Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Vajta n'Elbason
E shtune, 13.06.2020, 07:31 AM
Vajta n'Elbason
Nga
Edison Ypi
Pse
këngën e famshme disa e këndojnë "Vajta n'Elbason për me ble fuston"
dhe disa të tjerë "Vajta n'Elbason për me ble boston" ?
Sapo
mrrita n'Elbason kët pytje ja bëra Buçe Qenit që m'zu rrugën te çeliku kurvit.
Pasi e la në tokë kockën që po lëpinte për me liru gojën për me fol, Buçja tha
se ata që vijnë n'Elbason për me ble fuston, janë demokrata të ndritur, ndërsa
ata që n'Elbason zbresin për me ble boston janë komunista të qelbët. Kaq tha
Buçe Qeni, e kapi përsëri me dhëmbë kockën me dy gunga anash, dhe iku duke e
lëpirë me llapë.
Afër
Urës aë Zaranikës më doli para Koqe Kandari. Koqa ishte i mendimit se ata që
shkojn n'Elbason për me ble fuston jan xhentelmena të nerum dhe të respektum që
merren me droga dhe trafiqe, ndërsa ata që n'Elbason shkojn me ble boston jon
longaraqa, parazita që rrin kot, që flejn gjum.
Krejt
ndryshe e mendonte fuston-bostonin Surrat Balta që e takova te Hotel Turizmi.
Surrati që mahet për liberal progresist tha; Fustoni përfaqëson mirqënien
shpirtërore. Bostoni rehatinë materiale. Këngën e famshme e këndojnë "me
fuston" materialistat mashtruesa, ndërsa "me boston" e këndojn
idealistat hipokrita. Besoj se isha i qartë. Mos më vono mo me fustona dhe
bostona. Ika se kam takim me një demokrat për pun të një dallaveri, tha Zoti
Balta, dhe u zhduk.
Hile
Skilja u shpreh kështu; Nga qëndrimi i gjatë në opozitë demokratat jan bo me
fol me vete. Në shtëpi, në rrugë, në kafene, demokratat po flasin me vete.
Sidomos nëpër televizora demokratat nuk përballen me komunistat por preferojnë
të flasin me njonitjetrin, domethën me vete, llomotisin, revoltohen, shajn
mallkojn. Si përfundim, budallejt që flasin me tjetrin këngën e këndojnë
"me fuston". Demokratat që flasin me vete, këngën historike e këndojn
"me boston". S'di tjetër.
Zagar
Çorba ishte më i errët se Hile Skilja i t'folmes me vete. Zagari ishte i
mendimit se shqiptarët janë të vetmit në botë që mediat i bëjnë vetëm me pare
të vjedhme, me pare buxhetore, me pare trafiqesh, me pare droge, kurrë me paret
e veta. Ndërsa sa i përket fuston-bostonit, Zagari tha se janë e njëjta gjë, me
ata të dy boj ça të dush, kap ça të kapësh.
Elaborimi
i mjegullt që Zagar Çorba i bëri fustonit dhe bostonit, më zhyti në mendime.
Erdha në vete vetëm kur në një kafene afër Teatrit Skampa, pra afër asaj hales
propagandistike me furrnalta, spiuna, sabotatora që do Zoti pas pak ta shembin,
mu atje takova Mi Skuthin. Ju luta Miut me ma zbërthy dilemën me fustona dhe
bostona. Atë këngë, ja nisi Mi Skuthi, e këndojnë "me fuston" ata që
janë të bindur se zgjedhjet në Shqipëri i bëjnë pronarët e mediave, dhe
"me boston" ata që kujtojnë se zgjedhjet tona komandohen nga ambasadorët
perëndimorë. Po deshe me dit mo tepër se kaq, përfundoi Miu, ja ku po vje Pis
Pisi. Pyte Pisin. Ta kallxo Pisi fustonin, bostonin, po deshe ene kungullin me
trongullin.
Mos
më çaj kaptinën me fustona dhe bostona, ja krisi Pis Pisi. Jom bo me vra veten.
Me më ther pik gjaku s'më del. Në Dumre, në Darsi', në Shpat, Parti Demokratike
nuk ka, Partia Demokratike nuk ekziston, Partia Demokratike është bërë kashtë e
koqe e tëra, dhe ti më ça dërrasa me fustona dhe bostona, ma mylli gojën Pisi.
Ik
e ik afër stadiumit nga trotuari tjetër më përshëndeti Çok Çakmaku. Ja thash
Çokut si e kisha hallin me këngën, fustonat, bostonat. Çoku ja futi si ketri
arushës. Si është e mundur, tha Çok Çakmaku, që Edi Rama edhe të gjitha
televizionet i ka ble, edhe të gjitha televizionet e shajn e kusur s'i lejn. Me
ma përplas kokën pas muri këtë sarrij ta kuptoj, përfundoi Çok Çakmaku, dhe
iku.
Pak
më tutje stadiumit afër Kodër Krastës sikur doli nga dheu Llum Garuzhdja. Llumi
foli seriozisht. Për Llum Garuzhden atë këngë "me fuston" e këndojnë
buxhetorët që bëjnë propagandë kundër qeverisë, çka është e ndaluar rreptësisht
me Ligj. "Me boston" e këndojnë budallenjtë e pushtetit të cilet këtë
hile, meqënse nuk e kuptojnë, e tolerojnë.
Te
një restorant i vogël ku nuk vajta me ble fuston e as boston por me ngrën një
pjat grosh, takova Vorr Pilafin tu hongër mish. Vorri foli qartë dhe prerë.
Sipas Vorrit, këngën e famshme e këndojnë "me fuston" ata që kanë
bindjen se konservatorët e brezit të vjetër ishin më kafshë se konservatorët e
sotëm, ndërsa "me boston" e këndojnë ata sipas të cilëve
konservatorët e sotëm janë ca barkderra një mijë herë më budallenj se
konservatorët e vjetër që prisnin kotmëkot anglo-amerikan, dhe aq shtazarakë e
aq qesharakë sa mburren se luftojnë komunistat me 30 lajka në Fejsbuk dhe nëpër
kafenera ku korrin fitore donkishoteske duke ngritur tallaze luftrash nëpër
gota uji.
Hu
Gardhi, Katran Zifti, Mortje Ngordhja, Iriq Bolja, Pleh Pocaqia, Hije Ligu, Era
Dheu, Qurre Spiçka, Fyll Brima, Zgjyrë Këllira, thanë pakashumë të njëjtat gjëra.
Këmbët
më çuan te unaza e Elbasonit atje ku hekurudha kryqëzohet me rrugën e
vorrezave. Ate vend, në kujtim të një numuri viktimash të pafajshme të
funeraleve që në përpjekje mbinjerëzore për të kaluar hekurudhën me në sup
xhenozen në qivur janë shqyer nga rrotat e trenave, me plot të drejtë Ismail
Bej Çala, alias Ismail Bej Sulova, e ka pagëzuar me emrin mbresëlënës Anna
Karenina. Mu te Anna Karenina ja behu Tas Plonci. Me një qetësi dhe
gjakftohtësi mahnitëse, Tas Plonci që duket si gru me barrë, tha se këngën
monumentale "me fuston" e knojn komunistat katunarë që n'Elbason
vijnë me ble noi femër. "Me boston" e knojn demokratat që n'Elbason
zbresin me ble noi dylber.