Mendime
Fahri Dahri: Çfarë është bërë me Gjenocidin?
E hene, 08.06.2020, 05:22 PM
II.- Ç’FARË ËSHTË BËRË ME GJENOCIDIN?
(WHAT)? (¹)
Nga
Fahri Dahri
Qëndrimet
denigruese dhe mohuese të kishës dhe shtetit ortodoks grek të vërtetuara kundra
etnisë shqiptare, përfshirë banorët autoktonë të Çamërisë (çamët myslimanë në
Shqipëri dhe çamët ortodoks në Çamëri-Greqi) dhe arvanitasit, krahas realitetit
antidemokratik të shtetit Grek, i cili nuk zbaton të drejtat e pakicave etnike,
tregojnë edhe inferioritetin e shtetit Shqiptar, me qendrimet përjashtuese të
tij kryesisht ndaj banorëve autoktonë të rajonit të Çamërisë.
Nuk është
rastësi shigjetimi për shfarosjen e komunitetit të banorëve shqiptarë të
Çamërisë, përkundrazi këto qendrime
lidhen me konspiracionin e shumë vendeve europiane për të mënjanuar elementin
shqiptar si faktor i rëndësishëm në pengesën e përhapjes së hapësirave lidhur
me përcaktimin e kombit mbi baza fetare.
Për të
mposhtur të tërën, teorikisht mbështeten praktikat e mënjanimit fillimisht të
pjesëzave. Por mesa duket pjesëzat, që deri dje ishin në “kafaze” të mbyllura,
sot ato kanë filluar të çlirohen dhe po i “ngjiten” trupit Mëmë. E
thjeshta e ”Çështjes Çame” qendron tek mospërkulja, mos mohimi, besnikëria dhe
adhurimi i tyre që, megjithë masakrat, ç’pronësimet, dëbimet e dhunshme nga
vendi i tyre, përbuzjet, heshtjet dhe censurat e ndryshme, internimet,
përjashtimet nga e përgjithshmja, çamët vazhdojnë jo vetëm të mos e tradhëtojnë
identitetin, por sipas fakteve të njohura ata vazhdojnë të jenë krenarë si të
tillë. Këtu nuk bëhet fjalë për mbivlerësim të të qënurit shqiptar “çam”, as të
nënvlerësimit të etnive apo racave të tjera, sepse mund të ishin grekë, serbë,
italianë apo kongolezë, por problemi është tek e vërteta e mos këmbimit të
identitetit etnik “shqiptar”.
Nëse
çamët do të kishin pranuar që të quheshin turq, do të kishin shkuar në Turqi;
por nuk pranuan të ndërronin etninë e tyre dhe të quheshin turq. Nëse do të
kishin pranuar të konvertoheshin në ortodoksinë greke, dhe të quheshin grekë,
do të jetonin në vendin e të parëve të tyre; por nuk e pranuan as të quheshint
grek. Kjo është ajo e “thjeshta” që nuk e kuptojnë të tjerët, por pa u thelluar
i akuzojnë çamët për atë që ata janë deklaruar se nuk janë. Qendrimi i
palëkundur i tyre ndaj etnisë së vërtetë, është “themra e Akilit”, ku ata
dallojnë tepër dukshëm me parimet dhe karakteret e të tjerëve. Kjo i vlerëson
dhe i lartëson shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e rajonit të Çamërisë
në veçanti, njëherazi tërbon kundërshtarët, shpifësit e të gjithë krahëve.
Lufta mes
dy të kundërtave, lidhur me konceptet e përcaktimit të kombeve, është e sigurtë
se e ardhmja i takon përcaktimit të kombit sipas gjuhës, traditave, zakoneve
dhe territoreve përkatëse. Argumenti për arritjen përfundimtare qendron tek e
vërteta e madhe, se: Njeriu ka ardhur në
këtë Dhé i zhveshur. Mijëra vjeçarë më pas, zhvillimet e shoqërisë njerëzore e
veshën dhe i thanë: “Vishu, beso vendin ku ke lerë, respekto dhe adhuro
gjithësinë, që personifikohet tek Zoti”!.
Nuk ka
dyshime dhe është pranuar e vërteta se pushtimi nga perandoria osmane, si dhe
perandoritë e tjera para saj, kanë dëmtuar dhe penguar në formimin e një shteti
shqiptar të mirëfilltë, por nuk arritën asnjëherë ç’rrënjosjen nga vetdija
shqiptare etnitetin e tij. Duke mbajtur parasysh këto bindje, nuk gjej
ndonjë element të fortë që të ketë ndikuar, siç na akuzojnë duke u shprehur
andej këndej kufirit se: “në radhë të parë
dëmtoi binomin Fe + Atdhe=Shtet, duke dëmtuar fenë”. Gjykime të tilla janë
rrjedhojë e mos njohjes së konceptimit shqiptar për kombin, prandaj i shpien në
përfundime të gabuara (në të vërtetë janë taktika dhe strategji të qëllimshme).
Koncepti
shqiptar në përcaktimin e kombit, nuk përkufizohet me binomin që parashtrohet,
por mbështet binomin: “Atdhe +gjuhë+tradita +zakone+ veshje+
ushqim dhe antropollogji=Komb”. Atdheu dhe populli që banon në ‘të, për
shqiptarët është primar, i pa diskutuar: “Atdheu mbrohet, nuk diskutohet”;
ndërsa besimet fetare janë subjektive, ato janë ose të trashëguara, ose
zgjedhje individuale. Nuk diktohen, por pëlqehen dhe praktikohen sipas bindjeve
dhe kushteve të seicilit individ. Kjo është ndarja mes kombit shqiptar dhe
kombeve që krijohen vetëm mbi bazën e bindjeve fetare. Qendrim i cili është i
sanknsionuar edhe me Kanunin e Lekë Dukagjinit: “Atdheu është atdhé; feja fé; punët
e ndame”.
Nuk synohet kundërvënie për ndokend, sepse
gjithkush ka mendimet e veta, por apeloj që çdo ngjarje, ndodhi të gjej
pasqyrim të saktë, të drejtë dhe nëse nuk arrihet, në mendimit tim, mirë është
të mos paramendohet, as të paragjykohet dhe edhe më shumë të mos diktohet.
“Sot,
ndarja e heshtur shpirtërore, luftërat politike, strategjitë e ndryshme (flitet
në shkrime të ndryshme) për të përparuar, mendoj se vijnë nga dyzimi dhe
preferencat tradicionale fetare. Mendoj se është problem feja, që pengon në
bashkimin spiritual dhe real të shqiptarëve: Secili komunitet kërkon historinë
e vet, heronjtë e vet”.
Këto
qendrime që qarkullojnë në disa “oda” politikëbërëse në favor të koncepteve ku
besimi fetar përbën kombin dhe që shigjetohen fare qartë në synimin për
shpërbërjen e kombit shqiptar, historikisht kanë dështuar. Historia ruan shumë
sulme të kësaj natyre që me Bismarkun, i cili deklaronte se nuk ka komb
shqiptar, deklarim të cilin e bazonte pikërisht se tek populli shqiptar
nuk kishte një besim fetar por disa të tillë! Të tilla pretendime
“bajate”, pavarësisht se “dëshirohen” edhe sot, tregojnë cektësi në njohjen dhe
zbatimin e parimeve demokratike si dhe zbulojnë preferenca selektive në
trajtimin universal të etnive, racave, ngjyrave, besimeve fetare apo të
diferencimeve mes popujve të mëdhenj dhe të vegjël.
Nuk
mendoj se duhet komentuar, por kushdo që jeton në vendin tonë dhe e njeh
historinë e popullit shqiptar, përfshirë në ‘të edhe bashkëjetën fetare, nuk do
ta kishte guximin të nëpërkëmbte tolerancat fetare që mbretërojnë në zemrat e
populit etnik shqiptar. E keqja, pengesat që kanë frenuar dhe frenojnë ecurinë,
që kanë ndarë trojet etnike dhe kanë shkaktuar emigrime, nuk janë dhe as nuk
duhen kërkuar tek “dyzimet fetare” brenda etnisë, por ato janë pjesë e strategjive
tepër agresive, armiqësore dhe gllabëruese të të huajve, duke filluar me
romakët që coptuan Ilirinë; bizantinët që i ndërruan toponimet dhe skllavëruan
dardanët, arbërorët dhe epirotët; osmanët që ndikuan në emigrimet masive, shkatërruan
dhe përvehtësuan gjithçka dhe së fundi Fuqitë e Mëdha që, për interesa
ekuilibrash, vendosën privilegje për shtetet e krishtera fqinje, duke shkaktuar
drama dhe tragjedi ndaj Shqipërisë etnike dhe banorëve të saj.
Le të
ndalemi edhe tek pozicioni i banorëve të rajonit të Çamërisë, gjatë L2B, ku
përqendrohet teoria e justifikimit (mashtrimit) të palës greke për masakrat dhe
dëbimin e dhunshëm masiv të popullatës nga vendi i tyre autokton. Kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, u rekrutuan prej saj me
detyrim, djem dhe burra shqiptarë të shtetit shqiptar, të cilët u inkuadruan në
ushtrinë okupuese kundër shtetit Grek. Me atë akt, shteti Grek, me mjeshtëri,
“orkestroi” akuzuat se shqiptarët e Çamërisë paskan marrë pjesë me
okupatorin. Me mashtrim dhe dredhi sajoi akuzën duke njësuar
ushtarët e rekrutuar shqiptarë të Shqipërisë, të cilët, siç dihet u përfshinë në tre batalione
me ushtarët italianë, por që më pas dezertuan; qëllimisht me shqiptarët e
rajonit të Çamërisë, gjoja se ishin banorët çamë që luftonin kundër Greqisë. Shteti
Grek enkas e kurdisi akuzën shpifëse, të padrejtë ndaj banorëve autoktonë të Çamërisë,
të cilën me mashtrime dhe iluzione, arriti të siguronte përkrahjen e “Boshtit”
dhe ”Aleatëve” të kohës për goditjen vdekje prurëse, asgjëuese të shqiptarëve
myslimanë të rajonit të Çamërisë. Akuzë e cila
vazhdon të përdoret me paturpësi edhe sot.
Dëshmi
tjetër për dy fytyrësinë e shtetit ortooks Grek e dallojmë edhe në ditët tona,
ku para disa vitesh, në mënyrë tinzare dhe lajkatare, ish Ministri i jashtëm
Grek, Nikos Kotsias, është përpjekur nëpër “ferra” të analizojë shqiptarët dhe
paska “zbuluar” ndarjen e tyre në dy kategori: “Në shqiptarë normalë dhe në
shqiptarë jonormalë”. Shqiptarët e Çamërisë i quan
jonormalë. Anormalitetin e tyre e lidh pikërisht me akuzën e sajuar dhe me
dredhi bën diferencime brenda etnisë shqiptare, me synim që ndaj shqiptarëve të
Çamërisë, të nxisë urrejtjen e shqiptarëve në tërësi. Specie zvarranikësh të
lloit të nepërkave, “dhranguleve”.
Manovrimet e palës greke, kanë qenë dhe
janë të pandërprera ndaj gjithë etnisë shqiptare. Ndërsa ndaj shqiptarëve të
Çamërisë akuzat, mashtrimet dhe dredhitë kanë 76 vjet që përsëriten e
përsëriten dhe me qenëse nuk gjejnë argumente mbështetëse, vazhdojnë
llomotitjet duke përdorur si plagjiaturë shkrimet dhe idetë e lëna “amanet” nga
prindërit dhe gjyshërit e tyre vrasës. Shanset për të zbatuar strategjinë e
“Idesë së Madhe”, i erdhën duke përdorur mashtrimet gjatë L2B, nga e cila
arritën të përfitonin edhe ndihmën e misionarëve anglo-amerikanë, të cilët në
mungesë llogjike dhe gjykimi lejuan kryerjen e masakrave ç’njerëzore ndaj
banorëve të paanshëm e të pafajshëm të Çamërisë.
Masakrat greke filluan më 26-27 qershor
1944 në Paramithi dhe rrethinat e saj, të cilat vazhduan në Pargë, Margllëç,
Volë, Gumenicë, Filat dhe në fshatrat e tyre. Ushtarët e Zervës rrënonin
gjithçka që gjenin përpara. Ata hynë natën në qytetin e Paramëthisë dhe vranë
673 burra, gra, fëmijë; në Filat 1,286; në Gumenicë 192; në Pargë 620 etj. U
internuan në kampet e ishujve të Egjeut mbi 6 mijë djem dhe burra çamë, prej të
cilëve 500 veta vdiqën nga torturat greke në eksori (internim). Zervistët
rrafshuar mbi 5.800 shtëpi në 68 fshatra të Çamërisë, fshatra të tëra u
shkretuan, u grabitur 120 mijë dhen, 24 mijë njëthundrakë, 18 mijë kuaj, etj.
Viti 2020 është viti i 76 që shteti grek vazhdon të shfrytëzojë të gjitha të
mirat materiale të hapësirave terrtotiale të rajonit të Çamërisë, tokat, pyjet,
turizmin ujor dhe malor, vendet dhe objektet e shumta me vlera historike që nga
antikiteti, mesjeta e hershme dhe ajo e vonshme.
Të gjitha vrasjet, shkatërrimet,
ndodhitë ç’njerëzore, janë kryer në rajonin e Çamërisë, historikisht rajon
etnik i fiseve pellazgo-ilire, pra e banuar nga popullsi jo greke!. Pavarësisht
se ngjarjet masakruese kanë ndodhur në një rajon qartësisht jo grek dhe me një
popullsi kompakte etno-fetare jo greke, llogjika mashtruese greke, e tjetërson
si rajonin ashtu dhe popullsinë e saj, përdorur argumetet e kundërta në
deklarimet dhe akuzat e tyre, duke ngritur pretendimet se masakrat, vrasjet,
djegjet, mizoritë qenkan kryer në fshatrat greke dhe se i kanë kryer çamët.
Akuza shpifëse me ç’vendosje vendi dhe tjetërsim të ngjarjeve reale, janë
realizuar me sukses nga pala greke, por duke qenë një shtet i formuar mbi baza
gënjeshtrash, piktorët, skulptorët ideatorët krijues nuk mundet ta lejojnë të
shkërmoqet, ndaj ai shtet ortodoks ka gjetur strehë mbrojtjeje dhe ka siguruar
zgjerimin si nëpërmjet kryqit dhe shpatës edhe me përkrahje të drejtpërdrejta
nga euro-atlantikët e djeshëm dhe Bashkimi Europian i sotëm.
Nuk mund të përgënjeshtrohen rrëfimet e
shefit të misionit amerikan në Shqipëri, 1945-1946, që mbasi u njoh me
barbaritë e zervistave ndaj çamëve u shpreh: “Në mars 1945, njësi të forcave
të shpërndara të Zervasit, kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filatit
dhe, praktikisht e spastruan atë nga shqiptarët çamë”.
Po kështu nuk mundet të përgënjeshtrohet
deklarimi solemn i kryemizorit, kryevrasësit, gjeneralit grek Napoleon Zerva:
“Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas
lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha; ulurima fëmijësh, nuse dhe gra nudo,
që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të
varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene.
Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helenë !”.
Fjalët e tij në prag të vdekjes, ishin
po aq të llahtarshme sa dhe masakrat që ai ushtroi kundër shqiptarëve të
Çamërisë, njëkohësisht të shprehurit e tij flasin qartë për arësyen dhe synimin
e kryerjes së atij gjenocidi unikal, i realizuar në Europën demokratike dhe nga
shteti ortodoks Grek, gjoja vendlindja e demokracisë! Për këdo që don
seriozisht të kuptojë dhe të gjej të vërtetën e pafajsisë së çamëve, kundrejt
akuzës greke se paskan bashkëpunuar me okupatorin, deklarata e Napoleon Zervës
është shumë e qartë, e plotë, e pastërt dhe vetëdenoncuese si për masakrat e
kryera nga EDES-i, ashtu dhe për synimet e shtetit ortodoks Grek drejt
helenizimit të rajonit të Çamërisë dhe Epirit etnik shqiptar.
III.- KU KA NDODHUR GJENOCIDI?
(WHERE)?
Gjenocidi grek ndaj banorëve myslimanë
të rajonit të Çamërisë, siç u trajtua ka ndodhur në vitet 1944-1945 në krahinën
me popullsi etnike historikisht pellazgo-ilire, sot shqiptare. “Çështja
Çame dhe gjenocidi etno-fetar Grek”, përveç se është problem kombëtar, në
qendrimet e mbajtur ndaj saj, përfshihen edhe veprime të kundraligjshme, të
cilat kërkojnë rishikim dhe zgjidhje sipas të gjithave akteve ligjore
Ndërkombëtare.
?- Vendimet e turpshme, raciste të
Fuqive të Mëdha në vitin 1913, me coptimin e Shqipërisë etnike (natyrale) ishin
të padrejta, me pasoja të shumta dhe mbi 100 vjeçare në dëm të theksuar të
shqiptarizmës, me ndikime të rrezsikshme për të gjithë popujt e Gadishullit të
Ballkanit.
?- Shkelje arrogante e “të drejtave
ndërkombëtare të njeriut”;
?- Përvehtësim i pasurive të tundshme
dhe të patundshme të pronarëve autoktonë të shqiptarëve të Çamërisë (çamëve);
?- Masakrat, dhunimet, përdhunimet, mos
njohja e të drejtave të pakicave etnike, të ish banorëve autoktonë çamë
myslimanë dhe banorëve autoktonë çamë të krishterë;
?Dëbimi masiv i dhunshëm, i një
komuniteti të tërë nga vendbanimi i tyre që nga lashtësia, është një e vërtetë
që ka plotësuar të gjitha elementët përbërës të gjenocidit;
?- Persekutimi etnik dhe fetar në të
gjitha aspektet e jetës së shqiptarëve të krahinës së Çamërisë.
?- Sjellja ç’njerëzore greke është
denoncuar gjatë 76 viteve, si dhe është kërkuar të gjykohet gjenocidi për
të dalë përgjegjësia e shtetit Grek për kryerjen e veprimeve raciste etno-fetare
ndaj etnisë së banorëve autoktonë të Thesproti/Çamërisë.
?- Është kërkuar dhe vazhdon të kërkohet
përgjegjësia e Bashkimit Europian, në veçanti e shtetit Britanik që lejoi
shtetin Grek të kryente masakrat ndaj banorëve çamë myslimanë, nën mbikqyrjen e
misionarëve të saj gjatë L2B.
?- Është denoncuar dhe vazhdon të
kërkohet përgjegjësia e kalimit në heshtje nga qeveria komuniste për periudhën
1946 deri në vitin 1990 e “Çështjes Çame”.
?- Vazhdojnë kërkesat për të analizuar
qendrimet e qeverive postkomuniste, të cilat “Çështjen Çame” e kanë trajtuar dhe
e trajtojnë si problem përfitues në fushtatat zgjedhore, përfshi partitë
politike nga viti 1991 e deri sot, duke anashkaluar detyrimet Kushtetuese dhe
mbrojtjen e të drejtave universale të njeriut.
? “Çështja Çame”, për nga pozicioni
gjeografik, historik, social dhe të vlerave antike që përmban nëndhé në
tërësinë e saj mijëravjeçare, kërkon impenjim ndërkombëtar, sa shkencor dhe
serioz për zgjidhjen e drejtë, të paanshme, jashtë preferencane fetare, brenda
të gjitha ligjeve Ndërkombëtare.
?- Përgjegjësi kombëtare, kushtetuese,
morale ndaj komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë i takojnë edhe shtetit
Shqiptar, i cili në tërësinë e qendrimeve të tij 110 vjeçare ka ndjekur një
politikë të tërhequr, të venitur, të rezervuar dhe hera-herës, në përshtatje me
gjeopolitikat kohore, ka treguar mungesë interesimi për të mos thënë edhe
qendrim armiqësor. Konkluzione këto që rrjedhin nga qendrimet
shqiptare gjatë periudhës 1943-1990. Ishte shteti Shqiptar,
i cili devijoi nga detyrimet kushtetuese e njerëzore, duke mos ruajtur dhe
mbrojtur në tërësi familjen, farën dhe fisin e tij.
Le të njihemi disa prej atyre
qendrimeve:
a).- Një shkresë e Komitetit Qendror të
Ballit Kombëtar në “Shqipëria e Lirë”, 11/5/ 1944, thuhet: “Zoti Dhimitër
Fallo është i ngarkuem nga Komiteti Qendror i Organizatës Nacionaliste “Balli
Kombëtar” të lidhi marrëveshje me Partinë Nacionaliste Greke (flitet për EDES-in,
Partia e Napoleon Zervës-FD), në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të një
Komisioni të caktuem për këtë qëllim”. Shkresa është nënëshkruar nga
Kryetari i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri, ku mes të
tjerash Z. Mit’hat paraqet dhe pikat mbi të cilave do të bazohej marrëveshja e
mundshme Shqiptaro-Greko-Turke. Nga pikat e projektuara për marrëveshjen
tërheq vëmëndjen pika 3, ku cilësohet: “Kufijt
greko-shqiparë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të 1939-tës”.
Ndërsa në pikën 8, shkruhet:”Greqia
do të angazhohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e
Dibrës....”.
Platforma politike e Partisë
Nacionaliste Shqiptare ja dorëzonte rajonin e Çamërisë Partisë Nacionaliste të
Greqisë, EDES-sit. Parti e cila mbas 47 ditësh nga koha e shkresës së K.Q. të
Ballit Kombëtar, më 27 qershor 1944, filloi kasaphanën, ndaj komunitetit çam, i
cili mbeti pa mbrojtje nga shteti Amë. Ky qendrim, ku pranohet të
sakrifikohet rajoni dhe popullsia etnike shqiptare e Çamërisë, hodhi në
terren një errësirë me përfitime në favor të antishqiptarizmës sa historike,
politike dhe atdhetare.
b).- Sipas proces-verbalit të mbledhjes
së Byrosë Politike të PPSH-së 26 mars 1949, rezulton se nga pala greke i ishte
kërkuar shtetit shqiptar, për të rekrutuar djem dhe burra refugjatë çamë për
ushtrinë demokratike Greke. Plotësimin e kërkesës së palës greke, Byroja
Politike e mori në shqyrtim me datë 26 mars 1949. Gjatë diskutimeve
rezultori se pala shqiptare kishte punuar që grekëve tu njihej e drejta e
mobilizimit të djemve dhe burrave refugjatë çamë, mbasi ata vazhdonin të ishin
shtetas grekë.
Masakrat dhe shpërnguljet me dhunë të
kryera ndaj tyre nga shteti Grek, për anëtarë e Byrosë Politike nuk
përbënte problem, por i druheshin reagimit ndërkombëtar nëse
bëhej mobilizimi i tyre. Një papërgjegjshmëri kombëtare dhe akt tradhëtie
ndaj popullit, u vulos në atë mbledhje të kupolës politike qeverisëse, me
vendimin që për t’u shmangur përgjegjësive ndërkombëtare, refugjatët çamë të
mobilizoheshin me aksion të fshehtë natën dhe ti dorëzoheshin palës greke,
mjaftonte të mos dukej dora e shtetit shqiptar!!. Nëse edhe kjo masë nuk do të
realizohej, për burrat çamë të cilët nuk do pranonin mobilizimin, byroistët
konkluduan që: ”Këta (çamët) të arrestohen dhe të dërgohen të punojnë në
Lozhan, ku është vendi shumë i përshtatshëm”. (AQSH, fq 14/AP, V.1949, D,16,
fleta 14). Burrat dhe djemtë emigrantë çamë nuk pranuan rekrutimin dhe nuk
shkuan të luftonin për llogari të forcave të majta greke për tu bërë “mish për
top”, si rrjedhojë shumë prej tyre u internuan në Lozhan, disa u dënuan, disa u
përjashtuan nga partia komuniste e Shqipërisë.
Veprime përjashtuese për shqiptarët e
Çamërisë, gjatë këtyre 76 viteve të pas L2B, gjenden edhe tek mediat, shtypi i
përditshëm dhe disa institucione shtetërore, të cilat i shmangen trajtimit të
pakicave shqiptare (çamëve të krishterë) që jetojnë në rajonin e Çamërisë, në
shtetin Grek. Janë të habitshme, por dhe pikëlluese “censurat” e përdorura nga
mediat shqiptare brenda shetit tonë, të cilat nuk publikojnë shkrimet e
ndryshme që trajtojnë aktet masakruese, gjenocidin Grek të kryer ndaj
shqiptarëve të Çamërisë.
Këto 30 vitet e fundit, gazetarë,
analistë, raportues deri edhe personalitete të larta të Republikës së
Shqipërisë, "vrapojnë" të bëjnë vizita në katundet kalabreze dhe me
krenari flasin për arritjet e tyre në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe
historinë arbëreshe. Veprime të tilla, tepër njerëzore dhe demokratike,
sigurisht vlerësohen dhe duhet të vazhdohen. Respekte për shtetin italian, i
cili i lejon dhe i ndihmon ata në drejtim të ruajtjes së prejardhjes, ndërsa
këto të drejta nuk janë të mundshme, të lejueshme dhe të pranueshme nga shteti
grek. Përkujdesje të tilla duhet të arrijnë të ngrohin edhe zemrat e
shqiptarëve të krishterë të rajonit të Çamërisë, duke shkelur në vatrat e tyre,
të ndjehen edhe ata se nuk janë të përjashtuar nga kujdesi atëror. Por kjo nuk
ka ndodhur dhe nuk po ndodh!. Përkundrazi ka ekzistuar dhe
ekziston “heshtje 76 vjeçare” nga personalitetet shtetërore shqiptare, nga
shtypi, nga mediat. Sigurisht kuptohet nuk bëhet fjalë që shteti ortodoks Grek
ti trajtojë me të drejtat që u takojnë shqiptarët autoktonë me banim në
shtëpitë e tyre në rajonin e Çamërisë, të cilët edhe sot detyrohen ta ruajnë
duke e folur fshehurazi gjuhën e tyre, shqipen e vjetër, e folur më e plotë
sesa ajo e arbëreshëve dhe arvanitasve, mbasi ai shtet nuk i njeh të drejtat e
pakicave.
Në këtë drejtim, nuk mohohet,
përkundrazi vlerësohen veprimtaritë hulumtuese, zbulimet dhe faktet me ngjarje
të tmerrshme, ç’njerëzore të publikuara nga emisioni “Gjurmë shqiptare” në kanalin televiziv “Top Channel”, ku trajtohen
me kurajo vrasjet, dëbimet, masakrat, aktet raciste etno-fetare armiqësore të
kryera që prej mbi 100 vitesh nga greko-serbët ndaj popullsisë me kombësi
shqiptare. Meritë kanë edhe disa shtëpi botuese brenda vendit, të cilat nuk
hezitojnë, sidomos në botimin e librave historike ku trajtohet historia e
Çamërisë dhe rrugëtimi mijëvjeçar i banorëve autoktonë të atij rajoni.
Thuhet që “me një lule nuk vjen behari”,
në të vërtetë nuk mundet të mohohet se ajo një lule paralajmëron beharin dhe
behari, të gjithë e dimë që vjen!
Vijon:
Tiranë, më 08/Qershor/2020.
Studiues Fahri Dahri