Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Arratisja
E hene, 13.07.2020, 07:16 PM
Arratisja
Nga
Edison Ypi
Të
gjithë donin të arratiseshin. Të shumtët ëndërronin, disa shpresonin, pak
niseshin, edhe më pak ja arrinin.
Ata
që e "çanin ferrën" numuroheshin me gishtat e dorës.
Prej
atyre që niseshin, shumica, pasi përgjakeshin mbi telat me gjëmba ose
shqyheshin nga qëni i kufirit, përfundonin në burg.
Kush
thotë sot se nuk i ka vajtur kurrë në mendje të arratisej, gënjen, ose ka qënë
pjesë e mekanizmave kriminale të pengimit të arratisjes.
Të
vetmet vende ku për arratisjen flitej hapur ishin ishujt. Për ishullarët
arratisja ishte veprimi më i lartë që mund të kryhej prej më trimave dhe më
vizionarëve.
Nuk
ka ndodhur kurrë që ishullarët ta dekonspironin njëritjetrin për arratisjen.
Rastet fort të rralla që dukeshin të tilla, i përhapte sigurimi për ta
dekurajuar arratisjen në përgjithësi.
Tregohej
me tallje një mesele për dikend, i cili, duke bërë "autokritikë"
gjatë një mbledhje, kishte thënë; I kërkoj kolektivit të më dënojë me arratisje
në botën kapitaliste ku vuajnë për bukën e gojës.
Për
fort të rrallët që nuk arratiseshin por shkonin në një vend tjetër për ndonjë
punë apo specializim, nuk thoshin "udhëtoi" apo "vajti" apo
'iku", por "doli jashtë shtetit".
Bisedat
për arratisjen ishin jerm, dehje, delir. Bisedat ishullore për arratisjen ishin
nga më të shijshmet. Një ishull që nuk fliste për arratisje nuk ishte ishull.
Kur një mesnatë po flisja për një silur me propulsion brenda të cilit
parashikoja të arratisesha natën nga Liqeni i Pogradecit, Ilir Strazimiri
shqiptoi fjalët lapidare që të nesërmen bënë xhiron e arqipelagut;
Edison
Ypi, mos u arratis natën, arratisu ditën për diell që të shohi gjith' mileti.
Si
rregull pa përjashtim, kush vendoste të arratisej, nuk mendonte për pasojat,
sado dramatike, sado tragjike, dhe askush nuk pyeste, nuk kërkonte spjegime.
Arratisja ishte më e larta sakrificë që mund të bëhej ndaj lemerisë së
Diktaturës. Arratisja ishte therorizëm, vetflijim, akt sublim, pasojat e të
cilit sado tragjike nuk merreshin parasysh, nuk shkoheshin nëpër ment.
Për
të kontrolluar dhe mundësisht kthyer ata pak që arrinin të arratiseshin,
Sigurimi "hidhte" spiunë "jashtë shtetit". Ishullarët
habiteshin; Pse sigurimi spiunët nuk "i dërgon" ose "i
nis", por "i hedh" ?
Arratisjet
më fatkeqe ishin në Jugosllavi, në Kosovë, prejnga të kthenin.
Më
pak dramatike ishin arratisjet në Greqi.
Rastet
më të shpeshta ishin tentativat. "Tentativa për arratisje", që mund
të ishte edhe vetëm një fjalë goje, kushtonte jo më pak se 15 vite burg.
Fshatrat
kufitarë, postat e kufirit, telat me gjëmba, qëntë e kufirit, ishin tema të
preferuarat për ata që jo vetëm ëndërronin por edhe përgatiteshin për tu
arratisur. Regjimi kishte ngritur një sistem frike dhe survejimi që i kishte
bërë pothuaj të gjithë banorët e fshatrave kufitare informatorë. Ushtarët roja
kufiri nuk ishin kurrë qytetarë, por vetëm fshatarë. Në fshatrat kufitare
veriore silleshin roja nga fshatrat jugorë dhe anasjelltas. Rojat e ardhur dhe
banorët informatorë bashkëjetonin në një armiqësi latente që kurrl nuk zhdukej
dhe kurrë nuk shpërthente. Banorët nuk guxonin të flisnin keq për rojat. Rojat
thoshin për banorët e fshatit; "Janë shumë të poshtër. Mendjen vetëm për
tu arratisur e kanë". Për t'i marrë me të mirë banorët e fshatit kufitar,
ndonjëherë u sillnin "furnizim" me ushqime në sasira qesharake.
Në
Durrës kufiri ishte në breg të detit.
Në
Pogradec pas orës 9 të mbrëmjes kufiri ishte zalli i Liqerit ku kërciste çizmja
e ushtarit.
Në
lindje kufiri fillonte në Librazhd.
Në
jug kufiri zinte fill në Gjirokastër.
Në
veri, po të hyje në Shkodër, e kishe kaluar tashmë kufirin.
Mënyrat
e ëndërruara apo edhe të zbatuara për tu arratisur ishin një botë prej Walt
Disney që të linte pa ment;
Hedhje
nga ndonjë majë mali me krahë pëlhure si të Ikarit.
Natë
e errët. Komardare e fryrë mirë dhe e mbrojtur nga kafshimi eventual prej
ndonjë peshkaqeni. Çarçaf i bardhë. Dy bukë. Rrotë djathi. Bidon me ujë. Lopata
duart, dhe…drejt e në mes të Adriatikut ose Jonit derisa të kalonte ndonjë
anije e huaj që të shihte çarçafin e bardhë të valavitej mbi komardare.
Hedhje
me dron nga Çervenaka. U bënë përpjekje, po vështirësitë inxhinierike lidhur me
motorrin, lëndën djegëse, shuarësin e zhurmës, elikën, nuk e mundësuan kurrë
ndërtimin e atij droni.
Variante
të zbatuar;
Nga
liqenet e Pogradecit apo të Shkodrës gjatë një nate të errët me not me trupin e
lyer me dhjamë derri ose mbi komardare.
Në
kokë një sharqi i boshatisur, trupi nën ujë.
Variante
të tilla ka ndodhur që të jenë të suksesshëm. Por ka ndodhur, fatkeqësisht një
numur herësh, që edhe kur mbi ujrat e liqeneve nuk kapeshin, pasi bënin pak
kilometra në drejtim të Maqedonisë ose Malit të Zi, ngatërronin dritat, dritat
këndej u dukeshin si dritat andej, dhe ktheheshin nga ishin nisur, ku dihej
çfarë i priste.
Të
gjithë donin të arratiseshin nga kjo tokë e nëmur.