| E hene, 06.07.2020, 08:43 PM |
Mendime për librin e tretë të Elvi Sidherit
Erdha, Pashë, Dashurova
Nga
Kristaq Turtulli
Edhe
pse kanë kaluar më se 30 vjet përsëri është e vështirë të pranohet ndryshimi,
mendimi i ri, mendësia e re, zëri i ri. Shumë gjëra dhe disa krijues akoma
duket se janë tabu dhe, nëse i lakon ose i prek qarku i mbyllur të vështron me
mëri sikur u ke ngrënë bukën dhe ke bërë faj. Kjo vjen ngaqë jemi ushqyer me
lugë bosh për më shumë se 50 vjet me metodën e mediokre të realizmit socialist,
me të mirë dhe të liq. Me personazhe të himnizuar në idiotësi dhe politikë
puniste të bastarduar. Me gënjeshtra dhe përralla të formimit të njeriut të ri,
i cili doli një dordolec i mbushur me kashtë të mykur, veshur me lecka, aq sa
dhe sot e kësaj dite nuk po mundemi të orientohemi, të mësohemi të ecim me
dinjitet, ballë lart drejt botës së qytetëruar.
Ja
këto po mendoja teksa lexoja librin më të ri të shkrimtarit premtues Elvi
Sidheri dhe personazhi Artemisa, në librin e tretë: ‘Erdha, Pashë, Dashurova’.
Autori
me art dhe dashuri trajton një temë të rëndësishme; Dinjitetin e munguar të
femrës, gruas, nënës shqiptare, e fshikulluar nga jeta, por që mëkëmbet,
shkelmon të shkuarën, ngrihet me guxim, gjen të vërtetën e jetës së kuptimtë,
dashurinë e sinqertë kudo që shkon dhe kudo që të jetë.
Pas
dy romane të suksesshme ‘Dy botë’ dhe ‘Emigrantja’, doli në dritë romani i
tretë të shkrimtarit dhe përkthyesit letrar Elvi Sidheri:
‘Erdha,
Pashë, Dashurova’.
Miku
im i talentuar Elvi Sidheri qysh në faqet e para, më tërhoqi, më la shije të
këndshme me mënyrën e zhdërvjellët të shkruarit, ngrohtësinë, shkathtësinë dhe
rrjedhshmërinë. Sigurisht, s’ishte surprizë por një pritje e justifikueshme,
mbasi Elvi provën e kishte kaluar mjaft
mirë dhe me sukses në dy librat e parë, si nga rrjedhshmëria e rrëfimit,
kompozicionet, skalitja e kujdesshme e karaktereve, sidomos e vajzës dhe e
gruas shqiptare, të zhveshura nga kompleksiteti dhe nënvleftësimi qe e kemi
hasur rëndom në jetën e përditëshme. Shtrirjet e ngjarjeve në kohë dhe hapësirë
ishin një prezantim dinjitoz. Të dy librat personazh kryesor është vajza,
gruaja shqiptare, trajtuar me frymëzim, dashuri dhe poezi. Të ëmbla, delikate,
të çiltra, të ndershme, të pamësuara me kurbetin e egër dhe botën e madhe, plot
mistere dhe të papritura. Por nga faqja në faqe rriten, forcohen tok me
furtunat dhe rrebeshet e kohës së tranzicionit të stërzgjatur. Këto personazhe
të Elvit në letërsinë bashkëkohore
mbeten fllad i freskët, por edhe kushtrim, zë i plotë në amullinë e botimeve të
shumta të kohëve të fundit.
Elvi
është djalë studios, serioz, këmbëngulës me kulturë dhe me këmbë në tokë si
rrallë të tjerë të brezit të tij. Nga libri në libër me kujdes dhe përkushtim
po krijon mënyrën e të shkruarit dhe kristalizon fizionominë e tij. Në sajë të
pasionit, studimit dhe përkushtimin intelektual flet rrjedhshëm katërmbëdhjetë
gjuhë dhe, nuk është pak për moshën e tij relativisht të re, por një bagazh i
admirueshëm. Elvi ka përthyer me sukses vepra të shkrimtarë të mëdhenj të
letërsisë botërore, në versionet e tyre origjinale, si psh tre novelat e Miguel
de Servantes, nobelistë si Patrick Modiano dhe plot nobelistë të tjerë.
Elvi
Sidheri po jep kontribut letrar, përfaqësues i denjë i brezit që duhet të jetë
në të vërtetë për ti vënë shpatullat vendit, ringritur, që ka aq shumë nevoje
nga brezi më i ri, Shqipëria e lodhur nga ikjet, mediokritetet, pasivitetet dhe
nënvleftësimet. Mbasi guri rëndon në vend të vet dhe Elvi ky përfaqësues i
denjë i brezit të tij e di fort mirë këtë sekret.
Ngjarjet
në romanin: ‘Erdha, Pashë, Dashurova’ kanë shtrirje kohore gati njëzet e
vjeçare. Në sajë të bredhjeve, kontakteve dhe studimit të tij individual autori
e njeh mirë terrenin ku shkel, mjedisin që përshkruan me kompetencë, dashuri,
pasion dhe art. Jep njohuri, pasqyron me besueshmëri dhe vërtetësi ato që
përshkruan dhe thotë nëpërmjet gojës së personazheve.
Ngjarjen
e librit e nisën në janarin e vitit 1996, me ajrin që përthithej ndryshëm, me
tisin që mbështillte kryeqytetin shqiptar, akoma i gëzohej pavetëdijshëm
demokracisë fëminore, pa ditur ç’ofronte e ardhmja e afërt. Pra qysh në fillim
autori do të na futë në mendim, natyrën, kohën, situatën, tensionin e fshehur
dhe zhvillimet që do të pasojnë në libër. Artemisa gruaja inteligjente,
personazhi kryesor i librit, do na shoqërojë deri në faqen e fundit. Lë Tiranë
dhe merr udhëtimin për specializim drejt Mesdheut, Izraelit.
Artemisa
një femër, grua e emancipuar, e hijshme dinjitoze. Jeta me peripecitë e saj e
ka kalitur, ka mësuar që udha më e mirë në jetë, kudo që të ndodhesh është të
llogaritësh me gjakftohtësi dhe kthjelltësi situatat dhe të përftosh prej tyre.
E përpjeta e jetës e mësoi ta njohë veten, të jetë e kujdesshme dhe
përgjegjësinë e femrës vetes dhe jetës.
Ngjarja
në libër fillon qysh në faqet e para ndodh me një rastësi, më saktë keqkuptim
që ndodh rëndom, por është bindës. Dhe ky fill që shpesh thuhet rastësia është mbreti i botës i dha
impuls situatës dhe rrjedhës së mëvonshme. Vetë jeta e njeriut është krijuar
nga një mori rastësisht që shpesh e
quajmë fat dhe krijojnë një të tërë. E pra kjo rastësi ndryshoi rrjedhën e
jetës së personazhit tonë kryesor, Artemisa. I dha frymëmarrje gjithë veprës në
lidhje me dashurinë e zjarrtë dhe plot pasion. Autori është shkrirë me rrjedhën
e ngjarjes, nuk i pengon, por, i lë personazhet të lëvizin lirshëm, siç është
vetë jeta. U jep personazheve ndjenja të vrullshme, të shkruara me vërtetësi
dhe dashuri dhe, vetë lexuesi i ndjek me kureshtje, i përjeton.
Achilleas
Janakis, qiprioti i pashëm, burrë i sigurte te vetja, i suksesshëm në femrat. E
mori si lodër të zakonshme takimin e vajzën tonë, Artemisa. Por ajo me
dinjitetin, lirshmërinë, hirin e saj rrezatues, vetësigurinë e çarmatosi, ia
zuri të gjitha shtigjet. Dhe ishte ai që rrëmbeu zemrën dhe i fali dashuri me
të gjithë zjarrin e shpirtit. Dashuria e të dyve ishte vrullshme dhe plot
pasion ringjalli shpirtin e lënduar të personazhit tonë kryesor, pas traumës që
kishte kaluar nga martesa e pafat. Protagonistja e këtij romani e vuante
thellësisht të shkuarën e cila kishte lënë gjurmë të thellë ne mendje dhe në
shpirt. I dilte si hije, ja prishte gjumin, ja lëndonte kënaqësinë dhe
ëmbëlsinë e jetës. Ringjallja si dukuri, e prekur dhe shtjelluar vazhdimisht në
gojëdhëna, mite, skalitje të lashta në gur, legjenda e përsiatje të shkruara
apo të trashëguara brez pas brezi veç gojarisht, përbën pikërisht edhe njërën
ndër shtyllat e këtij romani, duke u përvijuar përmes përvojave të personazhit
kryesor (femëror) të këtij romani, ndërthurur me rrezatime të pamungueshme, të
cilat të shpien gjithnjë në shtegun e praruar të dashurisë.
Dashuria
e dy të rinjve, apo dy zemra kur gjejnë pikë të përbashkët, është streha më e
sigurte e dashurisë, kur është e sinqertë, është sublime në jetën e njeriut
dhe, kjo dashuri arrihet përmes peripecish e sakrifica të pafund, duke shkelur
nëpër vise të panjohura, fizikisht, shpirtërisht, njëtrajtshmërisht; duke
përshkuar periudha, të gjata herë sa një rrahje zemre, herë të befta porsi një
ndryshim epokal, që ngjizet, ndodh e jetësohet, duke përfshirë në valën e tij
shndërruese, gjithçka përreth.
Libri,
faqe pas faqeje, ngjarje pas ngjarjeje dhe kapitull pas kapitulli, me çiltërsi
dhe sinqeritet e lartëson personazhin e vet Artemisa dhe njerëzit e mirë të
mbështillen rreth saj. Ky libër është një rrugëtim shpirtëror, jetësor. Tregon
vlera dhe befasi, të bën ta duash dhe ta përjetosh, shpalosen njohje dhe
impulse, flakën e pashuar e dashurisë, vetëmohimit dhe forcës së paepur të vullnetit
të shndërrohet në vrull të pandalshëm, që pluskon në ujërat e kaltra të
Mesdheut. Simbolit të këtij romani, është dinjiteti i femrës, vajzës, gruas,
nënës shqiptare, në të cilën e ka trajtuar dhe në dy librat e para të tij, por
këtu ka një tjetër kënd shikim dhe origjinalitet. Pra femra shqiptare ngrihet
mbi mykun e kohës, mbi hijet dhe mediokritete, dhe së pari duhet të duash
veten, njerëzit përreth dhe të vështrosh përpara drejt mirësisë progresit edhe
kur gjendesh larg, ujdhesave, gadishujve, shkëmbinjve, majave të thepisura e
luginave të brigjeve të Mesdheut të lashtë, me plot ngjarje dhe histori, aty ku
shqiptarët, si gjithmonë janë gjendur në zemrën e këtij pellgu të përjetshëm,
Edhe
në kulmin e mirësisë dhe të dashurisë e shkuara, hija e së keqes, përgjon, ka
zënë pusi, hija, nuk ndalet përpara hakmarrjes së verbër. Kërkon të
shkatërrojë, të vrasë jetën, por edhe në këtë moment të luftës së midis jetës
dhe vdekjes, është mirësia dhe dashuria që triumfon mbi vdekjen, i jep fllad
vazhdimësisë së jetës dhe vlerës së bukur të saj.
Mesazhi
i rëndësishëm i romanit më të ri të shkrimtarit Elvi Sidheri : ‘Erdha, Pashë,
Dashurova’, nëpërmjet femrës së mençur e kurajoze Artemisa, protagonistes së
librit, është himni për jetën, për dashurinë, për ndjenjat e mohuara,
dinjitetin e gruas shqiptare edhe pse e vetme mes detit të madh, e gjeti veten
dhe dashurinë e vërtetë. Një çlirim i domosdoshëm dhe i rëndësishëm i mendësisë
shqiptare, të mohuar dhe të nëpërkëmbur, që me vetëmohim dhe përkushtim mposht
makthet e të shkuarës dhe vlerëson jetën dhe të nesërmen.
A
nuk duhet të jetë Shqipëria si kjo grua, bija e saj Artemisa, të shkelmojë të
shkuarën, kompleksitetin, që e bën të vuajë aq shumë, të përballojë furtunat
dhe të dalë me dinjitet përballë botës me gjithë potencialin e madh
intelektual?!