Mendime
Frrok Vukaj: Djaloshi nga Curraj i Epërm
E shtune, 13.06.2020, 12:57 PM
“DJALOSHI NGA CURRAJ I EPËRM”
(Homazh
për ing. Martin Lulash Gecaj, një nga personalitetet e shquara të gjeologjisë
shqiptare, të ndërtimit të HEC të Fierzës, të Tregtisë së Jashtme të
Shqipërisë, të kulturës shqiptare, i cili ndrroi jetë në Durrës, më 5 qershor
2020, në moshën 70-vjeçare)
Nga
Frrok VUKAJ
Inxhinieri
i ndjerë, në moshën 70 vjeç, është ndarë
nga kjo jetë me 5 qershor 2020.
Shkrimin
me titullin e parë e kam shkruar në vitin 2006, e botuar po këtë vit në librin
“Krenari për vendlindjen” (Triptik për Nikaj-Mërturin). Ka qënë e mbetet një
ndër intelektualët më të shquar të Tropojës e më gjerë, i mirënjohur për
arritje e suksese në profesionin e tij, për një familje shembullore, për vlera
të spikatura pozitive e ura komunikimi, i cili
do të mbahet mend e kujtohet gjatë.
Në
jetën e përditshme ndeshim në heronj të vërtetë që meritojnë nderim e respekt
të veçantë, siç ndeshim ‘heronj” mburravecë e me kokën përpjetë. Më e vështira
është të zbulojmë ata të heshturit e modestët, që gjithë jetën e shkrijnë për
shoqërinë, pa u ndjerë e pa u mburrur. Zbulimi i këtyre vlerave do të jetë një
shërbim i madh, jo vetëm për komunitetin, por edhe më gjerë. Afirmimi i
shembujve të tillë është më shumë nder e vlerësim për ne, se sa për ata.
Po
mundohem të sjell një shembull të gjallë, i ndodhur para rreth 30 vitesh më
parë (tashmë janë bërë mbi 40 vite), shumë i vlerësuar në atë kohë nga
personeli inxhiniero-teknik e punëtorët e hidrocentralit të Fierzës.
...Është
marsi i vitit 1978. Punimet në hidrocentralin e Fierzës kanë përparuar shumë.
Edhe në sheshin, ku do të ndërtohet Kulla e Portalit të tunelit të shkarkimit Nr. 3 vazhdojnë punimet e
gërmimet. Nga këto punime është shkaktuar prishja e ekuilibrit natyror të
shpatit malor. Për rrjedhojë janë shkaktuar shtatë çarje, ku e fundit ishte më
aktive, çka do të thotë se ajo është
shtytëse. Në pamjen e parë këto fakte që përshkruam duken të ftohta e pa shumë
emocion.( Kështu e kashkenca, por vlerat janë të mëdha).
Por
syri i punëtorëve e specialistëve shohin një problem, ndonjëri dyshon për diçka
serioze, po gjithçka në kuadrin e hamendjeve. Dukej vetëm maja e ajsbergut,
bile shumë më pak. Para tyre qëndronte një problem shumë serioz e i ngutshëm:
bëhej fjalë për një masiv dheu, qindra metra kub, i cili mund të rrëshqiste nga
çasti në çast, duke rrafshuar çdo gjë e mbi gjithçka jetë njerëzish, ndoshta,
me qindra punëtorë e specialistë, pa përmendur makineritë e shumta. Dyshimet
për një tragjedi të mundshme kanë ardhur duke u rritur. Ka filluar
shkallë-shkallë, qysh te personeli inxhiniere-teknik i sektorit, duke vazhduar
në atë të kantierit, drejtorisë së Hidrocentralit e deri në Ministrinë e
Ndërtimi.
Tashmë,
gjendja është drithëruese; ajo ka përfshirë jo vetëm dikasterin, por edhe
Kryeministrinë. Alarmi tund karriget e pushtetarëve më të lartë. Me urgjencë
mbërrijnë në Fierzë : zv. Kryeministri Pali Miska dhe Ministri i Ndërtimit
RrahmanHanku, të shoqëruar nga inxhinierët më në zë të Republikës, nga
ndërmarrjet e specializuara, gjeologji-gjeodezi për studime
gjeologo-inxhinierike. Takimin e parë e bëjnë me drejtorin e Hidrocentralit,
EminMusliu. Pas informacioneve të çastit, shkojnë drejtë e në objekt, aty ku
kryheshin punimet, të cilat kishin shkaktuar prishjen e ekuilibrit natyror të
masivit malor, duke dhënë çarjet.
Në
sheshin e ndërtimit të Portalit të Tunelit Nr. 3 ndodhen përfaqësuesit më në zë
të Qeverisë Shqiptare dhe specialistët më të njohur të kësaj fushe. Para tyre
është masivi malor; i heshtur, i rëndë e kërcënues, me ato shenja drithëruese,
si rrjedha e gjakut në damarët e trupit, a shenjat e llavës para shpërthimit të
vullkanit.
Ballë
për ballë ndodhen dukuritë e natyrës me intelektin e mençurinë e inxhinierëve,
jo vetëm shqiptarë, por edhe kinez. Krahas tyre është autoriteti i madh i
shtetit. Natyra duket e pamposhtur, por edhe njeriu me arritjet e tij është zot
i natyrës. Pra, ballafaqimi bëhet jo vetëm me natyrën, por edhe i njeriut me
njeriun, i mençurisë e përvojës me njëri-tjetrin. Beteja është e hapur.
Inxhinierët kinez kishin një përvojë të madhe pune në hidrocentrale. Besimi në
aftësitë e tyre profesionale ishte i padiskutueshëm. Mendimi i tyre për të
hapur një galeri e për ta mbushur atë me hekur e beton, pra për ta bërë në një
farë mënyre “gozhdimin” e planit të rrëshqitjes, gati-gati po merrej në
vlerësim për zbatim. Por, kryerja e punimeve të propozuara nga ana e tyre, kërkonte
një punë relativisht të gjatë, deri në 4-5 muaj. Atëherë, kur po piqej mendimi
e dukej se problemi po gjente disi zgjidhje, shfaqet në pikën më kulmore ai
njeriu i heshtur, me profesionalizmin e aftësitë, me mençurinë e thjeshtësinë, i cili shpërndan mjegullën e
shkëlqen si drita e diellit. Kjo nuk është ëndërr, as u bë si me magji. Ka një
prej ardhje, ka një rrugë të gjatë e të vështirë të dijes e të punës. Pa
harruar atë dramën e mbetur pezull, ku personeli inxhiniero-teknik janë në mes
jetës e vdekjes, duhet të tregojmë diçka nga jeta e atij, që u bë shpëtimtari i
asaj situate.
Quhet
Martin Lulash Geci, i pasionuar pas shkencës qysh në shkollën e mesme dhe me
rezultate bindëse në shkollën e lartë. Kishte punuar 4-5 vite punë të
suksesshme në Hidrocentralin e Fierzës, duke studiuar jo vetëm përvojën
shqiptare, por edhe atë të huaj. Zotërimi i gjuhëve të huaja: italisht,
frëngjisht dhe anglisht, ishte një bazë e shëndoshë për t’u njohur edhe me
përvojën botërore. Për 2 muaj, me syrin e mprehtë e vlerësues qysh në dhënien e
shenjave të para në shpatin malor, ai
nuk toleroi as nuk nënvlerësoi asnjë dukuri sado e vogël qe...Vëzhgim në objekt
e thellim në literaturë. Studioi një material në gjuhën frënge, i përkthyer nga
gjuha japoneze, në një kapitull të të cilit trajtohej edhe fenomeni i
rrëshqitjes. Duke zbatuar me përpikëri atë metodologji studimi, në kushtet
konkrete të terrenit, Martini vuri në kontroll të përditshëm çarjet e shfaqura
në objektin e lartpërmendur. Ky studim i rreptë shkencor, intensiv e
relativisht i gjatë: llogaritjet e krahasimet e përditshme e të përjavshme, të
bëra disa herë me oponencë brenda vetvetes, krijuan bindjen e plotë në
konkluzionet e tij, ndonëse ai shprehet me modesti e sinqeritet pas 28 vitesh:
“Debati
zhvillohej rreth orës 9.00 të mëngjesit. Sipas llogaritjes së kryer nga ana
ime, rrëshqitja do të ndodhte në orën 19.00 të asaj dite. Isha mjaft i
tensionuar e kisha vetëm 2 vjet përvojë pune për problemet
gjeologo-inxhinierike të Hidrocentralit. Kisha njëfarë ndrojtje të shprehja
mendimin tim, aq kontradiktor me të gjithë pjesëmarrësit në atë debat. Ishte
hera e parë, që kryhej një llogaritje e
tillë. Me gjithë bindjen shkencore, nuk kisha sigurinë e plotë se do të ndodhte
vërtetë rrëshqitja. Në ndërgjegjen time më brente pyetja: po sikur të ndodhte
rrëshqitja, do të jetë në gjendje shpirti im të përballojë tragjedinë, që do të
shkaktonte ajo?!
E,
për të mos e mbajtur atë barrë të rëndë në ndërgjegjen time, u shpreha me
vendosmëri e ndrojtje...Sapo u shpreha, zv.Kryeministri urdhëroi të ndërpritej
puna menjëherë e të shikonim, nëse do të ndodhte rrëshqitja. Të them të drejtën
orët e pritjes për mua ishin orë ankthi, për faktin se në atë debat isha më i
riu në moshë e me përvojë më të paktë se ata. Për të mos e zgjatur më, në
orën 19.02 dhanë shenjat e para dhe në
19.05 ndodhi rrëshqitja e masivit malor. Rrëshqitën vrullshëm si ortek i zi,
qindra metra kub dhe, gur, lisa e materiale të tjera. Te të pranishmit ishte e
vështirë të përshkruheshin ato ndjenja të përziera: gëzim, entuziazëm, befasi,
keqardhje për dëmin, por edhe krenari. Për mua qe kënaqësi shpirtërore, që
mënjanuam një tragjedi; në të njëjtën kohë, ishte edhe një shtytje për të
studiuar dhe punuar më me devotshmëri”.
Duke
dëgjuar me vëmendje këtë rrëfim, në mendjen time bëja një paralelizëm ndërmjet
Martinit e një bredhi, i cili rritet pak e nga pak, pa u ndjerë. E vjen një
ditë, që nuk e mposhtin as rrebeshet, as furtunat, por qëndron kryelartë.
Për
ngjarjen, shkrimtarja Shpresa Vreto pat shkruar në romanin e saj me titull “Vit
i paharruar”. Martini është dekoruar edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i
asaj kohe. Është vetë zona që me traditën, klimën e terrenin, harmonizon në
mënyrë të përkryer madhështinë e natyrës, me botën e pasur shpirtërore të banorëve
të saj: njerëz të thjeshtë, arsimdashës e punëtorë të palodhur, me të cilët
kemi të drejtë të krenohemi.
Martini
është bir i thjeshtë, por i shquar i Nikaj-Mërturit. Gjithë jetën ai e ka
lidhur me profesionin e tij të inxhinierit. Ka shëtitur botën, si i thonë
fjalës, qysh në kohën e monizmit dhe në vitet e demokracisë. Është domethënës
edhe ky fakt: kur gati e kisha përfunduar këtë libër për botim, u takova
përsëri me MartinGecajn. Ndër të tjera, ai më tregoi: “Nuk kam vetëm 2-3 ditë,
që u ktheva nga një udhëtim në Kinën Jugore. Në këtë shtet-kontinent, kam
shkuar edhe herë të tjera, por kësaj radhe udhët ajrore e tokësore ishin më të
gjata, prandaj u lodha shumë. Megjithatë jam i kënaqur se i përmbusha qëllimet
që i kisha vënë vetes në punën time të lirë”.