Faleminderit
Fran Gjoka: Origjinaliteti i shkrimtarit Viron Kona
E merkure, 24.06.2020, 06:00 PM
Origjinaliteti i shkrimtarit Viron Kona
(Profil
me rastin e 70-vjetorit të lindjes)
Shkruar
nga: Fran Gjoka
Për
shkrimtarin Viron Kona, tashmë me një korpus të gjerë të krijimesh letrare
-artistike për të rritur e fëmijë, është folur dhe shkruar shpesh. Janë me
dhjetëra artikujt e shkruar për të nga studiues, shkrimtarë, gazetarë,
dashamirës dhe lexues të pasionuar të librave të tij. Dhe, të gjithë ata që
shkruajnë, bashkohen veçanërisht në një
pikë: Viron Kona është origjinal, i thjeshtë dhe i sinqertë në krijimtari.
Vepra e tij dallon sapo nis leximin, dallon nga natyrshmëria sesi ai e zhvillon
idenë dhe përmbajtjen, dallon në stilin e thjeshtë e të drejtpërdrejtë që ai
përdor, në ndjeshmërinë dhe në ritmin e tregimit, novelës apo kapitujve të
romaneve që shkruan. Ai nuk stis, nuk sajon, por krijon mbi bazën e një
realiteti që njeh dhe përjeton. Duket sikur me krijimin e tij, ai i ofron
lexuesit një tufë lulesh të këputur në një lëndinë apo në një shkëmb që rrihet
nga era dhe jo një buqetë artificiale të zbukuruar me kujdes dhe hijeshi por pa
aroma dhe ngjyra natyrale. Mbase, edhe këto veçori artistike bëjnë që librat e
këtij shkrimtari janë tërheqës dhe të kërkuar, ata zënë vend në biblioteka, për
ta diskutohet e flitet në takime të llojllojshme, shkruhet dhe botohet jo vetëm
brenda kufirit të Republikës së Shqipërisë, por edhe jashtë saj, e veçanërisht
në diasporën shqiptare si për shembull në Suedi, ku shkrimtari Kona është i
pranishëm me disa libra të përkthyer.
1.
Profili i këtij shkrimtari, modest dhe punëtorë, është shprehur me realizëm nga
shumë studiues, shkrimtarë e gazetarë, duke filluar me emra të njohur si, profesorët: Koço
Bihiku, Shefik Osmani, Gjovalin Shkurtaj, Pajtim Bejtja, Hektor Veshi, Murat
Gecaj, Qazim Dushku; nga doktorët e shkencave: Pandora Dedja, Fatmir Terziu,
Nuri Dragoj, Bajram Mejdiaj; nga studiuesit dhe përkthyesit Ullmar Qvick(Kvik),
Sokol Demaku, Qibrije Hoxha, Sadulla Zendeli-Daja, Hysen Ibrahimi; nga
studiuesit e letërsisë Harallamb Fandi, Xheladin Mjeku, Sejdo Harka, Gëzim
Tushi, Fatmr Minguli, Lule Shameti; nga artistët: Pjetër Gjoka e Kristaq
Paspali; nga shkrimtarët: Dalan Shapllo, Agim Cerga, Gaqo Bushaka, Ndoc Gjetja,
Koco Kosta, Bashkim Kozeli, Ferdinant Hysi, Faruk Myrtaj, Andon Andoni, Çelik
Petriti; nga gazetarët: Erik Jullander (Suedi), Csaba Balkus (Hungari); Hyskë
Borobojka, Vjollca Spaho, Kadri Tarelli, Faik Xhani, Veledin Dyrmishi, Fran
Gjoka, Kristo Mërtiri, Zenel Sina, Merita Thartori (Kuçi), Muharrem Dardha,
Gentiana Zagoridha, Zabit Rexhepi, Dhimitër Xhoga, Zhani Canco, Namik Selmani,
Mehmet Deliu, Petrit Malushi, Ndue Dragusha, Bashkim Saliasi, Merita Hoxha,
Jola Hitaj, Alqiviadh Dede, Ibrahim Hajdarmataj, Agim Qoku, Josif Devole,
Bashkim Minga, Mentor Hoxha, Bujar Poçari, Eduart Hoxholli, Kleo Lati, Murat
Drita, Sulejman Velaj, Bardhyl Dake, Josif Devole, Përparim Kalemi, Rexhep
Cullhaj, Adnan Laha, Myftar Veliu, Mato Kollozi, Ali Xhelili, Krenar Merolli,
Lulzim Hoxha, Qemal Vrioni, Luan Çipi, Isa Ferizaj etj;
2.
Në korpusin e më shumë se 40 librave të botuara (romane, novela, vëllime me
tregime, poezi, epigrame, fabula, rrëfenja), por dhe në qindra artikujt
studimorë, kritikë e letrarë, Viron Kona shfaqet i plotë: me pamjen, mendimin
dhe botëkuptimin e tij realist e përparimtar. Ai shfaq kurdoherë opinionin dhe
qëndrimin e tij të përparuar, shkruan me
një stil të thjeshtë dhe konciz, pa zbukurime dhe forma të stërholluara, përdor
një figuracion të pasur artistik, ku figurat letrare, shprehjet frazeologjike,
fjalët e urta dhe pikante rrjedhin natyrshëm; gjuha e Viron Konës është
korrekte, një shqipe e pastër dhe e
kuptueshme nga cilido lexues. Madje, ne lexuesit e rregullt të librave të tij,
kur lexojmë krijimet artistike të Vironit, na duket sikur e kemi pranë dhe dëgjojmë
me endje rrëfimin e tij të sinqertë, ndjejmë stilin dhe tipin e tij të shtruar
e të ngrohtë, bashkëbisedues dhe tërheqës. Viron Kona është një shkrimtar
bashkëkohor, që pasqyron në letërsi kohën e tij. Veprat letrare, si ato për të
rritur dhe për fëmijë, mbajnë vulën e një individualiteti krijues, tashmë të
konsoliduar dhe të plotë; krijimet e tij janë pasqyrime të thella e realiste,
të shprehura me guxim dhe pa paragjykime, ato shfaqin erërat, flladet por dhe
stuhitë e klimës social-kulturore të kohës
që jetojmë. Romanet rrokin temën e luftës për mbijetesë të shqiptarëve, temën e
rëndë e tronditëse të emigracionit dhe pasojat e saj në shoqërinë shqiptare,
duke nënvizuar optimizmin dhe besimin në të ardhmen demokratike të Shqipërisë.
Ndërkaq, në letërsinë e z. Kona shpalosen natyrshëm pamje dhe zhvillime nga
bota e shkencës, kulturës, artit dhe letërsisë, si asaj shqiptare dhe botërore.
Nëse te veprat për të rritur ai trajton me forcë dhe me zë të fuqishëm kritikë
problemet dhe dallgët që njerëzit janë të detyruar të përballojnë e kapërcejnë,
në letërsinë për fëmijët ai shfaqet tepër i ndjeshëm dhe optimistë, u ngjallë
lexuesve të vegjël ndjenja të bukura, shpresë dhe besim për një të ardhme më të
bukur, nxit tek ata dëshirat për dije dhe kulturë, i drejton tek e ardhmja, te
zhvillimet social-ekonomike e, sidomos te kultura, krijimtaria dhe shkenca, te
dashuria për njeriun. Viron Kona nuk shkruan pa e njohur episodin, ngjarjen,
realitetin e gjërave që bën objekt të krijimtarisë. Mund të themi se në librat
e këtij shkrimtari është jeta e tij, e pasqyruar artistikisht dhe e përpunuar në imagjinatën krijuese. T`i
lexosh librat apo të bisedosh me këtë njeri të urtë, modest dhe të ditur, sikur
shfleton faqet e një enciklopedie të pasur dhe tërheqëse, që të mban ndezur
interesimin e kureshtjen, të ngjallë e të ndezë dëshira dhe imagjinata të
bukura për jetën.
3.
Duke qenë një shkrimtar aktiv, që ka jetuar harkun e dy sistemeve, atë të
diktaturës dhe të demokracisë, Viron Kona është i vërtet dhe bindës në
letërsinë që shkruan, por edhe i ekuilibruar në nxjerrjen e përfundimeve dhe të vlerësimeve: përshëndet
demokracinë dhe të ardhmen e saj të sigurt në Shqipëri, perspektivat që ajo hap
në të gjitha fushat, duke nënvizuar
mundësitë që i krijohen njeriut të lirë për të shpërthyer dijet,
kulturën, aftësitë individuale praktike dhe teorike për të ndërtuar një jetë
gjithnjë e më të mirë për veten, për familjen, por dhe duke kontribuar për
atdheun...Ai nuk e mohon faktin që, edhe në periudhën e “diktaturës së proletariati”, ky popull ka
punuar dhe kontribuar me mish e me shpirt për vendin e tij: edhe për ta zhvilluar atë në fushat
ekonomike, të ndërtimit, të prodhimit e të
mbrojtjes, ashtu dhe në fushën e kulturës, të arsimit dhe të emancipimit
të shoqërisë. Disa arritje të rëndësishme të asaj kohe, shkrimtari Kona nuk i
shikon si meritë të partisë në pushtet apo të individëve politikë e partiakë,
por si vepra që u ngritën me sakrifica të mëdha popullore (ndërtimi i
hidrocentraleve, tarracimi i kodrave të bregdetit, rrugët automobilistike dhe
ato hekurudhore, lufta kundër analfabetizmit, elektrifikimi i vendit etj.).
Ndërkaq, ai mban qëndrim dhe dënon mungesën e lirisë së shqiptarëve në kohën
e diktaturës, shfaqjen dhe veprimin e
luftës së klasave, varfërinë e skajshme, bunkerizimin e vendit, mbylljen dhe
izolimin e Shqipërisë nga bota me një perde të hekurt.
4.
Në librat e Viron Konës spikat jeta dhe 49 vitet e punëve që ai ka kryer deri
sa doli në pension në vitin 2015. Ai thotë se e ka ndihmuar shumë për
krijimtarinë e tij vecanërisht punët e vështira që ka kryer sidomos në rininë e
tij: në Uzinën Mekanike të Vlorës, puna për dy vjet resht në aksionet për
ndërtimin e hekurudhave
Librazhd-Përrenjas dhe Fier-Ballsh; kryerja e deyrës ushtarake në disa reparte
speciale të ushtrisë në Tiranë, Kërrabë, Skrapar, Gjadër, Palermo; arsimi i
Lartë në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë – Letërsi; puna si drejtues i
rinisë i rrethit të Vlorës, puna në administratën partiake e shtetërore për
probleme të arsimit, artit, kulturës, shkencës, organizatave të masave;
profesioni i mësuesit, duke filluar nga fshati Ibë e Sipërme Tiranë e, më pas,
drejtor në shkollat: 9-vjecare ”4 Dëshmorët”, e Mesme e Gjuhëve të Huaja ”Asim
Vokshi”, gjimnazi “Ismail Qemali”; detyra redaktor i gazetës “Mësuesi”, e më pas inspektor në Ministrinë e Arsimit, derisa
doli në pension. Ka ndikuar në krijimtarinë e tij kryerja e një kursi
relativisht ushtarak në Shkollën Ushtarake të Bashkuar,Tiranë; shkuarja në
emigracion, ku provoi punë të vështira, raskapitëse e përcmuese (“Në Tiranë shkruaja
libra, në Athinë ngrija thasë “ Ose: ”Kur pronari grek mori vesh se refugjati
që kishte në makinë ishte shqiptar, ndali makinën dhe i tha refugjatit të hipte
në karroceri të makinës në atë të ftohtë dimri, kurse qenin që ishte në
karroceri e mori në kabinë”); Dhënia e Çmimit të Parë për librin “Eh, more
Bubulino!” nga UNICEF: Organizata Botërore e Fëmijëve, dega në Tiranë; përkthimi i librit të tij për fëmijë
“Bubulino” (“Men kara Bubulino!”) në gjuhën suedeze; ftesat, disa herë, për
pjesëmarrje në veprimtari përuruese për librat e tij në Suedi; turneu në krye
të një ansambli të këngëve dhe valleve për rreth një muaj në Turqi; qëndrimi
prej 3 muajsh për një operacion të rëndë në klinikat e Budapestit etj. “Një
shkrimtar, është interesant, kur, krahas talentit, pasionit dhe këmbënguljes
për ta çuar punën e nisur deri në fund, ka edhe një jetë personale
interesante”, - shkruan ai.
5.
Personazhet dhe heronjtë në veprat e Viron Konës, lëvizin dhe zhvillojnë jetën
e tyre në terrene e mjedise gjeografike
e historike reale, të vërteta dhe interesante të cilat dhe vet autori i ka
njohur mirë: kështjellat e lashta shqiptare, veçanërisht ato të zonës së
Vlorës, që është dhe vendlindja e shkrimtarit ku ai ka jetuar e punuar deri në
moshën 35 vjeç. Në veprat e tij, lexuesi ka rastin të mësoj saktësisht dhe të
përshkruara me bukuri të veçantë artistike ngjarje pikante historike, që kanë
ndodhur në kalatë shqiptare të Kaninës, Amantias, Skelës, Himarës, Lumit të
Vlorës; Krujës, Albanopulit, Petralbës, Lisit dhe Akrolisit, Butrintit,
Klodianës, Petrelës, Prezës, Rozafës, Beratit, Elbasanit; në ato vepra lexuesi
ndjen vlerat dhe pasuritë e mëdha kulturore e artistike që bartin vendbanimet
historike dhe qendrat arkeologjike në Shqipëri si: Butrinti, Antigonea,
Orikumi, Amantia, Aulona, Bylysi, Apolonia, Lini, Komani, Grazhdani,
Tepelena...; ndërkohë që, lexuesi, i rritur dhe ai i vogël, merr në mënyrë
artistike informacion të panjohur më parë për mjedise, zona dhe vende që ngjallin kërshëri të veçantë, si:
Gjiri i Vlorës dhe i Dhramës; gadishulli i Karaburunit, ishulli i
Sazanit; emocionohet nga bukuria dhe misteret e bregdetit të Adriatikut dhe të
Jonit, nga historitë në malet dhe luginat e Tiranës, Vlorës, Krujës, Matit,
Bulqizës, Dibrës, Kurbinit; lagunat e Karavastasë, Nartës, Patokut, Kune
Vainit; vendet e bukura e turistike si: liqenet e Lurës, parku kombëtar i
Llogorasë, Pisha Flamur, Rrugët e Bardha të Palasës - Dhërmiu, Himara, bukuritë
e Zvërnecit, Valbonës, Qafështamës...
-Kafshët
dhe shpendët, mbrojtja e tyre, ekologjia dhe lufta kundër ngrohjes globale,
fokusojnë episode dhe ngjarje të veçanta dhe tërheqëse në librat e këtij
shkrimtari. Ato përshkruhen në mënyrë të gjallë, krijojnë emocion dhe vizione
të reja e të gjera. Viron Kona i paraqet kafshët dhe shpendët si personazhe që
flasin dhe bisedojnë, kryejnë aventura, por edhe shfaqin luftën e tyre për
mbijetesë. Te këto krijime, zbërthehet bukur dhe me realizëm fjala e popullit
kur shprehet: ”Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron!”. Ndërkaq, fabulat,
idetë dhe mendimi artistik i autorit, i shprehur edhe me “gjuhën e Ezopit”,
nxit dhe zgjon te lexuesi mprehtësinë, inteligjencën, por edhe nxit imagjinata,
dëshira dhe ëndrra të bukura për ta dashuruar dhe për ta mbrojtur natyrën, për
të mbrojtur gjallesat, kafshët dhe shpendët, sikurse, me kolor artistikë, ai
paraqet përpara lexuesit edhe bukuritë magjepse të mjedisit shqiptar, ato
arkeologjike dhe natyrore, vendet turistike-perla të rralla të këtij vendi
evropian me bukuri të pakrahasueshme. Veçanërisht shfaqen këto në vepra si:
“Dardi” apo “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, ku paraqitet një udhëtim me
anije, turistik shkencor dhe me
aventura, rreth e përqark gadishullit të Karaburunit; “Pulëbardhat
përbindëshe”,(ku tregohet për fatin e hidhur të disa refugjatëve, që i besuan
jetën e tyre disa skafistëve me gomone për t`i çuar ata në Itali,por që...”;
“Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”(ku tregohet për një udhëtim me
anije të një grupi fëmijësh nga ishulli i Sazanit deri në Shëngjin e ku përshkruhet
me bukuri dhe në mënyrë tërheqëse bregdeti i Adriatikut; “Nëndetësja”(libër me
tregime,kryesisht për ngjarje të ndodhura në det), “Dielli është i imi”9me
tregime kryesisht me subjekt nga jeta në ushtri apo dhe që mbështeten në
mençurinë dhe filozofinë popullore etj.
I
veçantë është fakti se, ky shkrimtar, para se të shkruaj librin, e përshkon vet
mjedisin për të cilin shkruan. Ai shkon vet më parë, e vëzhgon me kujdes e
vëmendje mjedisin apo “teatrin e ngjarjeve”, siç shprehet ai, por edhe e
fotografon në mendje dhe me aparatin fotografik që nuk e largon asnjëherë nga vetja. Në arkivin e tij ai ka
qindra fotografi nga kalatë e Kaninë, të Amantia, të Lezhës, të Beratit etj.,
deri edhe të kështjellës tetëkëndëshe të Skelës, të zbuluar dhe mbuluar disa
herë. Viron Kona është tipi i njeriut që flet pak dhe dëgjon shumë, dhe, vetëm pasi mbledh
informacionin e nevojshëm, ai ulet e shkruan, duke e përpunuar gjithçka në
imagjinatën e pasur e krijuese. Për këto shkaqe dhe arsye ai ka shëtitur në
këmbë skaje e gjire të gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, ka
lundruar me disa lloje anijesh në gjirin e
Vlorës, gjirin e Dhramës në Karaburun dhe disa gjire të tjerë të
gadishullit; është futur në shpellën e Haxhi Alisë me katër silurues, sikurse
është nga civilët e rrallë shqiptarë që ka arritur të lundrojë deri edhe me
nëndetëse në gjirin e Pasha Limanit. Për
të parë mjediset dhe skenat ku do të zhvillojë ngjarjet, ai ka shkuar
posaçërisht në Gur të Bardhë (Petralbë) dhe në Klos të Matit, në mjediset dhe
fshatrat rreth Dajtit (me makinë, në këmbë por dhe me helikopter), në Zall
Dajt, Zall Bastar, Shën Gjergj, Shemëri, Surrel...; në Shën Ndou të Kurbinit, në Sari Salltëk,
Albanopol, Qafështamë e Shkëmbin e Vajës të Krujës, në Velipojë e Shirokë të
Shkodrës, në ishullin e Maligradit në Prespë, në Borovë, Barmash e Gjonc të
Kolonjës, në Pukë te muzeu i Migjenit dhe në Dardhë; në Koman, në aeroport dhe
muzeun e Kukësit, në Valbonë e bjeshkët e
Tropojës, në Frashër, Bënjë, Malshovë të Përmetit, në Lurë e Grazhdan të
Dibrës, në vend-betejat e Skënderbeut në
Bulqizë, në Malësinë e Madhe; në Shalës, Papër, Shushicë, Dumre, Byshek
të Elbasanit, në Skrapar për të parë Guakun, Kanionet e Osumit e Gradecit dhe
urën e Kasabashit, ... Nuk ka qytet, krahinë dhe çdo vend të rrallë të
Shqipërisë, që nuk e ka shëtitur me këmbë ky shkrimtar, sikurse ka shkuar edhe
në Janinë, Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë, Ulqin, Gostivar...
6.
Është shkruar edhe më parë, por do të theksoja edhe një herë se Viron Kona, sa
herë që del jashtë vendit, i kushton libra shteteve që viziton, duke sjellë në
Shqipëri risi origjinale, kënd shikime realiste dhe pikante, të cilat i vlejnë
lexuesit, e tërheqin atë me informacionin e dobishëm, ngjallin kërshëri, por
dhe transmetojnë vlera estetike dhe edukative. Janë të përmendur nga kritika
libra si “Dëgjoma zemrën Budapest!”, ku autori përshkruan artistikisht dhe në
mënyrë tërheqëse periudhën tremujore të
qëndrimit të tij në disa klinika
universitare mjekësore të Budapestit; romani “Drithërimat e yjeve”, që
është një nga librat më të pëlqyer të
këtij autori e për të cilin artikujt e shkruar për të, ia kalojnë faqeve të
romanit. Është një libër që, shumë nga ata që
e kanë lexuar, kanë shprehur e shfaqur mendimet, opinionet, emocionet që
u ka ngjallur ai me episodet, ngjarjet, batutat, dialogët, stili tërheqës e të
sinqertë apo me figuracionin e pasur
artistik. Kurse, studiuesit, nuk kanë nguruar ta rrokin atë libër në penën e
tyre dhe ta analizojnë si një vepër që do t`i rezistojë kohës dhe do t`u
tregojë brezave sesi shqiptarët, në periudhën pas përmbysjes së diktaturës
komuniste, nisën një kalavar të gjatë vuajtjesh, aventurash dhe peripecish deri
rrëqethëse, për t`u integruar me
zhvillimin dhe qytetërimin evropian. Në këtë atmosferë, do të përmendja edhe
librin “Yje mbi Bosfor”, të cilin Viron Kona e shkroi pasi u kthye në Shqipëri
pas një turneu një mujor me një ansambël të këngëve dhe valleve, i cili dha
shfaqje në dy festivale ndërkombëtare në Turqi e ku Viron Kona kryente detyrën
e kryetarit të atij Ansambli.
7.
Për t`u përmendur është edhe fakti tjetër që, Viron Kona i ka kushtuar disa libra Suedisë, e konkretisht librat
“Bukuri suedeze”, ku shfaq përshtypjet e
tij pas një vizite disa ditore në qytetin Boras dhe Vimmberb; librin “Për Ju
miqtë e mi”, ku shkrimtari ynë përshkruan miqësinë me popullin suedez, duke u
ndalur në disa figura të mëdha të këtij populli August Strindberg, Selma
Lagerlof, Astrid Lindgren, si dhe shkruan më gjerë për albanologun e shquar
suedez Ullmar Qvick (Kvik), “Mik i Madh i shqiptarëve”. Origjinaliteti i këtij
shkrimtari shfaqet veçanërisht në librin me motive shqiptare - suedeze “Zonja
nga Borasi”, ku Viron Kona na sjellë tregime të freskëta, me ngjarje pikante
e të shkruara mjeshtërisht. Krahas të
tjerave, shkrimtari paraqet në këtë libër tregime që u dedikohen disa
figurave të mëdha suedeze si botanistit
të madh Karl Vonn Line, astronomit Anders Celsius (i cili zbuloi dhe aplikoi
gradacionin e termometrit) etj. Interesant është jo vetëm fakti që këta libra janë
përuruar në Suedi, ku autori ka qenë i ftuar, por se pjesëmarrja dhe interesimi
i suedezëve dhe shqiptaro - suedezëve për ata libra ka qenë i dukshëm. Në
vazhdim të librave të tjerë kushtuar Suedisë, Viron Kona ka shkruar në
bashkëpunim me Sokol Demakun, librin “Poleni viking”, të cilin albanologu
Ullmar Qvick e cilëson si “një enciklopedi të vogël” të Suedisë dhe Shqipërisë.
Ndërkohë që janë interesante edhe librat monografi ”Ju dua më shuam se veten!”
kushtuar leksikografit, poetit dhe atdhetarit Sadulla Zedeli-Daja me banim në
ujdhesën suedeze Ëland dhe libri: ”Kur
vjen Sokoli”, monografi kushtuar poetit, përkthyesit dhe gazetarit Sokol
Demaku, me banim në qytetin Boras të
Suedisë. Duke qenë i zgjedhur Anëtar Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve
Shqiptarë të Suedisë, Viron Kona është i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme me
artikujt e tij në veprën madhore dhe me jehonë të kësaj shoqate “Thesari
Kombëtar”, si dhe në revistën shqiptare-suedeze “Dituria”. Për veprat e
shkruara me subjekt Suedinë dhe që i shërbejnë miqësisë midis dy vendeve tona,
Viron Kona është ftuar në një audiencë
të veçantë në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Suedisë (Rajoni Perëndimor)
në qytetin Goteborg, por edhe në Ambasadën e
Mbretërisë Suedeze në Tiranë, ku prej vitesh është ndër miqtë e saj.
Ndërkaq, ai ka marrë pjesë i ftuar si shkrimtar në dhjetëra takime në disa
qytete suedeze si Goteborg, Boras, Ëland, Ferjestaden, Borgholm, Vimmerby etj,e
ku në disa prej atyre veprimtarive, ai është nderuar me Vlerësime nderi e
Mirënjohje.
8.
Në letërsinë për fëmijë, Viron Kona është i njohur veçanërisht me librat që
kanë personazh vogëlushin Bubulino (libër i përkthyer edhe në gjuhën suedeze),
i cili ka fituar çmimin e parë nga UNICEF. Por, edhe me librat që kanë
personazh vogëlushin Dardi dhe Erlindi, apo kapiten Likun, Fluturushen,
Lisianën, Shkencëtarin e Madh Këmbëgjatë dhe Mjekërverdhin etj. Në letërsinë për fëmijë të këtij shkrimtari janë të njohura dhe personazhet kafshë e
shpendë, sidomos papagalli Çate(“Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”,”Shpëtoni
papagallin Çate!”, ”Dëgjoni se ç`thotë ky papagall”); Janë tërheqës për fëmijët
edhe librat: “Një udhëtim i çuditshëm” dhe “Të fshehtat e një mrekullie”, ku
autori paraqet një grup fëmijësh që përshkojnë me helikopter rrugën e re të
Arbrit, kryesisht mbi degëzimin e rrugës së vjetër “Egnatia”, por edhe librat:
“Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë”, “Pëllumbat”,”Etje që shuhej”, “Mos m`i
zbukuroni plagët!”,“Të çuditshmit”, “E fshehta e pyllit”, ”Shitësi i vogël i
kekëve”,”Kolipoçi, ngrënësi qershive”,
si dhe mjaft libra të tjerë të vlerësuar nga lexuesit e vegjël, por dhe nga
kritika e studiuesit e letërsisë. Duke
qenë me profesion mësues, mjaft nga librat e z. Kona kanë në qendër shkollën,
mësuesit dhe nxënësit, të cilët në librat e këtij shkrimtari kanë qenë dhe janë
personazhe të dashur për lexuesin, siç ka ndodhur me librat: “Kontrolli befasishëm i një
inspektor”,”Pëllumbat”,”Mësues pse e ke
hequr kollaren?”,”Etje që shuhej”,”Rruga Mis Durham” etj.
Viron
Kona në një takim me lexues të vegjël të shkollës së Kuqe Tiranë, 16 Nëntor
2018
E
veçantë në këta libra është gjuha e bukur dhe tërheqëse, fabulat origjinale dhe
interesante, mjediset reale ku ato zhvillohen, humori që i përshkon dhe që
fëmijët e dëshirojnë shumë. Për këta libra Viron Kona është i gjithë kërkuar
nga fëmijët, veçanërisht nga fëmijët e ciklit të ulët të shkollave 9-vjeçare,
por edhe ata të arsimit të mesëm apo studentët e universiteteve. Takimet e tij
me lexues e kalojnë shifrën 300, ndërkohë që janë pafund opinionet, mendimet,
diskutimet e shprehura nga lexuesit e vegjël, rreth krijimtarisë së këtij
autori, teksa, ai, gjithnjë kokulur, vijon të punojë sikur gjithçka po e nis
nga fillimi.