E premte, 27.12.2024, 08:59 AM (GMT)

Kulturë

Monografi mbi parlamentarizmin shqiptar në Malin e Zi në periudhën e pluralizmit

E enjte, 02.07.2020, 08:00 PM


Gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj ka botuar këto ditë librin “Zgjedhjet parlamentare dhe deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e pluralizmit 1990-2016”, një monografi dokumentuese që për objekt studimi ka përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi dhe që është vazhdimësi e librit të tij të mëparshëm “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990”.

Libri është një historik mbi parlamentarizmin shqiptar në Malin e Zi në periudhën e pluralizmit. Edhe pse në fokus ka deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, libri na ofron një pasqyrë edhe mbi zgjedhjet parlamentare dhe ndryshimet që ka pësuar gjatë viteve të shumëpartiakësisë Kuvendi i Malit të Zi. Në këtë monografi, autori pasqyron në mënyrë kronologjike të dhjetë palë zgjedhjet (gjashtë para dhe katër pas shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006) që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, duke u përqendruar te partitë politike shqiptare, baticat dhe zbaticat e tyre (zgjedhore). Ai na njeh me të dhëna të hollësishme për çdo zgjedhje – kornizën ligjore, numrin e votuesve, rezultatet e zgjedhjeve, numrin e listave pjesëmarrëse, emrat e kandidatëve për deputetë të partive shqiptare, përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe të deputetëve shqiptarë nga partitë e tjera në Kuvendin e Malit të Zi, ministrat dhe ndihmës ministrat shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi, duke shpjeguar edhe kontekstin politik në të cilin janë zhvilluar zgjedhjet.

Redaktor i librit është Ismet Kallaba, recensent Marash Dedvukaj, redaktor teknik Gazmend Çitaku, ndërsa kopertina është disenjuar nga Rajmond Gjonaj.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Ai është botim cilësor me lidhje të fortë dhe është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë, ndërsa është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

Gjekë Gjonaj ka botuar më herët librat: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare”, “Gjurmëve të kohës”, “Shqipet e maleve”, “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”, “Bijtë e shqipes” dhe “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990”. Ky është libri i tij i tetë.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Ulqin, më 30. 06. 2020

SHAI “Art Club”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora