Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Kujtoj Profesorin Trim si zana
E marte, 04.08.2020, 06:44 PM
Nga Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot, në këte 100 vjetor:
Profesorin
Trim si zana...
PROFESOR ARSHI
PIPA
(1920
– 1997)
Në 100 vjetorin e lindjes
së Profesorit...
Profesor Pipa asht le në
Shkoder me 28 Korrik 1920...
“Spastrimi" i gjuhës së armikut
të klasës:
Rasti i Fishtës, Camajt…
Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër
të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar në vitin 1905. Ai mund të
lexojë pjesën e parë të titullit, “Te ura ...”, pa qenë në gjendje për të
vazhduar, pasi ka hasur vështirësi në shkollimin e disa shkronjave. Libërthi
është në vargje e djalit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të
titulluar "Marash Uci".
Pak nga pak, ai
fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e
disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në
Stamboll. Mbërrin te vargjet 51 - 52:
Por shka, Zot,
ka Mashi sot,
Qi na â vrâ e
nuk bân zâ?...
Ai e kupton
rreshtin e parë, por të dytin jo. Atëherë, ai hap fjalorin e ShNjL-së dhe
fillon të kërkojë për â. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i
âsht) ai gjen a-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse).
Mungon gjithashtu edhe vrâ, fjala më e afërt me të është vras. Mos e kanë vrarë
turqit Marashin? - pyet veten djali. Pjesa e mbetur e vargut duket se tregon në
atë drejtim, sepse ndonëse nuk është Gegë, djali i bie lehtësisht në të se nuk
bân zâ është e njëjta me nuk bën zë. Dhe kur dikush nuk nxjerr zë, do të thotë
se ka vdekur. Por ai do për t’u siguruar dhe prapë hap fjalorin e ShNjL-së.
Kërkon për ndonjë idiomë në seksionin frazeologjik të zë.
Nuk gjen asgjë.
Nuk ka fat më të mirë sa kërkimi te seksioni frazeologjik i bëj. Kostallari nuk
e ka futur idiomën, e cila është tipike gege. Në fakt, jo vetëm që idioma nuk
ekziston në toskërisht, por vetë toskizimi i saj do të tingëllonte i çuditshëm.
Libri s’e paska shënuar idiomën.
Duhet të ketë
ndonjë problem këtu, - thotë djali.
Dhe kështu ai e
ndërpret leximin e poemës.
Ditën tjetër ai
vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime. Zhvillohet
biseda e mëposhtme:
- Kam gjetur
dje një libër të hollë, të ngrënë mole, i shkruar nga njëfarë Gjergj Fishta...
- Oh, mos! E
gjete apo ta dha njeri?
- E gjeta kur
po kërkoja për ca fotografi në një raft. Ka emrin e gjyshit tim në kopertinë.
- More vesh gjë
kur e lexoje?
- Ca po e ca
jo. Është fjala për një hero shqiptar, që u vra në betejë me turqit. Ky
shkrimtar ishte vërtet shqiptar? Përdor ca fjalë shumë të çuditshme.
- Shkrimtari ka
qenë prift.
- E po, ja
përse nuk i merrja vesh shumë fjalë.
Priftërinjtë
duhet të kenë pasur një gjuhë të ndryshme, një lloj zhargoni, ndoshta një kod
sekret. Se ku kam lexuar, që ata, ditë e natë, rrinin duke komplotuar kundër
Partisë.
Kjo është
arsyeja, biri im, përse udhëheqësit tanë mendjendritur i kanë dënuar shkrimet e
tyre.
- E drejtë. Ato
nuk shkruheshin për popullin, por për priftërinjtë dhe pasuesit e tyre. Atë
libër do ta fus në stufë.
- Më mirë ma
jep mua. E rregulloj unë.
Pa dyshim,
lexuesi duhet ta ketë marrë vesh se Fishta është me gjithë zemër i neverituri i
stalinizmit shqiptar. Mund të pyetet me të drejtë se pse? Fishta konsiderohet
"armik i popullit", para së gjithash, pse kryevepra e tij poetike,
“Lahuta e Malcís”, është idhtësisht antijugosllave. Veçanërisht për këtë arsye,
ai u nxor jashtë prej letërsisë shqiptare, si dhe prej shkollave shqipe që me
ardhjen e pushtetit stalinist. Ishin ditët kur PKSH, faktikisht, ishte shtojcë
e PKJ-së, më saktë e degës serbe të saj. Ishte koha kur nëpër rrugë brohoritej
"Enver-Tito" e ky çift emrash shkruhej me të mëdha nëpër mure e
banderola. Nënshtrimi i PKSH-së ndaj Partisë Komuniste Serbe ishte i tillë saqë
shtypi shqiptar kopjonte mënyrën serbe të të shkruarit të emrave të huaj
gjeografikë e të përveçëm. Ai i shtypte, jo si shkruheshin në vendet e veta të
prejardhjes (sikurse ishte praktika në Shqipërinë parasocialiste), por sipas
mënyrës që i shqiptonin serbët, kur i shkruanin me shkronja cirilike. Ky zakon,
i filluar në Rusi shumë përpara se të vinte komunizmi, arsyetohej me
vështirësinë e përdorimit të shkrimit cirilik rus në dhënien e tingujve latinë,
grekë e arabë. Meqë Shqipëria zgjodhi alfabetin latin, pozita e saj në ketë
pikëpamje është e njëjtë me vendet e tjera të Lindjes komuniste, si Polonia,
Çekosllovakia e Hungaria, të cilat gjithashtu kanë në përdorim shkrimin latin.
Por ndërsa këto vende vazhduan të shkruanin emrat gjeografikë si dhe të
përveçmit, ashtu siç shkruhen në vendet e prejardhjes, udhëheqja komuniste
zgjodhi mënyrën serbe (dhe ruse) të të shkruarit të tyre… Meqë ra fjala
"në njërën dorë pushkën dhe në tjetrën librin", është parullë e njohur
stalinisto-shqiptare, por edhe italo-fashiste…
Po le të
kthehemi prapë te Fishta.
Ai u refuzua,
jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës
për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij “Titistët”, janë
të krahasueshme - duke lënë mënjanë poezinë - me karikaturat e Fishtës për
Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te “Lahuta e Malcís”), por edhe
për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk,
pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e “Posta e
Shqypnís”, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste
Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë. Po të jetonte
edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri
do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhtar i kombit
(vëllai i tij françeskan Vinçenc Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar,
e më vonë Arqipeshkv i Durrësit, vdiq në burg). Arsyeja e vërtetë me të cilën
mund të shpjegohet fishtofobia e partisë është se ai ishte Gegë i Shqipërisë së
Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh.
Në këtë pikë,
lexuesi duhet të informohet se (para se vendi të shpallej si vendi i parë
ateist i botës), shqiptarët praktikonin katër lloj besimesh: islamin sunit,
bektashizmin shiit, ortodoksinë e katolicizmin. Për shkak të qëndresës së tyre
ndaj propagandës ateiste dhe presionit, katolikët e kanë vuajtur më tepër përndjekjen
fetare. Dhe meqë ata banojnë vetëm në Shqipërinë e Veriut, regjimi ka qenë i
prirë të identifikojë ketë pjesë të vendit me katolicizmin.
Por Fishta
është brohoritur si poet kombëtar, jo vetëm prej shqiptarëve Veriorë. Ai ishte
sigurisht personaliteti katolik më i shquar i Shqipërisë parasocialiste. Fishta
u bë gogoli i socializmit shqiptar, për shkak të staturës së tij dhe statusit
si ideolog përfaqësues i katolicizmit shqiptar.
Megjithatë, ajo
që të bë përshtypje në rastin e Fishtës, është se ai është
"spastruar" jo vetëm prej fushës së letërsisë, por edhe prej asaj të
leksikut. Dihet se Fishta ka leksik të pasur poetik. Max Lambertz-i, cili e ka
përkthyer “Lahutën e Malcís” në gjermanisht, futi në Albanisch – Deutsches
Wörterbuch (Fjalor shqip – gjermanisht) fjalë si me dheskë ‘locken’ (me joshë,
me ndjellë) etj., etj… Asnjëra prej këtyre fjalëve, nuk gjendet në fjalorin e
Kostallarit. Por një fjalë e tillë si me dheskë "e pasuron leksikun
ekzistues", sepse, me sa di unë, nuk ka në shqip një fjalë tjetër që t’i
përgjigjet fjalës anglisht ‘to lure’. Kurse një fjalë si me kandritë "e
zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse", ngaqë fjala
nuk ka një të barasvlershme të vet të saktë në shqipe. E njëjta gjë mund të
thuhet edhe për me leçitë, grrêç, shmrijak, ku kjo e fundit është
karakteristike për zakonin e malësorëve që shtegtojnë me bagëti, sipas stinës
nga kullotat verore në ato dimërore. Së njëjtës emërtesë baritore i përket edhe
fjala vithna, shumësi i vath. Kostallari regjistron vathë, por jo shumësin
vithna, siç dëgjohet në Shqipërinë e Veriut. Ai parapëlqen shumësin vatha. Por
kjo formë e shumësit nuk del në asnjërin prej trembëdhjetë shembujve dhe
frazave që ilustrojnë përdorimin e kësaj fjale. Prej nga vjen ky shumës vatha?
Cipoja e ka vathë, vithna; po kështu edhe Lambertz-i; po kështu Kristoforidhi.
Por ky i fundit regjistron edhe formën vatha të shumësit, e cila duket se është
forma e gegërishtes qendrore. Kostallari ka zgjedhur këtë formë. Ngaqë tjetra
qe përdorur prej Fishtës apo ngaqë kjo ishte një formë e gegërishtes së Veriut?
Raste të tjera "spastrimi"
Por rasti i
Fishtës është vetëm ai që bie më tepër në sy në trajtimin që i bën Fjalori i
1980-s Gegërishtes letrare të veriut. Nikollë Gazulli, një tjetër prift
katolik, hartoi një fjalor të ri: “Fjalë të rralla të përdoruna në Shqipninë e
Veriut” (1941). Fjalori i Kostallarit, ndërsa përfshin një pjesë të madhe të
leksikut të Gazullit, lë jashtë fjalë, të cilat janë tipike për kulturën
materiale të Shqipërisë së Veriut. Kështu, p.sh., q?th, një dërrasë rrumbullake që përdoret për të pjekur
bukë misri ose gruri në furrë (Zadrimë), tehak (por edhe qepç) vegël për latim
guri (kulla e famshme e Shqipërisë së Veriut ose banesa e fortifikuar ndërtohet
me gurë të latuar);… Ata diskriminojnë leksikun e shqipes së Veriut e ky
diskriminim vepron kundër interesave të pasurisë leksikore të kombit.
Edhe shembuj të
tjerë mund të sillen që mbështetin këtë konstatim. “Dranja” e Martin Camajt,
një kryevepër e letërsisë shqipe, përmban mjaft fjalë të rralla, prej të cilave
një numër shumë i vogël nuk gjenden në fjalorët shqip ekzistues, përfshirë këtu
edhe fjalorin e Gazullit, me fjalë prej Shqipërisë së Veriut. Këto fjalë duhet
të jenë nëndialektore, ngushtësisht të zonës së Dukagjinit, ku Camaj pati
lindur.
Por shumë prej
këtyre fjalëve e pasurojnë edhe më leksikun kombëtar, përderisa këtij të fundit
i mungon fjala që tregon se çfarë po bëjnë ata ose, "zgjeron larminë e
mjeteve të tij (të leksikut letrar) stilistikore e shprehëse", fjalë pa
kurrfarë korresponduesje në leksikun tonë kombëtar, është fjala i lezëm
(elegant, i hijshëm)…
Te “Dranja”,
sikurse edhe në vepra të tjera, Camaj heq një kufi të qartë mes fshatarësisë së
fushës dhe asaj të malit. Por, meqë “Dranja” u botua më 1981, pra një vit pas
Fjalorit, ky fjalor nuk pritej t’i përfshinte fjalët që sapo përmendëm. Por një
numër veprash të Camajt, në prozë e në poezi, e që përdornin, pak a shumë, të
njëjtën gjuhë si te “Dranja”, kanë parë dritën e botimin edhe para daljes së
fjalorit në fjalë. A kanë përfshirë autorët e tij diçka nga leksiku i Camajt?
Jo, ata nuk e kanë përfshirë, sepse Camaj qe ndaluar për arsye politike,
sikurse edhe Fishta (ai kishte mbaruar Seminarin Jezuit të Shkodrës) dhe, për
pasojë, konsiderohej çfarë Ismail Kadare quan "gjuhë e Krishtit" në
romanin e vet “Pashallëqet e mëdha”.
Le ta
përsëritim vargun e kritereve të Kostallarit, që janë ndjekur në përzgjedhjen e
materialit gjuhësor: "...Nëse fjala i sjell apo jo ndonjë pasurim leksikut
të sotëm letrar, nëse ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare
shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj.,
dhe nëse lidhet me shtresat leksikore që rriten e zhvillohen apo me ato që
rrëgjohen e shuhen". Ta gjykosh nga sa kemi gjetur në fjalor, i bie të
thuash se procesimi i "pasurimit" të leksikut (me neologjizma, fjalë
të rralla dhe huazime nga gjuhët e tjera), shkon dorë për dorë me procesin e
"spastrimit" prej "shtresash leksikore që rrëgjohen e
shuhen", d.m.th. spastrim i asaj pjese që është e dënuar të vdesë. I
tillë, në radhë të parë, është leksiku i "gjuhës së Krishtit",
leksiku i asaj krahine që mban vulën e fesë katolike. Me fjalë të tjera,
procesi i spastrimit, ka motive të pastra ideologjike, duke qenë ideologjia në
fjalë ajo e stalinizmit shqiptar. Çdo gjë që është kundër kësaj ideologjie,
duhet të pushojë së qeni. Dhe, nëse ka ekzistuar në të kaluarën, ajo duhet të
fshihet nga kujtesa, duhet të zhduket, të bëhet e paqenë. Mënyra më e shpejtë
për të mbaruar ketë punë, është dëbimi prej fjalorësh i të gjitha fjalëve, që
tregojnë koncepte fetare dhe praktika të së kaluarës, si dhe heshtje e plotë
mbi emrat e atyre që qenë përfaqësuesit e ideologjisë fetare.
Kështu
shpjegohet, në analizë të fundit, pse Fishta u nxor jashtë prej letërsisë
shqipe dhe gjuha e tij u dëbua nga fjalori shqip. Kjo nuk e shpjegon, nga ana
tjetër, se pse Naim Frashëri, ky përfaqësues shqiptar i fesë bektashiane, çohet
në qiell edhe si poet i madh, por edhe si përfaqësues i nacionalizmit shqiptar.
Sipas opinionit të përgjithshëm i të huajve e i vendasve, at Fishta është edhe
ai poet i madh dhe figurë përfaqësuese e nacionalizmit shqiptar.
Atëherë pse i
thuhet "po" Naimit dhe "jo" Fishtës?
Se Naimi është
mysliman, kurse Fishta katolik?
Shumë i
respektuar është edhe peshkopi Noli, një shkrimtar i klasit të parë dhe
përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, si edhe dinjitari më i lartë i
Kishës Ortodokse Shqiptare. Trioja Frashëri, Noli, Fishta qe brohoritur si një
trini e shenjtë e gjenisë shqiptare tripartish në kohën para ardhjes së
stalinizmit. Tani trioja është katandisur në duet. Arsyeja themelore pse Fishta
u la jashtë, del në pah fare lehtë, meqë arsyetimi merr formën e një entimeme
(te Aristoteli enthymema): Stalinizmi shqiptar është një dukuri dërrmuese toske
dhe toskët janë edhe myslimanë, edhe ortodoksë.
Fishta nuk
është toskë, por as mysliman, as ortodoks. Ai është katolik edhe Gegë. Katolicizmi
është një dukuri e kulluar Gege.
Stalinizmi e
konsideron katolicizmin Gegë si kryearmikun e vet. Fishta ndalohet, sepse është
përfaqësuesi kryesor i katolicizmit. Por procesi i "spastrimit" nuk
ka qenë i kufizuar vetëm te shkrimtarët gegë katolikë, të konsideruar si armiq
të popullit. Të njëjtin fat pësuan dhe disidentët partiakë, të cilët vunë në
dyshim vlefshmërinë e politikës staliniste, të zbatuar në gjuhë, letërsi dhe
arte. Më i shquari ndër ta është Sejfulla Malëshova, një toskë mysliman. Ai
kishte qenë sekretar i Nolit gjatë periudhës së shkurtër kur peshkopi ishte
Kryeministër i Shqipërisë në qeverinë revolucionare (1924)...- pësoi të njëjtin
fat me poetët disidentë, që të rënë në fatkeqësi, u përjashtuan prej letërsisë
shqipe të realizmit socialist.
Në njërën prej
poemave të tij, ai përdor një fjalë Gege debojë (arsenal), fjalë që nuk është e
përfshirë në Fjalorin e ShNjL-së. Në përkthimin e tij të Goethe-s "Mbreti
i Tulës", Malëshova e përkthen fjalën gjermanisht Zecher ‘amator pije’ me
bekrí, fjalë turke kjo, e pabarasvlershme në shqip. Fjalori i Kostallarit është
i mbushur plot me fjalë prej turqishtes, shumica e tyre të pabarasvlershme në
shqip. Por fjala bekri nuk del në te.”
================
Shenim
nga F.Radovani: Materiali i plotë i Prof. Arshi Pipës
asht botue tek VOAL, në vitin 2015. Arsyeja e ribotimit nga ana ime asht se: Profesor
Arshi Pipa asht kenë e mbetet edhe sot nder të paktit kritikë të haptë e të
saktë, se ate që mendon, e thotë troç si e lypë e verteta letrare e historike.
Ai fliste me gjithë Boten: Anglisht, gjermanisht,
frengjisht, italisht...
Nga të gjitha shkrimet e Profesor Pipës, gjithkush mëson
dishka t’ re...
Melbourne,
24 Korrik 2020.