Kulturë
U nda nga jeta miku i shkrimtarëve, Prof. Dr. Murat Gecaj
E enjte, 16.07.2020, 07:53 PM
Sapo mësova me dhembje për ndarjen nga jeta të mikut të të gjithë shkrimtarëve dhe mikut tim, Prof.Dr.Murat Gecaj.
Fatkeqësisht njerëzit e mirë po ikin një e nga një. Ndaj
po shkruaj me dhembje për humbjen e një miku të mirë.
Eh, të tilla janë ligjet e natyrës.
Kështu e ka jeta, ka lindje, ka zhvillim, por dhe
vdekje...
I lumtur është ai njeri që lë pas një emër, por e
rëndësishme është kur lë një emër të mirë. I tillë ishte edhe Prof Murati. Ai
hynte tek grupimi i njerëzve të mirë dhe dashamirës. Nuk kishte si të bëhej
ndryshe ai bir i Alpeve. I lindur e rritur mes bardhësisë së borës, bukurisë
magjepsëse të kurorës përrallore të alpeve shqiptare, ku ligjëron Valbona. Në
formimin e tij rol të madh ka luajtur historia e egër, por atdhetare, mes
betejash për mbijetesë, krahinës së
Gjakovës, veçanërisht e fshatit të lindjes Bujan. Ky vend me bukuri të rrallë,
e rriti me dashurinë për vendin, për natyrën, për njerëzit, për këngët epike të Krahinës. Të gjitha këto
dhe edukimi i familjes me tradita atdhetare, e bënë Muratin një njeri të mirë që
kërkonte nga vetja. Me vullnet dhe punë, ai i ngjiti shkallët e kulturës
kombëtare, duke ia kushtuar dijet e veta arsimit shqiptar. Pas kreu Universitetin, e nisi punën si redaktor i
gazetës “Pionieri”dhe duke i ngjitur shkallët e dijes, arriti të marrë gradën “Doktor
i shkencave pedagogjike” e më pas , iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”.Për një periudhë
afër 55-vjeçare, është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, në gazeta e revista
shqiptare.
Prof. Murat
Gecaj ishte studiues e publicist
shqiptar. Ka mbajtur një kumtesë në Kongresin e
Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Eshtë autor i disa zërave për
arsimin e shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe
ribotimi (Tiranë, 2010); bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit
Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera:
arsimore, historike, folklorike etj.Ka botuar një sër veprash studimore dhe
letrare.
Veç vlerave të mësipërme ai
ishte bujar, shpirtgjerë dhe i paërtuar, njeriu që e shpërndante mirësinë
përmes buzëqeshjes. Megjithë moshën dhe problemet shëndetësore ishte i kudogjndur,
i papërtguar të ndihmonte shkrimtarët e rinj, të shkruante për ta, duke i
inkurajuar në rrugën e vështirë por të bukur të artit letrar. Kështu ka lënë
emrin e tij të nderuar në shumë botime.
Iku njeriu i mirë Murat Gecaj,
iku fizikisht, por ai i ka lënë duart dhe mendjen jashtë, emër që gjendet dhe
do të lexohet nëpër bibliotekat dhe libraritë e vendit.
I paharruar qoftë kujtimi i
Prof.Dr. Murat Gecajt! I qoftë e lehtë balta !
Me dhembje iu shpreh
ngushëllimet e mia familjes Gecaj, duke iu uruar të kenë kurajo për humbjen e
njeriut të tyre të dashur!
Ngushëllime miqve të tij!
Me konsideratë për njeriun e
mirë, Murat Gecaj!
Lamtumirë miku i të gjithëve!
Vilhelme Vrana
& Fitim Haxhiraj
Vlorë, 16.7.2020