Faleminderit
Sinan Gashi: Xhemil Doda – Shkrimtar i (pa) harruar
E shtune, 18.07.2020, 07:13 PM
XHEMIL DODA - SHKRIMTAR I (PA) HARRUAR
Nga
Sinan GASHI
Dramaturg e romancier
produktiv
Ndër ata krijues fatrëndë që krijimtarinë e kishin edhe
dhunti por edhe shpëtim shpirtëror, në rastet kur zyrtarët hakërritëshin mbi
jetën e tyre ekzistenciale, është edhe prizrenasi Xhemil Doda, që pothuaj një gjysmë
jete ia la peng letrave, pra fjalës së bukur, të cilën gjithsesi e mendonte si
vlerë vetëm kur është në shërbim të njerëzores
Biografi interesante
Xhemil Doda është i lindur më 22 prill 1915, në qytetin e
Prizrenit. Fati e shpuri më 1923 në Tiranë, ku mbaroi shkollimin fillestar në
Konviktin “Naim Frashëri”, aty ku kreu edhe arsimin e mesëm, ndërsa Akademinë
Ushtarake dhe Shkollën e Aplikacionit në Torino të Italisë. Arsimimi i tij i
lartë kishte mbështetjen nga familja e tij arsimdashëse dhe atdhetare. Në
qytetin historik e muze të vendlindjes kthehet vetëm në vitin 1941, ku vazhdon
jetën e një intelektuali të rëndomtë. Menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë
Botërore, kur nis edhe hapja e shkollave
shqipe, ai emërohet profesor i lëndës së biologjisë në Gjimnazin real shqiptar
të Prizrenit, që mbante emrin e Gjon Buzukut. Këtë profesion mësimdhënësi e
vazhdoi deri më 1951, kur do e largojnë nga procesi mësimor i cilësuar si
antipushtet, nga se kishte lexuar një letër lamtumirëse me rastin e varrimit të
mësuesit atdhetar Ibrahim Fehmiut, kur përmend aktivitetin atdhetar të atij
mësuesi. Pastaj vijon pauza e gjatë e papunësisë deri më 1966, me
ndryshimet e politikës diskriminuese
serbe, kur do i caktohet vendi i punës i përkthyesit në Kuvendin Komunal. Gjatë
tërë kohës, edhe si i punësuar edhe si i papunë, Xhemil Doda nuk do rrijë
duarkryq, por aktivisht mbush zbrazëtirën me aktivitetet kulturore, duke
shprehur kështu edhe dhuntitë e tij. Në Shoqërinë kulturo - artistike
"Agimi" të Prizrenit ai kontribuojë mjaft, si në organizimin e
ruajtjes dhe kultivimit e krijimeve muzikore autoktone, e edhe si
instrumentalit i orkestrës, sa edhe dha një kontribut të pakontestueshëm në
teatrin e qytetit, duke dëshmuar talentin e aktorit sa edhe të dramaturgut, me
ç'rast vihen në skenë disa drama të tijat origjinale, si: “Kryq' i thyem”,
“Papuçja e vjehrrës”, “Halit Gashi” e tjerë. Por, ajo që e përjetësoi është
krijimtaria letrare e pandërprerë, si me veprat e shumta dramatike, me krijimet
në prozë e poezi (tregime, roman e poezi) e po ashtu edhe me përkthimet e
veprave të ndryshme nga frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja e kroatishtja
të cilat kanë ngelur sot e atë ditë në dorëshkrim që arrinë numrin rreth njëzet
vepra të gjinive të ndryshme, qoftë
letrare, qoftë asosh të natyrës dokumentare.
Ai po ashtu, në mungesë të kuadrit, ia vazhdoi jetën
dramës edhe me regjizurën e tij në teatrin amator të qytetit të Prizrenit, prej
ku sërish përzihet nga puna zyrtarisht më l957, me arsyetimin bajat të
administratorit serb, për mungesë mjetesh.
Jetën e përmbylli në qytetin e lindjes, me respektin e
përhershëm prej krijuesi e atdhetari, në ditën e nëntë të marsit 1976, duke i
pikëlluar karakteret njerëzore e duke lënë pas bagazh të lakmueshëm prej
veprimtari në shumë lëmenj të artit, që në një mënyrë sfidonte të keqen, të
shëmtuarën që e rrethonte, qoftë nga dashakeqësit e jashtëm, apo edhe nga poltronët
e kombit tonë.
Është sensacionale të përmendet një kërkesë e tij me
shkrim e datës 10. XI. 1939, drejtuar
Gjykatës Paqëtuese në Tiranë, me kërkesë që mbiemrin e dhënë gabimisht
Agallari, t'ia kthejnë në atë real Doda. Po ashtu do thënë se kishte përjetuar
edhe internimin në vitin 1944.
Ishte angazhuar fshehurazi që më l970 për pajtimin e
gjaqeve, për çka edhe shkruan materiale për të.
Nëse mund të përligjet e thëna se e keqja dha e mira
shpesh qëndrojnë në zgripin e njëra - tjetrës, atëherë forcën e krijimtarisë
letrare ia nxiti largimi nga puna dhe ndoshta injorimi i rrethit zyrtar.
Dramaturgjia, dëshmi e
talentit dhe plotësim i një kërkese kohore
Atëherë kur duhej komunikuar me rrethin, ndoshta edhe atë
rreth gjysmë analfabet, e vetmja mundësi e lehtë ishte drama, përkatësisht
teatri, ngase ajo ka kërkesë vetëm të shikohej dhe në atë mënyrë do të mësohej diçka nga ajo. Më
1953, kur u flak në rrugë si i padëshirueshëm, ai shkroi dramën “Halit Gashi”
me motive folklorike, në subjektin e së cilës luftohej padrejtësia, ngase
manifestohej dhuna e nëpërkëmbja ndaj atij që nuk ishte me atë pushtet, pra
luhej me dinjitetin moral ndaj të "voglit". Athua nuk ngjasonte edhe
fati i autorit me një veprim gjasor, ani pse në kohëra e sisteme politike të
ndryshme? Ndoshta veprimi e sulmi për shuarjen
e dhunës nga Halit Gashi, si i cenuar moralisht nga beut që ia përdhos moralin
e familjes, e shuante brengën psikologjike të autorit, kur fantazonte e pastaj
e shihte në skenë fitoren e të drejtën mbi te padrejtën, e tjerë. Se ishte
vlerë artistike e letrare e kohës, dëshmohet edhe me faktin se fiton
shpërblimin e parë në konkursin letrar të revista letrare “Jeta e re” e
Prishtinës, më 1955. Më pastaj ajo edhe do “bashkëbisedojë” me shikuesit, kur
do të vihet në skenën e Teatrit Popullor të Prishtinës. Kjo dramë zgjon
interesim për kohën, duke u inskenuar edhe në teatrot amatore nëpër Kosovë si
dhe në Teatrin e Pakicave në Shkup.
Veprat e tjera dramatike janë edhe "Malësorët",
me të cilën prezentohet Teatri Amator i Prizrenit në Festivalin e Hvarit
(Kroaci), pastaj "Pasojat e alkoolit", "Kryq’ i thyem",
“Papuçja e vjehrrës", "Thonjët e maces", "Lamshi prapa
skenës", e tjerë.
Veç dramaturgjisë, në të cilën kishte lënë emër të
lakmueshëm, si për nga sasi po ashtu edhe për nga cilësia, shkrimtari Xhemil
Doda, herë pas herë, kishte shkruar edhe poezi, të cilat nuk janë ruajtur në
tërësi, megjithatë japin mundësinë e shijimit të talentit edhe në këtë zhanër
letrar. Temat që e preokupojnë janë të tri motiveve: atdhetare, sociale dhe
intime. Këto ishin ato pothuaj interesimet që e përshkonin vazhdimisht tërë
krijimtarinë e tij, ngase shpirti i ndjeshëm i krijuesit që ishte i rrethuar me
njerëzit e gjakut të tij përplot halle e mbi të gjitha me mungesën e lirisë
personale dhe padrejtësive të tjera kombëtare, nga të cilët përjetimet i kishte
edhe personale. Te autori Doda, shqetësimet e lirikave intime qesin në pah edhe
më ndjenjën e hollë dhe humanizmin e theksuar, të cilin e kërkonte në çdo
manifestim, publik qoftë a intim qoftë.
Ja dy strofa të poezisë "Asaj…” :
Nisja
më tronditi, më verboi
Me
muej të tana ngashëreva
Tash
në mendje gjithë bota më harroi
Zhdukjen
me vdekjen e krahasova.
Nënçmimi
më therri, por më shëroi
Harrova
Diellin dhe Perëndinë
Gjeta
strehë, i thashë shpirtit të duroi
E të mos më dhuroi ma mërzinë.
Kjo poezi gjashtë strofëshe ishte shkruar në Prizren, më
17 shkurt 1959, dëshmon dorëshkrimi i dëmtuar i tij.
Këso radhë do thënë se ai dëshmon së agjë nuk mund të
shkruaj pa një frymëzim të thellë e po ashtu ishte njohës i mirë edhe i
teknikave të të shkruarit, duke i respektuar rregullat e metrizmit sa edhe duke
pasur kujdes të madh në kuptimin mendimor të fjalës, e cila nuk duhet vetëm sa
për ta bërë rimën. Shkollimi në akademinë ushtarake në Torino, i kishte
mundësuar sigurisht edhe leximin e poezisë italiane, sa edhe të rilindasëve
tonë, për të mësuar konkretisht se si shkruhet poezia.
Po në atë vazhdë krijuese, shkrimtari Xhemil Doda kishte
lënë në dorëshkrim edhe shtatë tregime e novela: "Shpirti i katundarit",
"Ahmarrja", "Shekujt e perënduem", "Hija e
kujtimeve", "Shërbëtorja e doktorit", “Fragmente nga jeta” dhe
“Ditari i një qytetari”.
Subjekti i thjeshtë
që zbehë vlerën me ikjen e kohës dhe po ashtu modestia e mënyrës së
shkrimit, për atë kohë të mungesës dhe fillesës së krijimtarisë letrare në
Kosovë, ato ishin me vlera të veçanta, ku autori shpreh preokupimet e veta si
dhe mundohet t'u jap krijimeve letrare hapësirë të përgjithësimit, në mënyrë që
krijimi letrar të rezistojë në kohë e hapësirë, por vështirë që t'i bëjë ballë
asaj. I janë botuar novelat “Fragmente nga jeta” dhe “Ditari i një qytetari”.
Romani “Jeta e një
gjimnazisti”, dëshmi e pjekurisë krijuesve të Xh. Dodës
Romani që pati fatin e keq të mbetej në dorëshkrim,
titullohet "Jeta e një gjimnazisti" që në botim mban titullin “Jeta e
një maturanti”. I nisur sigurisht vite më parë por i përfunduar më 2 qershor
1957 në Prizren, kryhet romani i vetëm i Dodës. Autori, personalitet me
përgatitje akademike ushtarake, me gradën e togerit në kohën e mbretit Zog, ai
edhe me shkrimet e më parme artistike, dëshmon me përcaktimin e tij, me
karakterin dhe me shpirtin e tij me një edukim të hershëm në kërkim të
drejtësisë mes njerëzve, përkatësisht ndjenjën e dhimbjes për kontrastet
shoqërore.
Titulli i emërtimit të romanit rrëfen shumëçka që në
nismë të kësaj vepre, që në mjaft pika këtu janë dhënë përjetimet e autorit në
rini, në moshën e maturimit, atëherë kur njeriun është më shumë ndjenjë e më
pak logjikë. Endjet, dashuriçkat, raporti klasore e fetar që dalin pengesë mes
tyre, janë intrigimet të cilat e bëjnë këtë vepër që të lexohet edhe sot me kureshtje. Ky roman
zgjon interesim se i përket kohës së nismës së shkrimit të romanit shqip në
Kosovë, por edhe për shkak të kapjes se një teme që më parë nuk ishte interesim
i krijuesve letrar.
Romani "Jeta e një gjimnazisti", mbetur në
dorëshkrim, me të drejtë radhitët ndër romanet e parë shqiptarë në Kosovë,
krahas atyre të Hivzi Sylejmanit.
Në qoftë se studiuesit nga shkrimet e akëcilit autor
mundohen ta gjejnë edhe personin e tij, si subjekt a objekt, kësaj radhe kjo
nuk është fare e vështirë, sepse rrëfimi është i drejtpërdrejtë dhe i pa
"fshehur", ngase brenga e autorit ishte si duket e madhe dhe synimi i
tij është zhdukja e saj, e gjithsesi pas akceptimit, hapja e rrugës së një
përparimi në jetën sociale të rinisë, liruar nga bagazhi i së kaluarës jo të
lakmueshme.
Dy janë personazhet që përvijohen gjatë tërë faqeve të
këtij romani, të Alfons Buzës dhe të Pesentë Naços, vajzës së bukur e delikate.
Por, jo vetëm kaq. Në roman kemi gërshetime tekstesh me letra dashurie,
fragmente nga lufta nazi -fashiste, të dhëna kronikale që forcojnë të vërtetat
e jetës në vepër, apo edhe hetohet gërshetimi me thëne të mendimtarëve të
shquar botërorë, të cilat i vendos gjithnjë në kontekst me kërkesën e
paraqitjes së karaktereve dhe veprimeve të tyre në jetëvepër.
Sa për t'i forcuar këto mendime të sapothëna, do japim
shkurtazi pjesëza të të tillave, nxjerr nga romani "Jeta e një
maturanti":
"Burri
ka fuqinë dhe madhështinë, ndërsa bukuria dhe mituria janë të seksit
tjetër." - Buffoni,
ose:
"Ora
e parë ishte ajo e gjeografisë. Profesori i lëndës, zotëri Pandeliu, me
gjithëse i ri, zotërote një kulturë të gjerë dhe të gjithanshme. Kishte mbaruar
Universitetin në Grac të Austrisë dhe siç thuhej nga të gjithë ishte
klasifikuar ndër më të parët, bile edhe ndërmjet vetë austriakëve.",
ose:
"E
dashura Zonjë,
Kam
nderin të ju njofton se kam pasur fatin ta njoh birin tuaj të dashur, Alfonsin,
për të cilin duhet të jeni krenare, madje jo vetëm ju por edhe vet Atdheu e
gjithë populli juaj…
Me
nderime,
Otto
Spriezvald, Stokholm Quart IV Nr. 9, Suedi",
ose:
"Vajzës
që ma rrëmbeu zemrën ia dhuroj këtë libër, që jo duke lexuar të më kujtoj, por
duke me kujtuar të lexojë. Alfonsi",
ose:
"Alfonsi
ndiente një etje të tmerrshme për ujë. Tash i kujtohej filmi francez
"Dritarja që bënte dritë", ku të plagosurit, me sy të zgurdulluar
kërkonin: ujë, ujë, ujë!"
Ngjarjet, më shumë reale se të fantazuara, realizohen në
endjet kryq e tërthor edhe të shumë personazheve, që në raste vetëm përmenden,
por që plotësojnë tërësinë e veprës, si: Hanemshahja, Behajdini, Margarita,
Thanas Kumani, Remziu, Zefi, Vilma, Vedati, mandej drejtori, inspektor e
fytyrat të ndryshme ushtarake. Edhe toponimia e shtrirjes së subjektit të
veprës është mjaft e shtrirë, madje edhe në shtetet jashtë Atdheut, por që
kushtëzohen nga lëvizjet e atyre që endin ngjarjen e romanit.
Se vepra ishte specifike dhe me interes, e nxiti autorin
që ta mendojë edhe si skenar filmi, ku sigurisht do krijonte vlera, ngase gërshetimi
i kulturave, veprimet ndërshtetërore dhe dashuria e dy kryepersonazheve
realizuar pas shumë peripecive vetëm në fund, do plotësonte kriteret për vepër
me interes edhe për artin e shtatë.
Letërkëmbimi me Tajar
Zavalanin dhe Arshi Pipën
Xhemil Doda, i larguari nga puna nga Gjimnazi
"Buzuku" i Prizrenit, si i papërshtatshëm për sistemin komunist
jugosllav dhe po ashtu i larguar pas pak kohe pune edhe nga Teatri i qytetit të
Prizrenit, më l957, ku shërbeu si aktor, regjisor e dramaturg, ai tashti veç
ishte në sy për të keq nga pushtetarët, që ia mbyllin të gjitha dyert e jetës e
krijimtarisë. Madje kjo ndikon dhe e la në heshtje botimin e shumë dramave, por
gjithsesi ndaloi botimin e veprave të tjera, përkatësisht të romanit "Jeta
e një maturanti" që me të drejtë radhitët ndër të parët e romanit shqiptar
në Kosovë, krahas atyre të Hivzi Sylejmanit "Njerëzit" e “Fëmijët e
lumit tim”.
Duke mbetur tashti në shoqëri vetëm me letrat, dhe
njëkohësisht i dashuruar shumë pas shkrimeve, me çdo kusht bën përpjekje që ta
shoh romanin e botuar sa ishte ndër të gjallët. Kjo ndoshta ishte nxitja e parë
për të kërkuar ndihmë nga ata që konsideroheshin dashamirë të letërsisë si dhe
të personaliteteve që kishin fatin e ngjashëm me të autorit. Kjo ndodhi me
rastin e emetimit të emisionit “Zëri i
Amerikës”, të datës 21 prill 1959, në ora 21,15 minuta, ku përmendet e dhëna se
do bëhet botimi i veprave në SHBA nga krijues të kombeve të tjerë. Xhemil Doda
mendon se do ia botojnë romanin që e kishte në dorëshkrim dhe mu për këtë i
lutet Tajar Zavalanit që ta informojë atë se si i bëhet hallit. Po ashtu, në
letrën tjetër të gjetur në arkivin e tij familjar, dërguar Arshi Pipës, ai atë
e njofton se ka shkruar shumë novela, poezi dhe romanin "Jeta e një
gjimnazisti". Duke e ditur se A. Pipa ishte dashamir i letërsisë, ndër të
tjera Doda i shkruan: "Me fizionimi nuk Ju njoh, por zani dhe mënyra e
shkrimit të mendimeve, më jep nji përfytyrim dhe për shpirtin t'uaj."
Këtij letrari Doda i kërkon një ndihmë për vlerësimin e krijimtarisë së tij,
duke ia dërguar një novelë dhe dy poezi, për leximvlerësim, që sigurisht
autorit do t’ bëheshin ndihmesë për punën e mëtejme në këtë fushë krijimtarie.
Nga të dhënat e lëna, dihet se kishte mbajtur letërkëmbim
edhe me personalitete të tjera të rëndësishëm për kohën.
Duke ju mbyllur të gjitha rrugët për botimin e romanit,
më vonë do t'i premtojnë t’ia botojë një shtëpi botuese në Zagreb, në përkthim
të Z. Mirëditës, për çka lidh kontratë botimi, por s'dihet pse as kjo nuk iu
realizua.
Vepra e lënë dorëshkrim pa dritën e komunikimit me
lexuesin vetëm pas botimit nga SHB "Rilindja" e Prishtinës, në vitin
l988.
Nga krijimtaria e tij e larmishme, duhet përmendur edhe
mbledhjen nga ai të një sërë këngësh folklorike, pastaj shkrimin e një studimi
për lojën e kapuçave si dhe një polemike me shkrimtarin Ramiz Kelmendi, për
kritikën pas shfaqjes së dramës "Kryq’ i thyem". Polemika titullohet
"Kritikë e një kritike".
Si përfundim
Xhemil Doda, profesori i biologjisë, dramaturgu i shumë
veprave, tregimtari e poeti sa për dëshmim, romancieri që sumblimon konceptin e
tij jetësor të përshkushtimit letrar, aktorit dhe regjisorit në mungesë në
teatrin e qytetit të lindjes, përkthyesit që dinte çfarë të përzgjidhte, violinistit
të shquar në SHKA "Agimi, e para se gjithash të një ushtaraku të
karrierës, do e formonin portretin e një personalitet të rrallë të letërsisë,
kulturës e mbi të gjitha të atdhetarisë shqiptare, i cili për hirë të
principeve e karakterit të fortë prej idealisti, përjetoi të zitë e ullirit
gjatë tërë jetës.
Gjatë tërë jetës ai u afronte vlera arti e jete, ata e
flaknin në rrugën e madhe.
Jeta e idealistëve si duket përherë kishte pasur të
njëjtin fat, të njëjtat peripeci, të njëjtën madhështi, shëmbëllesë për brezat
se gjërat e mëdha dhe kujtimet e përjetshme vijnë vetëm pas këtyre mënyrave
jetësore.
Veprat letrare të Xhemil
Dodës
Dramat: “Halit Gashi”, katër aktëshe; “Malësori”, (“Burrë
Malësori”), katër aktëshe; “Pasojat e alkoolit”, dy aktëshe; “Kryqi i thyem”,
tre aktëshe; “Tradita të popullit të Ballkanit”, katër akte, dorëshkrim;
“Forumi i korruptuem”, komedi, një aktëshe; “Jeta studenteske”, komedi, një
aktëshe;
“Papuçja e vjehrrës”, komedi, tre aktëshe; “Lamshi mbrapa
sqenës”, tre aktëshe; “Thonjtë e maces”, dy aktëshe për fëmijë.
Romani: “Jeta e një gjimnazisti”. Përkthimet në
dorëshkrim: A. Boppe: “Shqipëria dhe Napoleoni (1797 - 1814)”, vepër studimore,
Kirillov: “Këshilla bujare”, A. P.
Çehov: “Fejesa”, Angjolo Biancotti: “Gjergj Kastrioti alias Skënderbeu”, vepër
historike, L. Bobiq: “Familja Blo”, dramë, Dr. ing. Boris Prikrill: “Ferri në
Pacifik 1941 - 1965”, J. Aleksiq:
“Dielli në tavolinë”, pjesë për fëmijë, “Loja e dashurisë dhe e rastit”, “Ali
Pashë Tepelena”, roman i botuar në Stamboll, më 1955, shkruar nga një turk,
“Besa e përbashkët”, e tjerë.