Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Historike - Themelohet e para Katedër Albanologjike në SHBA
E premte, 19.06.2020, 06:18 PM
HISTORIKE – THEMELOHET E PARA KATEDËR ALBANOLOGJIKE NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Nga
Frank Shkreli
Hapja
e një Katedre për studime shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë
një ëndërrë e kahmotëshme në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe
përflitej shpesh – sidomos në qarqet intelektuale të komunitetit -- si një
dëshirë e pa realizuar, nga akademikët e njohur të këtij komuniteti, si Prof.
Arshi Pipa, Prof. Stavro Skendi, Prof. Nick Pano, Prof. Sami Repishti, e shumë
të tjerë.
Kjo
nismë është me të vërtetë një moment i rëndësishëm në historinë e studimeve
shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe i shumë pritur nga komuniteti
shqiptaro-amerikan. Ajo që nuk u arrijt
dot për më shumë se një shekull -- aq sa është edhe historia e shqiptarëve në
Amerikë -- më në fund u bë realitet këtë vit.
Në Universitetin DePaul të qytetit Çikago të shtetit Illinois -- njëri ndër universitetet më të njohur
amerikanë dhe universiteti më i vjetër katolik në Shtetet e Bashkuara -- është
themeluar Katedra për Albanologjinë për Studime Shqiptare–“Katedra e re e
Albanologjisë Hidai Bregu në Unversitetin DePaul”.
Katedra
e parë e Albanlogjisë në Amerikë është hapur falë një donacioni nga filantropi
shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu, ndërsa Drejtori i parë i kësaj
Katedre albanologjike në Universitetin DePaul, është emëruar Profesori Gazmend
Kapllani – duke e bërë kështu këtë universitet, të parin në historinë e
universiteteve amerikane, që i lartëson studimet shqiptare në nivel katedre dhe
Profesorin Kapllani si drejtorin e parë të saj.
Natyrisht, se merita e madhe i takon filantropit dhe patriotit të shquar
shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu për fondet që ka dhuruar për
themelimin e Katedrës Albanologjike.
Profesori Kapllani e ka cilësuar Z. Bregu një, “Njeri me një vizion të
jashtëzakonshëm. Sa patriot aq edhe i lidhur me rrymat më bashkëkohore, aq edhe
mendjehapur, aq edhe i lidhur me bashkësitë e ndryshme në Amerikë. Pra, për mua
është model i patriotit bashkëkohor”, ka vlerësuarZ. Kapllani, duke shtuar se
ai vet ishte i nderuar të shërbejë si drejtori i parë i Katedrës dhe shtoi se
do bëj ç’është e mundur që t’i shërbejë dhe ta nderojë emrin dhe vizionin Z.
Bregu.
Në
një komunikim elektronik me mua, Drejtori i ri i Katedrës në Universitetin
DePaul, Prof, Gazmend Kapllani u shpreh, për këtë artikull, se për momentin ai
ka përqendëruar përpjekjet dhe planet e tija fillestare, që siç u shpreh ai,
“Ta bëjmë Katedrën e Albanologjisë në DePaul një pikë-takimi të akademikëve,
artistëve dhe intelektualëve shqiptarë që do sjellin mendimin krijues dhe do
nxisin debate të frutshme mbi temat Shqiptare. Për këte arsye vazhdojmë edhe
këto kohë të pandemisë eventet tona publike. Të Shtunen do shfaqim”, tha
ai,“online filmin ZANA që do shoqërohet me një diskutim me regjizoren e filmit
Antoneta Kastrati dhe drejtoren e fotografisë Sevdije Kastrati. Zana është
emëruar si filmi pjesemarrës i Kosovës në Oscar. Është një film i
jashtëzakonshëm”, shtoi Profesor Kapllani.
Në
të njëjtin komunikim, Dr. Kapllani njofton gjithashtu se në universitetin
DePaul është krijuar tashmë Aleanca Kulturore Shqiptaro-Amerikane (Albanian
American Cultural Alliance), themeluar dhe përberë nga studentë dhe të rinj nga
DePaul dhe universitete të tjera. Një nga Projektet që kemi nisur të punojmë
quhet Speak Memory.Projektika si synim të mbledhë historitë personale të
Shqiptaro-Amerikanëve, fillimisht, në Cikago dhe mandej në gjithë Amerikën
gradualisht”. Sipas Prof. Kapllanit ky është një projekt afatgjatë, synimi i të
cilit është“Krijimi i një Arkivi të Kujteses së Komunitetit (historitë do
regjistrohen dhe do ruhen në Librarinë e Universitetit DePaul bashkë me dëshmi
të tjera që mund të na ofrojnë të intervistuarit, si kopje fotografishë,
ditare, karta postale, që lidhen me historinë e tyre personale dhe të
komunitetit Shqiptaro-Amerikan). Sipas rezultateve që do kemi, historitë mund
të bëhen libër, ekspozitë ose dokumentar, theksoi Dr. Kapllani.
Sa
u përket planeve të mëvonshme, Drejtori i Katedrës së Albanologjisë në
Universitetin De Paul të Çikagos tha se,varësisht, nga kushtet ai do dëshironte
që vitin e ardhëshëm të organizojë një Konferencë për Holokaustin dhe shpëtimin
e Hebrejve në Shqiperi gjatë Luftës së Dytë Botërore në bashkëpunim me Muzeun e
Holokaustit në Cikago – e cila Konferencë, sipas Profesor Kapllanit, do
shoqërohet me botimin e një libri nëanglisht, për këte temë.
Pritet
që në shtator, që shënon gjithashtu edhe fillimin e vitit të ri akademik,
Katedra e re e Albanalogjisë në Universitetin DePaul të Çikagos të fillojë
zyrtarisht punimet. Planet afatgjata të
Katedrës, Profesor Kapllani i ka shpalosur, pjesërisht, në një intervistë me
Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, marsin që kaloi.
“Po
punojmë për të krijuar platformën dhe nga momenti i krijimit të saj brenda
këtij viti çdo student do të mundet të drejtohet tek ne dhe të regjistrohet. Do
jetë anëtar si të thuash i diplomës që ne do japim, sepse ne duam që t’u japim
diploma studentëve tanë. Dhe studenti do të mësojë nga një anë gjuhën shqipe
dhe nga ana tjetër ato që i quajmë ne lëndë përmbajtjeje, pra lëndë që do të
jenë në shqip dhe anglisht për tema dhe tematika të ndryshme të albanologjisë”,
i ka thënë aiZërit të Amerikës.
Në
intervistën me VOA-n, Dr. Kapllani ka thënë se Katedra e parë albanologjike në
një universitet amerikan, do të ofrojë lëndë gjithëpërfshirse nga të gjitha
disiplinat me qëllim për të tërhequr studentë shqiptarë dhe të huaj.“Do kemi të
gjitha disiplinat nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia. Dhe
duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore sepse Albanologjia ka
mundësi të jashtëzakonshme sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të
diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diapsorës, qoftë për historinë
dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë. Pra neve do të mundohemi të krijojmë një
kurrikulë sa më bashkëkohore që mos t’i flasi vetëm studentëve
shqiptaro-amerikanë të cilët janë qendra dhe publiku kryesorë i yni, por t’i
flasi çdo studenti nga çdo lloj origjine apo nga çdo lloj baze etnike”, ka
thekësuar Z. Kapllani.
Nismë
më të rëndësishme se themelimi i kësaj Katedre Albanologjike në Universitetin
më të vjetër katolik DePaul në Shtetet e Bashkuara, me qëndër në Çikago, për
komunitetin dhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan nuk besoj të ketë pasur në
këto 100-vjet. Do të jetë një qendër
kulture arbërore në Shtetet e Bashkuara, në një vend që ka bërë aq shumë gjatë
historisë për Kombin shqiptar, për ruajtjen e kulturës dhe të identitetit të
shqiptarëve në trojet e veta. Jam i
bindur se Katedra do të jetë një qëndër ku do të mbizotërojë atmosfera e
veçantë e Arbërit, aty ku -- për shqiptaro-amerikanët dhe jo vetëm –kultura,
gjuha dhe traditat tona do të përtërihen në një botë të huaj, por mike për
shqiptarët, siç Amerika. Si të mos e
mirëpresim themelimin e një qendre akademike si kjo, këtu në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, një katedër që do të merret me historinë, gjuhën,
letërsinë dhe kulturëne trojeve tona, një qëndër e cila do të hapi shtigje të
reja në fushën e hulumtimeve historike dhe në shtjellimin e tyre. Si të mos kënaqemi dhe të mos brohorisim e të
duar-trokisim themelimin e kësaj Katedre, në njërin prej universiteve më të
njohura dhe më të vjetra amerikane – katedër e cila jam i sigurt se do sjelli
dritë mbi çështjet më të rëndësishme të historisë shqiptare të përdhosur nga
historiografia komuniste—e për më tepër do të luaj një rol të rëndësishëm në
paraqitjen e shqiptarëve si një Komb i denjë dhe i paisur me vlera perëndimore
për të zenë vendin e tij aty ku i takon, krahas kombeve të qytetëruara. Vet
themelimi i kësaj Katedre tregon fisnikërinë, jo vetëm të filantropistit, Z.
Hidai Bregut, por edhe të vetvetes tonë, si një komunitet tashmë i pjekur e
serioz në këtë vend, me kulturë e histori të veçantë dhe krenare. Gjëja për tu
dëshiruar është vetëm që themelimi i Katedrës albanologjike në universitetin
DePaul të Çikagos të jetë një shembull për tu kopjuar edhe nga filantropë të
tjerë shqiptaro-amerikanë si Hidai Bregu dhe që kjo nismë të jetë një frymëzim
dhe fillim i një veprimtarie më aktive në thememlimin e programeve të tilla në
universitetet anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, nga individë të komunitetit
shqiptaro-amerikan, të cilëve Perëndia dhe Amerika u ka dhënë mundësite për të
bërë një gjë të tillë.
Dekani
i Universitetit DePaul, Dr. Guillermo Vasquez de Velasco, PhD deklaron në faqen
e internetit të Universitetit se“Ne u sigurojmë të gjithë studentëve tanë arsim
që balancon studimin e thelluar me një përvojë të madhe në disiplina të
ndryshme, që formojnë thelbin e njohurive njerëzore. Të gjitha programet tona
për dhënien e diplomave kërkojnë të rrisin njohuritë e studentëve dhe aftësitë
e të menduarit kritik, që ata të ngrenë pyetje me vlerë dhe kuptim dhe t'i
zhvillojnë ato si pjesë të pandara të zemrës dhe mendjes, të qenësishme në të
mësuarit gjatë gjithë jetës dhe zhvillimit të mendimit të pavarur”.
Pjesë
e këtyre “njohurive thelbësore” që ofron universiteti DePaul, duke filluar nga
viti 2020, do të jetë edhe albanologjia, gjuha, letërsia, kultura dhe historia
e shqiptarëve në njërin prej universiteteve më të njohura dhe më të vjetra të
Amerikës, Universiteti De Paul në Çikago.
Për këtë fakt, jo vetëm komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe të
gjithë shqiptarët kudo qofshin duhet të ndjehen krenarë për aktin fisnik të
shqiptaro-amerikanit, Z. Hidai Bregut dhe t’i urojmë, njëkohësisht, këmbë të
mbarë në detyrën e tij të re e fsinike edhe drejtorit të parë të Katedrës
Albanologjike në Universitetin DePaul, Dr. Gazmend Kapllanit. Këta dy burra
meritojnë nderimet tona dhe mirënjohjen e gjithë Shqiptarëve mendjendritur.