| E hene, 27.07.2020, 07:05 PM |
“NAÇERTANIJA” E GARASHANINIT – KJO MURTAJË E ZEZË E BALLKANIT
Nga Xhelal
Zejneli
Në vitet ’40 të shekullit XIX, ose më saktë pas vitit 1842, udhëheqësit
serbë filluan t’i shqyrtojnë planet e zgjerimit të Serbisë. Ministri i Punëve
të Brendshme i Serbisë - Ilia Garashanin (1812-1874)figurë kryesore e
regjimit konstitucional, u bë strumbullar i pikëpamjeve të zgjerimit të
Serbisë. Pothuajse është i saktë edhe konstatimi se Garashanini i ka përcaktuar
bazat e politikës serbo-madhe të bashkimit. Konceptin e sipërthënë të zgjerimit
të Serbisë do ta mbështesin qarqet politike konservatore si dhe individë të
ndryshëm deri ne vitin 1941. Këtë e pohon edhe historiani dhe akademiku serb Vasa
Çubriloviq (1897-1990) në “Istorija politi?ke misli u Srbiji XIX veka”,
Beograd 1958, f. 176 (“Historia e mendimit politik në Serbinë e shekullit
XIX”).
Sikurse edhe shumë bashkëkohës të tij, edhe Garashanini besonte se misioni
i Serbisë është ta përmbushë detyrën çlirimtare që e kishte filluar revolucioni
serb i vitit 1804. Kufijtë e Serbisë së re duhet të zgjerohen në të gjitha
hapësirat ku jetojnë serbët, e këta kufij, sipas filologut dhe linguistit serb Vuk
S. Karaxhiq (1787-1864),janë kufijtë e gjuhës serbe. Së këndejmi,
përgjegjësia për “çlirimin dhe bashkimin” e të gjithë serbëve në shtetin e madh
dhe të bashkuar serb, gradualisht u bë parim kryesor i politikës serbe.
Garashanini këtë pikëpamje e paraqiti në mënyrë të sistematizuar në dokumentin
sekret të cilin e quajti “Naçertanie” (1844) që do të thotë
Projekt, d.m.th. Plan.
Propozimin për këtë ia dha pansllavisti çek Frantishek A. Zach
(1807-1892), i lindur në Brno të Moravisë që në atë kohë ishte pjesë e
Perandorisë Austriake. Zahu ishte ithtar i flaktë i marrëdhënieve të
gjithmbarshme ndërmjet popujve sllavë. Ishte në shërbim të udhëheqësit të
organizatës së emigrantëve polakë - princit Adam Czartorysky. Zahu e
kishte bazën e vet në Beograd dhe u sugjeronte autoriteteve serbe që Serbinë që
ta mbajnë larg ndikimit rus. Ai përpiqej t’i bindë politikanët serbë që ta
bëjnë Serbinë flamurtare të një shteti të fuqishëm të sllavëve të jugut, që do
të paraqiste pengesë për ndikimin e habsburgëve dhe të rusëve në Ballkan dhe që
do ta ndihmonte lëvizjen çlirimtare në Poloni. Për këtë qëllim ai hartoi një memorandum
mbi politikën e brendshme dhe të jashtme të Serbisë, të cilin ia dorëzoi
Garashaninit. Në këtë memorandum Zahu parashikonte që Serbia e re të ishte
vazhduese e perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355). Me
fjalë të tjera, duhej të përmbushej detyra e dikurshme e Nemanjiqve –
rimëkëmbja e perandorisë serbo-sllave, të cilën në shekullin XIV e paskëshin
rrënuar turqit. Por, derisa Zahu e paramendonte këtë perandori të re si një produkt
të përhapjes graduale të idesë shtetërore serbe ndër sllavët e jugut,
Garashanini e miratoi planin e Zahut për t’i paraqitur arsyet për të cilat
Serbia duhet “t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”.
Zahu konsideronte se roli prijatar i serbëve është i vetëkuptueshëm, për arsye
se asnjë popull tjetër - përveç tyre - nuk mund t’u printe sllavëve të jugut në
një shtet të përbashkët. Në konceptin jugo-sllav të Zahut, Garashanini bëri
ndryshime, kështu që “Naçertanien” e hartoi si program për krijimin e
shtetit të madh serb. Me këtë program sekret, Garashanini, duke pritur në
mënyrë të sigurt shkatërrimin e Perandorisë Turke – politikës së jashtme dhe
kombëtare të Principatës Serbe i caktoi si objektiv “rilindjen e perandorisë
serbe” duke theksuar se “ajo nuk kufizohet në kufijtë e saj të sotëm,
por synon t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë”. “Në saje
të së drejtës së shenjtë historike”, i caktoi Serbisë mision që “duke
hequr nga kështjella e shtetit turk nga një gur”, ta rimëkëmbë dhe ta
ndërtojë Perandorinë e Dushanit. Me këtë rast, veprimin e Serbisë e përqendroi
në tokat e sllavëve të jugut që ishin nën Perandorinë Turke (në radhë të parë
në Bosnjë dhe Hercegovinë, që trajtohej si territor serb si dhe në Mal të Zi).
Sipas “Naçertanies” së Garashaninit, pjesë e shtetit të madh serb do të
ishte edhe Shqipëria Veriore.
Programit të vet, Garashanini ia dha konceptin kombëtar serbomadh. Për ta
realizuar programin e vet, Garashanini parashikoi organizimin e shërbimit
informativ dhe të një sistemi të zhvilluar propagandistik (dërgimin e
agjentëve, shkollimin e të rinjve të atyre vendeve në Serbi, pranimin e tyre në
shërbimin shtetëror serb për të fituar përvojë të nevojshme, edukimin e tyre në
frymën e politikës së përcaktuar, botimin në Serbi të librave fetarë, historikë
dhe të librave të tjerë, mbështetjen e peshkopit të Malit të Zi, themelimin e
gazetave në viset matanë Savës etj.). Më vonë ndërmori edhe organizimin e
shoqërive sekrete në zonën turistike dhe të qendrave propagandistike, si p. sh.
në Dubrovnik, në kuadër të një aksioni të gjerë në vendet fqinje.
“Naçertania” u hartua në kohën kur pjesa më e
madhe e personaliteteve të shquara të Serbisë nuk kishte besim ndaj të huajve,
madje edhe kur këta ishin serbë të Monarkisë Habsburge. Një prej qëllimeve të
planit të ri kombëtar të Serbisë - sipas Zahut – ishte “shembja e murit
kinez me të cilin Serbia rrethohej nga fqinjët e vet”. Por, ndonëse
Garashanini e kishte pranuar konceptin e ri të kombësisë gjuhësore serbe, me
çka i hedhi poshtë pikëpamjet e tradicionalistëve ortodoksë, ai megjithëkëtë,
nuk e pranoi idenë e elitës kroate të reciprocitetit midis sllavëve të jugut,
të cilin Zahu po ashtu e theksonte si objektiv. Derisa Zahu mbështeste idenë që
Serbia e Madhe të jetë në harmoni me botën e gjerë të sllavëve, prirjet e
Garashaninit kanë qenë vetëm serbe. Prandaj ai u largua nga çdo koncept që
ndërlidhej për së tepërmi me gjuhën në memorandumin e Zahut, në të gjitha ato
pika në të cilat ky memorandum e zvogëlonte epërsinë e Serbisë. Zahu, në
dokumentin e vet shpesh shkruan: “shteti i sllavëve të jugut” ose “sllavët
e jugut”, ndërsa Garashanini këtë rregullisht e shndërronte në shprehjet “shteti
serb” dhe “serbët”.
Akoma më i rëndësishëm është fakti se Garashanini, nga versioni i programit
të vet i kishte hequr dy fragmente të gjata në të cilat Zahu fliste për nevojën
e bashkëpunimit të Serbisë me lëvizjen ilire në Kroaci si dhe me çekët. Me këta
të fundit, për shkaqet praktike.
Zahu ishte i bindur - e Garashanini pajtohej me këtë - se Perandoria
Otomane plotësisht do ta humbë pushtetin në Ballkan. Çështja e trashëgimisë së
kësaj perandorie, sipas tyre, do të mund të zgjidhej vetëm në dy mënyra:
- ose Habsburgët dhe Rusia do të mund të zgjeroheshin në llogari të
Turqisë, duke e ndarë Ballkanin ndër vete, gjë që do të ngjallte reagimin e
Britanisë dhe të Francës;
- ose, fuqia e re – Serbia - do të fitonte atë që Turqia do të humbte në
gadishull.
Zgjerimi i Serbisë do të ngjallte armiqësinë e Habsburgëve. Shteti i madh
serb do të paraqiste rrezik për interesat e Austrisë, për arsye se sllavët e
jugut – shtetas të saj - do t’i dilnin nga dora. Por, Garashanini mendonte se
Serbia nuk duhet t’i përkeqësojë marrëdhëniet me Vjenën. Megjithëkëtë,
propaganda garashaniniste vepronte edhe në viset e sllavëve të jugut që ishin
nën pushtetin e Habsburgëve, d.m.th. në viset kroate. Aty zhvillohej edhe
aktiviteti i agjencisë informative që e kishte krijuar vetë Garashanini. Kjo
propagandë ndërmerrej për të nxitur ndjenjat kombëtare serbe ndër serbët
“gjuhësorë” joortodoksë – d.m.th. ndër kroatë.
Garashanini nuk dëshironte që efektet e veprimit serb në Kroaci të arrihen në
dëm të Habsburgëve.
Ai këtë goditje e shtyri për shkaqe praktike, kështu që synimet e Serbisë i
orientoi drejt trashëgimisë otomane, sidomos ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, ku
shihte vetëm popullsi serbe. Edhe Zahu edhe Garashanini frikoheshin nga
pavarësia e mundshme e rajoneve të tjera të sllavëve të jugut, posaçërisht nga
pavarësia e Bosnjës. Boshnjakëve duhej bërë me dije se – po qe se nuk do të
pajtoheshin me shtetin e bashkuar në udhëheqjen e Serbisë – “si rrjedhojë,
do të pasonte copëtimi i Bosnjës në principata të vogla të udhëhequra nga
familjet sunduese të cilat do të pranonin ndërhyrjen e huaj”. Vetëm dinastia
monarkiste serbe do të mund t’i bashkonte serbët (sllavët e jugut), e kjo
nënkupton se në një moment të caktuar, në mënyrë të pashmangshme do të
rrezikonte dinastinë dhe pavarësinë e Malit të Zi.
Qëllimi i ideologjisë të shprehur në “Naçertanie” ishte që Serbia, duke
i asimiluar vëllezërit për nga gjuha, të zgjerohej vetë. Ekzistimi i
interesave të sllavëve të jugut, jashtë serbëve, apo më saktë, jashtë shtetit
serb, nuk merrej parasysh fare.
Ngritja e nacionalizmit serb të bazuar në gjuhë, me vulën e
pakontestueshme të një ideologjie kombëtare integrale filloi t’i
shqetësojë sidomos kroatët.
Platforma e “Naçertanies”, me synimet e saj pushtuese në Ballkan,
nënkuptonte edhe shtrirjen në territoret shqiptare.
“Naçertania” e Garashaninit nuk përfillte
kurrfarë parimi të kombësisë. Në të propagandohej kryesisht ideja e shtetit të
madh serb dhe “e drejta shtetërore historike”.
Ideologët serbë, që nga Garashanini e këndej, popullin serë do ta quajnë popull
hyjnor dhe popull historik.
Sipas tyre:
- boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të myslimanizuar;
gjuha që flasin ata është serbishtja;
- malazeztë janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja;
- Maqedonia është Serbi Jugore;
- kroatët ndërkaq, janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata
është serbishtja.
Sipas Ilija Garashaninit, Vuk Karaxhiqit, Jovan Cvijiqit
(1865-1927), Vladan Gjorgjeviqit (1844-1930), radikalit Stojan Protiq
(1857-1923), Slobodan Jovanoviqit (1869-1958), Vaso Çubriloviqit,
Dobrica Qosiqit:
- e kujt është gjuha, i atij është territori;
- e kujt është feja, i atij është territori.
Sipas ideologëve serbë, boshnjakët (myslimanë), malazeztë, kroatët dhe
popullata e “Serbisë jugore” (d.m.th. sllavo-maqedonasit) nuk janë veçse serbë.
Pas shembjes së Perandorisë Osmane, pseudoshkenca serbe shqiptarët do t’i
konsiderojë si mbetje turke në Ballkan.
Krahas synimeve për të bashkuar rreth shtetit serb territoret e banuara nga
sllavët e jugut, “Naçertania” parashikonte edhe aneksimin e trojeve
shqiptare të Vilajetit të Kosovës si dhe të pjesëve veriore dhe qendrore të
Shqipërisë.
“Naçertania” u realizua në një pjesë të
konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të
vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën
dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë, që sot ndodhen në pjesën
veri-perëndimore të Maqedonisë, duke vendosur në to një pushtet të egër dhune
dhe duke ndjekur një politikë shkombëtarizuese dhe gjenocidale.
Planin e Zahut dhe “Naçertanien” e Garashaninit për herë të parë i
botoi paralelisht historiani serb, profesor i Universitetit të Beogradit Dragoslav
Stranjakoviqi (1901-1966) në vitin 1939. Më 1852 Garashanini u bë
kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Gjatë kësaj kohe e vazhdoi
politikën pro Francës. Programi i Garashaninit ishte në themel të politikës së
jashtme të Serbisë, që nga vitit 1849 e deri në fund të Luftës së Parë
Botërore.
Por, autori i elaboratit “Iseljavanje Arnauta” (“Dëbimi i
shqiptarëve”, 1937) - Vasa Çubriloviq thotë se “synimet e
elitave politike dhe intelektuale serbe, të frymëzuara nga “Naçertania”, nuk
shtriheshin vetëm deri më 1918 por deri në vitin 1941”.
Ideologët serbë, Serbinë e shohin si Piemont që nga viti 1804
e deri në vitin 1914. Në të vërtetë, kjo ide do të shtrihet përgjatë tërë
shekullit XX, e sidomos në vitin 1918 kur Nikolla Pashiqi (1845-1926) e
themeloi Jugosllavinë (Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve), më
pas në kohën karagjorgjeviqëve (midis dy luftërave botërore).
Nikolla Pashiqi ishte politikan serb dhe jugosllav, kryetar shumëvjeçar i
Qeverisë së Mbretërisë së Serbisë dhe i Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe
të Sllovenëve; themelues i Partisë Popullore Radikale.
Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Aleksandër Rankoviqit(1909-1983)
dhe pas saj, qarqe të caktuara nacionaliste serbe në krye me akademikun Dobrica
Qosiq (1921-2014), kurrë nuk hoqën dorë nga idetë garashaniniste.
Dobrica Qosiqi është akademik serb me shkollë të mesme bujqësore. Pastaj
kreu edhe kursin partiak “Gjuro Gjakoviq”. E quajtën “Baba
të kombit serb”. Për vendimet e A VNOJ-it (KAÇKJ-së) dhe për Kushtetutën e
RSFJ-së të vitit 1974, ka deklaruar: “Atë që serbët e fitojnë në luftë, e
humbin në paqe”.
Federalizimin e Jugosllavisë, e sidomos Kushtetutën e vitit 1974, serbët e
konsideronin si politikë dhe si strategji antiserbe, ndaj në vitet ’80 të
shekullit XX, akademikët serbë hartuan një program kombëtar që njihet si Memorandumi
i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (SANU), të publikuar në
janar të vitit 1986, si një libër anonim. Dobrica Qosiqi nuk figuron si
një prej autorëve të Memorandumit të Akademisë Serbe. Në të vërtetë, ai është
ati shpirtëror i këtij pamfleti, që e cilësuan si nekrolog të
Jugosllavisë.
Elita intelektuale, elita politike, qarqet ushtarake si dhe qarqet
klerikale - serbe, në fund të viteve ’80 të shekullit XX dhe në fillim të
viteve ’90 iu rrekën punës për ta rimëkëmbur Jugosllavinë unitariste,
centraliste dhe etatiste me dominimin serb.
Zbatues i kësaj ideologjie ishte zjarrvënësi i Ballkanit Sllobodan
Milosheviqi (1941-2006). Duke qenë se ideologjia e “Naçertanies”
ishte retrograde dhe anakronike, në fund të shekullit XX dhe në
fillim të shekullit XXI, ajo ishte e papranueshme për botën demokratike. Si e
tillë dështoi.
Mirëpo, ish-kryetari i Serbisë Boris Tadiq (Sarajevë, 1958-),
pinjoll i një familjeje akademikësh serbë, bashkë me një pjesë të elitës
politike, intelektuale dhe ushtarake duke përfshirë edhe tërë klerin
ultranacionalist serb, ende nuk kanë hequr dorë nga garashaninizmi.
Sot, në krye të murtajës së zezë serbe ndodhen kryetari i
përtashëm i Serbisë Aleksandar Vuçiqi, ministri i Punëve të
Jashtme Ivica Daçiqi etj.
Shqiptarët, për t’i bëtë ballë kësaj makinerie
ideologjike, politike, ushtarake, intelektuale, klerikale dhe propagandistike
të sofistikuar, duhet të jenë më të ndërgjegjshëm si komb, duhet të jenë në
krye të përgjegjësisë historike.
Shqiptarët, në këto çaste historike vendimtare, në vend
që të merren me kauzën kombëtare, ndërtojnë xhami politike. Lufta kundër
armikut serb, kështu nuk fitohet.