E hene, 30.12.2024, 02:33 PM (GMT)

Faleminderit

Sylejman Haxhimustafa – Një krijues i panjohur i letrave shqipe

E hene, 03.08.2020, 08:31 PM


SYLEJMAN HAXHIMUSTAFA NJË KRIJUES I PANJOHUR I LETRAVE SHQIPE

Nga Sinan GASHI

Shpesh po ndodh që të njihemi me autorë dhe vepra letrare që ishin krijuar, e mbase edhe botuar, jashtë trojeve etnike shqiptare, nga se ato lidhen me fatin e autorit  të tyre, përkatësisht edhe të popullit  që i përkasin ata. Kështu ndodh edhe me fatin e Sylejman  Haxhimustafës (1913 – 2004) nga Rahaveci i Kosovës, që veprat jetësore i nënshkruante me emrin Sylejman Mustafa.

Përcaktimi ideologjik kishte bërë që ai të konfrontohej që në rini me forcat komuniste dhe madje t’i luftonte ato së bashku me çetat e Muharrem Bajraktarit, ndërsa kur shpartallohen, ai mësyn me grupin e vet Greqinë, pastaj vendoset për disa kohë në Itali e së fundi vendoset në Gjermani, ku bëri jetën e një qytetari të thjeshtë, deri sa, me lirimin  e Kosovës, riatdhesohet më 2003, kur edhe e përmbylli sagën jetësore në Rahovecin e lindjes.

Ai, me të mbaruar filloren në vendlindje, nis gjim - nazin në Prizren, të cilin nuk e mbaroi, nga se e largojnë për shkak të bindjeve të tija politike. Që aso kohe kishte lexuar veprat e shkrimtarëve të dësh muar të temave atdhetare, nga të cilat ky autor ishte frymëzuar për bindjet kombëtare e ndoshta edhe kishte mësuar mjeshtërinë e të shkruarit letërsi.

Veç biografisë së lakmueshme atdhetare, ëndrrat e së cilës iu realizuan pjesërisht në fund të jetës së tij, Mustafa në kohën e lirë kishte krijuar letërsi, aso temash të cilat i kishte edhe ideal, por edhe veprim- tari praktike politike.

Sylejman Haxhimustafa nga Gjermania solli me vete edhe një numër veprash letrare në dorëshkrim, nga të cilat vetëm njërën e kishte  botuar në Munih, të cilat sot ruhen te familjarët e tij.

Të gjitha këto vepra janë në të vërtetë monografi në vargje, ose poema për personalitetet e mëdha  të historisë sonë, të cilët i pati flamurtarë të bindjeve politike gjatë jetës, si Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Isa Boletinin, Shotë e Azem Galicën, Shtjefën Gjeçovin dhe Hasan Prishtinën. Ai, po ashtu, kishte shkruar edhe dy poema me tematikë fetare, “Xhylzari Bylbyl” (“Bylbyli krenar”), ku reflektojnë përjetimet e një mërgimtari (vetë atij) dhe dashurinë për trojet e të parëve si dhe “Vuajtjet e Ehli-Bejtit”.

Po, ai kishte pohuar me një rast se për nismë krijuese të një vepre, e kishin nxitur demonstratat e vitit 1981, që kishin aktualizuar çështjen shqiptare të Kosovës në Evropën e padrejtësive të mëdha më herët.

O Xhylzar Bylbyl, a nuk m’kursen?

Edhe tash i tretun po, nga vendi im

Si ndonjë fëmijë kur jet jetim?

Poemë e përmallimit për vendlindjen ishte edhe  ajo “Malli i Kosovës” , e cila krijonte lehtësinë shpirtërore të një mërgimtari, duke shfryrë dufin për të përjetuar lehtësi shpirtërore.

Prej të gjitha këtyre, e kishte botuar vetëm veprën –monografike “Flamuri i Kosovës – Isa Boletini”, në Munih, më 1967, kurse në dorëshkrim janë poemat: “Rapsodi për Shotë e Azem Galicën”, “Hasan Prishtina”, “Shpata e Skënderbeut”, vepra me moti -ve fetare “Vuajtjet e Ehli-Bejtit”, botuar në Munih të Gjermanisë, më 1977.

Sylejman Haxhimustafa njihte mirë gjermanishten, italishten, greqishten, serbokroatishten e përciptazi edhe arabishten.

Veprat e shumta poetike

Duke pasur një bagazh të madh njohurish dhe aktivitetesh për çështjen kombëtare, Sylejmani, kah fundi i jetës, i ishte përkushtuar tërësisht krijimtarisë letrare me tematikën e njëjtë atdhetare, lëndën e së cilës e njihte mirë. Pa e vrarë fort mendjen për vlerat artistike të atyre krijimeve, ai sikur donte vetëm të shprehte, me një fjalor më ndryshe, bindjet, përjetimet dhe synimet e tij. Mu për këtë dyshim të vlerës krijuese, ky poet kishte korresponduar dhe shpesh ishte takuar me krijues letrarë të dëshmuar, të cilët edhe i dhanë një shtysë për ta vazhduar shkrimin, si me personalitete të shquara shqiptare, kryesisht të emigracionit, Ernest Koliqin, Karl Gurakuqin, Myftar Spahinë, i cili jetoi e veproi në Amerikë, me të cilin korrespondonin edhe me dorëshkrimet e tyre, etj. Ai lexonte me adhurim të madh veprat e Gjergj Fishtës, të Naim Frashërit, e tjerë, ndikimi i të cilave hetohet dukshëm në veprat e tij.

Vepra “Flamurtari i Kosovës – Isa Boletini”, botuar më 1967 në Munih, kishte 19 këngë, në të cilat, në mënyrë kronologjike, kishte dhënë poetikisht një histori të një personaliteti si dhe raportet e tij me shokët e idealit. Secila këngë ka këngë që reflekton njohjen tematike të këngës, si: Isa Buletini dhe lindja e tij, Isa Boletini dhe Sulltani, pastaj me Ali Pashë Tepelenën, Haxhi Zekën, Hasan Prishtinën, Idriz Seferin, Hasan Hysenin, Xhavit Pashën, Turgut Pashën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin si dhe Isa Boletini dhe Evropa, dhe në fund Isa Boletini dhe exheli.

Vepra tjetër e tij “Zana e trimërisë”, në dorëshkrim, është për Azem e Shotë Galicën, poemë e shkruar më 1977. Vepra shtrihet në 17 këngë, që, si edhe më parë, kronologjikisht e përcjell jetën e bëmat e tyre: Shqiptarija, Harambashat e Kraljit të Sërbisë, Ahmet Delija, Azem Bejta dhe djemtë e Halil Radishevës, Martesa e Azemit me Shotën e Halilit, Azem Bejta dhe beteja Bajës, Azem Bejta dhe beteja e Obrisë, Kryengritja e Sadik Ramës dhe Azem Bejtës, Beteja e Galicës, Vrasja e Avni Rrustemit, Vrasja e Luigj Gurakuqit, Bajram Curri dhe lufta e Shpellës së Dragobisë, Malush Miriqi dhe lufta, Vdekja e Shotë Galicës, Vrasja e Shtjefën Gjeçovit, Vrasja e Hasan Prishtinës dhe në fund, Zana e Shqiptarisë dhe amaneti.

“Xhylzari Bylbyl”, vëllim  poetik në dorëshkrim, që në përkthim to ta ketë kuptimin e përafërt “Bylbyli  krenar”, i shkruar më 1981, përkatësisht ndikuar nga lëvizjet politike në Kosovë, që kishin frymëzuar atë që edhe njëherë të vjershërojë për atdheun, por tashti si lirik i vërtetë, ku shpreh emocione  përmalluese për vendlindjen e bukur. Bylbyli, si ai i Mjedës, ia di hallin, në mos ai personifikohet me atë, që të këndojë përmallshëm.

Autori që në fillim, si parathënie sqaron çfarë përmban kjo vepër: “Ky vjershim ka tre thumba: Nji me mjerimin e përbashkët Poeti dhe Bylbyli, e dyta kundra Sufizmës fanatike që ndalon dëfrimin e pijes, dhe dashurinë e Vajzës.”

Vëllimi poetik është i përbërë nga 329 strofa, ku shprehet aftësia e tij krijuese dhe brenga e tij shpirtërore për jetën, atdheun dhe dashurinë.

Për ilustrim po japin dy strofa poezie nga ky vëllim, në mënyrë që lexuesi të afrohet sado pak me këtë krijimtari:

Kur vinin vorrin me ma vizitue?

Hymnin e Flamurit me m’a këndue:

Ujdisne zanin rresht tue shkue:

Po, edhe Bylbyli ka me ju shoqnue.

Kur Flamuri valon kuq e zi?

A un n’varr jam ba Balt e Hi,

Ejani ke varri o djem te ri

Lutnu Zotit t’ngjallem përseri!

Poema “Shpata e Skënderbeut”

Kjo vepër epike, shkruar në mërgim, siç e nënvizon autori, është frymëzim nga jeta dhe vepra e Heroit tonë Kombëtar. Poema ka gjithsej XL këngë, me një radhitje kronologjike si gjithmonë të bëmave dhe të vërtetave historike.

Edhe këso radhe, në parathënie, autori sikur ka dëshirë ta sqarojë për vete dhe të tjerët se, “asht nji lumni e madhe për mue qi, mbas 30 vjete në mërgim mujta me i dalë në krye kësaj vepre kombëtare. Këtë poemë e thura me këngë qi kumbojnë emnat e fatosve t’onë në jehonën e rapsodive nëpër malet e Shqipnisë.”

Më pastaj vijohet me hyrjen në prozë, më titull “Betejat dhe kuvendat e Skënderbeut” (1405 -1468), për të vazhduar me radhitjen e këngëve, me tituj përmbajtjesorë, si: Ora e Shqiptarisë, Lindja e Skënderbeut, Djemtë e Gjon Kastriotit dhe Sulltani, Me Tartarin në mejdan, Me Jahjan e Zampan n’mejdan, Skënderbeu dhe Janku i Budimit, Skënderbeu dhe Zaptimi i Krujës, Skënderbeu dhe Lidhja e Lezhës, Beteja e Torviollit, Skënderbeu dhe mbreti Vladislav, Princesha Mamicë dhe martesa e saj, Humbja e Beratit, Pal Maneshi me Karaguzin n’ mejdan, Skënderbeu dhe rrethimi i parë i Krujës, Sulltan Murati II dhe vdekja e tij, Fejesa e Skënderbeut me princeshën Donikë, Martesa e Skënderbeut me Princeshën Donikë, Skënderbeu dhe pusia e Krabës, Beteja e Modricës, Ramja e Stambollit, Beteja e Pollogut, Lindja e Gjon Kastriotit II, Skënderbeu dhe Papa Eugjeni IV, Mbreti Alfons dhe mbreti Ferdinad, Moisi Golemi i Dibrës, Zakaria Gropa dhe Ahmeti n’mejdan, Hamza Kastrioti, Beteja e Albulenës, Skënderbeu dhe Sulltan Mehmeti II, Beteja e Mokrës, Skënderbeu dhe çlirimi i Barletës, Skënderbeu dhe zaptimi i Tranit. Vdekja e Papa Pios të Dytë, Beteja e livadhit, Tradhtia e Ballaban Pashë Baderës, Rrethimi i dytë dhe i tretë i Krujës dhe Vdekja e Skënderbeut.

Nga titujt e këtyre këngëve veç nënkuptohet qartë se çfarë përmban subjekti i tyre, duke ia shtuar gjithsesi edhe elementin e lehtë shprehës artistik.

Veprat me tematikë fetare, që reflektonin diçka nga synimi dhe karakteri i tij, janë “Vuajtja e Ehli- Bejtit” dhe “Lotët e Folimit.”

Ka shkruar edhe proza (esetë): “Vrasja e atë Shtjefën Gjeçovit” dhe “Vrasja e Hasan Prishtinës”, për dy humbjet e mëdha për kombin tonë, përjetimet e rënda këto për autorin e këtyre krijimeve.

Sido që të jetë, ai më shumë mbeti kronikan poetik sesa krijues i mirëfilltë i letërsisë shqipe, sepse mosshkollimi i rregullt, aktiviteti i shumtë që kishte bërë në aspektin politik praktik, e kishin bërë të veten.

Talenti i tij letrar, paksa i vyshkur, vetëm kah fundi e kishte bërë të veten: krijoi për të lënë ‘dokument’ të aftësisë krijuese dhe orientimit atdhetar të tij.

Cili ishte krijuesi Sylejman Haxhimustafa

Sylejman Haxhimiustafa nga qyteti i Rahovecit, është i lindur më 1915. Që në rini ishte brumosur me ide përparimtare kombëtare, ngase edhe rridhte nga një familje atdhetarësh, siç njihej ajo e Musa Rahavecit. Të ndjekur e të persekutuar ishin gjithherë nga sistemi komunist që në nismë të tij. Dihet se, që më 1946, i ishte bashkuar çetave të Muharrem Bajraktarit, kurse më 1956 ilegalisht kishte kaluar në Greqi e më pastaj në Itali dhe së fundi në Gjermani.  Aty jetoi deri sa lirohet Kosova dhe i mundësohet të kthehet i përmalluar në vendlindje, ku vdes më 11 qershor 2004.

Ky krijues gjatë gjithë kohës kishte lexuar pa ndërprerë. Por ai që e nxiste shumë në këtë drejtim, pra të lexim - krijimit, i cili i kishte dhënë mjaft njohuri të reja për artin letrar, ishte shkrimtari i shquar, profesori Ernest Koliqi, me të cilin mbante takime të shpeshta. Këto takime dhe ato biseda të nduarnduarta, e mbi të gjitha edhe për artin letrar, kishin bërë që rahoveciani të zbërthejë talentin e tij , duke shkruar vepra të gjata, përkatësisht poema, si forma më e preferuar e tij.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora