Mendime
Kastriot Dervishi: Kazan dhe Autoritet
E hene, 01.06.2020, 10:25 AM
Kazan dhe Autoritet
Nga Kastriot Dervishi
Deputetët Edmond Leka dhe Artemisa Dralo nuk i përkasin
botës së studimit dhe arkivave. I pari është inxhinier elektronik, i cili i ka
thelluar e stërholluar dijet juridike në universitetin “Kristal”, ndërsa e
dyta, ka mbaruar për anglisht. As njëri e as tjetra nuk ia thonë për arkivat.
T’i pyesësh për gjërat më të thjeshta për arkivat, kushedi se çfarë mund të
dëgjosh prej tyre. Mirëpo, më 3-6 shkurt 2020, ata iu bashkuan shokëve të
Autoritetit për “hapjen e dosjeve”, për një vizitë të këndshme në Poloni,
gjasme për punë kujtese. As Leka dhe as Dralo nuk kanë bitisur ndonjëherë të
nderojnë ndonjë figurë antikomuniste në Shqipëri, por ama duhej të shkonin deri
në Poloni e ta ndjenin këtë për antikomunistët polakë, se ashtu duhej. Nga
mbresat e pashlyera të kësaj vizite, deputetët në fjalë, kanë pranuar të
firmosin një projektligj për disa ndryshime në ligjin 45/2015, të cilin jam i
sigurt se në të vërtetë, nga ajo që shihet, as e kuptojnë çfarë është. Kjo
vihet re edhe te përdorimi i keq i gjuhës shqipe, se për anën juridike as që
bëhet fjalë të ketë saktësi. Gjuha e tekstit është plotësisht brenda fjalorit
të Autoritetit, të përbërë nga 5-6 fjalë gjithsej. P.sh. fjalitë si “ndërmerr
hapa konkrete”, “u fokusua”, “rikuperimi i trupave” gjenden rëndom në shumicën
e postimeve të Autoritetit. Në letrën pa datë që deputetët (mbase nuk kanë
ndryshuar gjë as formalisht) i kanë drejtuar kryetarit Ruçi, thonë në njëjës
“propozoj” dhe nënshkruajnë në shumës dy veta.Në relacion thonë se ligji në
fuqi ka edhe “lapsuse”. Në fakt ligji 45/2015, siç edhe po provohet nga koha
është një marmelatë e madhe (thënë me edukatë) që me kalimin e viteve vetëm sa
e shton perimetrin e tij. Nuk është një “lapsus”, por është i gjithë në shkelje
të ligjit të arkivave dhe parimeve universale të arkivistikës. Tashmë koncepti
se çfarë quhet “dokument Sigurimi” u ndryshoka me ligj. Nuk ka rëndësi se çfarë
ka qenë. Mjafton të ndryshohet. P.sh. nëse Kuvendi vendos me ligj që macja
është tigër, ashtu duhet thënë. Vini këtë rresht: “...dokumentet e ish
Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme të RSH (e kanë RPSSH në
ligjin në fuqi-shënim), ku përfshihen edhe dokumentet e ish Sigurimit të
Shtetit”. Nuk ka institut gjuhe që e përkthen këtë shqipe. E për ta bërë më
lëmsh, duan çdo gjë “pa kufizim” që lidhet me veprat politike të parashikuara
nga ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë...”, i ndryshuar. Pra, një
ligj i vitit 1991, qenka modeli si kanë funksionuar institucionet në komunizëm.
Mirëpo shokët kanë harruar nenin 3/5 të ligjit që vetë e kanë caktuar çfarë
quhet “dokument Sigurimi”! Brenda të njëjtit ligj do vendosin dy gjëra pa
lidhje. Është edhe më keq se kaq. Mund të zemërohen shokët Rustem, Odhise dhe
Ulsi. Ligji 7514, që nuk ka lidhje me mënyrën si janë e si duhen bërë arkivat,
njeh si kohë të përndjekjes komuniste, datën 1.8.1943. Ulsia te komisioni i
ligjeve është përgatitur t’ia heqë ISKK-së studimin e krimeve të Miladinit e
Dushanit që i përkasin luftës, ndërsa dy deputetët, do ia kthyekan Autoritetit.
Hiqja Lenën e jepja Prenës-thotë një fjalë e urtë. Meqë data është 1.8.1943,
Autoriteti, pavarësisht se ndryshon edhe thelbin e ligjit të vet, si një fëmijë
i llastuar e tekanjoz, mund t’i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të
Arkivave dhe të kërkojë çdo gjë që lidhet me vrasjet pas periudhës në fjalë,
domethënë nga Arkivi i PPSH-së dhe fondet 149, 152, 153, 154, me “arsyetimin” e
datës 1.8.1943. A thua janë informuar shokët Rustem e Odhise? A thua di gjë
Ulsiu që është “dekoruar” nga dy shokët e parë dhe për të cilin “lufta
nacionalçlirimtare” e shokëve Miladin e Dushan është një faqe e lavdishme e
popullit shqiptar?
Tani cili është qëllimi? Të ligjojnë veprimet antiligjore që
janë vërejtur deri më sot ndaj fondit hetimor-gjyqësor të Arkivit të Ministrisë
së Brendshme. Në mënyrë të paligjshme dhe arbitrale fondin në fjalë e kanë
shkatërruar duke e përdorur për ekspozita dhe për të plotësuar pa objekt
përgjigjet e popullit.
Për fatin e tyre të keq, asnjë nga këto ndryshime
kontradiktore nuk i ligjërojnë në veprimet e tyre ndaj Arkivit të MB-së.
Mosdija nuk përbën lehtësim nga asgjë. Keqardhje për amatorizimin përtej çdo
imagjinate.
(vijon)