ca vështirësi klimatike, policore, doganore.

Ndodhemi në Europë ku njeritjetrin vetëm e vjedhin dhe e vrasin. Shyqyr Zotit nuk jemi në Afrikë ku do hanim të gjallë njëritjetrin.

Përdorin të gjitha mënyrat dhe rrenat për tja afruar vdekjen tjetrit. Shqyqyr Zotit në varrimin e tjetrit i shpëton shamia e qurrave me të cilën bëjnë sikur fshijnë lotët.

Kalamajtë nuk shkojnë mirë me mësime. Shyqyr Zotit çfarë nuk ua mëson shkolla ua plotëson kafeneja.

Çupa në emigracion është bërë kurvë. Shyqyr Zotit ekziston rrena; Po bën karrierë.

U janë mërzitur gratë. Shyqyr Zotit ekzistojnë dashuroret.

Tmerr t’i takosh në rrugë. Shqyqyr Zotit rruga ka dy trotuare.

Do ti kishin vjedhur të gjitha. Shyqyr Zotit uji i detit është i kripur, era nuk kapet, shiu nuk mblidhet, malet nuk tunden, yjet nuk arrihen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora