Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Caro Sgarbi
E marte, 16.06.2020, 07:25 AM
Caro Sgarbi
Nga
Edison Ypi
Faleminderit
që vizitove Shqipërinë, vendin tonë, vendin ku çfarë thuhet është rrenë, çfarë
shkruhet është pleh, çfarë mendohet është herezi, çfarë ndodh është iluzion,
çfarë shihet është magji, çfarë dëgjohet është marramendje, çfarë ndjehet është
vdekjeprurëse, çfarë vlen vidhet, çfarë lëviz shkërdhehet.
Ishte
mrekulli ajo që the në Bylis kur konstatove dhe ulurite rrënqethjen që i
shkaktuan secilës nga miliarda qelizat e trurit dhe trupit tënd mpleksja e
bukurisë së Artit me rrezatimin e mjedisit.
Rezet
kozmike, fushat magnetike, elektromagnetike, gravitacionale, të tokës, ndikimi
planeteve, i Hënës, i Diellit, i yjeve, roli i dritës, gjeologjia, klima,
erërat, ujrat, flora, fauna, këto dhe të tjera e bëjnë Shqipërinë "Vend i
Mirë", Kishë, Xhami, Teqe', Tempull, Mekë, Jerusalem. Vend ku po të jesh i
sëmurë shërohesh. Po të jesh i shëndetshëm nuk sëmuresh. Po të jesh i shqetsuar
qetsohesh. Po të jesh i qetë çmendesh. Po të jesh bandit bëhesh deputet. Po të
jesh mafioz bëhesh ministër. Po të jesh i urtë të vjedhin. Po të jesh i ditur
të plagosin. Po të jesh i ndershëm të vrasin.
Prejkur
Stendal vizitoi muzeumet e Firences, dihet se Bukuria lodh, sëmur, vdes.
Ruaju
nga Sindroma e francezit për të mos gjetur belanë kur të vish përsëri dhe të
udhëtosh nëpër disa vende.
Bëj
kujdes, për shembull, kur të kalosh përmes Mokrës, Qukës, Karkavec, Velçan,
Trebinjë, Varri i Grekut. Derisa t'ja therësh përposhtë nëpër një serpentinë
marramendëse me Liqerin e Lasgushit në horizont, të arrish në Pogradec. Këtu
një urë mesjetare. Pak më tutje ca mokrarë flokbardhë si vikingë. Edhe më tutje
një cop byreku me fasule shoqëruar me një dopjo raki bio e ngjyrosur. Kur në
Potkozhan, një Charles Aznavour lokal, brenda Teatrit më të madh në botë me
male, gremina, ujvara, në platenë kilometrike vetëm ti, në skenën gjiganteske
vetëm ai, do këndojë këngë ruse për Stalinin dhe Ushtrinë e kuqe, do të
eksplodojë koka, lotët do të ikin rrëke'.
Te
Kanionet e Osumit do të duket sikur je futur në botën e Walt Disney.
Plot
me qershi, humnera, rruga Berat Këlcyrë nga kaloi ushtria e Duçes, do të
impresionojë aq tepër sa do çjerrësh me thonj fytyrën.
Një
orë në Voskopojë, shenjtëria e kishave dhe monastereve do ta çrregullojnë bukur
gjumin dhe ëndërrat për dhjetë vjet rrjesht natë për natë.
Në
Prespë do rrethohesh nga një pastërti mjedisore nga koha kur motorrat nuk ishin
shpikur, që nuk do ta harrosh kurrën e kurrës, edhe pasi të vdesësh.
Kur
në Theth do mbushësh mushkëritë me oksigjen bjeshkësh, do ndjehesh 30 vjet më i
ri.
Kur
në Pukë do takosh Zotin dhe do pini nga një birrë, të lutem foli për disa
padrejtësi, disa paradokse. Në stilin tënd. Duke i bërtitur.
Nëpër
Myzeqe, duke u hazdisur si i çmendur nëpër kisha dhe manastire do prekësh
Qiellin, do çlirohesh nga çdolloj stresi.
Berati
do të rrënqethi nga koka te këmbët si kurrkund tjetër, sikur do të zerë
korenti.
Kur
gjatë këtyre udhëtimeve, do tu thuash të mos i betonojnë fshatrat se është
idiotllëk, dhe rrugët e ngushta që të çojnë në vendet e shenjta t'i ndreqin por
të mos i asfaltojnë sepse pakësojnë magjinë e vajtjes nëpër ato vende, dëgjo
reagimet, dhe shkrihu së qeshuri.
Për
ti ekuilibruar deridiku tronditjet që do hasësh dhe për të frenuar lotët me
ndonjë zbavitje të këndëshme, shko të shohësh në Tiranë një rrugicë qorre nja
50 metra me emrin e themeluesit të Kryqit të Kuq botëror, Henry Dunant. Pastaj
mos përto të shkosh te një rrugë tjetër nja dy kilometra të gjatë dhe nja
tridhjetë metra të gjërë po në Tiranë me emrin e një mediokri noterik.
Ose
ik në Lushnje ku të vdesësh gazit duke parë shtatoren gjigande të një
kooperativisteje që mban në duart përpjetë një tufë të korrur me grurë guri.
Shumë
mirë që je mik i Edi Ramës. Herën tjetër tako Sali Berishën. Mahnitu me
Doktorin. Bëje mik Salën. Këta do jenë miqtë e tu. Miqtë e tu nuk mund të jenë
morracakët e Fejsbukut.
Po
të kishin rrëfyer për tmerret e Teatrit ku janë bërë gjyqe dhe janë dhënë
dënime me vdekje, do ishe shtruar në spital nga çrregullime hormonale të
parimediueshme.
Po
të kishin thënë dy fjalë cilët janë dhe ç'të zeza kanë bërë ata të mozaikut mbi
muze, do të kishte ndalur zemra ose do të kishte rënë damllaja.
Po
të kishin folur për qindra fshatra që kanë xhami por s'kanë shkollë, do ishe
çmendur fare.
Prandaj
mos ua vër në dukje gafat shoqëruesve. Aq dinë. Aq ndjejnë. Aq men kanë. Janë
të burgosur brenda retorikës socrealiste. Thuaj bereqaves që këtë herë nuk e
tepruan, dhe lshoi pe balonës.
Duhet
të bësh kujdes pra. Se, me gjasa, mund të ndodhi që shkon diku, mahnitesh, bie
në dashuri me atë vend, të pëlqen aq tepër sa refuzon të kthehesh, dhe ngec
atje. Nuk kthehesh më. Mbetesh këtu. Çka mund të jetë mirë për ty, por është
keq për ne.
Ta
dimë për nder që si amerikanët Gregory Peck dhe Audrey Hepburn në filmin
"Vacanze Romane" i bënë të njohur botës Vespa-n, gjatë kësaj vizite i
bëre të njohur botës Bylisin.
Eja
përsëri në vendin plot magjepsje që të sëmurin dhe rrezatime që të shërojnë.
Shqipërinë do ta gjesh si gjithmonë ka qënë dhe do jetë; Tmerrësisht e
rrezikshme, sepse pafundësisht e bukur.