Mendime
Enver Bytyçi: Fitorja shumëdimensionale nacionaliste e Aleksandër Vuçiç
E marte, 23.06.2020, 11:45 AM
Fitorja shumëdimensionale nacionaliste e Aleksandër Vuçiç
Nga
Enver Bytyçi
Aleksandër
Vuçiç është tashmë më i fuqishëm sesa Milosheviçi. Në votimet e djeshme në
Serbi ai fitoi 189 vende në parlamentin prej 250 vendesh, duke fituar kështu 75
përqind të deputetëve nga 67 përqind që duhen për ndryshimet kushtetuese. Së
bashku me partinë socialiste të Milosheviçit, të drejtuar nga aleati i
presidentit serb, Ivica Daçiç, numri i deputetëve aleatë shkon në 221 gjithsej.
Po të shtojmë dhe tre votat e deputetëve të zgjedhur nga pakica shqiptare e
Luginës, atëherë bëhen 224 deputetë që mund ta votojnë një iniciativë
legjislative për ndryshimin e kushtetutës serbe dhe largimin e Kosovës nga
preambula e saj, duke i dhënë fund kakofonisë nacionaliste të 20 viteve të
shkuara.
E
gjitha kjo sa shkrova ishte thjesht një llogari. Por a e bën Aleksandër Vuçiç
një llogari të tillë? Votat e së dielës e shndërrojnë presidentin e Serbisë në
një autoritet të pakundërshtueshëm dhe të pakontestueshëm. Përballë Perendimit
ai nuk mund të fshihet më pas justifikimit se për ta zgjidhur konfliktin me
Kosovën ka si pengesë ndonjë opozitë të mirëqenë. Ka vota me lopatë. Por Vuçiç
nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë i gatshëm për t’i dhënë fund
konfliktit me shqiptarët. Ai ka tashmë karta të forta në dorën e tij dhe nuk
sheh ndonjë arsye pse të mos i përdor ato. Cilat janë këto karta?
1.
Së pari, ai, i ulur në fronin e presidentit-mbret të Serbisë, nuk do të dojë që
ta dobësojë për asnjë arsye pushtetin e tij. Ndaj pritet që ta forcojë dozën
nacionaliste bazuar në mitologjitë e mesjetës, me qëllim që qytetarët e vendit të
tij të shohin tek ai “babin e kombit”, por jo kujdestarin e vëmendshëm që ka
merak për mirëqenien dhe liritë individuale të çdo qytetari serb. Kjo do të
thotë se qeverisja e tij do të forcojë tiparet autoritare dhe do të ketë më
shumë retorikë nacionaliste. Kësisoj lidhja e pushtetit me kishën ortodokse dhe
pjesën nacionaliste të akademikëve do të forcohet. Për këtë arsye Aleksandër
Vuçiç nuk do të devijojë nga politikat nacionaliste të paraardhësve të tij,
sodmos nga trashëgimia e ish-shefit të tij, Sllobodan Milosheviç dhe nuk do të
“dorëzohet” para presionit euro-amerikan për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën.
2.
Pushtetin absolut të legalizuar nga vota e qytetarëve serbë, presidenti i
Serbisë do ta përdorë për të rrit kërkesat e tij në disfavor të Kosovës, si
kusht për zgjidhjen e konfliktit. Ai nuk do të mjaftohet vetëm me kërkesën për
ndarjen e Kosovës, korrigjimin/ndryshimin e kufijve, as me shkëmbimin e
territoreve. Vuçiç do të kërkojë më shumë se kaq, territore nga
Bosnjë-Hercegovina, hiç më pak se 49 përqind të atij territori sa ka Republika
Srpska, në këmbim të garancisë se Serbia do të shndërrohet në faktor
stabiliteti në rajon. Kjo ndodh gjithnjë me udhëheqësit autoritarë të çdo
lloji. Ata, sa më shumë pushtet fitojnë, aq më arrogantë dhe më tamahqarë
bëhen.
Për
kërkesat e tij presidenti i Serbisë ka tashmë edhe ndihmën e Hashim Thaçit dhe
Edi Ramës. Dje në një koment për Radion Deutsche Welle, Norbert Mappes-Niediek
shkruante se: “Ka dy vjet që Vuçiç dhe egoja e tij e vjetër shqiptare, Hashim
Thaçi, diskutojnë për këmbimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës”. Nuk ka
nevojë për më shumë koment rreth këtij bashkëpunimi.
3.
E mira e fitores absolute të Aleksandër Vuçiç lidhet me faktin se ai do të jetë
më pak hipokrit.
Tashmë
ai do të dalë hapur kundër integrimit evropian. Presidenti serb ëndërron një
Serbi “neutrale”, por “të madhe”, të hapur në ekonomi si Zvicra dhe të
orientuar nga pikëpamja gjeopolitike drejt Lindjes. Përqëndrimi i pushtetit në
duart e tij ia kalon edhe Vladimir Putinit, si dhe Edi Ramës në Shqipëri, ku
mungon kushtetuta dhe gjykata kushtetuese. Pushteti në duart e Vuçiç ngjan me
atë të Lukashenkos në Bjellorusi. Cilat nga këto qeveri, ajo e Rusisë,
Bjellorusisë apo ajo e Edi Ramës, është e interesuar për Europën, demokracinë e
vlerat evropiane, për pasojë për integrimin në Europë?!
Aleanca
midis Beogradit, Moskës e kryeqyteteve tjera lindore tashmë bazohet edhe në
modelin e qeverisjes. Një qeverisje autoritare, e cila ushtrohet nga një
person, nuk ka asnjë shans që të orientohet nga integrimet perendimore. Prandaj
presidenti i Serbisë do t’i forcojë lidhjet me kryeqytetet lindore dhe politikisht
e strategjikisht do të largohet nga Perendimi. Për pasojë interes i tij nuk do
të jetë integrimi euro-atlantik.
Dhe
më tej, ai nuk do të ketë interes politik e gjeostrategjik që Serbia të
shndërrohet në faktor paqeje, stabiliteti e qëndrueshmërie në rajon. Prandaj
kush mendon se fitorja absolute prej 75 përqind e partisë së Vuçiç në Serbi do
të lehtësojë zgjidhjen e konfliktit me Kosovën, mendoj se gabohet. Kjo nuk do
të ndodhë edhe për një arsye tjetër: Beogradi ka strategji ta përçajë politikën
në Prishtinë. Nëse ndodh pajtimi pa koston e ndryshimit të kufijve, Serbia
humbet mundësinë e artë të provokimeve të vazhdueshme kundër Prishtinës.