Mendime
Pjetër Meta: Papa Françesku – Shpallni Njohjen e Kosovës - Shtet
E merkure, 03.06.2020, 09:41 AM
Ju lutem dhe përulem para Jush,
që të shpallni në pak kohë njohjen e Kosovës – SHTET
Letër e Hapur
Shenjtërisë së
Tij, PAPA FRANCESKU
VATIKAN- Romë
Fort i
nderuar At’!
Më
falni, Ju lutem, për sa po Ju shkruaj!
Së pari, dëshiroj nga zemra, që tu uroj shëndet e jetë të
gjatë në krye të Selisë së Shenjtë të Vatikanit, nga ku rrezaton paqe, mirësi e
dashuri për të Lumin zot e për gjithë njerëzimin.
Po u drejtohem Ju Shenjtëri, Papë i uruar e respektuar i
të gjithë katolikëve të botës, sot 13 ditë para
natës së Shën Antonit të Padovës, Doktor Ungjillor, thënë ndryshe në
shqip,- “Nata e Shna Ndout”, përvjetori i 789 të vdekjes, me një lutje, me
përuljen më të thellë para Jush, që të na e plotësoni një kërkesë të ligjshme.
Para se t’ua shkruaj kërkesën time, dëshiroj që tu
prezantoj, Shenjtëri, me disa të vërteta të hidhura padrejtësie, që i janë bërë
popullit shqiptar ndër shekuj.
Populli shqiptar, është i vetmi popull në botë, që kurrë
nuk ka ndërmarrë luftëra pushtuese ndaj asnjë populli tjetër gjatë gjithë historisë
së tij.
Populli shqiptar është ndër popujt e parë në botë, që përqafoi Krishterimin, që
në vitet ’60-‘80 pas Krishtit, kurse në
Dardani (Kosova e sotme), që në shekullin e parë pas Krishtit, pesë shekuj pas
dyndjeve serbe, me ç’rast është ngritur dhe ka funksionuar organizimi kishtar në
këto troje.
Populli shqiptar, me kryetrimin Gjergj Kastrioti Skënderbeu
(Atleti i Krishtit) në krye, ishte i vetmi në Evropë, që ndaloi marshimin e
otomanizmit drejt qytetërimit evropian,
i cili bashkë me luftëtarët e tij, në
politikën e të cilit mishërohej krishterimi roman, ndaloi shkatërrimin e Romës
dhe rrezikun që i kanosej me këtë rast qendrës më të madhe të Krishtërimit ,-
Selinë e Shenjtë.
Ky shërbim madhorë dhe i paharrueshëm, duhet të përbëjë
një falënderim dhe mirënjohje të Evropës dhe Vatikanit për Shqipërinë dhe
shqiptarët, të cilët me një intuitë të shkëlqyer dhe një fuqi të pazakontë, dhe
pse një popull i vogël, iu kundërvunë me sukses një rës nga perandoritë më të mëdha
të kohës, siç ishte Perandoria Otomane.
Por populli shqiptar është i vetmi popull në Evropë, i
cili është ndarë dhe copëtuar nga Fuqitë e Mëdha, sikur të ishte plaçkë tregu,
për të plotësuar shijet dhe pasionin shovinist të fqinjëve tanë, armiqtë dhe
pushtuesit shekullorë të këtij populli, siç janë Serbia dhe Greqia. Sot populli
shqiptar, me një shtrirje historike që nga Athina deri në portat e Beogradit, është
shpërndarë (copëtuar) në pesë shtete, me
dy shtete shqiptare, Shqipëria mëmë me 28.748 km2, dhe shtetin e Kosovës me
10.887 km2, nga 92.000 km2, që Shqipëria ishte para vitit 1912.
Të gjitha ndarjet që iu bënë Shqipërisë, si tokat dhe
popullsia, ishin fatkeqësi e dhimbje e madhe, por ndarja e fundit, më 29 korrik
1913, në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër, ishte
tragjike, një thyerje më dysh të vendit, popullsisë dhe kombit shqiptar. Në këtë
konferencë, e ashtuquajtur “Konferenca e Paqes”, Shqipërisë iu shkëputën 10887 km2 territore, Kosova (Dardania historike), duke
ia aneksuar Serbisë.
Serbia dhe serbët, historikisht e kanë masakruar popullin
dardan (shqiptar). Që nga viti 1300-1320, kur Serbia u bë perandori, i masakroi
shqiptarët katolik të Dardanisë, duke iu djegur, shkatërruar e tjetërsuar të
gjitha kishat latine- katolike, e duke ngritur mbi themelet e tyre kishat
ortodokse serbe, për të “ligjëruar” pretendimet historike, se këtu “është tokë
serbe”.
Por masakrat më çnjerëzore mbi popullin kosovarë (dardan),
Serbia i ka bërë gjatë shekullit të XX-ë, duke vrarë në grupe qindra burra para
varreve masive të hapura para tyre e më pas, ashtu siç janë vrarë dhe masakruar
me qindra a më shumë në vitet 1989-1999, siç Ju Shenjtëri e dini dhe që i keni
parë dhe të pasqyruara në kronikat e këtyre ngjarjeve dhe në dokumentarët e
Luftës së Kosovës në fund-shekullin e kaluar.
Të gjitha këto masakra, kishin në themelin e vet padrejtësinë
e Fuqive të Mëdha dhe që Evropës, që iu bënë shqiptarëve, e cila vetëm pas 100
vjetësh, me Lutjen edhe të Nënë Terezës,
drejtuar Presidentit të SHBA-ve, Bill Klintonit, vuri në vend padrejtësinë e
saj shekullore, duke ia shkëputur me luftë Kosovën Serbisë.
Po Selia e Shenjtë, a duhet të kthejë kokën pas, e të
korrigjojë atë padrejtësi të madhe, që Evropa i bëri popullit të Kosovës
(Dardanisë së hershme)?
Më lejoni që të sjell në vëmendjen Tuaj edhe disa të
vërteta të tjera historike”
Ju kërkoi ndjesë, pasi gjithçka që unë do të iu shkruaj më
poshtë, është thjeshtë një përpjekje e sinqertë për të sjellë në kujtesën Tuaj
Shenjtëri, pasi Ju , të gjitha i dini. Sado që historia u soll keq me ne
shqiptarët, Papë-t dhe Selia e Shenjtë kurrë nuk hoqi dorë e as nuk i la pas
dore Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Janë me dhjetëra ndihmat dhe përkujdesjet e Papë-ve të
Selis së Shenjtë për Shqipërinë, që nga Papa Point-i, në vitin 1571 e deri tek
Papa Klementi i XI (me gjak shqiptar) në vitin 1711. Janë të shumta ndihmat e
Papë-ve në përhapjen e kulturës shqiptare, që nga ngritja e kolegjeve, të
shkollave, të botimit të librave, të gjuhës e të gramatikave shqipe.
Ishte monumentale, ndihma që që dha Papa Benedikti XV-të
Shqipërisë, pas pritjes që i bëri kryetarit të delegacionit shqiptar Imzot
Luigj Bumçi, dhe sekretarit At Gjergj Fishta, kur i prezantuan planin e dytë të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Paris në tetor-
dhjetor të vitit 1919, për t’i dhënë
Greqisë Korçën dhe Gjirokastrën. Në saje
të ndërhyrjes së tij (Papa Benediktit të XV-të) tek ambasadori amerikan, i cili
duke ia prezantuar atë (planin) Presidentit të SHBA-ve Udro Uillson, këto
territore mbetën në shtetin shqiptar,
siç janë dhe sot.
Nuk mund të lë pa Ju sjellë në kujtesë dhe pritjen
dashamirëse dhe vëllazërore, me një qasje të rëndësishme diplomatike për kohën,
që Papa Gjon Pali i II-të, i bëri Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova, u pagëzua nga Papa si katolik i devotshëm, duke i treguar Evropës
dhe popullit të tij, se populli kosovar ka qenë historikisht pjesë e saj dhe
mbetet i tillë.
Ju Shenjtëri keni në dorë dhe mbi supe punët e gjithë botës,
e unë dua me ua shtua pak rëndesën, por duke iu kërkuar falje, dua të ju kërkoj
një nder të ligjshëm që mund t’i bëni popullit të Kosovës:
Në këtë kohë pandemie, unë një katolik i devotshëm nga
zona katolike e Nikaj- Merturit, ku të parët e mijë u larguan nga viset e
Dardanisë (Kosovës), kur Stefan Dushani po i digjte e persekutonte katolikët
dardanë, Ju lutem dhe përulem para Jush, që të shpallni në pak kohë njohjen e
Kosovës – SHTET.
Duke u njohur Kosova- shtet nga Selia e Shenjtë, shpresoj
se nuk do të ketë asnjë pasojë negative qoftë autoriteti i Vatikanit dhe
as feja katolike, por përkundrazi, paqja
do të jetë më e sigurt.
Duke u njohur nga Selia e Shenjtë Kosova- shtet, shpresoj
dhe kam besimin e plotë në atë të vërtetë që Ju Shenjtëri ua thatë më 24
shtator 2014 në vizitën Tuaj në Tiranë shprehimisht:”Nënë Tereza, është bijë e
madhe e këtyre trojeve, Paqe në shtëpitë tueja!”, se pas këtij akti, në Kosovë
do të ketë më shumë paqe dhe mirësi.
Me respekt për Ju e mirësinë
Tuaj Atë,
nga një besimtar i Zotit,
Pjetër META,
Studiues – shkrimtar
Tiranë, më 02 qershor 2020