Mendime
Ardian Ndreca: Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë
E hene, 06.07.2020, 08:42 PM
Ardian Ndreca:
S’do
ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballek të Auron Tares
mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë
mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.
Por
ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne por ka ba
detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka
nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva në vend që me vijue me koleksionue
gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të
Atlantikut.
Fotokopjet
e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit që
ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta.
Përtej
humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës
dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete,
shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike,
veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy
rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej
rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.
S’po
pretendojmë që Tarja të kishte kapë pasaktësitë e dokumenteve që me nder me
thanë ka shqyrtue dhe as të kishte shmangë pohimet e rreme me shumicë (psh.
Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943!!) – e gjithë kjo të ban me mendue
sesa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me
çfarëdolloj uniforme të ishte veshë ky i fundit!
Tarja
asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue
çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë
gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin
studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen
të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist. Në
nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë
për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit!
Lodhesh
kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për
50-vjet nuk mbërrijti me i ba gja as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë
për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me
zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë!
Pastro
ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të
Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë,
edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon
të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij
berberit që ka dyqanin përballë spitalit!
As
Koliqi dhe as Camaj s’e kanë shtëpinë aty ku ti pandeh se ia ke gjetë emnin.
Asht e kotë me të spjegue ty dallimin mes rastësisë dhe domosdoshmënisë
historike, pse këto gjana nuk bajnë pjesë tek manuali bazë i pushkës model 56.
Historia
na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë, ndërsa taborri yt sot e
30-vjet ma parë falimentoi me turp përpara historisë tue lanë nji popull të
izoluem, të unshëm, të përçamë për shkak të pronave të grabituna, të padijtun
dhe të pashpresë.