| E shtune, 26.10.2024, 05:51 PM |
INTERESI MESKIN DHE IDEALIZMI KOMBËTAR
Nga Xhelal
Zejneli
Shumë krijues bashkëkohorë kanë shkruar për historinë shqiptare të
dhimbshme dhe të përsëritur. Kanë shpalosur mungesën e substancës së formuar të
qenies. Në këtë kuadër, në vizionin e tyre, as e ardhmja nuk është
shpresëdhënëse.
Ky vizion i tyre tingëllon aktual edhe sot, në sistemin pluralist
të hapësirave shqiptare, si dhe në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur.
Në këto tridhjetë vitet e pluralizmit në botën shqiptare,
sistemi i ndërtuar nuk është as socialist dhe as kapitalist, por gjysmë-barbar.
Në botën shqiptare kemi një thellim frikësues të pabarazive
shoqërore dhe ekonomike. Pabarazitë sociale shndërrohen edhe në pabarazi
politike. Në hapësirat shqiptare s’dihet dot se kush e ka në dorë
shtetin: oligarkët apo politikanët?!
Kapitalizmi në Evropë ka filluar të ndërtohet në Itali, para tetëqind
vjetësh. Borgjezia shqiptare ndërkaq synon të krijohet brenda natës.
Askush në histori nuk ka mundur të krijojë pasuri marramendëse, pa e
shfrytëzuar djersën dhe mundin e tjetrit. Askush në rruzullin tokësor nuk është
pasuruar shpejt, pa bërë abuzime në dëm të shoqërisë. Askush në botë nuk është
pasuruar sakaq, pa kryer veprime të paligjshme, në dëm të interesit të
përgjithshëm.
Në rrethana të tilla, në hapësirat shqiptare nuk bëhet politikë
politike, por politikë e kapjes së shtetit, e grabitjes dhe e
zhvatjes. Midis oligarkëve dhe politikanëve kemi një aleancë të ngushtë.
Madje oligarkët e financojnë politikën saqë ajo shndërrohet në instrument të
oligarkisë. Në rrethana të tilla edhe organi ligjvënës i shtetit është në duart
e oligarkisë. Si i tillë, kuvendi i
shtetit figuron dhe funksionon vetëm formalisht.
Në shtetin me pabarazi sociale të thellë, shteti ligjor dhe demokracia nuk
janë veçse fasadë. Në një shtet të tillë, i pasuri e blen lirinë e të varfrit,
ndërsa i varfëri, për të mbijetuar, detyrohet ta shesë lirinë e vet. Punëtori
s’ka guxim të shprehë pakënaqësinë e vet për arsye se sa çel e mbyll sytë, e humb
vendin e punës. Gjendja e këtillë cenon edhe dinjitetin dhe integritetin e
njeriut. Në shtetin as socialist, as kapitalist s’ka as organizim
sindikalist.
Në këtë dance macabre hedhin valle institucionet arsimore dhe
shkencore, inteligjencia, kleri fetar, mediumet, studiot televizive,
moderatorët, kryeredaktorët, analistët politikë, ndërtuesit e mendimit publik.
Këta nuk janë veçse instrumente të verbëta të faktorit parapolitik. Në
skenë ndodhen mercenarët dhe kalemxhinjtë.
Për ta sunduar më lehtë popullin, sundimtarët e të gjitha ideologjive
qëllimisht e kanë mbajtur atë në varfëri. Satiriku romak Juvenali
(Decim Junije Juvenalis, rreth 60 - rreth 130) thotë se
parullë e qarqeve sunduese të Romës perandorake ka qenë panem et
circenses (bukë dhe argëtim). Me fjalë të tjera, në do ta
sundosh popullin pafundësisht, jepi bukë dhe zbavitje.
Politika e bukës dhe e argëtimit në botën shqiptare ndiqet me të
madhe.
Në shtetin as socialist as kapitalist korrupsioni dhe nepotizmi janë pjesë
e përditshmërisë. Aty ku s’kemi politikë politike, por kemi parapolitikë,
profesionalizmi ndërkaq është utopi. Në krye të skenës ndodhet diletantizmi.
Shteti që i ka të politizuara dhe të partizuara të gjitha poret e shoqërisë
është larg të qenit shtet. Në shtetin e tillë, nocioni “shoqëri” nuk
është veçse fiksion dhe iluzion. Në shtetin e tillë mbizotëron fisi e krahina
dhe jo kombi e shteti. Politika e shtetit të tillë është politikë fisi dhe
krahine dhe jo politikë shteti. Interesi i shtetit të tillë është interes fisi
dhe krahine dhe jo interes shteti. Shteti i tillë udhëhiqet nga mendësia
provinciale apo nga psikologjia e fisit. Në shtetin e tillë kriteret vlerësuese
janë anakronike, tradicionale dhe konservatore, ndërsa sistemi i vlerave
bashkëkohore vështirë ndërtohet. Sistemi i trashëguar i vlerave shembet dhe
zëvendësohet me sistem pseudo vlerash.
Kjo shpie edhe në nëpërkëmbjen e vlerave të mirëfillta. Në “shoqërinë” e tillë
lulëzon kiçi dhe shundi. Personi që mezi lexon, që
gjuhën amtare e shkruan ashtu siç nuk duhet, e që nuk di asnjë gjuhë të huaj,
merr titull akademik. Kështu lind inteligjencia e shoqërisë, të cilën dikush e
quan “elitë intelektuale”. Shteti me klasë intelektuale të tillë,
në skenën ndërkombëtare nuk gëzon respekt.
Parapolitika fare nuk çanë kokën për dyndjen masive të rinisë dhe për ikjen
e trurit drejt asimilimit. Kombi mbetet pa pjesën vitale të tij. Dobësohet
forca prodhuese dhe riprodhuese e kombit. Kapaciteti krijues dhe mbrojtës
atrofizohet, ndërsa potenciali biologjik ndrydhet.
Sistemi ekonomik, sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë dhe sistemi
infrastrukturor nuk shënojnë zhvillim të duhur. Investime nuk ka apo ka fare
pak. Papunësia rritet, me të edhe varfëria e skamja. Të ardhurat mujore të
fuqisë punëtore janë si ato të Evropës së shekullit XIX. Me industri
kaçavidash, me tregti qesesh najloni dhe me sistem arsimor të vjetruar, nuk
shkohet në hap me kohën.
Shqiptarët duhet të pushojnë që për ngecjen e vet t’i fajësojnë të huajt
dhe vetëm të huajt. Ka kohë që shqiptarët janë çliruar nga sundimi i huaj. Që
atëherë kanë kaluar mbi njëqind vjet. Fajin për ngecjen e vet shqiptarët duhet
ta kërkojnë në vetvete. Në asnjë vend të rajonit nuk kemi një polarizim aq të
ashpër midis faktorëve politikë si te shqiptarët. Të rralla janë vendet e botës
ku politikanët përdorin ndaj njëri-tjetrit gjuhë degutante,
denigruese dhe denoncuese.
Shqiptarët duhet të manifestojnë aftësi shtetformuese, të heqin dorë nga
mikrovlerat dhe mikrosistemet, të pushojnë së vepruari në mikroplan. Duhet t’u
kthehen makrovlerave dhe makrosistemeve për të vepruar në makroplan.
S’është kohë e patriotizmit folklorik, por e punës së ndershme dhe e të udhëhequrit me
idealizëm. Shqiptarët sot, nuk ballafaqohen vetëm me pandemi virusale, por edhe
me pandemi politike. E mbërthyer nga parapolitika, shqiptarët do të vazhdojnë
të përplasen nga scila në haribdë, tranzicioni ndërkaq do të
zgjatë pafundësisht.
Në rrethana të sipërthëna dobësohet substanca e kombit, zbehet idealizmit,
goditet rëndë ideali kombëtar, ndërkaq ëndrra për një të nesërme më të mirë -
shuhet.
Shqiptarët e pritën me entuziazëm pluralizmin politik, ndërsa për çlirimin
e Kosovës prej pushtuesve serbë e dhanë edhe jetën, por jo për t’u ndjerë të
huaj, të nënshtruar, të nëpërkëmbur, të shfrytëzuar dhe të shpërfillur në
gjirin e tokës mëmë.
Shteti ku ka punëtor me 150 euro pagë mujore, ndërsa oligarkët, politikanët
dhe bijtë e tyre, fundjavën dhe pushimet i kalojnë nëpër ishujt ezoterikë të
rruzullit - nuk mund të quhet shtet. Lumturia nuk është individuale. Ajo është
e përgjithshme. Janë të turpshme skenat migjeniane në shtetin
evropian të shekullit XXI. Në shtetin e pabarazive sociale të thella shkelen
parimet themelore të demokracisë. Aty demokracia diskreditohet.
Varfëri, në tokat e pasura shqiptare! Ç’paradoks! Kush e ka në dorë atë pasuri, ato brigje me diell?!
01.05.2020