| E diele, 05.07.2020, 04:32 PM |
“Darlin dhe shoqet”, vajzat fierake shkëlqejnë në garën skenike
Nga
Entela Binjaku
Në
një shfaqje plot ngjyra dhe gjallëri, në qiellin e hapur të Amfiteatrit të
Parkut të “Liqenit Artificial” të Tiranës është mbajtur mbrëmjen e së premtes
së 3 korrikut nata e finale e shfaqjes
me titull “Stand up” Albania. Organizuar nga “Sirea Film” me mbështetjen e
“Agna Lidership Academy” dhe Bashkisë së Tiranës, ky ishte edicioni i dytë i
këtij konkursi që përzgjidhte të rinj të talentuar në tre kategori: në të
folurën në publik, në gjinën e komedisë dhe të paraqitjes skenike.
Për
gjatë 9 muajve mes mjaft vështirësish
rreth 160 pjesëmarrës nga i gjithë vendi pasi kishin marrë pjesë në
fazat përzgjedhëse, u vlerësuan nga një juri e përbërë nga njerëz me ndikim në
jetën publike të vendit.
Gazetarja
Kozeta Kurti, pedagogu Erion Kristo dhe drejtuesi i “Sirea Film” Leonard Bombaj
sollën para publikut mbrëmjen e kaluar 16 konkurentë. Për përzgjedhjen e
fituesve në natën finale, përgjegjësia i
takoi një jurie të përbërë nga 30 emra të ndryshëm të aktivitetit publik në
vend. Në shfaqjen e finales i pranishëm ndodhej edhe nënkryetari i Bashkisë së
Tiranës Andi Seferi.
Të
gjithë konkurentët finalistë kishin kaluar fillimisht fazën eleminatore e më
pas gjysmëfinalen. Sipas rregullores së përcaktuar, çdo konkurent kishte të drejtën të
interpretonte për publikun një nga dy pjesët e paraqitura në fazat e mëparshme.
Në
mesin e finalistëve e pesta në garë ishte vogëlushja nga Fieri, 10 vjeçarja
Darlin Dimo. Ajo vinte në finale në kategorinë e “paraqitjes skenike” me një
pjesë kushtuar një dukurie shqetësuese për fëmijët: dhuna midis
bashkëmoshatarëve, njohur si bullizmi. Darlin hyri e vetme në skenë dhe mbante
ne dorë një tufë tullumbacesh të bardha që në fund të mesazhit të saj i lëshoi
në ajër si shenjë dashurie për cilindo fëmijë që ndodhet në vështirësi për shkak
të dhunës.
Ajo
e mbylli paraqitjen e saj me një kërcim ku u shoqërua nga 5 vajza fierake të
gjitha të angazhuara në fushën e kërcimit dhe të spikatura në aktivitetet që
ndjekin.
Në
grupin e vajzave fierake ndodheshin: Kejsi Çepele, nxënëse që sapo përfundoi
klasën e nëntë, fituese e disa çmimeve vlerësuar nga juri ndërkombëtare dhe që
prej 8 vjetësh merret me kërcim.
Iris
Rexha, që prej shtatë vjetësh e angazhuar në gjininë e baletit, nxënëse në
klasën e tetë në shkollën “Naim Frashëri”.
Ejza
Hoxha, nxënëse në klasën e gjashtë, nga Rroskoveci, që prej katër vjetësh
merret me kërcim, gjysmëfinaliste në këtë garë dhe finaliste në një tjetër
garë.
Erisa
Çepele prej pesë vjetësh e angazhuar në kërcim, fituese e disa çmimeve në
dancin sportiv dhe kontemporan, nxënëse
në klasën e tetë në shkollën “Kristaq Shtëmbari”.
Alina Zonja, nxënëse e shkëlqyer në shkollën “Flatrat e Dijes”, pjesëmarrëse në një seri aktivitetesh brenda e jashtë vendit, një talent i shumëfishtë i dëshmuar në gjithë këto vite.
Ndër
tre gjinitë në garë, Darlin konkuroi në gjininë e interpretimit skenik. Ajo
kishte marrë pjesë në fazën eleminatore me një pjesë kushtuar Tokës, mjedisit
dhe dashurisë për natyrën. Për natën finale konkurentja fierake zgjodhi të
njëjtën pjesë me të cilën ishte paraqitur në gjysmëfinale.
Duke
u ndalur tek kjo vogëlushe, Darlin Dimo është dalluar në aktivitetet e
organizuara nga Qendra Kulturore në Fier, në shkollën “Pinellopi Pirro” si dhe
në aktivitetet e organizuara nga Bashkia e qytetit. Ajo është pjesëmarrëse e
shfaqjeve të organizuara për ditët festive të qytetit të saj dhe nuk rresht së stërvituri në gjinitë
që parapëlqen më shumë: kërcim dhe interpretim të fjalës artistike. Si një nga
nxënëset e dalluara të shkollës që frekuenton,
Darlin e ka nderuar komunitetin ku është pjesë me paraqitjet e saj plot
bukuri e talent.
Por
siç edhe është e natyrshme, pas çdo fëmije qëndrojnë të rritur që ndjekin
edukimin dhe ushqejnë pasionin. Edhe pas Darlit qëndrojnë dy prindër të
vullnetshëm dhe të përkushtuar, një nënë
e paepur dhe plot ide. Bashkë kjo familje krijon një trio që me angazhimin e
treguar zbukuron jetën kulturore të një qyteti artdashës.
Deri
tani me bukurinë e saj ëngjëllore Darlin ka interpretuar për publikun e
pranishëm në salla të qyteteve te ndryshme si: në Fier, Berat, Tiranë, në
Prizren, etj., por edhe jashtë vendit: si në Konstanca të Rumanisë dhe në
Antalja të Turqisë ku ajo mori pjesë dhe u nderua edhe me çmim etj.
Ajo
ka kënduar në Festivalin e Këngës për Fëmijë në Fier, ka interpretuar për
publikun televiziv të njërit prej televizioneve më të rëndësishëm në vend si
“Top Channel”, ka qenë imazhi fotografik në një nga ekspozitat e mbajtura në
Muzeun Historik të Tiranës, etj.
Paraqitja
e sigurtë, e saktë dhe mjaft e bukur në Amfiteatrin e “Liqenit Artificial” në
Tiranë ishte jo vetëm shprehje e një pune serioze të saj, por edhe një shenjë
respekti për të gjithë ata që i kishin besuar dhe vlerësuar përzgjedhjen. Por
tani jemi në verë dhe siç Darlin e mbylli interpretimin e saj mbrëmë: fëmijët kanë
dëshirë të luajnë!