E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Biçikleta

E merkure, 24.06.2020, 07:52 AM


Biçikleta

Nga Edison Ypi

Biçikleta ishte një rraqe metalike pa moshë. Si sot edhe para edhe pas dhjetë vjetësh mbetej gjithmonë as e re as e vjetër.

Biçikleta ishte një "imobiliare" e lëvizëshme që trashëgohej, shitej, falej, këmbehej, vidhej, flinte, zgjohej, plagosej, rënkonte, sëmurej, shërohej, por kurrë nuk vdiste.

Biçikleta në shitje kishte aq rrallë sa nuk mbahej mend kur kishte ndodhur.

S`dihej kush e kur e ku e kishte blerë biçikletën. Biçikleta gjallonte në anonimitet të thellë si breshka brenda zhguallit.

Biçikleta ishte sendi më i lakmueshëm për tu vjedhur. Biçikleta vidhej më tepër se gjithçka. Vjedhja e biçikletës ishte fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të pllakosnin. Për ta lidhur biçikletën pas ndonjë shtylle për mos ta vjedhur përdoreshin një amanejarebi me dryna, kavo, litarë, zinxhirë.

Nëse ndodhte që po atë ditë kur të vidhnin biçikletën të vidhnin edhe antenën apo diçka tjetër, kupa derdhej, jeta sterrosej.

Një herë e një kohë biçikleta kishte targë dhe një si tesër. Pse ? Një Zot e di. Ndoshta kishin kopjuar Kinën ose Rusinë ku biçiketat ishin me miliona.

Shqiptarin barkzbrazur veshur keq me një biçikletë përdore duke u endur nëpër Tiranë, nuk doli asnjë Mikelanxhelo ta pavdekësonte në mermer atë kryevepër.

Pse nga Rusia prejkah vinin turlilloj hekurishtash nuk erdhën kurrë biçikleta ? askush nuk e dinte.

Biçikleta e parë më e përhapur quhej "Diamant". Thoshin se e kishin sjellë nga Gjermania Lindore duke e këmbyer me domate e kastraveca.

Pastaj sollën Mifa, e ngjajshme me Diamant-in por jo aq e fortë.

Ca kohë qarkulloi një biçikletë vietmeze. Ishte e dobët. U zhduk shpejt.

Provuan ta prodhonin "me forcat tona". Dështuan me sukses.

Biçiketat kineze që i sollën me shumicë në vitet 70-80 kishin të pikturuara ca gjarpërinj, nuk kishin emër. Quheshin të gjitha "biçikletë kineze".

Biçikletat ishin dy llojesh;

Me hekur, të cilës nuk mund t`i hipnin femrat se u dukeshin brekët dhe bëhej hataja.

Pa hekur, demek tip Vespa, që mund të përdorej pa frikë nga femra e meshkuj edhe pa brekë.

Mirmbajtja e biçikletës s`ishte problem. Për mirëmbajtjen e biçikletës zbatohej me sukses parimi "kam te puna". Nëse duke ndrequr biçikletën "te puna", ndodhte që andejpari kalonte brigadieri, shefi, drejtori, ata jo vetëm s`të pengonin, por të shihnin me dashamirësi.

Ndonjëherë biçikleta ishte shpëtimtare.

I thanë njërit; Mbete me biçikletë a ditëzi. E ke që e ke një kushuri në Greqi. Thuaji të sjelli një motocikletë ?

Ua priti miku; Jo. Kurrë. Tani që lëviz me biçikletë, më vënë nga pas një spiun me biçikletë, dhe janë të qetë që nuk do arratisem apo nuk do bëj ndonjë herezì tjetër. Po të marr motoçikletë, unë me motoçikletë, spiuni im me motoçikletë, do binte në sy. Të më vënë pas mua me motoçikletë një spiun me makinë është shpenzim që nuk ja vlen, përkujdesje që nuk e meritoj, dhe më degdisin në Spaç.

Sado rraqe që ishin, shumica e biçikletave kishin një fener elektrik për të ndriçuar rrugën për tu ruajtur nga trafiku inekzistent. Kotësia e fenerit nuk u vu në dukje kurrë. Për të kujtuar se Shqipëria ishte "fener ndriçues i botës", ndonjëherë në mbrëmje polici të thoshte "ndize dritën".

Varkat, gomonet, komardaret, krahët e Ikarusit, mjete arratisjesh dalë me tërsëllëmë nga cirkomvolucionet e ndwzura gjatë delireve nokturne me sytë në tavan, me gjithato pedale, timona, zinxhira, rrotëza, ishin të frymëzuara nga biçikleta.

Ekzistonte një kilometrazh i vogël sa një kokërr arrë mbërthyer te piruni i biçikletës pranë aksit të rrotës. Askush nuk e pa kurrë sa kilometra shënonte kilometrazhi. Pse mjeti ekzistone, por rruga shtëpi-punë-shtëpi e përshkuar mijëra herë nuk u mat kurrë ?! mbeti mister.

Nga pjesët e biçikletës më e famshmja dhe më e thashethemnuara ishte "shala".

Më konfidenciale se me shalën, biçikleta ishte me bythën e atij ose asaj që shalën e kishte shaluar.

Cilësimi "shalë" dhe jo "bythë", kjo padrejtësi flagrante ndaj bythëve në kurriz të shalëve, mbetet pezull sot e kësaj dite.

Megjithatë, pavarësisht nga cilësimi i padrejtë, në memorjen kolektive shqiptareske, shala mbeti e paharruar si "rehati mikroborgjeze" e paevitueshme mungesa e të cilës sillte telashe, mes tjerash sepse heqja e ndenjëses dhe lënia e tubit do shkaktonte qefin e pavullnetshëm si nga para dhe nga mbrapa të vajzave dhe të djemve që shalën shalonin.

Zgara e biçikletës, megjithse pa ndonjë lidhje carnale, ishte gjithaq e rëndësishme sa edhe shala. Në zgarë mbahej zakonisht ajo që quhej "bukë me vete". Ndonjëherë mbi zgarë rrinte gruaja. E cila, për shkak të ndonjë grope apo gunge të rrugës ndonjëherë rrëzohej, dhe burri që ngiste biçikletën, rrëzimin nga zgarra të gruas, nuk e ndjente, vazhdonte rrugën. Kthehej ta gjente e ta merrte gruan e rrëzuar nga zgarra e biçikletës si kthehemi të gjejmë ndonjë send që na ka rënë nga xhepi.

Disqet, telat, zinxhiri, pedalet, kontrapedali, etj. sado të vjetër e difektozë s`ishin problem.

Problem ishin komerdaret dhe kopertonat. Por u bëhej dermani.

Kamerdaret mbusheshin me pulla mbi pulla si arna mbi arna për shumë vite.

Kopertonat arnoheshin nga brenda dhe qepeshin me spango, derisa s`kishe çfarë të arnoje se kopertoni bëhej arnë i tëri.

Pse aksi i koronës është pak më poshtë se pinjoni ?

Sepse zinxhiri duhet të tërheqi horizontalisht.

Pse aksi i timonit është i pjerrët përpara ?

Që të vazhdojë moda e dhënies së biçikletës "pa duar".

Un` pyesja, un` përgjigjesha.

Aq e dashur, e urtë, besnike, ishte rraqa biçikletë, sa edhe në filmat e luftës imagjinare nacional çlirimtare halabakët atentatorë nëpër rrugica nuk paraqiteshin kurrë mbi kuaj, apo gomerë, apo makina, vetëm mbi biçikletë.

Biçikleta në mes të kurrkundit i gjeti, në mes të asgjësë i la. Derisa shqiptarët rraqen biçikletë e hodhën tutje. U derdhën nëpër ambasada. U ngjitën mbi trageta.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora