E diele, 22.12.2024, 09:13 PM (GMT)

Sport » Sporti

Heshtja që nderoi Hysni Bebeziqin e madh…

E marte, 03.07.2007, 11:08 PM


Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare një ndër sportistët më të mëdhenj të historisë kombëtare, atleti epokal për Shqipërinë, njeriu që modernizoi garat e kërcimeve: Hysni Bebeziqi! Në lamtumirën e tij të fundit, ai është përcjellë me dhimbje nga shkodranët e tij, prej familjarëve, shokëve e miqve të tij të vjetër, pa një bujë ceremoniale, pa asnjë lloj pompoziteti, me vetëm një nderim gazetarie nga TV1 Channel i Shkodrës, me ndonjë fjalë të shkurtër të çastit të fundit, krejt në thjeshtësinë e tij sublime që e shoqëroi gjithë jetën. Shtypi shqiptar, shërbyes i madh sidomos ndaj njerëzve të politikës, të pushtetshëm e të masonerisë së sotme, për fat më tepër me prejardhje komuniste, nuk denjoi të merrej me këte hero të sportit shqiptar, me këtë qytetar të vjetër të Shkodrës, pinjuell i një prej familjeve më të shquara të qytetit të veriut (më e pakta kujto një Prof. Izet Bebeziq, gjithaq të nxjerrë jashtë historisë). Vetëm një gjysmë kollone në një gazetë, që i kishte borxh një cikël të tanë shkrimesh, qe nderimi që iu bë Bebeziqit tonë, kur meritonte një ditë zije për gjithë mjedisin e sportit kombëtar.

Mirëpo, për fat, ka raste kur mu heshtja të nderon më fort se vetë nderimi ceremonial i bujshëm.

Në këte rast, nëse dikush do të vendoste të nderonte fort lamtumirën e Hysni Bebeziqit do të vihej në vështirësi të madhe. Kjo, ngaqë të sotmit e shtypit e të televizioneve të Shqipërisë, nuk e njohin Hysni Bebeziqin, sepse ai ishte nxjerrë në harresë prej vitesh. Nuk e njohin, sepse për shumicën e këtyre të sotmëve jeta shqiptare nis kur kanë filluar të jetojnë ata vetë, ose kur kanë filluar ata të jenë dikushi.

XXX

Në të vërtetë do ta kishin shumë të vështirë të nderonin fort Hysni Bebeziqin, sepse do t’iu duhej të humbisnin ditë në arkivat e sportit për të gjetur Bebeziqin e ri, këtë simbol të madh të atletikës dhe sportit shqiptar. Do t’iu duhej po aq të takonin njerëz, të intervistonin njohës të tij, bashkëkohës e studiues të tij, ndonëse këta të fundit nuk ekzistojnë, sepse nuk ekzistojnë për gjithë sportin kombëtar. Përveçse këto janë punë fort të lodhshme që nuk i shkojnë për shtat përtacisë së gazetarisë së sotme sportive. Mirëpo, nëse do të vendosnin që ta bënin këtë hulumtim apo përimtësim për Bebeziqin, ata, duke qenë se ka kohë që nuk duan dhe nuk dijnë të bëjnë punë për së mbari, kësisoji do të ngatërroheshin keqas mu prej padijes së tyre.

Kështu për shembull, për të shkruar gjatë e për së mbari për Hysni Bebeziqin, më parë do t’iu duhesh të njihnin Sabit Çokun, rekordmenin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë së Paraluftës në kërcimin së gjati me 6.58 metra, rekord i vendosur qysh më 1935, një rezultat i madh për dhjetëvjetëshin e katërt të shekullit të shkuar, atë Sabit Çok, të cilit me siguri do t’ia mësojnë emrin vetëm nëse lexojnë këtë shkrim, sepse Çoku ka qenë i burgosur e i flakur tej prej regjimit. E me të burgosurit e të flakurit e eegjimit, shtypi i sotëm shqiptar nuk e ka fort për qejf të merret.

Dhe kaq i madh ka qenë Sabit Çoku për Shqipërinë sportive sa duhej të kalonin plot 21 vjet dhe të vinte viti 1956, e bashkë me të nga Shkodra të mbërrinte një djalë 22-vjeçar si Hysni Bebeziqi i Partizanit, për fat i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore, i drejtuar nga trajneri i tij Tajar Pipa, që ta thyente këte rekord çerekshekullor, duke mbërritur në 6.63 metra. Ka qenë një ditë e vitit 1956 dhe Shqipëria Komuniste e Sportit kaloi në eufori, sepse më në fund u thye edhe një rekord që mbahej prej një “borgjezi” me emrin Sabit Çoku, i cili përveç të tjerave, ishte vëllau i një “tradhëtari” në emigracion, siç e përcaktonin pa mëshirë Prof. Mentor Çokun e nderuar.

Nëse do të merreshin disi më imtësisht me rekordin e kërcimit të gjati të Bebeziqit tonë, shkruesit e sotëm do të gjenin me vështirësi se Hysni Bebeziqi në korrik të vitit 1957 do ta çonte rekordin në 6.69 dhe se kur vjen 1958-ta Bebeziqi arrin atë që as që mund të mendohej: fiton në takimin e Tiranës me 6.68 metra, për 1 centimetër më tepër, garën dramatike me rekordmenin e Armenisë të Bashkimit Sovjetik, Tumanian, padyshim i vetmi rast në histori që një shqiptar fiton kundër një atleti të një Republike të BRSS. Një vit më vonë, ai mbërrin rekordin 6.99 ose 7 metra pa 1 centimetër. Me siguri ju duket pak, sepse harroni që është fjala për 50 vjet më parë!...

Nëse shkruesit e sotëm do të vendosnin të zbulonin mbas 50 vjetëve Bebeziqin e ri, do të gjenin të fshehur vetëm në arkiva që askush “nuk i ka” në Shqipëri, se Hysni Bebeziqi në ato vite të çuditshme ’50, iu sul edhe rekordit të trehapëshit dhe në shtatorin e 1956-ës arriti plot 14.00 metra, duke thyer rekordin e Vlash Koljakës që ishte 13.64 i vendosur qysh më 1952. Mandej ata do të zbulonin se mbrenda 5 vjetëve Bebeziqi do ta çonte rekordin deri te plot 15.01 metra, po në shtator, por tash në ate të vitit 1963. Shifra që kalonin dhjetra e dhjetra shtete të botës në këte rekord.

Do të mësonin ndërkohë se më 1958-ën, në Spartakiadën të ashtuquajtur “të Ushtrive Mike” në Lajpcig të RD Gjermane, Bebeziqi i madh, do të kishte fatin të matej me atletë të dëgjuar të Evropës. Dhe jo vetëm që nuk stonon asesi, por është në gjashtëshen e më të mirëve, saktësisht i 6-ti, me 14. 67 metra (vend i parë është për atletin e shquar Cem të BRSS me 15.07 metra), duke lënë mbrapa një tufë të tanë kërcyesish gjermanë, bullgarë, hungarezë, polakë e kinezë, të shteteve të vërtetë atletike. Ishte i pafat megjithate. Dy kërcime të tij që ishin përtej kufirit të 15 metrave qenë shkelje e vijës së bardhë të rrahjes së pedanës.

Mbasi të mësonin edhe këto ngjarje të paprecedenta, shkruesit e sotëm të sportit në Shqipërinë, e cila merret një javë të tanë me trajnerin italian Capello, vetëm sepse ai nuk do të jetë më trajner i Realit të Madridit të Mbretërisë spanjole, çështje jo shqiptare kjo, duke kopjuar deri në mërzi shkrime të të tjerëve nga interneti, dukuri e frikshme që po i humb çdo ngjyrë deri vlerave të gjuhës shqipe, do të t’iu duhej pra të kërkonin e të gjenin se si ka qenë e mundur që krejt papritmas Hysni Bebeziqi, tash i Vllaznisë së Shkodrës së tij, një ditë të bukur vjeshte të vitit 1960 të kërcejë edhe së larti.

Ai do ta bënte këtë veprim, thjesht sepse i tha mendja se rekordi i kërcimit së larti në Shqipëri kishte mbetur tejet mbrapa, vetëm 1.78 vendosur nga Masar Aga më 1957. Pa u specializuar asesi për këtë disiplinë, shpejt e shpejt shpik një stil të tijin, që na habiste të gjithëve, duke iu sulur drejtpërdrejt e në lule të ballit stekës dhe kështu më 1960-ën, në stadiumin e Shkodrës që thirrej “Vojo Kushi”, arrin 1.80 metra, teksa, në mos gaboj, vetë nuk ishte më shtatlartë se nja 1.67 metra, çka do të thoshte se kishte kërcyer plot 13 cm mbi lartësinë e tij trupore, duke hyrë në këte tregues për asokohe ndër “rekordmenët” e botës. Madje, 15 centimetra mbi shtatëlartësinë e tij, sepse mbas pak javëve po në Shkodër arrin rekordin e 1.82 metrave.

Nuk e zgjat më tepër se kaq me kërcimin së larti, mbase edhe ngaqë kishte do kohë që i thoshte mendja ta braktiste atletikën për hir të futbollit. Krejt papritmas, një ditë të bukur u pa në stërvitje me Vllazninë në Stadiumin “Vojo Kushi” dhe nuk kishte kundërshtar që t’ia ndalonte shpejtësinë e rrufeshme dhe as driblimin fantastik. Trajnerët e tij, të paharrueshimit Feti Dizdari dhe Ibrahim Dizdari, shtangën dhe shpejtuan ta ndalonin të dilte në fushën e futbollit, se ndryshe atletika shqiptare do të humbiste heroin e saj të vërtetë. Bebeziqi vuri buzën në gaz dhe iu rikthye atletikës.

XXX

Kishte ende punë të bukura për të bërë që do të kulmonin me ato që thamë: 15,01 metra në kërcimin trehapësh. 1.82 metra në kërcimin së larti. 6.99 metra në kërcimin së gjati. Ky ishte rekordmeni i tri garave të kërcimit - rast unik në historinë botërore të atletikës që një njeri i vetëm ishte në të njëjtën kohë rekordmen kombëtar i një shteti në kërcimin së gjati, në trehapësh dhe në së larti. Ndonëse për Shqipërinë ishte përsëritje e rastit po unikal të profesor Peter Andonit të Elbasanit dhe të Shkodrës, i cili po kështu, në periudhën 1929-1934 kishte qenë rekordmen i Shqipërisë po në këto tri gara. Një tjetër fenomen i atletikës shqiptare, edhe ky profesor i famshëm i edukimit fizik, i Normales së Elbasanit, i gjimnazit të Shkodrës po dhe i Robert College Amerikan të Stambollit, krejt i zhdukur nga historia e sportit shqiptar. Shqipëria gjithmonë zhduk e harron, sidomos ata që nuk janë pjesë e masonerisë së saj të sotme.

Kështu, mbasi do të kishin mundur t’i mësonin të gjitha këto, të ngarkuarve apo të ashtuquajturve gazetarë të sotëm në Shqipëri, do t’iu duhej të mundoheshin fort për të gjetur përveç rekordmenit Bebeziqi, edhe se cili qe kampioni Hysni Bebeziqi në Kampionatin Kombëtar të Atletikës.

Dhe natyrisht nuk e di nëse do t’ia arrinin “të zbulonin” se Hysni Bebeziqi ka qenë jo një herë të vetme, por plot 16 herë Kampion i Shqipërisë!

Nuk ma merr mendja. Jo për ndonjë gjë të fort veçantë, por sepse gazetaria sportive e sotme shqiptare, shpesh është ahistorike dhe për fat të keq jo rrallë herë edhe shkombëtarizuese, ose e thënë më butë: ajo është larg ndjenjës së vërtetë kombëtare që buron edhe prej sportit. Megjithatë, them se po të lodheshin nja katër a pesë ditë, me një fjalë, po të punin për së mbari nja katër a pesë ditë, shkruesit tanë do të zbulonin se Hysni Bebeziqi, qysh nga viti 1955 e deri më 1968, nga mosha 21 vjeç e deri në moshën 34 vjeç ka fituar 16 herë titullin e Kampionit të Shqipërisë në kërcimin së gjati dhe në kërcimin trihapësh. Kampion më 1955 në dy garat, së gjati e trehapësh; kampion më 1956 po në dy disiplinat; kampion më 1957 gjithnjë dy herë; kampion më 1958 gjithashtu dy herë; kampion më 1959 po në dy garat. Për të vazhduar qysh nga 1960 e deri më 1968 për t’u shpallur edhe 6 herë kampion kombëtar në trihapësh.

Kështu, i ngarkuari për të nderuar për së mbari historinë e Hysni Bebeziqit të madh do të habitej edhe vetë se me kë po merrej dhe do të mësonte jo pak edhe në përkryerje të profesionit të tij të gazetarit.

Do të mësonte se Shqipëria paska patur një atletikë edhe 50 vjet përpara, të përfaqësuar prej kampionësh të cilët me një trajtim mëse amator, sipërfaqësor në shkencë e në financë, e deri të politikës sportive, falë talentit të tyre të jashtëzakonshëm dhe të mbështetjes prej trajnerëve tejet seriozë dhe po aq të pasionuar e të sakrificës, mund të arrinin rezultate të nivelit ndërkombëtar për kohën. Dhe ku? Në një Shqipëri që jetonte nën sistemin e triskëtimit, pra për bukën e gojës. Madje, paska patur një atlet si Hysni Bebeziqi i cili, bie fjala, arrinte në vitet ’50-‘60 në kërcimin trehapësh një rezultat më të lartë edhe se sa përfaqësuesi i Shqipërisë 2007 në garat e sapopërfunduara të Kupës së Evropës: 14.46 përfaqësuesi shqiptar i vitit 2007 dhe 15.01 Hysni Bebeziqi i vitit 1963.

Kështu, vetvetiu, ata do të kishin shkruar një pjesë të ndritshme të historisë së atletikës shqiptare, natyrisht në modestinë e ecurisë së saj, sepse Hysni Bebeziqi është mu një pjesë e ndritshme e historisë së atletikës shqiptare.

Besoj se brenda dy apo tri ditësh, të ngarkuarit për të shkruar në nderim të Bebeziqit të madh do të mund t’i saktësonin edhe pse me vështirësi, të gjitha këto. Mirëpo, ata nuk e kanë as në bllokun e shënimeve të tyre, as në dritaret e kompjuterit të tyre një Hysni Bebeziq. I kanë bosh. Këtë, përveç të tjerave, e kuptoj nga ajo që ata nuk qenë të zot të shkruanin dy radhë për së mbari në nderim të Hysni Bebeziqit dhe veprës së tij sportive sensacionale për Shqipërinë. Ose, do ta shkruanin, duke ia ngatërruar keqas të gjithë këtë histori të bujshme të kampionit dhe rekordmenit të pakrahasueshëm shqiptar, emrin i të cilit nuk do të ishte shumë po ta mbante një stadium, pallat a një institucion sportiv.

E prapseprap them se me heshtjen e tyre, padashur ata, dhjetë gazeta të përditëshme sportive shqiptare (rekord botëror ky në lâmin e shtypit), gati 35 gazeta të përditshme, mbi 30 televizione e kushedi sa radio të panumërta e kanë “nderuar” fort Hysni Bebeziqin dhe veprën e tij në ditët e lamtumirës së këtij fisniku të Shkodrës e të Shqipërisë, sepse, duke mos u marrë me të, të paktën e kanë lënë të paprekshme, të pangatërrueshme historinë e tij unike për sportin shqiptar. Mu për këtë them se heshtja e ka nderuar fort Bebeziqin tonë Kur dihet ndërkaq, se njerëzit e mëdhenj edhe vetë kërkojnë një lamtumirë të thjeshtë, njerëzore, të pabujë, jo ceremoniale.

Këtë i blatoi fati edhe Hysni Bebeziqit.

XXX

Ai kishte vite që vuante. Gangrena i detyroi prerjen e këmbëve. Ky ishte dhe fati i tij tragjik. Fati i këmbëve të tij falë forcës, shpejtësisë dhe atletizmit të të cilave, ai fluturonte në pistat dhe pedanat shqiptare. Nuk qe thjesht 12 herë rekordmeni i tri garave dhe as vetëm 16 herë Kampioni i Shqipërisë. Hysni Bebeziqi qe njeriu i cili krijoi shkollën moderne të kërcimeve në atletikën shqiptare. Ishte një talent i rrallë, çka e demostronte në elegancën e kërcimit, në stilin unikal të tij, të një koreografie që u bë emblematike dhe që u munduan ta imitonin të gjithë mbasardhësit e tij. Vështroni me vëmendje foton e tij që shoqëron këtë shkrim dhe që i përket viteve ’58-’59. Është si nga një kinogramë për leksione universitare të sportit. Lartësia, eleganca e ngritjes së duarve, këmbët në ajër si motor i çuditshëm fluturimi, fiziku i vogël i tij që për kah atletizmi në foto të duket gjigant, psikologjia e vështrimit në fytyrën e tij mendimtare janë përveç të tjerave edhe monumenti i tij fotografik.

Natyrisht që mbas Hysni Bebeziqit që ishte themeluesi i kërcimeve moderne për Shqipërinë, erdhën rekordmenët dhe kampionët tonë të tjerë, të cilët shkuan më tej. Erdhi Sabaudin Ramku, Lluka Heqimi. Erdhën Koço Mulla e Arben Papuli. Erdhi Gjergj Ruli. Erdhi Artan Duka, por erdhën edhe Ilia Mazniku e Skënder Balluku. Mandej Qemal e Gëzim Çorja, apo dhe Muhamet Abazi. Erdhën edhe Marjeta Pronjari, Angjelina Gurakuqi, Miranda Saqellari, Vera Bregu, Makbule Raça, Alma Qeramixhi, Tatjana Çavo e Arbana Xhani. Erdhi edhe e paharrueshmja Valbona Teli. Erdhi më e famshmja: Klodeta Gjini. Paraprirësi i gjithë këtyre, mësuesi i tyre, bazamenti nga ku nisën apo u mbëshetën të gjithë këta kampionë e rekordmenë modernë të atletikës shqiptare, ka vetëm një emër: Hysni Bebeziqi.

Dhe sot, për fat ka ardhur edhe rekordemni ynë i ri, 26-vjeçari Admir Bregu, 7.71 metra në kërcimin së gjati të premten e 29 qershorit 2007 në Kupën e Evropës në Zenica të Bosnje Hercegovinës, medalje e artë evropiane e tij mu në ditën e ndarjes nga jeta të Hysni Bebeziqit, duke i bërë vetvetishëm nderimin më të madh themeluesit të shkollës shqiptare të kërcimeve në atletikë, Bebeziqit të paharrueshëm të Shkodrës e të Shqipërisë.

Ishte modest deri në skaj. Gjithnjë me një buzëqeshje që i endej në fytyrën dhe shikimin e tij të dashtun. Mbasi fluturonte në pedanë, largohej prej saj me hapin e tij gjithnjë elegant, kthente kryet pak nga mbrapa për të parë metrazhin rrotullues që shtrihej në gjithë gjatësinë e kërcimit të tij dhe largohej me një vështrim që për një çast të dukej si indiferent. Në të vërtetë nuk ishte indiferencë. Ishte gjakftohtësia e pakrahasueshme e tij, që e kanë vetëm sportistët e rrallë, më të talentuarit, ata të cilët dijnë fort mirë të llogarisin gjithçka, të parashikojnë gjithçka dhe të arrijnë gjithçka. Ky ishte Hysni Bebeziqi.

Qe një stomatolog i shkëlqyer në jetën e tij të përditshmërisë profesionale. Edhe këtu qe një rekordmen i madh. Thuhet se janë rreth 100.000 rastet e pacientëve të mjekuar prej tij. Përveç të tjerave, një artist edhe në këto punime të tij që dinte të bënte në stomatologjinë, finesë dhe saktësi po aq e rrallë. E kanë ndjerë të njëqind mijtët e tij.

Është ndarë nga jeta një ndër sportistët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë, madje atleti epokal për Shqipërinë, njeriu që modernizoi garat e kërcimeve: Hysni Bebeziqi! Është përcjellë në heshtje në lamtumirën e tij të fundit prej familjarëve, shokëve e miqve të tij të vjetër, pa një bujë ceremoniale, pa fjalë të shumta, pa asnjë lloj pompoziteti, krejt në modelin e thjeshtësisë së tij sublime që e shoqëroi gjithë jetën. Dhe në rastin e tij, ashtu siç e shtjelluam, mu kjo heshtje e nderon më fort se çdo lloj nderimi tjetër ceremonial.

Njerëzit e mëdhenj të çdo fushe e kanë vërtet të thjeshtë dhe të pazhurmë lamtumirën e tyre, sepse mbeten të përjeshtshëm.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora