Mendime
Bardhyl Mahmuti: Orientimet seksuale të Grenellit nuk duhet të përcaktojnë orientimin strategjik të SHBA-ve
E hene, 01.06.2020, 10:15 AM
Orientimet seksuale të Grenellit nuk duhet të përcaktojnë orientimin strategjik të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor!
Nga Bardhyl Mahmuti
Përpara se të emërohej ambasadori Richard Grenell si i
dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, qëndrimi
amerikan ka qenë i qartë: Kosova duhet të heqë taksën doganore për mallrat
serbe, ndërsa Serbia të ndal fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Në fillim të
misionit të tij, këtë qëndrim e pati edhe ambasadori Grenell. Mirëpo, që nga
vizita e tij në Beograd dhe sidomos që nga takimi i tij me kryeministren e
Serbisë Ana Bërnabiq, qëndrimi i të dërguarit të SHBA-ve për dialogun në fjalë
ka ndryshuar.
Serbia jo vetëm që nuk e ka ndalur fushatën agresive kundër
Kosovës, por, përkundrazi, e ka ngritur intensitetin e sulmeve, ndërkaq
ambasadori Richard Grenell heshtë!
Në raport me Kosovën, Serbia jo vetëm që nuk zbaton parimet
e CEFTA-s për marrëdhëniet tregtare, por u nxjerr njëmijë e njëqind pengesa
tregtarëve shqiptarë, ndërkaq ambasadori Richard Grenell heshtë!
Jo vetëm që nuk e ka thënë asnjë fjalë lidhur me
agresivitetin e Serbisë, por në të gjitha rastet që i është dhënë mundësia, ai
nuk e ka fshehur miqësinë e vet për kryeministren serbe dhe e ka thënë haptas
se “Ana Bërnabiq është shoqja e tij e mrekullueshme”!
Deklaratat e kësaj natyre bien ndesh me parimin e
paanshmërisë në ndërmjetësim të bisedimeve të dy palëve, sidomos në rastin
konkret ku palët i ndanë hendeku i gjenocidit që shteti serb kreu kundër
shqiptarëve në Kosovë!
Nga ana tjetër, për çdo deklaratë të dikujt në Kosovë, e që
nuk i shkon përshtati Serbisë, reagimi i ambasadori Grenell është i
menjëhershëm. Madje ai ka reaguar edhe kundër ofendimeve që i kanë bërë në
rrjetet sociale për orientimin homoseksual të tij dhe në intervistën ekskluzive
me gazetarin Berat Buzhala për emisionin “Pressing” të T7 deklaroi se është
krenar që është homoseksual dhe kërkoi të dënohet homofobia.
Orientimet homoseksuale të Richard Grenellit dhe Ana
Bërnabiqit janë e drejtë e tyre e pakontestueshme, të cilën duhet ta
respektojnë të gjithë. Edhe miqësia e tyre është e drejtë që u përket
ekskluzivisht atyre dyve. Mirëpo, orientimet dhe preferencat seksuale nuk kanë
çka futen në këtë mes të dialogut politik! Prandaj, orientimet seksual të
Richard Grenellit apo të kujtdo qofshin tjetër, janë çështje që i përkasin
ekskluzivisht sferës private dhe intime të çdo personi dhe nuk duhet të
përcaktojnë orientimet politike dhe strategjike të një shteti.