Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Serbia veç një kundërshtari ia ka drojën, nacionalizmit laik shqiptar
E shtune, 18.07.2020, 05:50 PM
Blerim Latifi:
Na
erdhi shumë mërzi kur në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me
komisionierin për zgjerim të BE’së, Oliver Varhelyi, në sfond të
bashkëbiseduesve dukej libri “Trashëgimia e krishterë në Kosovë e Metohi",
libër i cili dihet se prezanton historiografinë nacionaliste serbe mbi Kosovën.
Por, para se të nervozohemi dhe të shajmë Serbinë se po promovon mitet të rreme
historike, duhet të shohim se çfarë po bëjmë ne vetë. Ne le që nuk bëjmë asgjë
serioze për t'i mbrojtur ndërkombëtarisht të vërtetat tona historike, por bëjmë
diçka edhe më të keqe. Ka vite që në Tiranë, Prishtinë e Shkup, me dhjetëra
mercenarë shqipfolës, ditë dhe natë, shkruajnë e flasin për ta rrëzuar
narracionin kombëtarist të shqiptarëve. Sulmojnë Skënderbeun, sulmojnë tezat e
origjinës ilire të shqiptarëve, sulmojnë faktet mbi prezencën shqiptare në
Kosovën mesjetare, sulmojnë shkrimtarët e vjetër të shqipes, ideologjinë
europianiste të Rilindjes Kombëtare, sulmojnë e ç'nuk sulmojnë, dhe jo se u
dhemb zemra për faktet shkencore, sepse këta s'kanë lidhje fare me shkencën,
por thjesht dhe vetëm për t'u injektuar shqiptarëve në vetëdijen e tyre mitet e
propagandës neo-otomane, mite prapa të cilave fshihen qëllimet për ta kthyer
këtë vend në zonë influence të autokratit të ri të Turqisë. Që ky qëllim
politik të arrihet, duhet bërë një gjë esenciale : gjithë historia e
nacionalizmit shqiptar të shpallet e rreme nga vetë shqiptarët! Kuptohet, të
njëjtën gjë e synon edhe vetë Serbia, sepse Serbia prej Lidhjes së Prizrenit e
deri me sot veç një kundërshtari ia ka drojën, nacionalizmit laik shqiptar.