Mendime
Nexhmedin Saqipi: Shoqëria shqiptare duhet të lirohet nga mentalitetet e mbrapshta ballkanike
E merkure, 10.06.2020, 10:33 AM
Intervistë me shkas
Nexhmedin
Saqipi, koordinator i Shoqërisë Civile për Luginë të Preshevës
Shoqëria
shqiptare duhet të lirohet nga mentalitetet e mbrapshta ballkanike
- Spektri politik shqiptar, duke u
bashkuar në një front të përbashkët politik, tregon forcën elektorale dhe liron
shpirtat e frustruar dhe përçarjet e dëmshme në favor të një klime të mirë shoqërore
dhe politike. Në këtë mënyrë Lugina e Preshevës, do të bëhej një shembull i mirë
edhe për shoqërinë shqiptare në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, ngase të gjithë po
pretendojmë të integrohemi në Evropë, e cila kështu siç jemi të ndarë, të përçarë
e me mentalitete të mbrapshta, nuk na do në familjen e saj evropiane, tha në një
intervistë me shkas për Jetapress, Nexhmedin Saqipi, koordinator i Shoqërisë
Civile për Luginë të Preshevës.
1. Zotëri Saqipi, si e vlerësoni rolin dhe
misionin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, e në veçanti në Luginën e
Preshevës?
SAQIPI: Ju e dini mirë se shoqëria shqiptare,
gjatë periudhës së luftës është prekur dhunshëm, duke u lënduar po thuajse nga
të gjitha poret e jetës: identiteti kombëtar
e fetar, intelektual, profesional dhe institucional. Janë rrënuar dhe shembur
vlerat e saj, e një gjendje e tillë la pasoja edhe pas luftës. Grupe njerëzish
dhe individësh, sikur i harruan ato sakrifica, të cilët të dhënë pas luksit e
pushtetit, për përfitimi personale, familjare e partiake, shkelën mbi ato
vlera, duke e zhveshur shoqërinë tona nga vlerat demokratike. Prandaj, ne si
drejtues të shoqërisë civile, jemi menduar të bëjmë diçka në favor të
zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të vlerave shoqërore. Kjo na detyroi të
mobilizohemi, duke parë se si po katandiset shoqëria jonë, se si po përçahet e
dezintegrohet, qytetarët e hutuar pas garave të subjekteve politike për
pushtet, po e ndajnë shoqërinë tonë në pozitë e opozitë, shteti nga këto ndasi
e parregullsi, nuk po funksionon si duhet, drejtësia është kapur nga lartë dhe
liria e shfrenuar është kthyer në një degjenerim total.
2. Si e shihni shpëtimin e shoqërisë shqiptare
të prekur nga këto dukuri shkatërrimtare?
SAQIPI: Për të zënë trenin e ndryshimit (e që
sot liderët politikë e kanë plot gojën reforma e ndryshime), duhet së pari ta
ndryshojnë vetveten, të lirohen nga barra e lakmive dhe hasmërive, ta pranojnë
njëri-tjetrin, si rival e jo si armiq politik, me një fjalë biznes-politikan, që
kanë lindur si kërpudhat pas shiut, e që po e rrezikojnë qenien dhe substancën
kombëtare e njerëzore, duhet të heqin
dorë nga këto vese dhe dukuri negative. Ata kur është në pyetje interesi ynë
madhor kombëtar, duhet të unifikohen, për t'i lanë anash intereset personale,
mgase vetëm ashtu të bashkuar mund të ecin përpara drejt proceseve integruese
me perspektive evropiane. Spektri politik shqiptar, duke u bashkuar në një
front të përbashkët politik, tregon forcën elektorale dhe liron shpirtat e
frustruar dhe përçarjet e dëmshme në favor të një klime të mirë shoqërore dhe
politike. Në këtë mënyrë Lugina e Preshevës, do të bëhej një shembull i mirë
edhe për shoqërinë shqiptare në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, ngase të gjithë po
pretendojmë të integrohemi në Evropë, e cila kështu siç jemi të ndarë, të përçarë
e me mentalitete të mbrapshta, nuk na do në familjen e saj evropiane. Nuk na do
se mentalitete ballkanike me luftëra e konflikte nuk po krijojnë sisteme të mirëfillta
demokratike, por në emër të pluralizmit politik kanë prodhua biznes - politikanë,
biznes - fetarë, biznes- profesionalistë, biznes –kombëtarë , biznes - patriotë, biznes -mjekë, biznes - kulturologë etj. Shpresa e vetme është që të pranojmë njëri - tjetrin
dhe kjo punë të pleqërohet me mend, me fakte, me tolerancë, me profesionalizëm,
por edhe me mëshirë, që për fat të mirë sot kemi ekspertë të të gjitha fushave,
për t'i menaxhuar punët tona.
3. Cili është qëllimi i unifikimit të
subjekteve politike?
SAQIPI: Qëllimi i iniciativës të shoqërisë civile për unifikim të
subjekteve politike në zgjedhjet e 21 qershorit për pushtet lokal në Bujanocit,
ka qenë që ajo të bëhet para zgjedhjeve, e jo pas saj sepse këtu qëndron forca
e unifikimit. Kjo nismë është nisur nga disa parime së pari për t'i bërë bashkë
subjektet politike dhe së dyti për t'i motivuar qytetarët të dalin në zgjedhje,
nga se çdo ndarje dhe përçarje mund ta rrezikoj forcën elektorale dhe rënien e
ulëseve në parlamentin lokal. Qytetarët janë lodhur dhe rraskapitur nga këto
ndarje dhe përçarje, të cilat po ndikojnë dukshëm në demoralizim dhe largimin e
rinisë nga vendi, me rrezik të kthimit të kësaj komune në shtëpi të pleqve.
Askujt, me nder me thënë, nuk i ha palla për ndryshime, profesionalizëm e përparime,
por duke vrapuar për pushtet nuk kursejnë mënyra e metoda për të ardhur te vota
e cila jepet me bindje politike, por
besim, jo për interes familjar,
interes miqësor, biznes dhe interesa të ndryshme. Nga këto defekte të
skenës politike shqiptare familjet shqiptare janë përçarë, politika e interesit
i ka rrënuar vlerat e dikurshme kulturore e kombëtare, janë ndarë vëllezërit me
vëllezër edhe martesat po bëhen në baza partiake edhe shkurorëzimet po bëhen për
inatet dhe intrigat e politikanëve. Këto
dukuri i kam thënë edhe më herët, që nga viti 2000 dhe po i përsëris edhe tani,
por, mjerisht, këto vërejtje nuk janë marrë parasysh, prandaj jemi aty ku jemi.
4. Si do të funksionoj modeli i
unifikimit të subjekteve politike?
SAQIPI: Nëse e kuptojmë qartë modelin e
unifikimit të subjekteve politike, s'ka se si të mos funksionoj ajo. Mirëpo,
mes disa grupeve të interesit, ka individë që nuk u shkon për shtati ky unitet,
prandaj ata veprojnë të fusin spica e të shpifin e degradojnë iniciativat për të
mirën e shoqërisë sonë, sepse janë mësuar të jetojnë ashtu në mënyrë jo të
ndershme dhe jo shoqërore. Këtë model duhet ta marrë edhe Shqipëria, Kosova.
Serbia, Maqedonia, Bosnja etj, të cilat kanë pothuajse të njëjtat mentalitete,
nga të cilat po pësojnë qytetarët dhe shoqëria në përgjithësi. Nuk ka familje
shqiptare që nuk ka pësuat
gjatë ndryshimeve të sistemeve dhe transfereve nga një sistem në tjetrin
pa organizim dhe edukim. Nga sistemi i
jetës bizant në atë të rimit, nga ai bizant
në Osmanli, nga osmanlitë në komunizëm,
nga komunizmi në demokraci, mandej nga paganizmi në fe
krishtero - ortodokse, islame,
ateiste etj, të gjitha këtu vijnë nga ndasitë kulturore dhe dallimet e
saj. Mua më ka ra hise të merrem me evitimin e këtyre dallimeve dhe ndasive
kulturore, nëpër periudha të ndryshme, mirëpo beteja kundër këtyre nuk ka qenë
e lehtë. Nuk ka qenë e lehtë sepse zëri i shoqërive civile nuk është dëgjuar si
duhet dhe politika nuk ka mundësi për këto
ndryshime, ngase i mungon bashkëpunimi me të në mënyrë të sinqertë dhe korrekt.
Për njëzet vjet rresht është vjedhur, manipuluar e blerë vota e qytetarit dhe
nuk janë zgjidhur problemet e tij, madje ato më elementare. Shembull kemi shkollën e Tërnocit e cila nga 1200 nxënës
kanë mbetur vetëm 400 e disa shkolla të tjera të zonave malore janë të rrezikuar
të mbyllen fare, sepse familjet shqiptare po ikin e bashkë me ta po ikën e dhe
rinia. Ka ardhur koha të investohet në kulturë në arsim dhe në shëndetësi e jo
vetëm në beton e infrastrukturë. Ky popull pa kulturë, pa arsim dhe pa shëndet nuk ka jetë dhe as prosperitet.
Këta njerëz po ikin nga vendlindja për një jetë më të mirë dhe Lugina po
zbrazet në heshtje. Atë çka nuk e bëri regjimi
i Millosheviqit me gjak e hekur, po e bënë politika jonë e ndarjeve dhe përçarjeve.
Është lodhur shoqëria jonë me shpifje, denigrime dhe shantazhe, duke u
etiketuar në patriotë e tradhtar, në demokrat e hajdut e kështu me radhë. Prandaj,
këtu është dallimi i iniciativës tonë nga iniciativat e tjera, të cilat nuk
mund të mbjellin unitet në një artë të mbushur me shumë baroja të këqija, e që
prej saj nuk pritet rendimet i lartë. Qytetarët duhet të dalin në zgjedhje për
të reflektuar maturi politike e subjektet politike të bëjnë fushatë fer e me
dinjitet. Uniteti është i domosdoshëm, në mënyrë që ne t'i gëzojmë fitoret
bashkë, sepse vetëm ashtu ecim përpara drejt e mbarë, apo jo?
(Intervistën e realizoi redaksia e Agjencisë së lajmeve
Jetapress nga Lugina e Preshevës)